E merkure, 04.12.2024, 12:57 PM (GMT)

Kulturë

Istref Haxhillari: Fundi i hidhur (2)

E marte, 11.12.2012, 06:34 PM


Istref Haxhillari

Fundi i hidhur

(Pjesa e dytë dhe e fundit)

Land Roveri mori kthesën përqark lulishtes rrethuar nga asfalti gri si ngjyra mbizotëruese e mëngjesit ngarkuar me re të ulura gjer poshtë. Parkoi në sheshin e vogël përpara zyrave të komunës. Ndërtesa dykatëshe vështronte rrugën kryesore dhe gëlonte nga njerëzit. Tullat e kuqe me kohë patën marrë ngjyrën e gjakut të mpiksur.

Një burrë me çantë nën sqetull zbriti nga makina, pyeti për zotin Gurten Fraholli. I thanë se kryetari pinte kafe në lokalin përballë. Mori rrugën e klubit, ngjiti shkallët e jashtme të spërdredhura dhe sapo hyri i zunë sytë burrin shtatmadh  mes një grupi shoqëruesish të zhurmshëm në tavolinën ballore. Ishte siç ia kishin përshkruar.

-Përshëndetje, zoti kryetar, - i foli me respekt.

Gurteni ktheu kokën, e shikoi në mënyrë pyetëse.

-Urdhëroni, - i tha.

-Kam ardhur për ju.

-Prisni pak, ju lutem.

I sapoardhuri zuri tavolinën e lirë me pamje nga liqeni në cepin e djathtë.

Kryetari i komunës e vështroi shkarazi, pa ndërprerë bisedën. Nuk e njihte. Zotëria ishte burrë i ri diku te dyzet vjeç, i gjatë me përpjesëtime të rregullta të shtatit dhe vështrim të mprehtë imponues. Veshja nazike, kostumi i çelur bojë kafe, këmisha e kaltër, kravata e hollë jepnin pamjen e njeriut të sigurt, plot dinjitet.

Mbaroi bisedën, ktheu gotën dhe vajti në tavolinën e tij. Pak çakërrqejf, i qeshur, gazmor. I panjohuri u ngrit në këmbë, i shtrëngoi dorën.

-Çfarë dëshironi të pini? - e pyeti.

-Këtu jeni në shtëpinë tonë, - ia ktheu, - zgjidhni ju.

Ai e falënderoi dhe u prezantua.

-Pronari i kompanisë ndërtuese “Albstar”, - i tha emrin.

-Gëzohem që u njohëm, - i tha Gurteni dhe porositi verë të bardhë. - Nga kjo kam pirë deri tani, jua këshilloj.

-Me që thoni ju, - buzëqeshi plot edukatë. Rrezet e kithëta të dritës i jepnin fytyrës së tij paksa melankolike ngjyrë të plumbtë.

Kthyen nga një gllënjkë, lanë gotat mbi tavolinë, shikuan njëri-tjetrin për disa çaste. Secili priste tjetrin të fillonte. Gurteni u thye i pari.

-Si mund t’iu ndihmoj? - e pyeti.

-Bisedojmë diku tjetër? Është diçka konfidenciale.

-Dakord, - pranoi.

-Sa për të cekur problemin dua të shuaj kuriozitetin tuaj, - i tha buzagaz.

-Po ju dëgjoj.

-U njohëm me tenderin e shpallur për ndërtimin e rrugës malore të komunës suaj.

-Shumë mirë, - foli ngadalë, qetësisht.

-Duam të marrim pjesë.

-Pse jo, - i tha, - tenderi është i hapur, përgatisni dokumentacionin.

-Ajo që dua t’u them është diçka sekrete, - foli me një lloj rezerve të kuptueshme. Ende nuk e njihte temperamentin e kryetarit.

Gurteni e pikasi ku kërkonte të dilte, po bëri të paditurin.

-Pse të mos bisedojmë këtu, nuk na dëgjon njeri, - i tha me një ngërdheshje dhëmbaçe prej elefanti.

-Shpresoj të më kuptoni, zoti kryetar, dua të flasim tek a tek, pa na bezdisur njeri. Ja, me sa shikoj u presin. - Një grua qëndronte në këmbë te hyrja dhe hidhte hera-herës sytë nga tavolina e tyre.

Gurteni u ftillua. Sapo i pati përfunduar përgatitjet për tenderin e rrugës, çdo gjë shkonte sipas parashikimit. Kishte pritur e përcjellë përfaqësues të disa kompanive ndërtuese, e natyrshme të sqaronte edhe këtë, po këmbëngulja e tij për të hyrë në pazar e grishte. Dukej njeri i edukuar, plot finesë, duhet të sillej në mënyrë të meritueshme me të.

-Epo mirë, - u dorëzua, - shkojmë në zyrë.

-Marrim makinën largohemi prej këtij mjedisi, - propozoi burri me çantë, duke vështruar në mënyrë konspirative përqark.

Deshi të kundërshtonte, po si u mendua një çast ndërroi mendje. Nuk humbiste gjë ta dëgjonte, le të njihej me pronarin e firmës “Albstar”, kushedi si vinte puna më vonë, mund t’i duhej. Nuk i pati ndodhur të përballej me shoqëri ndërtimi të këtyre përmasave, deri atëherë investimet e komunës kapnin shifra modeste.

-Më prisni pak, të kryej nja dy punë të vogla, - i tha.

Pas një çerek ore land reveri i kuq katër fenerësh pa u ndjerë mori rrugën nacionale anës liqenit. Makinën e drejtonte burri me çantë të zezë. Kryetari i komunës në vendin e parë admironte komoditetin e automjetit modern. I bënë përshtypje aparaturat e sofistikuara të panjohura, kroskoti i lartë, xhamat e errët, tapiceria.

