E hene, 29.04.2024, 07:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Adem Zaplluzha - Fluturimet e korbave

E diele, 21.10.2012, 08:26 AM


AMALGAMA PROZAIKE KRIPTO - LOJCAKE

SI DUKURI E PROZËS MODERNE

(Mendime për librin Fluturimet e korbave në netët pa hënë, të poetit Adem Zaplluzha)

Nga : Vladimir Muça

Pas botimit të mbi 70 vëllimeve poetike në këtë moshë të një pjekurie të thellë, Adem Zaplluzha doli para lexuesit me një staturë krejt të re, me prozën poetike. Gjatë leximit të kësaj vepre, të botuar me shumë profesionalizëm nga shtëpia botuese “Blendi” e Prizrenit, konstatojmë se libri “Fluturimet e korbave në netët pa hënë” të godet si një trokashkë në lobet e trurit pyetja: - Përse Ademi pas 70 librave poetikë, më së fundi, u ul të shkruajë në një zhanër krejtësisht të ri, në formatura të ekstrakteve prozaike? Përgjigjen e kësaj pyetjeje, pa dyshim do ta gjejmë në vetë amalgamat prozaike që poeti na i prezanton me aq besim e kurajë, me një strukturë të re estetike, ku reflektohen vegime të qarta të Migjenit, të Franc Kafkës dhe Bodlerit.

Unë mund ti quaj filo - kripto - lojcake, një trini artistik e stilistik, ku nën krahët super metaforës së korbit biblik, në tërësinë tregimtare, përmblidhet gjithçka ka dashur të thotë shpirti i shkrimtarit në tërësinë librore. Përfytyrimet për poetin filozofik Zaplluzha, me këto proza sikur marrin përqasje më të plota drejtë rifiniturave nën trysninë e një psiko - analize të veçantë. Në përfytyrimin tim, ai nuk mbeti vetëm poet zhbirues i shpirtërave njerëzorë, e i ngulmimeve inerte, i cili me gulçet e gjuhës së zemrës, shkruan atë që i dikton çasti përjetues brenda një kohe, sa areale, po aq edhe afër realitetit. Në këtë kontekst, baci Adem më përqaset dhe si një tregimtar me një botë të pasur, karizmatik, me një temperament shpërthyes, ekzigjent çka i sheh syri.

Autori ballafaqon, përplas me cilësinë e një bing - bengu që lind një botë të re, pas një absurdi. Irealiteti i dëshiruar (ëndrra), dhe realiteti i përjetuar, krijojnë një botë “mistike”, ku të gjithë qeniet dëshirojnë për të jetuar. Këto proza vijnë si do “amendamente” për  një botë tepër të dëshiruar, pas një terrori  të pa tmerrshëm jetësor. Habitati natyror kosovar janë elementet ndërlidhës dhe plotësues të ideve madhore që e “stërmundojnë” autorin në këto inkursione të  “netëve pa hënë”. Ky është dhe mekanizmi themelor, narrative, që na përcjell  autori me këto filo - lojcake.

Në tregimin “Ëndërra e ditës”, me një analizë psiko - analitike të unit tonë trashendent dhe unikal, të brendshëm, na jepet portreti i njeriut të sotëm në shoqërinë e re kosovare, inaktive në shoqëri, rënë në deliriumin ballkanik të vetëkënaqësisë, duke u lakuriqësuar në aspektin psikologjik, moral dhe social, ku: “Kur dehemi nga kënaqësia, kur arnojmë lëkurën e gjarprit posa të veshur, dalim në qytet, e varim diku në kujtesë varkën prej letre dhe rrimë me miq që nuk i kemi takuar në vite, ndërrojmë disa fjalë sa për të thënë se u takuam”. Në kontravers të këtij qëndrimi psiko - analitik, tek tregimi “Dyert”, materia njerëzore shndërrohet në materie tjetërlloj, e pavdekshme shpirtërore. Vdes trupi, por rron shpirti, vepra, kujtimi. Në këtë kontekst është dhe  thirrja e autorit në formatin postulativ: “Sa herë që ikëm përtej ujit, na treti deti, hyri në shpirtin tonë shkuma, na e ndali frymën, u konvertuam sa çel e mbyll sytë dhe kemi harruar se kush ishim dje dhe kush jemi sot”.

Një postullat, do të thosha dinamik, i qëndrimit të sotëm atdhetar, qëndrimit ndaj vendlindjes, ruajtjes së identitetit kombëtar dhe personal. Një amalgamë konceptuale mbi shndërrimet metafizike dhe të subkoshiencës. Një konkretizim, laurim konkret i teorive frojdiste në lëmin e letrarizmit: shpërbërja personale çon në shpërbërjen e tërësisë kombëtare. Një thirrje kushtimore kjo, mbi atë se çfarë po ndodh sot në botën diasporike shqiptare. I tillë është ky ekstrakt filozofik në prozën “Vishe lëkurën tënde”. Një trajtim pasfrojdist nën gjurmët e Jungut dhe Lakan, si dishepuj të shndërrimeve psiko - analitike në mendjet njerëzore. Kjo kujtesë njerëzore e kultivuar në art rrit valencat e fisnikërimit të individit dhe në tërësi të etnicitetit.

Lineariteti i mendimit dhe idesë brenda idesë në unitetin e një nocioni tregimtar, ka shumë rëndësi në konçentrimin e mendimit e të qëllimit në këtë stilistike lojcake. Detajet gjithnjë në funksion të idesë dhe të qëllimit. Në këtë përmbledhje disi të veçantë në llojin e vet, për prozën moderne kosovare, do të dëshiroja të jenë të një serie, që të jenë një themel i sigurtë mbi të cilën mund të ngrihen muret e një godine me pavijone lakmuese të tregimit të shkurtër psiko - analitik, aq shumë të dëshirueshëm sot.

Në konceptin (kriptologji do ta quaja), këto proza poetike, ose siç i quan me modesti autori “rrëfejëza”, ese, përmbajnë në vetvete shumë nënshtresa ideore dhe qëllimore, duke përcjellë më shumë se një emocion telegrafik të një libri të zakonshëm. Tregimet në tërësinë e tyre me veçoritë që përmbajnë të ushqejnë fiksionin, duke të futur në labirintet e qenësisë njerëzore. Në veçanti, kjo kriptologji tregimtare është grup copëzash nga i njëjti trupëzim tregimtar, ku korbi metaforik lëshon pendën dhe klithmën kerubine si në mitizimin e lashtë në kërkim të shpirtit njerëzor.

Tregimet në ekstrakte mitike dhe legjendare të kësaj toke e të këtij populli po aq të lashtë sa dhe ato. Gjithçka vjen si detaj jetësor, të cilat gjithkush i ka dhe i pret t’i përjetojë. Në një sentencë G. Flobert na mëson se letërsia është organizim i detajeve. Për autorin e këtyre prozave poetike, marrë nga ditari i jetës përditore, detajet mbartin kuptime dhe ide të mirëfillta. Çlirimi i prozaizmit nga kallëpet dhe ngërçet letrareske, ndërlidhjet detajore e subjektiviste, gërshetimi i tyre me pasazhe poetike, krijon për lexuesin një botë sa më ekzistenciale dhe po aq reale, ku nën efektet alkimiste, e me një dializë mendimi, duke i dhënë jetë çdo gjëje të fshehur në absurdin dhe në plagët e kohës.

Kjo stilistikë e të shkruarit proza të tilla e bën stilin e qëmtimit narrativ,  stilin e fjalive lakonike të llogaritura me formula matematike, shumë të kursyera gati gati ekstrakte. “Këtu nuk vdesin kurrë njerëzit, secili prej nesh e mbështjell me kujtesën e vet me një shami mëndafshi dhe e ruan prej harresës ato fije kashte, që kanë mbet pas të korrash”. Kështu psikoanalizon autori në një prozë poetike në këtë libër. Proza të tilla përhapin te lexuesi imazhinizmin konkret, të prekshëm, të jetësuar, me mohime të mohimeve të pafund. Ndaj dhe autori me këto proza nga kalendari i pafund poetik, vjen me një natyrë racionale, disi të kursyer, duke shmangur proliksitetin. Me këtë, njëherazi autori stigmatizon (ekspansionin shkronjëtor) që ka përfshirë si një epidemi “shkrimesh” të të gjitha llojeve, si  një “liri” individuale e të shprehurit .

Dr. Moikom Zeqo në një epistolare të tij proklamon: - Jeta përballet nga një koleksion i gjallë dhe i lëvizshëm me të vërteta relative”. Siç duket në telepati Adem Zaplluzha ka marrë shumë nga këto epistolare. Evidentimi i të vërtetave, instikti i zbulimit të enigmave të tyre, çlirimi nga humbja e kujtesës njerëzore dhe shoqërore janë trilli tregimtar i kthyer në një “ves” nga autori, në konceptin stilistik. Etalone të mirëfillta që përcjellin një bosht unik janë prozat “Vishe lëkurën tënde”, ”Për një ngordhësirë”, ”Plepat e plepave”, ”Arkivoli”, të cilat ndonëse trajtojnë detaje të veçanta jetësore gjenin e kanë në një barazvlershmëri, e kanë te plaga që akoma Kosova e përjeton.

Po të marrësh në një të tërë prozaike prozat “Fluturimet e korbave”, ”Sa e bukur ishte”, ”Bëhet shi e flakë”, në konceptin estetik përmbajnë një antropologji të të kundërtave njerëzore në botën e sotme të globalizmit, ku njeriu i kërcënuar nga kalbëzimi i shpirtit, cinizmit, njeriut të klonuar dhe ambicioz, i cili kthehet në një vetëvrasës. Njeriu ky kopje e kopjeve, i klonuar, i substancionuar nga teoritë idiote të kohës. Në esencë qartazi proklamohet se njeriu është e duhet të jetë vetvetja. Shikimi nga autori i mikrokozmosit të njeriut si pjesë universale dhe integrale e makrokozmosit shoqëror, detajet, tregimtare lëvizin si molekulat duke interferuar në qenësinë e librave. Gjithçka vjen jashtë statikave zhvillimore në një lëvizje brauniane, me rimodelime realitetesh, me frymën e një inteligjence të re prozaike. Kjo është arritur nga autori jo vetëm në saj të një përvoje “punë shumë e fjalë pak”, në krijimtari, por dhe të një  koncepti të ri fjali - formues, zhveshur nga ngarkesat e tepërta .

Duke copëzuar linearitetin e fjalisë e të gjykimit, autori na jep konvencionalitetin e mendimit e të idesë pa kaluar në abstraksione gjoja moderne. Ritmet foljore të fjalëve e të fjalisë janë të shpenguara, të lira nga morfoligjizmi klasik. Një prozaizëm i tillë lojcak i jetës, që të ndjek përditë; krijon arabeska mendimi, të cilat sillen si elektrone në bërthamën e produktit letrar, me cilësinë e një gjeneruesi. Në këto kripto - lojcake (do t’i quaja  këto proza) si rrallë herë ndihet sensi i komunikimit ndjenjësor i shkrimtarit me lexuesin; një lidhje sa virtuale aq dhe tokësore, natyrale, ku autori perifrazon: “Nuk është etja për ujë, një etje tjetër, pak më ndryshe filloi të ringjallet në mua, ajo etje po i tejkalon kufijtë e njerëzores”. Me një psiko - analizë të botës shpirtërore në handikapin e sotëm  social e atdhetar, ku në net pa hënë, se ndalin krakëllimën, si një aureolë, gjithë shpresë e frymëzim vjen “Aguliçja” e shkrimtarit, një herbar shumë shërues. Gjithçka vjen me një lirizëm të thellë plot jetë, njerëzor dhe natyral, shpirtëror me një retrospektivë në kërkim të dashurive amshuar ndër breza. Në këtë  lirizëm arketipi  i Lumëbardhit dhe Sharrit plak si kudo në këto proza vjen si një produkt i ndërgjegjes, apo subkoshiencës të individit për atdheun dhe etninë.

Zgjimi i ndërgjegjes unitare është kondicion primar për ndërgjegjen utilitare. “Të ecim përtej fjalëve, përtej tejdukshmërisë - thotë autori kur në tregimin “Sa e bukur ishte... - thekson konceptin e filozofisë platonike: - E  para është fjala -, çdo gjë tjetër vjen pas saj. Fjala futet vertikalisht në thellësinë e mendimit me etje pambarim, përtej asaj tejdukshmërie për të cilën aspirojmë. Në këto proza ndjehet dukshëm përvoja për tu marrë me - imtësira -, për tu futur në skutat e botës së personazheve me një kirurgji sondazhi, duke eksploruar çdo gjë në vendin ku gjallon, pse jo dhe në “Fluturimet e korbave në netët pa hënë”. Parë në kaleidoskopin e një psiko - analize, në këto kripto - lojcakë ndjehet përpjekja e përgjegjësia koshiente për të pasqyruar psikologjinë bashkëkohore, duke u ndalur në ato motive që janë frenuese ose gjeneruese.

Adem Zaplluzha siç duket qëndron mbi materialin e përzgjedhur, si një alkimist, duke veçuar elementët e mistershëm dhe absurd. Autori kalon në një karantinë të plotë atë, që është delikatja shoqërore nga e rëndomta. Krahas diskursionit të monologut, në aspektin ideor, ai ka të mbartur struktura rrëfimore të thjeshta por me ngarkesa filozofike. Në to krijohet mendimi në një kompaktësi narracioni si në refleksione mendimi apo sisteme të qarta shprehjesh. Prania e dramacitetit psikologjik në gjithë shtrirjen prozaike e mban lexuesin në një fiksion permanent. Ndoshta (them unë) ky është çelësi i artë i këtyre prozave poetike, ku autori ka arritur të lëvrojë me një stil konciz, ku lexuesi kap lehtë elementin bazë të të rrëfyerit pa u përpëlitur në hollësira apo maniera prozaike. Sensi psiko - analitik është thagma që përshkon rrëfimet poetike.

Me një seleksion brilant, të një përvoje poetike, autori ka derdhur situata,  peisazhe nga më të ndryshmet kuptimplotë, veshur me një gëzof purpuranteje poetike. Gjer në fund mbetet vetvetja, e personalizuar ndaj dhe përjetimet jetësore të autorit si qytetar vëzhgues e si shkrimtar janë transplantuar në produktin letrar nëpërmjet një bisturie të një moshe dhe përvoje të pjekur thellë me atë skrupulozitet e këndvështrimin e imtësirave shtresuar në mizanskenat e jetës. Në këto proza, si një letër lakmues me një abstragim mjeshtëror të së thjeshtës, duke shmangur natyralizmin skeletik pa nerv, ai arrin të japë adekuatin jetësor të kohës. Sharmin prozaik Adem Zaplluzha, ia shton veçoria themelore që është: Artikulimi me ”vokërrimat”, detajet, ngritja e tyre në art, nxjerrja prej tyre në pah të ekstrakteve filozofike.

Bagazhi i lartë shprehës i fituar gjatë kultivimit të produkteve poetike (mbi 70 libra) konfirmon begatinë prodhuese në këtë estetikë të re, komplecitetin e botës shpirtërore, portretin shumëpalësh, autorial, psikologjik dhe etiko - moral. Ky është letër lakmuesi që Ademi me lehtësinë e gjykimit gjen spacion narrative në pasqyrimin e problemeve që po përjeton sot shoqëria kosovare, e ku me një katarsis, autori  kërkon të bëjë  biopsinë  psiko - analitike të sotme. Këto rrëfenja të kursyera, ndonëse si vëllim i parë në këtë zhanër, kanë kapërcyer me sukses pragun e të qenit letërsi e mirëfilltë me nocione moderne, të qenit një qëllim në vetvete për autorin. Ky produkt artistik, tashmë mund të quhet pronë e hipotekuar e lexuesit mbarëkombëtar.

-----------------

I dashur Adem!

Koha që po përjetojmë është koha e vlimit të imazhinizmit. Për imazhinizmin Bodleri na meson: “Gjithë universi i dukshëm nuk është gjë tjetër veç një magazinë imazhesh dhe shenjash, të cilave imagjinata do t’u japë vend e vlera relative. Është kullotë të cilën imagjinata duhet ta hajë e ta transformojë.” Unë mendoj se sot e tutje do të jesh dikush i përveçëm në letrat shqipe, kjo mënyrë  e të bërit letërsi është ajo kullotë ku imazhinizmi Yt! Zotrote, me atë shqisën e shtatë të shpirtit kërkon të kullotë me atë thjeshtësinë tregimtare, por shumë filozofike në të shprehur. Kjo është një nismë Juaja e mbarë! Kjo të jep më shumë shansin për një rritje të mëtejshme të artit të të shkruarit me një strukturë të veçantë individuale, pa klishera të huazuara. Tek shkruaj këtë ese, në vend të një përshëndetje, të jesh i bindur se edhe unë, si shumë të tjerë, nën dritësirën e këtyre “amendamenteve” (do ti quaja unë) ashtu si ju mundohemi të përafrohemi me kulturën perëndimore të të shkruarit, duke bërë katarsis ndaj bindjeve eseistike të bëra tabu, por njëkohësisht ju këshilloj miqësisht: Përkushtimet tregimtare për ndodhitë, ngjarjet nga më aproksimativet të jetës, zhargonet që na ndjekin në jetën përditore, mund të jenë më përgjithësuese.

- Tetor 2012-



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora