Kulturë
Daniel Gazulli: At Gjergj Fishta - vetëdija e kombit shqiptar
E hene, 22.10.2012, 06:21 PM
AT GJERGJ FISHTA – VETËDIJA E KOMBIT SHQIPTAR
(Ripublikim,
sot në 141-vjetorin e lindjes)
- Mbajtë në Lezhë në 50-vjetorin e vdekjes së Poetit -
“ … fatzeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty”. - Gjergj Fishta - në vdekje të Avni Rrustemit.
Fjala e mbajtun në Pallatin e Kulturës Lezhë me datë 30.12.1990.
NGA DANIEL GÀZULLI
Këtu e 46
vjet ma parë re të zeza, ngarkue me llohë stepash ruse e zgjyre serbe, u
shfaqen në qiellin e letrave shqipe, si në gjithë jetën shqiptare, e zunë yjet
ma të ndritun; ndër ta yllin e kalvarit të mundimeve shekullore, At Gjergj
Fishtën. Por ai:
Ndërtue
kishte ‘i pomenodre,
rr’fe as
mot mos m’e dërmue.
Nuk mund
të shkatrrohej vepra e tij gdhenë me daltë hutash e martinash drejtpërdrejt mbi
shkambijtë alpinë; nuk mund të shuhej ai vullkan, shpërthye ma shumë prej
zemres se sa prej mendjes së Poetit erudit. Kujtuen përbindshat xhuxhë se
vullkanin do të mund ta shuenin përgjithmonë tue hedhë baltë mbi te, po më kot:
ai shfaqej e rishfaqej me një shkelqim lëbyrës
në qiellin shqiptar të letrave.
Dhe ja,
yjet e rralluem po zanë përsëri vend në Panteon. Njeni prej tyne na grishë sot
t’i përkujtojmë 50-vjetorin e vdekjes.
Lezha, që
pesë shekuj ma parë do të merrte në gji përjetësisht Gjergjin e Madh të Historisë,
katër shekuj ma vonë do t’i jepte kombit në një fshat të vogël të Zadrimës,
Gjergjin e dytë, apostullin e lirisë. Fishta, ky fshat shpeshherë i pashënuem në
harta, asht sot në gojën, mendjen e zemrat e shqiptarëve kudo që janë në trojet
e tyne sidhe kudo që gjendet “gjaku ynë i shprishur”.
Ishte
fund i asaj nate të gjatë osmane, “natë tri herë minore”, që kishte rrënue
qytete e fshatra, kështjella e kisha, kur lindi Ai me 31 tetor 1871. Atdheu
kishte në trup nandë varrë, Atdheu ynë i brishtë ishte tretë në dhimbjen e vet.
Bijtë e tij të ligun, por të paepun, sa kishin fillue me thurë andërrat e para
për një Shqipni “zonjë më vete”. Ndërkohë, çapojtë gllabrues të sllavëve të jugut
e ata të helenëve kishin shkëputë mish e gjak nga Atdheu ynë brijëdalë e lakmia
e tyne ishte me të vërtetë rrënqethëse.
Që ky
komb i lashtë i Mesdheut të bahej shtet e të mund t’i dilte zot vetes, nuk
mjaftonin martinat e topat e kohës mbarë; duhesh dituni, pa të cilen asnjë komb
nuk mundi t’u bajë ballë rrebesheve të historisë. Asht kjo arësyeja që pushtuesit
kudo në botë, ma parë se kështjelalt, rrafshojnë shkollat, themelin e ndërgjegjes
kombëtare e liridashëse.
Ndër ata
që për shtatë shekuj me radhë nuk u tërhoqen kurrë e nuk rreshtën një çast përpjekjet
për liri, qenë françeskanët, të cilët, kur Ai ishte 9 vjeç, çelën në Troshan një
shkollë e ndër nxanësit e parë qé edhe Zefi i vogël, i biri i Ndokë Simonit.
Treva në mes
Lezhës e Shkodrës, Zadrima e sotme, e quejtun para pushtimit sllav Sapë, kishte
njohë ndër shekuj zhvillime të mbara. Në aq pak hapsinë kishin lulëzue qytezat
e Dejës, Krythës, Blinishtit e Sapës prej nga kishte marrë emnin gjithë krahina.
Ajo kishte nxjerrë bijë të shquem si Gjon Gàzulli, Frang Bardhi e Pjetër
Zarishi, por
Kur
Fishta erdhi në Troshan (se dy vitet e para i pat krye në Kolegjin Françeskan në
Shkodër), pat për mësues Leonardo de Martino-n, italo-arbneshin e shquem, poet
ndër ma të mirët e kohës.
Më 1886,
Zefin 15-vjeçar e nisën për në Bosnje që të vazhdonte ma tej studimet. Mbas një
viti, simbas rregullave françeskane, ndërroi emnin nga Zef në Gjergj. Ishte një
përkim fatlum të merrte emnin e Kastriotit të Madh, emën që e mbajti me nder sa
qé gjallë.
Ndërkohë qiri
i Frashërllijëve ishte ba pishtar. Prizreni shpërndante anë e kand Shqipnisë flakë
lirie e atdhetarie. Shkodra e vjetër, dikur portë e Ballkanit, po zgjohej nga
letargjia e hashashit osman. Malet po shkundnin supet e pluhnosuna nga zgjedha
disashekullore.
Zadrimori
i ri, atje në dhé të huej, mes murene të Kuvendeve të Guçjagorës e Livnos,
mallin e tij vullkanik filloi ta shprehte në vargje, i ndikuem edhe nga poetët
dalmatë Andrea Kaçiç e Gega Martiç, edhe ata të përvëluem për liri.
Më 1893
Fishta i ri u kthye në Atdhe. Me 25 shkurt 1894 meshoi për herë të parë në Troshan,
pikërisht aty ku kishte hedhë hapat e parë drejt një bote të trazueme e që quhej
bota e shkronjave dhe ditunisë.
Më 1897-1898
shërbeu si kapelan në Lezhë, ku do të kthehej herë mbas here, sidomos për të gjetë
prehje e për të shkrue disa prej kangëve ma të bukura të Lahutës, këtu, në mes
zadrimorëve të tij e Lekëve të Malësisë, që rrethonin Lezhën. Ku tjetër mund të
gjente prehje e frymëzim si në Lezhë ku ishin:
qielli i
kaltër, toka e blerë,
njeti dimën,
këtu pranverë …
Por nuk
do të ishte gabim të shprehemi se e përpjeta drejt lavdisë e At Gjergj Fishtës
nis pikërisht në Gomsiqe, ku pat rastin e fatin të njihej me Abatain e Mirditës,
Imzot Prengë Doçi, atdhetar i flaktë, luftëtar i paepun, por edhe poet e burrë me
kulturë të rrallë për kohën: kishte rrahë botën në
mërgimin
e tij të detyruem, prej Njufëlandit të SHBA, deri në Indi.
Në janar 1899,
Imzot Doçi bahet nismëtar i themelimit të Shoqnisë “Bashkimi”, tue mbledhë rreth
vetes anëtarë të shquem, si Dom Ndoc Nikajn e At Gjergj Fishtën, Luigj
Gurakuqin e Dom Ndre Mjeden. E nisun si shoqni kulturore, ajo luejti rol të dorës
së parë jo vetëm me botimin e fjalorit të quejtun “i Bashkimit”, e të 34
librave të tjerë, por sidomos në krijimin e një votre atdhetarësh të shquem, që
banë historinë, ashtu si i njohim sot, pa zhigatjet komuniste.
Në nandor
1902 At Fishta emnohet drejtor i Shkollës Françeskane në Shkodër, shkollë laike,
por që quhej kështu vetëm pse administrohej nga françeskanët. Ai ishte i pari
drejtor shqiptar qysh prej themelimit të shkollës më 1861. Asht ky një çast në jetën
i Fishtës që nuk mund të kalohet lehtë, pse:
Kur në shkollë
zbutun shqiptari,
N’mni t’ket
marrun ai gjakun dhe dhunën
E me dije
të ket kapun ai punën,
Shqipnisë
fati do t’i çilet taman.
Fishta
ishte klerik, por, sa e sa herë, kur fjala ishte për fatet e Atdheut a çashtje
të shejta të kombit, tregoi se ç’ peshë të randë zinte shqiptaria tek ai. Deri
në atë kohë në shkollë mësimet baheshin italisht. Fishta, menjëherë, vuni gjuhë
mësimi shqipen. Ishte një vendim që nuk pëlqehej nga adminsitrata osmane, as
nga Arqipeshkvia, as nga austriakët, që e financonin; ishte një vendim që nuk
miratohej as nga qytetarët shkodranë, që nuk kishin mjaft besim te shqipja si
gjuhë ditunie. Por Ai ishte i vendosun të mos zmbrapsej para asgjaje, pse, si
thonë bashkëkohësit, kur luftonte për një çashtje të shejtë, nuk dinte kurrë të
tërhiqej dhe pak kush i bante ballë.
Tashma në
qytetin e lashtë të kontrasteve të thella, nga dita në ditë konturohej figura
shumëplanëshe e fratit 30-vjeçar. Qysh në penelatat e para u duk qartë se
veprat e tij nuk do të ishin përvijime të lëmueta e aq ma pak laramanime
orientale, por gjithçka do të ishte e ashpër, diçka rembrandiane. Gëteja dhe
Manxoni, Shën Françesku dhe Da Vinçi, e kishin po fisniknue fytyrën e fratit të
ri, por landa mbet ajo që ishte: shkamb i gjallë hedhë prej vullkanit të shpirtit
shqiptar.
Lëvizja
shqiptare për çlirim nga zgjedha turke pat karakteristikat e saja krejt të dallueshme
prej lëvizjeve pararendëse ballkanike, pse krejt e veçantë ishte dhe historia e
popullit tonë. Kombi ynë, ma i lashti në
Ballkan, ishte një mozaik i çuditshëm, pothuej jashtë kohe. Përplasjet me sllavët
dhe osmanët kishin lanë gjurmë të thella dhe tre besime të ndryshme fetare. Organizimi
fisnor me bajraqe, me një bashkim fare të shkurtë 25-vjeçar në kohën e
Kastriotit, ndryshimet e thella nga një trevë në tjetrën, e sa diversitete të tjera
të papërsëritëshme në kombet europiane, banë që edhe lëvizja kombëtare të kishte
karakter mozaiku, jo homogjen, pa një kolonë qendrore e në të njëjtën kohë lëvizja
për çlirim duhej t’i bante llogaritë edhe me pushtuesit e ri sllavë, që përgatitëshin
të zinin vendin e të sëmuetit të Bosforit.
Ishte një
përplasje makabër në mes koufomës aziatike në të ikun, të hijenave përreth, dhe
lehonës me shtatzaninë ma të gjatë në Ballkan, që shkumbëzonte në zemrën e
Fishtës, aq sa një ditë, si llavë vullkani, shpërtheu në kangët e pamort të Lahutës
së Malësisë. Ato kangë nuk linden në laboratorët e sofistikuem krijues poetësh
klasikë, që numëronin rrokjet e sistemonin rimat; ashtu si në Eposin e lashtë të
Veriut, kangët e Lahutës ishin jehonë malesh e betejash, pabesie e babëzitjeje,
një kapërthim i egër ndjenjash, siç ishte e ashpër, deri në dhimbje, vetë historia
e këtij populli. Lufta e tij: një çetë fatosash në male, një grusht trimash në grykë,
një pritë skifterash në rranza, njeni në Kosovë, tjetri në Hot, këndej kundër
turkut, andej përballë sllavit. Kush e kërkon Lahutën një poemë simbas
rregullave klasike, nuk njeh historinë e popullit të cilit i këndoi.
Ka vërtetë
një hark kohor në të cilin zhvillohen ngjarjet e Lahutës, që kap vitet 1858-1913,
por tue mos qenë aspak një kronikë, si me dashakeqësi e ka quejtë ndokush, por
përthyemje e ndjenjave që rrezatonin ngjarjet e kohës, ajo po, me plot të drejtë,
asht quejtë Epope e Kombit. E kjo epope gjet jo mjeshtrin zanatçi, por bardin
jeleshkumbëzuem, që e ndërtoi godinën e tij maje kreshtatsh alpine, me një gjuhë
mrekullisht shqiptare, me një sintaksë pa asnjë ndikim të huej, me një figuracion
e ngjyrime marrë drejtpërdrejt nga natyra shqiptare. Lahuta ka në themele
shkambij ciklopikë, në dukje pak të pagdhenun, herë-herë arkaikë, por aq të harmonsihëm
e të natyrëshem, sa të duket se nuk patën nevojë për daltë, por arkitekti e
hartoi drejtpërdrejt në masivet e Alpeve, sa të papërsëritshme, aq edhe
brilante.
Sa mjeranë,
pak të thuesh, janë ata që guxojnë dhe e quejnë këte kryevepër “kronikë sterile”!
Zot na ruej prej zilisë e vërbimit! Zilia e të padijtunit, në mos tjetër, falet.
Zilia e të dijtunit e çon njeriun deri në krim. E krimet kundër Fishtës në këto
ma sa 46 vjet nuk kanë të numruem. Po nuk asht me u çuditë: kjo kohë krijoi
antinjeriun. Ajo u përpoq të shkatrronte çdo gja kombëtare, pse e kishte të qartë
se pikërisht tradita, psikologjia kombëtare, vetëdija kombëtare, ishin pengesat
ma të pakapërcyeshme për ideologjinë sllavo-komuniste. Ajo e akuzoi Fishtën si
nacionalist e shovinist pse ishte kundër gllabrimit, kundër asimilimit e çdo
gjaje ndjellakeqe sllave, çka i ka vërtetue historia e herëshme dhe e sotmja.
Nuk due të
sjell këtu shembuj se si Fishta ua lavdron trimninë sllavëve, si ua çmon përpjekjet
për liri, pse ato në Lahutë janë plot, por, nëse kanga e tij asht një britmë deri
në dëshprim, sa herojëve që nisen në luftë u thotë:
S’kan
shka bajn? Po a thue të desin?
T’desin
pra, nuk kan shka presin!
Apo:
P’r ‘i
grusht eshtna, pashi Zotin,
t’mos
korisim Gjergj Kastriotin,
t’mos
korisim na sot Hotin …
e ban këte,
jo për mëni ndaj sllavëve, por, sepse, siç e ka thanë në një intervistë, po të rihumbëte
lirinë Shqipnia, “kishin me plasë dhime sa janë bjeshkët tona”.
Si mund të
quhet shovinist Poeti i një kombi 12 shekuj nën robni sllave e osmane pse lëshon
anatemën ndaj pushtuesëve të ardhun prej stepave ruse e na e quejnë sot e kësaj
dite Kosovën martire Serbi e vjetër?! ..
Atyne po,
u thotë:
t’i mësojnë
fëmijtë mbas sotit
mos t’lakmojnë
tokës s’Kastriotit,
se u bjen
shtrejt, qe besa e Zotit!
Fishta
nuk ngurron t’i lëshojë namen as Europës në London, në Versajë, pse e la këte
dhé të coptuem, prandaj:
Me gjithj
këta, por larg nuk shkon
e me i
vra ka rr’feja e Zotit
t’shtat mbledhë si janë n’London.
Gjuha e
tij asht thellësisht popullore, pse ishte i vetëdijshëm se po shkruente një vepër
që do të ishte universitet atdhetarie për malet tona ku mungonin edhe shkollat
fillore.
Por që të
gjykosh Lahutën, duhet të rijetosh historinë me dhimbje, siç e jetoi Poeti.
Në këto
rrethana, aty nga viti 1904, zu e lëshoi akordet e para Lauta e tij ngjethëse.
Le t’ua
lamë studiuesëve të letërsisë gjykimin sa shkencor e të paanshëm të Lahutës e të
ndjekim Poetin në jetën e tij përherë në kreshtë të dallgëve.
Para shëndrrimit
epokal, rilindasit tanë kishin kuptue se kusht i parë ishte BASHKIMI i kombit. Nuk
ishte një zgjedhje e rastit emni i Shoqnisë “Bashkimi”, që bashkë me simotrat,
do të çonte ma tej përpjekjet shumëvjeçare të rilindasve për një alfabet unik e
që u kunorëzue me aktin historik të Manastitit më 1908 e ku Fishta qé Kryetar i
Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuem. Alfabeti nuk ishte një çashtje
teknike akademikësh, por një çashtje kombëtare që kërkonte BASHKIM e ngritje
mbi çdo ndasì, mbi çdo grindje, mni, bile edhe mbi gjak. Qè Fishta vetë një shembull
i shkëlqyeshëm i mbylljes së tragjedisë së gjakmarrjes, sa kur i vranë të vëllanë,
Çupin, jo vetëm e fali vrasësin, por edhe lëshoi thirrjen:
Ndalnju,
burra! Ku veni!
Pashi
Zotin, lëshoni hutat,
se mjaft
gjak asht derdhë! …
Anton Çeta
në Kosovë me këto vargje do t’i ketë çelë kuvendet e pajtimit.
Në prag të
ditës së madhe të 28 Nandorit Ai tashma naltohej si lis vigan me rrajë thellë në
truellin arbnor e degë që piqeshin me bjeshkët. Penës së tij, veç kangëve të para
të Lahutës, i përkisnin sa vepra të tjera, ato “Pika vese” që dridheshin mbi
petale, “Anzat”, vepër satirike e pashoqe deri më sot në letërsinë shqipe, ato
anza të lëshueme rrugëve të Shkodrës e të mbarë Shqipnisë, ku tue përqeshë me
humorin e hollë shkodran, here tue thumbue keq e jo rrallë tue fishkullue pa mëshirë.
Penës së tij i përkisnin veprat e para dramatike, origjinale, të përshtatuna a
të përkthyeme, ndër të cilat “Shqiptari i qytetnuem”, vu në skenë prej Atij vetë
më 1909, sidhe plot libra për shkollat.
Por edhe 28
Nandori la shumëçka mangut. Përgjysë andërrat, përgjysë shpresat, përgjysë vetë
Atdheu sot e kësaj dite e që Ai e qau me “LOT GJAKU”.
Fati i
vendit do të vazhdonte të ishte i trazuem edhe pothuej për një 10-vjeçar. Filloi
me rrethimin malazez të Shkodrës, mandej me forcat e Fuqive të Mëdha, me një fare
princi të huej në Durrës, me pushtimin austriak në Veri, me pushtimin italian e
francez në Jug, që e kthyen Shqipninë në një katrahurë që mbante erë përzhitjeje
mishi e gjaku shqiptar.
As në ato
dit të vështira Fishta nuk u step. Qé në ballë të luftës për mbrojtjen e Shkodrës
prej knjazit të Cetinës, botoi të parën revistë shprese mbrenda Atdheut që e
quejti “Hylli i dritës”; bashkë me Gurakuqin, Mjedën, Logorecin themeluen “Komisinë
letrare”, e në fund të Luftës së Madhe, po bashkë me Gurakuqin e Bumçin shkuen
t’i dilnin zot Atdheut në Versajën hijerandë. Ai kapërceu edhe Atllantikun,
deri në Amerikë, për të shpëtue ç’mund të shpëtohej nga e shumëvuejtuna
Shqiptari.
Frati me
zhgun nuk i la asgja mangut detyrës ndaj Atdheut, Nëse la mangut diku, i la pikërisht
detyrës së tij si klerik. Por, do të thotë ndokush, si arrijti atëherë aq nalt
edhe në hierarkinë ekleziastike? .. Asht rast i rrallë, ndoshta i vetëm, që pikërisht
vepra letrare dhe atdhetaria e ngritën edhe në hierarkinë fetare, që për nevoja
të Atdheut i ishte dashtë ta linte shpesh mënjëanë.
Sa
shqiptar ishte Ai dhe sa klerik, e shprehin qartë vargjet e maposhtëme, ku,
mbasi andërron me çelë një shkollë të naltë në Shkodër, thotë:
Por n’Shqipni
pse nji meshtar
Posë se
prift do t’jetë shqiptar,
Shqiptar,
po pa dredha.
Unë rektor
e profesorë
Sakristan
e baçevan
T’gjithë shqiptarë
i zgjodha.
Mbasi
ndreqa këto punë t’mbara,
Jezuit’t
t’i vuna para
Me
kamzhik në dorë.
T’u dhaç det
e t’u dhaç mal,
N’kolegj
t’tyne nji spital
Bana për
malsorë.
Këto
vargje të shkëputuna nga poemthi satirik “Kur pata kenë ba Papë”, që kalon deri
në realizëm të ashpër, nuk i lanë shteg asnjë studiusi për hamendësime: Fishta
desht një kler krejt shqiptar, thellësisht shqiptar, të dalun nga shkolla
shqiptare e në shërbim të Kombit, ashtu si edhe të Fesë. Ky poemth me një filozofi
të thellë mbrapa humorit, do të mjaftonte me hedhë poshtë çdo akuzë mjerane që iu
ba ndër vite.
Por le t’i
kthehemi rishtas rrjedhës së ngjarjeve.
Kur lufta
mbaroi dhe paqa mirë a keq u vendos, punët sërishmi nuk shkuen dhe aq mbarë. Mehmurët
që kishin heqë fesat dhe ishin veshë allafranga, mendonin si të banin zap
popullin e jo si ta udhëhiqnin atë. Këta “batalla fytyrë-fudullë, batakçij e me
nji lasker kulturë, sa me mzi me shkrue emnin e vet”, si i pikturon me mllef
Fishta, e ndjenin veten ma shumë turq se shqiptarë, të gatshëm të bashkëpunonin
me sllavin e me djallin, mjaft qe të përmbushnin nepset e tyne prej lubishë. Shumë
kohë ma parë Poeti i kishte jetue këto mënxyra dhe kishte parandje zvarritjen e
tyne të lyrosun, sa kishte humbë durimin tue iu drejtue Zotit:
O
perendi, a ndjeve?
Tradhëtarët
na lan pa Atdhe
e ti rrin
e gjuen n’errfe
lisat n’per
male kot.
Ishin kohë
të tutbullta-turbullta, kur, si thotë Poeti, “tash qi u ba Shqipnia, duhen ba
shiptarët”.
Me 6
qershor 1921, në zgjedhjet e para parlamentare në historinë e Shqipnisë,
Shkodra e dërgon përfaqësues të vetin bashkë me miqtë e tij Gurakuqin e Mjedën
dhe Parlamenti e zgjedh Nënkryetar të Kuvendit Kombëtar. Ky polemist i
shkelqyeshëm në lamen e gazetarisë, me prodhimtari ma të madhe se çdo gazetar
profesionist, do të shfaqej në Parlament një orator i pashoq, një atdhetar i
flaktë në akuzën kundër Serbisë për masakrat mbi vëllaznit kosovarë; por edhe
ekonomist, gjeolog, pedagog e agronom, jurist e diplomat “sa me pasë nder me e
pasë çdo parlament i Europës”, siç shkruente një gazetar i huej që ndiqte
punimet.
Por koha
ishte e vështirë dhe e turbullt, pse çibanë si Esat Pashë Topani e mbas tij
Zogu, të tjera plane të zeza sendertonin. Megjithate, lufta e tij në Parlament
e në shtypin e kohës përkrah Nolit, Gurakuqit, Hasan Prishtinës, Vinjaut etj.,
asht një shembull i shkëlqyeshëm i demokratit.
Po në ato
vite Ai jo vetëm hapi gjimnazin “Iliricum”, i të cilit ishte edhe drejtor, por
edhe zhvilloi një polemikë të ashpër për nevojat e arsimit e të kulturës në përgjithësi, me vlera të mëdha
edhe për ditët tona.
Në trazimet
e vitit 1924 qé përkrah Nolit, Currit, Gurakuqit, dhe s’kishte si të ishte
ndrysh. Atyne që fenë dhe klerikët i kanë gjykue vetëm si antikombëtar, mjaft t’u
kujtojmë se ndër figurat madhore të atij viti demokratik qenë një pop, Noli,
dhe një frat, Fishta.
Më 1925
detyrohet të mërgojë në Itali për të mos pasë fatin e Currit, mbytë në Shpellën
e Dragobisë, e të Dom Gjon Gàzullit, varë në Shkodër, Mbas kthimit prej mërgimit,
murgu poet, prozator, dramaturg, pedagog e gjuhëtar, arkeolog e muzeolog,
gazetar e diplomat, piktor e arkitekt, u tërhoq nga jeta politike. Po prap Ai
asht shembull i shkëlqyeshëm i intelektualit që e vijon luftën ku drejtpërdrejt
e ku tërthoras, nëpërmjet shtypit. Sikur Fishta të na kishte lanë vetëm publiçistikën
e tij plot vlera, përsëri do të kishte zanë vend nderi në Enciklopedinë Shqiptare,
ashtu siç kishte zanë vend nderi në enciklopeditë e Europës për së gjalli jo
vetëm si epik i madh, por edhe një ndër satirikët ma të shquem të kontinentit,
me veprat madhore “Anzat e Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit”.
Polemikës
së Fishtës i jep shpirt satira, me ndihmën e së cilës realizoi pikturën
estetike të së keqes. Ai godet me forcë të gjitha llojet e devijimeve morale,
sidomos ato të zyrtarëve ma të naltë. Këte luftë e ban me guxim, pa pyetë se me
cilin binte në kontraditë. Prandaj edhe asht quejtë mbreti i polemikës
shqiptare. Nuk trajtoi në to asnjëherë çashtje vetjake, pse si synimi i polemikës
së tij të ashpër ishte lufta kundër pseodoatdhetarëve “me barkun kodër”.
“Shka ka
me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizmin e shtetit civil nji njeri malok,
matrahul, qi me m’zi ndoshta ka krye dy a tri klasë fillore e qi djerset kur i
duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradicjoni shpijak e edukata
familjare, qi shumëkend ndër ta e ban krejt të neveritshëm e ekcentrik. Ky babën
gjaks, gjyshin katil, stvrgjyshin mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë,
me intriganta, batakçij, vagabonda, rrugaça, me njerëz hasëm të kulturës e të gjytetnisë,
kah mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e nji kombi ende
primitiv? Pse me sundue nji shtet nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga,
batakçilleku, rrena, tradhëtija; duhet nder dhe urtì, burrnì: qe se shka duhet.
Po, por pa dije, urtija, ndera, burrnija u nxejshin në shkollë e, madje, me
shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana t’Europës e mejhane paçaxhihane të Tiranvs,
tuj luejtë “tavell” e “bigjoz” e tuj pi “mastikë”.
Legjenda
e gjallë, tashma 60-vjeçar, merrte rrugën e Athinës, të Stambollit e të Bukureshtit,
tue i lanë nder Atdheut me përfaqësimin e tij e njëherësh tue akuzua
mbrapaskenat e Beogradit e të Athinës. Ndërkohë përfundonte kangët e Lahutës, të
cilën e botoi të plotë në vitin 1937, sidhe plotësonte e përmirësonte “Mrizin e
Zanave” me lirika nga ma brilantet në shqip.
Në Europë
shtoheshin përditë bajonetat e paksoheshin lodrat e fëmijëve. Regjimi i
Zogollit, një karikaturë monarkishë euro-aziatike, kishte ezaurue tanë energjinë
e vet hanore, tue lanë vendin në agoni pikërisht në udhëkryqin fatal të mbarë njerëzimit.
Tashma
Fishta, i lodhun nga vitet, shëndeti dhe andërrat e gjysmueme, vetëm sa harton
ndonjë projekt ribotimesh, i vetëdijshëm se nejrëzimi ishte në prag të katastrofës.
Pushtimi
fashist nuk mund të ishte tjetër veç se vdekja e tij shpirtnore. Dhe, si për
ironi të fatit, një muej mbas pushtimit Italia i jep titullin “Akademik i
Italisë”. Ishte një titull që do ta ksihte meritue me kohë, dhe që do t’i bante
nder çdo shkrimtari bashkëkohor, por në rrethanat e kohën kur iu dha, ishte
thjeshtë një mjet propogande fyese e mbi të cilën asht abuzue kaq shumë e me
ligësi për 46 vjet me radhë. Ai nuk kishte nevojë për atë titull. Vlerësimin ma
të naltë ia kishte dhanë Atdheu tue e quejtë për së gjalli Poet Kombëtar, ia
kishin dhanë idhëtarët e tij kudo ku flitej shqip e jo vetëm ku flitej shqip: prej
Joklit te Lamberzi etj.
Mbas një viti,
tashma në mospërputhje edhe biologjike me ajrin e randë të barutit të luftës,
me 30 dhjetor 1940, Fishtra u largue si meteor në qiellin që nxinte.
Nuk marr
përsipër të baj vlerësimin e këtij vigani, as due të përsëris epitetet
superlative të bashkëkohësve të vendit e të huej. Do të duheshin pena të shqueme
për me ba analizën e veprës së tij madhore.
Jemi
mbledhë në këte përkujtimore për t’i kërkue ndjesë për mohimin barbar 46 vjeçar.
Dhe ai do të na falë, pse si askush tjetër do të kuptonte se edhe na ishim të mohuem
e të përbuzun, të fyem në gjithçka kishim të shejtë.
Dhe ja ku
e kemi përsëri në mes nesh, jo një përmendore e ftohtë mermeri, por të gjallë,
pse vepra e tij vullkanike ka qenë, asht e do të jetë prush atdhetarie. E sa
kohë do të ketë Shqipni e do të ketë shqiptarë, i gjallë do të jetë Ai, e gjallë
vepra e Tij, dhe poaq e zjarrtë dashunia e popullit dhe e kombit të cilit i
kushtoi jetën prej artisti të papërsëritshëm e të luftëtarit të paepun.