-Makinë e mirë, - i tha me lakmi të dukshme.

-Nuk është vështirë ta sigurosh, - foli ndërtuesi me ton të paqartë, dykuptimësh.

-E si? - e vështroi me naivitet.

Pronari i firmës ndërtuese “Albstar” mori kthesë në një xhep të gjerë rruge, frenoi, u kthye e vështroi në kokërr të syrit.

-Ma jepni mua tenderin e rrugës, - i propozoi, - atëherë makina është juaja.

Ai e mori për shaka.

-E mendoni kaq të lehtë?

-As të vështirë nuk e shoh, - në zërin e tij u ndje një theks ironie.

-Tenderi është publik, fitojeni, - mori pamje shpërfillëse, u mbështet në sedilje, zgjati këmbët. Në të vërtetë propozimi e intrigonte.

-Zoti kryetar, kam njëzet vjet me këtë punë, e di mirë ç’është tenderi, - u mundua të ngjallte besimin e tij. Dhe të ngrinte humorin e bisedës.

-Fondet i ka siguruar deputeti i zonës, nuk mund të shmanget në asnjë mënyrë, - iu hap burrit të panjohur.

-Cili është? - u befasuar nga sinqeriteti i kryetarit. Aty për aty mendoi se nuk do ta kishte vështirë ta përpunonte burrin e shëndoshë, të thyeshëm.

-Rudin Kosta.

-Kam dëgjuar, - u shtrua në bisedë, - figurë jo fort e pastër.

Reagimi i parë i kryetarit të komunës ishte habia: u vrenjt, qerpikët e rrallë u përpëlitën disa herë të befasuar.

-Nuk më duket e mençur t’u besosh njerëzve që admiron më shumë. Janë ata që ta ngulin thikën pas shpine, - guxoi më tej presidenti i “Albstar”-it.

-Ju lutem, lëreni këtë muhabet, - u thartua në fytyrë për t’u dhënë ngarkesë negative fjalëve. Zëri i vrazhdë i shkonte fizionomisë së tij të rëndë.

-Zoti kryetar, unë besoj në të vërtetën edhe kur është e hidhur. Të vetmet realitete që duhen marrë në konsideratë janë faktet. Për deputetin tuaj janë evidentuar disa të tilla, mbase ju nuk i dini.

-Nuk e njoh të tillë, - lëshoi terren me kujdes.

-Se mos ju ka ranë rasti, burrat si deputeti juaj njihen në rrethana ku luhen interesa, - i tha me bindje. I zbavitur.

Gurteni nuk kishte pasur marrëdhënie të këtij tipi me Shefin. Rruga malore ishte rasti i parë. Donte të luante në mënyrë korrekte me të, nuk mund të pranonte oferta të tilla, aq më tepër nga një i panjohur. Hija e mosbesimit dhe dyshimit rëndoi mbi burrin shtatmadh.

-Më mirë e mbyllim këtu, - propozoi.

Nga pasqyra e makinës pronari i “Albstar”-it shqoi pa ndonjë vështirësi dyzimin në shprehjen e menduar të fytyrës bullafiqe dhe buzëqeshi nën vete.

-Misteri mbetet joshës si ëndërr e bukur, derisa zbulohet. Atëherë mund të jetë e kundërta, - u shpreh në mënyrë të errët.

-A mund të flisni pak më qartë? - i kërkoi dhe fytyra e mysët me ekstremitete të theksuara bëri një ngërdheshje idiote. Natyrisht jo të qëllimshme.

-Qeniet njerëzore rrëshqasin gjithnjë në gabime, - i tha, - ju e njihni Rudin Kostën vetëm si deputet, - i mëshoi fjalës së fundit.

Nënteksti nuk linte vend për dyshime.

-Këto mbajini për vete, - u revoltua dhe shtoi i përndezur, - ndoshta s’kemi çfarë të bisedojmë më.

-Diçka të fundit, - sytë e vëmendshëm të ndërtuesit e shpuan si turjelë, teksa bëri gjest të lehtë me dorë të priste fare pak.

Gurteni nuk foli, vetëm e këqyri skeptik pa ndonjë interesim të lexueshëm.

-Ne do ta fitojmë këtë tender me vlerën më të ulët. Për ju dhe deputetin tuaj nuk do të mbetët asgjë. Do të bindeni shumë shpejt, - i tha dhe lëvizi çelësin në kuadrin e makinës.

-Përse ju intereson kaq shumë rruga jonë? - pyeti i mërzitur, me ton të zbutur.

-Kam listën e firmave konkurrente. Asnjëra nuk ka kapacitetin tonë, i eliminojmë në çdo rrethanë, me çdo mjet të duan.

Gurteni u frikësua nga siguria e presidentit të “Albstarit” dhe iu desh të mendohej për të bindur veten të hidhte hapin e radhës. Ai kishte të drejtë,“Infiniti” mezi zbriste në shtatëdhjetë e pesë përqind. Filloi të dyshonte nëse komisioni i tenderimit do të mund ta përballonte këtë firmë lubi? Ata mund ta ndiqnin çështjen në të gjitha instancat dhe ta përmbysnin tenderin kur të donin. Po i ikte nga duart shansi i përgatitur me aq mundim. Për herë të parë dyshoi përse Shefi zgjodhi një firmë që nuk afronte me sigurinë e këtyre? A thua të qe preferencë e rastit?

-Çfarë propozoni ju? - lëshoi pe. Në të vërtetë shihte një mundësi alternative. Pse ta nënvlerësonte?

-Kompromis me firmat tenderuese, u japim nga një kothere dhe ato shikojnë punën.

-Vetëm kaq?

Burri qeshi me naivitetin e tij. Nuk i shpëtoi një shprehje e mezidallueshme nënçmimi.

-Ne e fitojmë tenderin me vlerë të plotë, ju merrni njëzetepesë përqind në dorë, pjesa që mbetet ndahet në tresh: rruga, ju dhe deputeti.

-Po talleni zotëri? - u nxeh.

-Ç’ju shtyn të mendoni ashtu?

-Sa do të shpenzoni për ndërtimin e rrugës?

-Çerekun e vlerës, - pronari i rafinuar s’e kishte zakon t’u vinte përqark fjalëve.

-Dhe mendoni se mjaftojnë?

-Më shumë se kaq, teprojnë.

-Si kështu, or burrë?

-Zoti kryetar, po të përpiqeni ta shikoni objektivisht kuptohet fare e qartë.

-Ç’doni të thoni? - humbi toruan.

-Ajo rrugë nuk mund të bëhet as me dhjetë milion, as me njëqind milion. Janë pare të hedhura kot. Përse mendoni se do të ishim kaq të interesuar?

Pas këtij argumenti Gurteni u rrek të shihte çështjen objektivisht. Dhe e kuptoj sakaq se vërtet ishte e thjeshtë.

-Më duhet ta bisedoj me deputetin, - tha i zymtë. Koka iu bë dhallë, “Albstari” i fuqishëm po përmbyste gjithçka patën llogaritur. Vështirë të kundërshtonte argumentet që e verbuan me  kthjelltësinë e tyre.

-Nuk e mendoj lëvizje të zgjuar, - i sugjeroi ndërtuesi.

-Gaboheni, zotëri, - nguli këmbë dhe u ngjesh pas sediljes, mori pamje indiferente.

-Nëse pranoni propozimin tonë fitoni njëzet milion në dorë përveç pjesës që do të ndani me deputetin. Nëse jo, as ju, as deputeti nuk merrni gjë, - e kërcënoi.

-Pse të mos i them paraprakisht? - qëndroi në të tijën. I tendosur, por i përmbajtur

-Zoti kryetar, nuk e kuptoj përse ky deputet u shtije datën? Jeni i zgjedhur nga populli, mos e varni veten kaq shumë nga ai.

-Ka siguruar paratë, - tha pa mundur të kundërshtojë logjikën e tij.

-Në ç’mënyrë?

-Bindi FSHZH-në të japë fonde të përsëritura për rikonstruksionin e rrugës. Këtë mund të bënte vetëm ai me autoritetin e deputetit.

-Një veprim i kundërligjshëm, - deduktoi ai.

-Afërsisht, - pranoi, duke e habitur gjithnjë e më shumë ndërtuesin.

-Ai do t’u shiste për më pak se kaq.

-Nuk e besoj, - i tha me kokëfortësi.

-Bëni si të doni, - u tërhoq, - për mua nuk ndryshon gjë.

-Ka përzgjedhur firmë tjetër, - u zbulua deri në fund kryetari i komunës.

-Në ç’kuptim?

-Atë që do ta fitojë tenderin.

-Cilën firmë?

-Këtë nuk mund t’ua them, - buzët e trasha, të mbushura u përdrodhën në një buzëqeshje të ngrirë.

-Mos ma thuaj, as më duhet, - u revoltua, ndezi makinën. Gishtërinjtë ngarkuar me unaza shtrënguan timonin, por nuk u ngut, vështroi burrin e ngjallur, ngurosur në ndenjësen e makinës dhe shtoi i prerë.

-Duhet ta dini: përveç “Albstarit” askush nuk do ta marrë këtë tender.

Toni i rëndë dhe vendosmëria e thyen. Takimi me pronarin e firmës gjigande nisi si të gjitha të tjerat, mendoi ta përcillte shpejt, po ngeci në rrjeta të paparashikuara.

-Prisni, - tha i pështjelluar, - ta mendojmë njëherë.

-Mendojeni, - foli me kënaqësi që mezi shquhej.

-Meqenëse këtu nuk na dëgjon njeri le të flasim me karta të hapura.

-Dakord.

-Cili është propozimi juaj konkret?

-Sapo ua thashë.

-Pak më shkoqur.

-Ne marrim pjesë në tender me vlerë nëntëdhjetë e nëntë përqind. Të gjitha firmat konkurruese do të hynë me oferta paksa mbi këtë vlerë, pasi të kenë marrë më parë përqindjen e tyre. Komisioni do të na shpallë fitues, ju nuk kini asnjë problem, - përfundoi duke buzëqeshur.

Gurteni tundi kokën dyshues, u përpoq të mblidhte mendimet. Terreni po bëhej i rrëshqitshëm, vështirë ta kuptoje të vërtetën e kulluar. Nëse ndiqej kjo procedurë, përse do të shpërblehej ai dhe deputeti? Mos kujtonte ky se do ta hante aq lehtë karremin?

“Jo more zotëri, nuk bëhen kështu punët.”- mendoi. Pastaj foli serioz.

-U duket kaq e thjeshtë?

-Natyrisht.

-Komisioni do t’u skualifikojë me pretekste të tjera, - ia preu shkurt me ton provokues.

-Si?

-Mangësi dokumentacioni është njëra nga mundësitë. Atëherë e fiton firma pasardhëse dhe ju largoheni.

-Keni të drejtë, - i tha, - këtu zë fill roli juaj, të mos nxirrni pengesa artificiale, prandaj  do të shpërbleheni.

-Po deputeti? - hyri në temën që e cyste pareshtur.

-Siç ju thashë më parë.

Kryetari i komunës e pa veten të pazotin të kundërshtonte akoma. Oferta dukej ide e vyer, gjithçka rridhte natyrshëm, pa kokëçarje. Deputeti do të mbetej i kënaqur, ç’kishte për të marrë do ta merrte, qëllimi arrihej. Mendoi se iu dha mundësi ideale, s’kishte si ta linte t’i shpëtonte duarsh.

Kthesa e bisedës i dha fund hezitimit të gjatë.

-Dua dyzet milion në dorë paraprakisht, - i tha, - për vete dhe deputetin. Dorëzoni paratë dhe nuk do të kini pengesa.

-U tha u bë, - u përgjigj pronari i “Albstar”-it. - Kur i doni paratë?

-Kur mendoni ju?

-Pas një jave, dakord?

-Do të dërgoj personin tim.

-Personin tuaj? - u habit.

-Një “kamikaz”, mos kini merak.

-E di deputeti?

-Edhe ai e përdor.

Të dy burrat shtrënguan duart, u nisën të festojnë marrëveshjen. Në dallim nga mëngjesi i zymtë, po ngrysej një e mërkurë e këndshme, mbushur me re lozonjare ngjyrë qumështi. Puhiza e lehtë shushurinte dy anëve të makinës. Faqet e kodrave në të majtë, mbushur me gjelbërim dhe lule të egra, kundërmonin. Gurteni ndihej i lehtësuar. Vetëm një pjesë shumë e vogël e tij turpërohej nga ajo marrëveshje.

“Ditë me fat” - mendoi dhe i hodhi ndërtuesit një vështrim të zgjatur gjithë kënaqësi.

Shtatë ditë më vonë, e mërkura e radhës e ngrohtë plot diell, nuk qe aq me fat për kryetarin e komunës Qendër. Mbrëmjen e shkuar, të martën në orën njëzet e tridhjetë, televizioni kombëtar më i shikuar transmetoi pjesë të bisedës me përfaqësuesin e kompanisë ndërtuese, ato më komprometuese që e nxirrnin zbuluar. I çuditur mësoi se “Albstar” nuk ekzistonte, presidenti i saj elegant ishte thjesht gazetar i televizionit. Kurrë nuk i pati shkuar ndërmend se një ditë do t’i punonin rreng të tillë.

Zuri kokën me duar, qëndroi gjatë i harruar para televizorit.

Shefi e ndoqi emisionin nga shtëpia, i ngurosur pa pikë gjaku në fytyrë. Sapo titrat lajmëruan denoncimin e korrupsionit në një komunë juglindore të Shqipërisë, ndjeu instinktivisht se diçka e keqe kishte ndodhur. U përqendrua në ekran, priti vazhdimin me një fije shprese.

Që u këput përnjëherë.

Kamera fokusonte kryetarin trupmadh të komunës mbështetur në ndenjësen e parë të makinës. Pinte cigare, bisedonte qetësisht, i sigurt e i patrazuar. Figura dhe zëri, filmuar prej aparaturave profesionale të montuara në makinë, riprodhoheshin jashtëzakonisht qartë. Tiparet e ashpra të Gurtenit, shprehja e fytyrës sipas kthesave të bisedës, frymëmarrja astmatike, kënaqësia në përfundim të marrëveshjes zotëruan ekranin dhjetë minuta të gjata që zvarriteshin me hapin e breshkës.

Të një breshke shumë të vogël.

Truri iu mjegullua, gjendja shpirtërore ra në pikiatë. Ajo që ndjeu nuk ishte vetëm era e keqe e dështimit total, por edhe era e ligësive. Një i metë mund të mos e kuptonte se gjithçka ishte e mirëorganizuar me kujdesin më të madh. Gazetari dispononte fakte të pakontestueshme me të cilat e gjunjëzoi kryetarin guhak të komunës.

Lista e firmave konkurruese u mbajt sekret, nuk u hodh asgjë në internet me përjashtim të faqes së FSHZH-së, ku deklarohej livrimi i fondeve. Për këto u kujdes vetë. Si ranë të dhënat në duart e drejtuesve të emisionit investigativ? Fondet e përsëritura ishin qëmtuar hollësisht. Fizibiliteti i terrenit të rrugës, ndër argumentet rrënuese, gjithashtu qe gërmuar në detaje.

Pasi analizoi në mënyrë të rrufeshme situatën, erdhi në përfundimin se dikush veproi prapa krahëve në mënyrë metodike dhe dashakeqe. Dikush që e njihte mirë rrugën e fshatit malor dhe odisenë e fondeve për rikonstruksionin e saj. Sido që ziente nga inati, nuk mësoi kurrë më shumë se kaq. Sigurisht sekretet nuk i nxori Gurteni, s’kishte pse ta bënte.

I panjohuri i rrezikshëm mbeti i tillë, e pamundur ta zbulonte.

Si zakonisht mëngjeseve, hyri në barin e Kuvendit mes një lumi vështrimesh, zuri vend nga fundi. Ndihej atmosfera e tensionit në të gjitha tavolinat, me siguri skandali zinte kreun e bisedave të ditës. Andrea e ndoqi pas, hera-herës vështronte me bisht të syrit. Porositën kafe dhe heshtën.

Një heshtje e rëndë që fliste.

Shefi pinte pa pushim cigare i tjetërsuar deri në atë pikë sa të jepte përshtypjen se pësoi rrëzim të plotë mendor: i zverdhur, i kërrusur, sytë e ligur e të hidhëruar.

-Gurteni është fajtor, - hapi bisedën Andrea si të bënte një zbulim të rëndësishëm. Nuk i ra ndërmend ndonjë gjë më e mençur.

-Dihet, - tha Shefi i ligështuar.

-Ra në grackë me lehtësinë më të madhe.

-Tani u bë fakt i kryer, e kotë ta zgjatim, - i preu fjalën.

Andrea nuk dinte çfarë të thoshte tjetër dhe heshti përsëri.

-Puna është se më ngatërroi mua, - deputeti hyri në pjesën e fshehtë të bisedës. Nuk do të donte ta bënte, po tani s’kishte kujt t’i hapej. Ishte i vetmi që mund ta dëgjonte.

-Kjo është e keqja, - e përforcoi Andrea.

-Trilloi gjëra të paqena, - tundi kokën i inatosur. Por jo i nënshtruar.

-Të gjitha? - mori kurajë.

-Gjithçka tha për mua, - e shikoi në sy. - Unë vetëm sigurova fondet, me kaq mbaronte angazhimi im, procedura e tenderimit del jashtë kompetencës së deputetit.

-Përse e bëri?

Rudi u mendua njëlloj si të përballej me kundërshtar të rrezikshëm e të zgjuar. Stërvitej për zhvillimet e mëvonshme, kur do t’i duhej të përgjigjej para gazetarëve.

-Mendoj se donte t’i bënte presion firmës imagjinare të cilën nuk e pandehte të tillë, - u përgjigj jo fort i sigurt.

-Atëherë e ka zgjidhjen, - Andrea ngriti kokën me triumf si të kishte zbuluar çelësin magjik të zhbllokimit të ngërçit.

-Çfarë zgjidhje?

-Të mohoni përfshirjen tuaj.

-Do ta bëj, - tha pa entuziazëm, - e kam menduar.

-Besoj se riparohet imazhi.

-Jo, krejtësisht - tha Shefi.

-Pse?

-Efekti nuk do të shuhet kurrë, vetëm mund të zbutet disi. Televizioni është lubi, armë me qitje të largët.

-E kuptoj, - tha Andrea.

-Sigurisht, - miratoi deputeti.

-Një ditë do të harrohet, - iu rikthye argumentit të mëparshëm.

-Ndoshta, por pasojat do të rizgjohen sa herë të përmendet emri im, - u zymtua Shefi, - dhe kësaj s’kemi çfarë t’i bëjmë.

-Mundet, - tha Andrea.

Rudi pagoi dhe u nis me hap të shpejtë drejt godinës së kryesisë së Kuvendit. Duke ikur përshëndeti me kokë kolegët e tavolinave të afërta. Jashtë hyrjes kryesore vuri re grupin e  rrëmujshëm të reporterëve me kamera, mikrofona dhe blloqe shënimesh në duar. Kryetari i Kuvendit jepte intervistën rutinë në prag të nisjes jashtë shtetit, po atij i dogji. Me siguri shumë syresh e gjuanin, prisnin të dilte nga ambientet e brendshme. Mund të vinte bast se po të paraqitej njëherësh me kryetarin e Kuvendit, do të sulmonin atë. Gazetarët kërkonin lajme.

Dhe atë ditë lajmi ishte ai.

U nda me Andrean, ngjiti shkallët e zyrës në katin e dytë të ndërtesës hijerëndë. Një tryezë lisi dhe tetë karrige anash veshur me lëkurë të zezë shërbenin për mbledhjet e komisionit parlamentar të ligjeve. Mbi syprinë dremisnin stiva me letra, blloqe, kancelari. Manualet dhe dosjet zinin raftet përqark. Kompjuteri i punës me stemën e kuvendit pulsonte në të majtë, ndërsa portreti i presidentit të republikës vështronte prapa kolltukut me sy të qashtër prej njeriu të urtë, zemërmadh.

U plas në kolltuk i sulmuar nga mendime të errëta. Përpiqej të orientohej në xhunglën e tyre, të kapte një fill sado të dobët shprese, të shestonte planin për veprimet e ardhshme në të vetmin vend ku nuk e shqetësonte njeri. Besonte se do të neutralizonte njëfarësoj efektin e zhurmës mediatike ashtu si çdo problem të zakonshëm: në kohën e duhur dhe jo më parë. Natyrisht do të arnonte një rrobë të shqyer tashmë, por personaliteti, përvoja e gjatë dhe koraca e të zgjedhurit ishin aleatë të fuqishëm.

Hapi telefonin e zyrës, pa mesazhet. Fiksoi vetëm dy, të parin nga një gazetë e Tiranës më tirazh të madh, tjetrin stacionin televiziv që  realizoi investigimin. Mesazhi i tretë vinte nga drejtori ekzekutiv i FSHZH-së. Përplasi telefonin, i ra rrotull zyrës dhe kyçi derën. Korridori ishte plot me thashethemet e ethshme të së martës në mbrëmje. Atë ditë fytyra e tij pati dalë nëpër gazeta dhe nuk donte ta shihnin. Skandali po fryhej, mund të merrte përmasa të rrezikshme.

Kishte qenë ditë e rrëmujshme...

Dhimbja e mprehtë në stomak i kujtoi se kishte tërë ditën pa futur gjë në gojë. Ora po shkonte dy, papritur u ndje i dobët, i lodhur dhe i uritur. Vuri këmbët mbi tryezë, mbylli sytë. Nuk i hiqej nga mendja skena e pështirë.

“-Dua dyzet milion në dorë paraprakisht për vete dhe deputetin. Dorëzoni paratë dhe nuk do të kini pengesa.

-U tha, u bë. Kur i doni paratë?

-Kur mendoni ju?

-Pas një jave, dakord?

-Do të dërgoj personin tim.

-Personin tuaj?

-Një “kamikaz”, mos kini merak.”

-E di deputeti?

-Edhe ai e përdor.”

Nuk pati imagjinuar gafë të këtyre përmasave. Situata degjeneroi plotësisht kundër programimit të kujdesshëm për faj të një njeriu, Gurten Frahollit. Duhet të ishe i trashë sa ai t’i hapeshe në këtë mënyrë një të panjohuri, qoftë edhe president i vërtetë firme. Nuk mund t’ia falte vetes të masakrohej për një shumë qesharake.

Kërkoi disa herë Gurtenin në telefon. Linja vazhdoi gjatë të mbetej pa gojë. Minuta të rënda trokisnin, ai s’dukej gjëkundi. Mendoi se i fshihej qëllimisht. Në shpirtin e tij varroseshin bëma të këqija dhe ai e dinte kaq gjë. E ndau mendjen të merrej më vonë me të.

I telefonoi drejtorit ekzekutiv të FSHZH-së.

-Ju lutem ejani këtu - i tha pa e përshëndetur.

Pas çerek ore hyri një burrë krejtësisht tullac, shtatshkurtër me syze të holla metalike dhe ecje të lehtë prej femre. Sytë e bardhëllemë, të shpëlarë e seriozë, dhëmbët e rregullt i  shkëlqenin sa herë hapte gojën. Rudi u ngrit në këmbë. Shtrëngimi i duarve u bë formal, i shkurtër dhe i ftohtë.

-Uluni, - i tregoi karrigen e parë në të djathtë.

-Ju kam kërkuar disa herë, - tha drejtori me zë të hollë e të dobët sikur do t’i këputej nga çasti në çast.

-Besoj e kuptoni arsyen.

-Sigurisht.

-Nuk me shkonte kurrë në mend, - u ankua Shefi.

-Si është e vërteta? - pyeti me njëfarë rezerve burri i imët.

-Nuk ka vlerë e vërteta, - i tha, - e rëndësishme mbetet ajo që do të besojnë njerëzit pas reagimit tonë. Dhe këtu nuk mund të tolerohen të çara.

Pasoi heshtje e zgjatur, e tymtë siç ndodh rëndom midis bashkëfajtorëve.

-A mund të kem besim te ju? - Rudi u përkul mbi bërryla, e shikoi drejt në sy.

-Patjetër, - u përgjigj, - të dy jemi përfshirë.

Ai priti të vazhdonte. Shqetësimi përvëlues i lexohej në të gjitha tiparet e fytyrës.

-Fondet e përsëritura i ndalon kategorikisht statuti i fondacionit, - arsyetoi burri i vogël, - klauzola e vetme që mund të përdoret mbetet siguria maksimale e projektit.

-E qartë, - tha Rudi.

-Masat përforcuese për bllokimin e rrëshqitjeve dhe veprat e artit e justifikojnë disi, në këtë pikë mendoj se nuk ka shkelje.

-Po inxhinieri?

-Ai do ta argumentojë nga ana teknike.

-E kisha fjalën për të mëparshmin, - tha Rudi, - atë që u tërhoq nga projekti.

Drejtori ekzekutiv ngriti supet. Këtë nuk e parashikoi.

-Duhet të bisedoni, mund të na prishë punë.

-Do të përpiqem, - rrudhi buzët i merakosur.

-Bëni të pamundurën.

-Do ta bëj, - i tha.

-Efekti mediatik nuk mbulohet, - u vrenjt Rudi. Ishte pika më e nxehtë që i druhej, po nuk mund ta shmangte kurrsesi. Që nga mëngjesi e priste jashtë një bandë e tërë linçuesish.

Drejtori u mendua paksa përpara se të fliste.

-Nuk do të ketë efekt juridik, - iu shmang përgjigjes direkt me një vezullim të shpejtë të dhëmbëve të përsosur, - për këtë duhet të jeni i sigurt.

-Keni të drejtë, - miratoi.

Diskutuan gjatë dhe u ndanë miqësisht. Drejtori i dhuroi deputetit një shtrëngim të sinqertë duarsh, u largua duke tundur vithet e vogla. Rudi u ndje pak më i lehtësuar. Shpina  deri atëherë e kërrusur u drejtua, i erdhi ngjyra e fytyrës, buzëqeshi për herë të parë. Pa dyshim mund të mbështetej te fjala e tij.

Pas tentativash të përsëritura më në fund Gurteni u përgjigj në telefon.

-Nuk e dija se po rrezikoja... - nisi të sqarohej, por ai e ndërpreu menjëherë me tonin më të qetë të mundshëm.

-Ndodhin, - i tha, - ka pasur raste të tilla, madje më keq.

-Nuk ia fal vetes, - vazhdoi të ankohej.

-Eja të bisedojmë këtu, - i tha, - në telefon nuk mund të flasim.

-Mirë, Shef, - u zbut zëri në anën tjetër të linjës.

-Nuk janë përmbysur qiejt, - i dha zemër para se të mbyllte telefonin.

S’doli në kohën e kafes së dytë, siç bënin të gjithë deputetët e tjerë, përvijoi në mendje planin e bisedës. Kryetari i komunës mbetej pika kyçe e planit të mbrojtjes. Ishte në dorën e tij të rikuperonte pjesërisht efektin. Përpunimi kërkonte kujdes dhe ai u përgatit.

E shestoi disa herë derisa u bind se thjeshtimi i fajit në gabim të zakonshëm ishte mënyra më e mirë për ta aktivizuar të ndreqte ç’pati prishur. E priste të vinte shpejt dhe, kur u vonua më shumë nga sa e parashikoi, padurimi kaloi kufijtë. Të paktën dhjetë herë kontrolloi orën e dorës. Akrepat mezi rrotulloheshin.

Në hyrjen e Kuvendit kryetarit të komunës Qendër iu desh të çajë mes një grumbulli të pazakontë gazetarësh dhe kameramanësh me pajisje të rënda  mbi supe. Në mikrofonat lexoheshin logot e të gjitha televizioneve të Tiranës.

Nxori mandatin pas dritares së portës.

-Do të takoj deputetin Rudin Kosta, - i tha rojës me uniformë.

-Ju pret? - deshi të sigurohej ai

-Po, - i tha, - kemi lënë të takohemi këtu.

-Këta kanë tërë ditën, - tregoi grupin e reporterëve.

-Mua më ka thirrur, - ngriti zërin.

Roja hapi derën duke larguar me duar gazetarët e paduruar.

Deputeti e priti në këmbë i qetë pa asnjë shenjë zemërimi, teksa Gurteni i përkulur nga pesha e gabimit ndihej thellësisht fajtor që larg. Fytyra e rrudhur, sytë e futur thellë zgavrave, buzët e lagura me dhëmbë të shtrënguar e tregonin në pikë të hallit. Dukej i mposhtur, jashtë kohe, një njeri i dëshpëruar.

-Si jeni? - foli me zë të ngjirur, sa për të filluar.

Rudi vështroi fëmijën gjigand përkulur mbi tavolinë dhe as i shkoi në mendje t’i kërkonte llogari. Jo vetëm pse ashtu e planifikoi, porse gjendeshin rastësisht të dy në vorbullën e fajit nga e njëjta anë e barrikadës. Njëzet e katër orët e fundit hasi të parin njeri po aq të mërzitur sa ai dhe iu duk se gjeti binjakun e halleve me të cilin mund të fliste pa doreza dhe pa droje. Edhe po të mos kesh shumë simpati për dikë ndodh të trishtohesh për të.

-Ki mirësinë sa më shkurt, - mbështeti dorën në faqen e djathtë të dëgjonte.

Në disa raste një zë miqësor ta ngre moralin dhe Gurteni kishte nevojë pikërisht për këtë gjë. Deputeti ishte një çati mbi kokën e tij të rrezikuar. Që pikonte, po çati prapëseprapë. I shpjegoi se u nis nga dëshira e mirë të përfitonte pa futur në telashe veten dhe atë, zgjidhja e propozuar iu duk më komode nga ajo e firmës“Infinit”, se ai nuk besonte shumë te komisioni i tenderit etj. Në përfundim rrëfimi nuk e bëri të ndihej më mirë. Mbeti po aq fajtor sa kur hyri.

Si përrallë nuk shahej, po duhet t’ia tregonte ndonjë tjetri.

-E di çfarë do të ndodhë? - e pyeti Shefi duke luftuar me veten të fliste sa më natyrshëm.

-Jo, - i tha fare i sinqertë.

-Në rastin më të mirë lirohesh nga detyra, në rastin më të keq shkon në gjyq. Penalizojnë disa nene.

-E kuptoj, - mezi mundi të thotë. E pa veten në duart e fatit të keq si miza në dhëmbët e elefantit që gëlltit lehtësisht çdo qëndresë.

-Mund të ndikoj, - i dha një fije shpresë.

-Faleminderit, - pëshpëriti me sytë ulur. Pastaj u kujtua ta pyesë.

-Po ju?

-Unë jam në dorën tënde, - i tha.

-Qysh?

-Të mohosh përfshirjen time.

E sqaroi sa më thjesht mundi, po nuk ishte i sigurt nëse do të funksiononte. Zemra e tij  gërryhej prej zhgënjimit, i dukej privilegj të besonte ende. E la veten në mëshirën e fatit dhe të kohës, maksimumi që mund të bënte në rrethanat e krijuara.

Gjithçka do ta tregonte dita e nesërme.

Që erdhi duke u zvarritur tmerrësisht ngadalë me tempin e tetraplegjikëve.

U gdhi një mëngjes i ngrysur e i tymtë tiranas që s’të bënte për vete, mbuluar me re gri të dendura. Ky mëngjes u bë ngjarja më e rëndësishme që i kujtohej Rudin Kostës në jetën e tij të mëvonshme. S’kishte pasur kurrë diçka tjetër t’ia kalonte bujës dhe vëmendjes që pati ajo intervistë e detyruar.

Zyra u përmbyt nga dhjetëra gazetarë, fytyra vajzash të lyera dhe djemsh me kokat e rruara zero, mikrofona, aparate regjistrimi e filmimi. Rudi veshi për këtë rast kostum mavi të çelur dhe kravatë blu me pika të bardha. Vuri maskën e njeriut indiferent, të sigurt e të afërt, madje gazmor. Asnjë gjurmë faji nuk i vegjetonte në fytyrë.

U bëri ballë vështrimeve duke buzëqeshur.

-Më keni në dispozicion gjysmë ore, - u tha, - mjafton?

Reporterët nisën të flasin të gjithë përnjëherë, zhurmonin, ndërprisnin njëri-tjetrin, derisa vendosën vetë një farë rregulli të brishtë.

-Zoti deputet, si e gjykoni veprimin e kryetarit të komunës Qendër? - gati i futi nën hundë mikrofonin një vajzë e bëshme me flokë të kuq, të dredhur.

-Të dënueshëm zonjushë, domosdo.

-Jeni i përfshirë? - i afroi mikrofonin gazetari në të majtë me ton të fjollë e të butë, por  ngulmues të vendosur.

-Absolutisht jo.

-Zoti Fraholli e bëri të qartë përfshirjen tuaj. Cili është komenti?

-Pyeteni zotin Fraholli.

-A mund të ndërtohet rruga në trasenë e vjetër? - tingëlloi zëri bas i një djali shtatmadh.

-Këtë e dinë inxhinierët, unë jam jurist.

Reporteri i televizionit që investigoi, pasi u prezantua pyeti me zë të thatë si tingull druri bosh nga brenda.

-Pse kërkuat fonde të përsëritura?

-Fondet i kërkojnë njësitë e qeverisjes vendore në bazë të projekteve paraprake.

-Nuk keni asnjë lidhje me këtë rrugë? - hodhi sarkazmin një brune e lezetshme me flokë të prera shkurt si djalë.

Rudi u përgjigj pa i lëvizur asnjë tipar në fytyrën e ngurtësuar.

-Një deputet e ka për detyrë të interesohet për zonën e tij elektorale.

-Çfarë marrëdhënie keni me kompaninë e ndërtimit “Infinit”?

-Asnjë marrëdhënie, - buzëqeshi me lezet si për t’i thënë se kjo ishte e tepërt, diçka e vetëkuptueshme.

-Pse e përzgjodhët të fitonte tenderin?

-Nuk është aspak e vërtetë.

-E deklaroi kryetari i komunës, - nguli këmbë pak agresiv dikush nga fundi i lukunisë së reporterëve.

-Ua thashë, unë nuk kam të bëj.

-Sa do të përfitonit ju po ta merrte tenderin firma “Infinit”? - batuta erdhi direkt, e zhveshur nga çdo lloj aluzioni.

Përgjigja u kthye e barasvlershme.

-Një miliard dollarë, - bëri humor.

-Si e ka emrin kamikazi juaj? - pyetja e radhës tingëlloi provokuese.

-Nuk njoh asnjë kamikaz, - qeshi dhe shtoi prerë.

-Koha mbaroi, iu faleminderit.

Intervista u ndërtua qëllimisht lakonike, nuk linte shteg të supozohej përfshirja.

I bindur se e nxori veten të pafajshëm priti i qetë, po çuditërisht gjithçka u kthye kundër tij. Gazetat e ditës së enjte në faqen e parë botuan me shkronja të mëdha lajmin sensacional. Përgjigjet e ndërtuara me aq kujdes u përmbysën prej komenteve befasuese.

Të tmerrshme, siç shprehej ai në raste të tilla.

“Deputeti Rudin Kosta u mundua të fshihet si struci në rërën e shkretëtirës”, “Asnjë pyetje nuk mori përgjigje”, “Një deputet që i kushton vendit miliona”, ishin disa nga titujt e shkrimeve. Zhurma mediatike u amplifikua prej emisioneve televizive në disa kanale kombëtare.   Analistë me përvojë e dënuan aktin dhe kërkuan të mbahej qëndrim i prerë.

Kryeministri i vendit shkarkoi Gurten Frahollin dhe po atë ditë Presidenti i Republikës shpalli datën e zgjedhjeve të reja në komunën Qendër.

Rudin Kosta nuk shkeli më zonën elektorale. Në zgjedhjet legjislative të radhës emri i tij u hoq nga lista e kandidaturave. Shumë shpejt u harrua deputeti hijerëndë që dikur bënte ligjin në qytetin liqenor.

Fajtorët që e fundosën nuk kishin as fytyrë, as emër. Ai dyshonte, por objekti mbeti përjetësisht i vagullt. Nuk mund ta dinte, as e mori vesh kurrë se gjithçka nisi me një telefonatë të  Ned Aganit për drejtuesit e emisionit investigativ. Nedi, me origjinë nga fshati malor, e dinte po aq mirë sa të gjithë se rruga hante fonde pas fondesh dhe nuk mund të ndërtohej në trasenë e vjetër. Asnjë përçapje nuk pinte ujë, deputeti amortizonte me lehtësi çdo lloj kundërshtimi.

Derisa u gjet e vetmja dritare për të realizuar aspiratën e hershme të banorëve.

E kaluara e kohëve të fundit me kujtimet torturuese, hamendjet, kuptimet, moskuptimet u bë më e vërtetë se e tashmja. Mënyra më e mirë për ta harruar ngelej të mos e kujtonte atë dhe të pinte.

Sidomos të pinte.

Nëpër rrugët e Tiranës zuri të shfaqej gjithnjë e më shpesh një burrë i ngjallur, veshur dosido. Nga flokët e dikurshëm të dendur vegjetonte ende një gri e zbardhëllyer. Hynte me radhë nëpër pijetore të dorës së dytë e të tretë. Ajo që mbeti nga deputeti potent, i sigurt në vetvete ishte  pështjellimi i pataksuar.

Kurrë nuk ishte ndier aq i vetmuar në shtëpi dhe jashtë saj. Sidomos në shtrat. Kujdesit të Mirës i përgjigjej me brutalitet, e akuzonte për tradhti bashkëshortore, e përbuzte.

Dikur për këtë sëmundje iu kujtua ilaçi i kohëve të vjetra dhe filloi ta përdorë prapë, po tani në doza të mëdha.

Gati nuk i kujtohej Beka.

Në Tiranë gratë e reja që dukeshin goxha mirë të shtrira dhe të zhveshura gjendeshin kudo, vinin lehtësisht pas burrit dorëlëshuar, me para në të gjitha xhepat. Fjeti me prostituta nevojtare, gra të moshuara që donin relaks, vajza të reja pa asnjë të ardhur. Studentet e varfra e shisnin veten për fare pak. E kërkonin, e gjenin dhe pasi mbaronin punë ktheheshin nëpër leksione e seminare. Sensualiteti i vërtetë donte shumë më tepër aftësi intelekti se seksi i rëndomtë, po këtë ai e kishte humbur.

Rudin Kosta zhgërryhej në jetën e vet boshe po aq i vetmuar sa më parë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora