Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Udhëtimi të cilin e përfundova duke biseduar me Migjenin në Shkodër...
E diele, 21.10.2012, 08:20 AM
R e p o r t a zh
Sejdi BERISHA:
UDHËTIMI
TË CILIN E PËRFUNDOVA DUKE BISEDUAR ME MIGJENIN NË SHKODËR...!
(OSE: UDHËTIM DUKAGJINÇE NË TIRANË, DURRËS, LEZHË DHE NË SHKODËR)
______________
Ngecja dhe zhvillimi, sikur ta përplasin mendjen nëpër shkrepa...!
U nisa së
bashku edhe me tre shokë. Nuk e kaluam Gjakovën pa e ngrënë nga një byrek,
sepse, një ditë përpara u kisha premtuar, sepse, krahina, Malësia e Gjakovës
gjithmonë ka qenë bukanike, dhe, edhe tash e ka këtë madhështi dhe bujari. Lirshëm
nisemi, pa e shtrënguar dhe pa e vrarë mendjen për asgjë. I afrohemi Qafës së Morinës,
por tani, edhe “këndej edhe andej” përmes Rrugës së Kombit “trashim” muhabetin,
sepse, ajo është tani një hallkë e fortë e mendjes, e gjakut, e tokës, e
historisë, e punës, por është edhe një dëshmi dhe porosi e madhe për forcimin e
unitetit dhe për bashkim, që kënaq e kthjellë mendjen, por, edhe kur bënë analizë
në vetvete, ende hidhërohemi e “çmendemi” për shkapërderdhjen tonë gjithkah e
kurrkah...! Nejse. Gjatë rrugës, bisedojmë për Shkup e për Shkodër, nganjëherë edhe
e ngritim zërin, që padyshim se është shenjë edhe e mospajtimit apo edhe e mos
puqjeve të mendimeve dhe të qëndrimeve.
Nuk ishte
hera e parë, që përgjatë rrugës nëpër pjesën veriore të vendit, nuk flasë as më
të voglën fjalë për ngecjen e mendjes dhe të zhvillimit të kësaj ane të atdheut
me histori aq të veçantë, aq unikate, me një qëndresë e krenari të paparë, por,
dorën në zemër, edhe me një ngecje të zhvillimit, i cili reflekton aq qortueshëm
sa që të bëhet se ta përplasë mendjen nëpër shkrepa, male, pyje e kanjone, për
t’i kërkuar damarët e jetës së këtushme, të cilën jetë, madhështia dhe lartësitë
e shkrepave e kanë bërë dhe e kanë paluar e shtruar si dokument historie,... edhe
gjallërinë e banorëve të kësaj ane.
Shumë interesant,
a?! Por, në fakt, tani kjo duket e thjeshtë, banale, bile edhe e “parëndësishme”!
Dhe, për zhvillimin dhe ngecjen e kësaj treve, të cilën e lakmon bota, Evropa,
madje, ia ka lakmi edhe Zvicra e Austria që i kanë alpet krenare... Kështu,
bisedojmë e kuvendojmë, e unë thash vet më vete, se për zhvillimin e këtushëm kërkohet
një elaborat i detajuar. Kjo, ngase, malësori i këtushëm, një numër i tyre, është
tretur pothuaj në të katër cepët e botës, dhe kështu ky vend “rrallohet” nga zëri
dhe vullneti i malësorit, nga blegërima e deleve, nga kambanat e ogiçëve, që edhe
sot, në këtë shekull i nevojitet kësaj ane, i nevojitet atdheut, sepse, “biserët”
e tillë i kërkon edhe bota, sepse, ua dinë peshën këtyre “rripave” të historisë
së njerëzimit.
Por, këtu
sikur mungon edhe zëri dhe mendja e njerëzve të urtisë e të diturisë. Sepse,
edhe ata janë daktisur anë e këndë vendit, por edhe gjithandej botës. Kjo, ...është
edhe mirë, edhe keq! Këtë gjë shoshiteni vetë, vëreni në shoshë e në sitë,
sepse, është i nevojshëm një veprim i tillë.
Malësia e
Gjakovës, Krahina e Tropojës,... ëmbël tingëllojnë këta emra, këto toponime. Andaj,
ta respektojmë dhe ta shijojmë këtë ëmbëlsirë që i ngjanë privilegjit të rrallë,
i ngjanë pasurisë, të cilën nuk mund ta ketë gjithkush. Kështu, me këtë bisedë e
mendim, pakëputur arritëm në hyrje të Tiranës, duke përshkuar shiritin e
asfaltit, i cili i bashkohet atij të Evropës!
Tani,
bisedojmë për zhvillimin e Tiranës. Dhe, themi se i ngjanë metropoleve të botës.
Unë po u them, se është metropol. Dhe tani, si mish i dhisë në bisedë na futet
historia, pajtimet e mospajtimet, uniteti dhe mungesa e tij... Në këtë rast, i
them vetvetes:
-Jemi
kombi i nëmur, jemi popull i truar dhe i mallkuar pikërisht nga vetvetja. Mirëpo,
të gjitha këto gjëra po ua lë Juve që t’i trajtoni dhe t’i vëni mirë e mirë në binarët
normal, kuptohet, nëse e keni vullnetin, nëse mundeni. Dhe, kështu e përfundova
bisedën me shokët e mi-bashkudhëtarë, sepse, nuk kisha dëshirë që të më shkel këmba
në pesëmbëdhjetëkatëshen, në Hotel “Tirana” me biseda të tilla...!
Pjesë madhështore e qendrës së Tiranës
Ulemi dhe
pimë nga një kafe për t’u freskuar një çikëz
dhe pastaj, secili të “merr” rrugën e vetë.
Njëri prej shokëve të mi mori drejtimin për në Universitetin e Tiranës, ku kishte për t’i “sprovuar” forcat në një provim për doktoraturë. Të tjerët ngelëm duke u kënaqur me bukuritë e Tiranës, por edhe duke u “kacafytur” me problemet që e përcjellin atë sikurse edhe tërë shoqërinë. Mirëpo, Sheshi dhe Përmendorja e Skënderbeut krijojnë atë madhështinë dhe forcojnë krenarinë për historinë. Për këtë arsye, në çdo anë sheh edhe dritën e gjakut dhe të rrugëtimit të atdheut dhe të kombit në sfondin e logos së 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit.
Ju, vetë mendoni për gjëra të tilla...
Eh, tash
edhe ky 100-vjetor më nxjerrë telashe me mendjen, me zemrën dhe me shpirtin tim...!
Por, kësaj radhe i them vetvetes: mos hy thellutave, rri i gëzuar dhe i hareshëm
e krenar! Mirëpo, lapsi dhe letra më diktojnë ndryshe. Por, vërtetë, kësaj
radhe e përballova presionin e tyre!
Ishim të interesuar
që të “furnizohemi” me libra që ne na nevojiteshin. Dhe, në librarinë në Shtëpinë
e kulturës, me kërshëri vizitojmë çdo vitrinë, çdo shtand me vepra të gjinive
dhe të fushave të ndryshme. Por, të ju them të drejtën, unë më shumë isha i
interesuar për t’i “pikatur” emrat e autorëve të veprave, shkrimtarët, të cilët,
thashë vet më vete:
-Eh, bash
mirë! Bile, këtu të gjithë janë bashkë, dhe nuk kanë kah t’ia mbajnë! E dini
pse e kam thënë këtë?!... Bile, këtu ka ndonjë që edhe në libër, nga larg vëngër
e shikojnë njëri-tjetrin,... me sy “mësyshi”...
Simbolikë e veçantë Përmendorja e Skënderbeut dhe fuqia e rrezeve të diellit...
Mirëpo,
kjo ndoshta ishte vetëm pjellë e imagjinatës time, sepse, krijuesit nuk e nënçmojnë
njëri-tjetrin, intelektualët nuk e bëjnë një gjë të tillë, edhe pse kudo të bie
të dëgjosh për smirat, për ndërskamcat dhe për nënçmimet, për inatet fare të pakuptimta.
Po, ku më
plasi tani kjo në mendje, mu në librari, dhe si me zor “mbylla” në vetvete këtë
kapitull të palakmueshëm, të padrejtë e fare të shëmtuar, i cili reflekton edhe
në shoqëri, edhe në ecjen përpara,... Kjo po shihet! Kjo, bile tash e gjithë ditën
vërehet e mund të vërehet. O, sa më vranë kjo “sëmundje”, ky ilet i cili e dëmton
rëndë edhe njeriun, edhe kombin edhe atdheun mbase edhe njerëzimin...!
Mbushem në
mendje me shumë libra, të cilave kur të dalë nga libraria, duhet të jam i
kujdesshëm e t’ua fsheh ballinat në të cilat figurojnë emrat e autorëve, sepse,
dikush ndoshta kur t’i sheh, ndoshta do të hidhërohet në mua; pse e kam blerë librin
e këtij apo të atij autori...! Dhe, në këtë vorbull të mbyllur mendimesh, më kujtohet
tani, sërish pa lidhje, 100-vjetori i Pavarësisë?!! Apo, ndoshta kjo nuk do
koment! Nuk di..., Jo, jo, nuk di. Mendoni ju vetë për gjëra të tilla...
Posa dola
nga libraria, u mbërtheva për tek Hotel “Tirana”. Dëshiroja të freskohem me një
kafe, dhe, ndoshta do të takohem me ndonjë krijues, miq të mi. Por, as kjo nuk
ndodhi. Tani, mora drejtimin për tek libraria e vogël-kioskë që gjendet përbri
Bibliotekës Kombëtare. Kisha ndërmend që t’ia dhuroj shitësit disa ekzemplarë të
disa nga veprat e mia, me qëllim që t’i shesë
apo të bëjë çfarë të dojë. Dhe e bëra këtë, duke i thënë zonjës-shitëse,
të cilës as emrin nuk ia mësova, se jam interesuar për t’ia dhuruar disa libra
e cila edhe nuk reagoi por e miratoi qëndrimin tim.
Dhe, pasi
që një nga një, librat i nxora nga çanta goxha e madhe dhe ia dhurova, shitëses
i urova punë të mbarë, e cila shumë e qetë edhe ma përcolli një përshëndetje
respekti. Shëtitëm pastaj nëpër sheshin e Tiranës, dhe diku prapa Muzeut Kombëtar
të Historisë dëgjova një muzikë e cila ekzekutohej nga orkestra-banda frymore. Fare
pa hezituar u nisa në atë drejtim, dhe, për një kohë bukur të mirë u kënaqa me
një “koncert” të kësaj muzike të cilën e kam për shpirt, edhe pse shokët e mi
nuk e dinin se kisha shumë dëshirë ta shijoja atë, për çfarë i luta të rrinim
pak më gjatë, sepse, në të kundërtën do të ma shkurtonin kohën e qëndrimit aty
pranë ku dëgjohej muzika...
Gjatë qëndrimit në këtë vend, muzika e orkestrës frymore më provokonte për t’i sjellë në mendjen time shumë gjëra e kujtime, të cilat kishin peshë e frymë vlerash shpirtërore por edhe historie. Bandat frymore të kujtojnë shumëçka...!
Hyri thellë “pllugu” i mendjes sime...
Nuk vonoi
edhe aq shumë, dhe miku im që ia kishte mësy Universitetit për provim, na
bashkohet. Ishte plotë hare, sepse, në provim kishte qenë i suksesshëm, top! Tani,
të gjithë ishim alegro. Të gëzuar e të pa frikësuar, në kryeqendrën e atdheut...!
Dhe, shih. Tani, më hyn thellë ai “umi” i pllugut i mendjes sime nëpër kohë,...
krejt pa lidhje. I shtroj pyetje dikujt,... Jo, more. I shtroj pyetje vetvetes:
po, kush kishte menduar dikur që të vizitojmë e ta shijojmë Tiranën?! Askush! Po,
kush kishte menduar se një ditë, këtu edhe do të studiojmë, edhe do të doktorojmë,
edhe do të punojmë, edhe do të krijojmë, edhe do të jemi bashkë, dhe në mbrëmje
e bëjmë gjumin në Pejë, Gjakovë, në Prishtinë e Prizren,... dhe kështu nuk
ndalemi duke i begatuar synimet dhe ëndrrat për të ecur mirë e drejtë. Shih,...
mirë e drejtë...!
Por, edhe
këtë kaptinë jo të historisë(!) e mbylla në sirtarët e komentimit dhe të mësimit
tuaj, sepse, në mbrëmje nguteshim për të arritur në Durrës. Ngase, atje
planifikonim ta kalojmë një natë me “provokimin” e të arriturave në fushën e
turizmit, por, ta kalojmë një natë edhe duke i pedatur problemet dhe përgjegjësitë
në këtë “vrapim” kohe. Dalim nga qyteti i Tiranës me rrugë të ngulfatura nga
makinat, gjendje kjo e cila shpreh shumëçka në të dy anët e “medaljes”,... andej
e këndej, pra!
Përgjatë turizmit
në Durrës, tash atmosfera i ngjante një fjetjeje pas një pune intensive, apo
edhe i një qetësie jo të zakonshme... Them kështu, sepse, turizmi nuk duhet të ketë
sezon të “vdekur”! Nuk di a jam sa duhet i qartë... Akomodohemi në një hotel me
pamje të bukur por edhe joshës, në hotelin “Pameba”, i cili në plazh kishte “zënë”
rrënjë që nga viti 1991.
Pamje e Grand Hotel Pameba (Në foto: Reshat Nurboja, Mark Nikaçi, Sejdi Berisha dhe Halil Gashi)
Menjëherë
mësoj se pronari i tij vinte nga Çamëria! Quhej, Pëllumb Çafoli. Ishte një burrë
i urtë i qetë dhe i dashur, dhe se kur u përmend Çamëria, diçka më theri jo vetëm
në zemër, por kudo nëpër trup, diçka më përmalloi, por edhe diçka më trimëroi...!
Pasi shkëmbyem
disa fjalë, i tregova se e kam mik një shkrimtar çam nga Saranda, ia tregova
edhe emrin e tij, dhe i them se ka vargje shumë të mira,... vargje me peshë pavdekësie.
-E njoh
dhe e kam mik shtëpie. –më tha zotëria i hotelit.
Atëherë e
pyeta se a i adhuron librat.
-Po! –ma
priti pa hezitim.
-Atëherë,
do t’i dhuroj disa ekzemplar nga veprat e mia.
U gëzua. Kurse, në mëngjes, në të zgjuar, në recepcion ia lash katër vepra, të cilat kujtoj se kishin rënë në duar të duhura; ishin veprat me poezi “Fjalë e pathënë” dhe “Fjala e gjakut” dhe monografia “Zejtarët e Pejës” dhe ajo “Teatri i Pejës”. Pastaj, ika me mesazhin që tani ai të “përplaset” me “kopallat” e këtyre veprave, që kujtoj se përbrenda kanë kënaqësinë, krenarinë, mburrjen dhe dhembjen e kombit. Kështu frymojnë ato... ndoshta për ta rritur e kalitur ndërgjegjen dhe vetëdijesimin e njeriut. Se, për çfarë, thuajeni dhe komentojeni, ose i vëni “vulë” Ju...!
Udhëtim që ta madhështon kurorën e atdheut dhe të kombit...
Ikim nga
Durrësi dhe marrim “turr” për në Shkodër. Udhëtim ky që ta nderon rrënjën, që ta
forcon trungun dhe ta madhështon kurorën e atdheut e të kombit. Duke menduar kështu
“përthurshëm”, sa qel e mbyll sytë arritëm afër Lezhës. Tani ky vend i historisë
dhe i kulturës, i traditës dhe i pa përkuljes, frymonte dhe kishte aromë që i
ngjante dashurisë dhe kujtimeve, që i ngjajnë shpirtit dhe pavdekësisë...
Pamje nga qendra e Lezhës në afërsi të varrit të Skënderbeut
Edhe pse
cak e kishim Shkodrën, sikur dot nuk ecën makina pa kthyer në Sheshin e Lezhës,
sepse, sikur aty lidhen të gjitha “thuprat” e historisë: kalaja, varri i Skënderbeut,
busti madhështor i tij, shtatorja e At Gjergj Fishtës, Pallati i Kulturës,
biblioteka e qytetit, lumi Lezha me rrjedhën dhe ujin plotë data e histori. Dhe,
njeriu nuk di se kah t’ia mbaj përpara. Sa më shumë të mendosh, vetëm mbërthehesh
në ngjarjet e historisë, në librat dhe shkrolat për ndriçimin e saj, të cilat
ende janë pak dhe të pamjaftueshme, dhe për këtë, përcëllohesh edhe në rrjedhat
e ditës së sotme, të cilat rrjedha sikur duken të shurdhëta dhe nuk kanë mësuar
“asgjë” nga rrugëtimi i hekurt e ndonjëherë edhe i përbaltur historik...!
Shtatorja e At Gjergj Fishtës-dëshmi historie në Lezhë
Disi, në mënyrë
“si pahiri” fotografohemi në Lezhë, në qendër të Lezhës, prej nga shihen të gjitha
gjurmët që ka lënë historia dhe koha. Bëmë fotografi, që edhe ne, “kinse” të bëhemi
pjesë e historisë së këtushme, për të mundur pastaj për ta shprushur historinë më
të vjetër, e cila edhe është edhe nuk është me pluhur kohe, me të vërteta e,
edhe me rrena,... për të mundur pra, për ta shprushur historinë e historisë...
Largohemi
edhe nga Lezha, dhe udhëtojmë në drejtim të Shkodrës. Tani, në mes këtyre dy
qyteteve, këtyre dy tempujve të periudhave historike, si me “mengele” më shtrëngohet
mendja dhe më “rrjedhë” lëngë ngjarjesh nëpër periudha, i cili lëngë, sa më shumë
që thellohem në mendime, merr ngjyrën e kuqe në të murrmë. E, aty fshihet ileti
shekullor, fshihet gjakmarrja, kjo plagë aq e rëndë dhe e pakuptimtë, e cila
edhe nëse do apo kur do të shpjegosh këtë “fenomen”, dot s’ia arrin ta zbulosh
dhe as ta shpikësh asnjë formulë, e cila si ilaç do t’i përshtatej kësaj “matematike”
qyqare dhe plotë nebulozë!
Pjesa e vjetër e qytetit të Shkodrës-trashëgimi kulturore dhe historike
Por,
nxitojmë për në Shkodër. Në anën e djathë të rrugës na përvidhet edhe krahina
Mrizi i Zanave, edhe vendi ku është lindur Gjergj Fishta, ku gjendet vetëm një,
nëse mund të thuhet, shenjë për të treguar e qortuar se ku është vendlindja e këtij
njeriu. Andaj, këtë e ceka për pikë të “inatit”, që ju lexuesit, ju,... të “kacafyteni”
me këtë probleme, kuptohet, të përplaseni në mënyrën tuaj, por gjithnjë duke
pasur kujdes për të mos njollosur dhe as për të mos trilluar gjërat, të cilat
njeriut tonë mund t’i “rrëshqasin” për shkak të mërisë apo bash për pikë të qejfit!
Unë po u
them kështu, kurse ju veproni si të doni, a?!
Por, prapë më “gilicat” hakmarrja, të cilës nuk po mund t’ia humbim farën kësaj bime të keqe. A mendoni edhe ju kështu siç mendoj unë?! Nuk keni obligim ta bëni një gjë të tillë, nëse nuk doni...!
Me Migjenin ngelëm së bashku duke kuvenduar...
I
afrohemi Shkodrës, dhe historia e saj, djepi i saj i kulturës përnjëherë më kaplojnë
dhe kurrsesi t’i ndajë nga njëra-tjetra dhe as nga vetvetja ime. Më kujtohet
shumëçka që kam mësuar nga shkolla, por edhe ato gjëra që vetë këtu i kam
prekur e përjetuar në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar.
Nga larg,
dielli këtu e bën edhe më madhështore Kalanë e Shkodrës, edhe Malin e
Taraboshit, por edhe legjendën për Rozafanë... Duke i analizuar ecjet e këtyre
gjërave, më rëndohet vizita dhe diçka sikur më sjellë, siç thonë, në pikën e
vlimit. Por, edhe këtë nxehtësi përvëluese, “allshiseni” (bëjeni më të ftohtë) ju,
sepse, ndoshta nganjëherë, njeriu ka nevojë për ta sprovuar veten edhe me “pikat
e vlimit”. Mos u merakosni,... sepse s’është diçka serioze,... histori hesapi!
Shtatorja e heroit të kombit Isë Boletini në qytetin e Shkodrës
“Rrasemi”
brenda në qytet, dhe përballë na del shtatorja e Isë Boletinit, një skulpturë e
përkryer, e cila duket se e tëra është shndërruar në jetë e frymëmarrje. Edhe
ky monument provokon për madhështinë e për,... trimërinë tanë. Por, vazhdoni ju
me sqarime e komentime...!
Nga
dashuria e madhe për tokën dhe njeriun tim, u fotografova pranë kësaj
shtatoreje, që krahasuar me te, unë dukesha si xhuxh...!
Pas një kafeje
pushimi, mendja më ikën tek pjesa e vjetër e Shkodrës. Edhe aty arritëm duke na
shërbyer koha dhe rrezet e ngrohta të diellit të tetorit. Shëtitja nuk mungoi,
por edhe as komentet e shumta dhe “hulumtimi” në libraritë që nuk ishin pak.
Tash, çfarë
të them?! U kënaqa dhe u kënaqa, por shumë pyetje si krimbat më ngelin “barrë borxhi”
për përgjigje, apo për të “predikuar” punën dhe nevojat për studim dhe për ndriçim
të vetvetes sonë. Më duket se mirë e thash kështu, për të kuptuar më ndryshe, më
shtruat dhe më urtë gjërat tona, por edhe për ta kuptuar mesazhin e shkrimit
tim... Dhe, duke e shikuar Shkodrën e vjetër, më erdhi dhe më trokiti vargu i
Migjenit, më erdhi vetë Migjeni, më të cilin ngelem gjatë, shumë gjatë duke
kuvenduar së bashku...
Restoranti i tre vëllezërve Vataksi në Shirokë buzë lumit madhështor dhe historik, Buna
E lash kështu,
hapur edhe këtë rrugëtim, këtë udhëpërshkrim apo këtë histori të vogël të provokimit
të jetës për shumë arsye, e më së shumti për atë që ju të “kritikoni” duke thënë,
se nuk e kam theksuar dhe as përmendur edhe këtë e këtë, se nuk kam thënë asgjë
edhe për shumë ecje të tjera kohore dhe historike. Dhe, besoni se plotësisht do
të keni të drejtë...
E tërë kjo
duket e thjeshtë, por bukur shumë ka peshë për t’iu kënaqur por edhe për t’iu bërë
të lumtur e kureshtarë në këtë formë, në këtë mënyrë...! Tash, ikëm dhe ikëm për
të bërë llaf edhe pak gjatë drekës që kishim vendosur ta realizojmë në Restorantin
“Shkodra” në Shirokë, pronarë të të cilit ishin tre vëllezërit Vataksi, e që nuk
ishte larg as dy kilometra në të dalë nga Shkodra në drejtim të Lezhës dhe të Kosovës.
Edhe këtu, gjatë drekës, temë bisede ishte koha e “nxehtë” e këtyre ditëve,... e
viteve dhe decenieve!
Udhëtimit
tonë po i afrohej fundi. Tash, sërish iu “katrrisëm” Rrugës së Kombit. E po, çfarë
vepre madhështore është kjo! Si në ëndërr duket... Duke bërë komente të tilla,
saora arritëm tek “kufiri”, e,... Kosova na pret. Na pret Peja, e mua edhe shtëpia
ime modeste por shumë e dashur dhe e ngrohtë.
Gryka me bukuri mahnitëse e Rugovës e kapluar nga pëllumbat e jetës dhe të paqes
Në shtëpi,
shlodhëm pak dhe iku për të bërë një sy gjumë, të cilin tërë natën nuk mund e zëna.
Pasi piva kafenë e mëngjesit, ia behu një mik dhe me “dhunë” më mori për të kaluar
pak orë në ajrin e pastër të Rugovës. Edhe kësaj radhe ishte ditë e mirë. Në kamp-shtëpizën
e tij kaluam çaste të bukura duke biseduar për letërsi dhe për arsimin dhe frymëmarrjen
e Kosovës. Kështu që, të gjitha m’u përzien, m’u bënë katralëmsh rrugëtimi në Tiranë,
në Durrës, në Lezhë dhe në Shkodër, e tash edhe këtu në shkrepat e Rugovës!
Por, ia bëra
qejfin vetvetes: ndoshta, një ditë të gjithë nynet do t’i zgjidh dhe sërish
vazhdojmë rrugëtimin fatlum e krenar. Këtë, unë ua garantoj,... Më përcillni...!