E diele, 28.04.2024, 08:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Aristotel Mici: Naim Frashëri - Apostulli i shqiptarizmës

E shtune, 20.10.2012, 12:16 PM


APOSTULLI   i   SHQIPTARIZMËS

Unë jam në shpirtin tuaj, Mos më kini për të huaj - N. Frashëri

NGA ARISTOTEL  MICI

Në relivin e letërsisë shqiptare Naim Frashëri me veprën dhe fjalën e tij të frymëzuar shënon majën  më kulmore të mendimit poetik, duke u bërë një burim  dritëdhënës për zgjimin e ndërgjegjes  kombëtare në dekadat e fundit të shëkullit XIX  dhe më pastaj. I pushtuar nga  angazhimi i madh i  atdhëtarisë ai u tret  për idealin e shenjtë të përlindjës së  kombit të vëtë. Ai digjej  nga  dëshira për ta parë  Shqipërinë të çliruar nga robëria shekullore turke.

Duke studjuar  misionin  e shkrimtarit  në veprën e  Naim Frashërit, Prof. E. Çabej ka shkruar : “Poeti e ndjen  veten  të dërguar  që me anë të fjalës  së tij  të zgjojë kombin nga  gjumi i  gjatë i shekujve. Rendësia e tij qendron kryesisht këtu, që ai  në kohë të sundimit të huaj  ndezi pishtarin e lirisë, që e hodhi këtë në litëraturë dhe e mbajti ndezur ne dorë. Ai   përmbushi  detyrën  që i pat caktuar vetes......ai  i  derdhi të gjitha fuqitë e tij mendore  e fizike dhe në këtë punë  shkriu veten  në kuptimin e vërtetë të fjalës. Qiriri që ai këndon  në një nga vjershat e tij, i cili digjet vetë për t`u ndritur të tjerëve,është një simbol i poetit vetë dhe i veprës së tij..” [1]

I  frymëzuar nga dëshira e zjarrtë për t`u dhënë shqipëtarëvë “pakëz  dritë”,Naim Frashëri shkroi më gjithë fuqinë e shpirtit vjersha patriotike,me qëllimin e lartë që të  ngjallte   në zemrat e bashkëkombësve dashurinë për  Atdheun dhe lirinë  dhe të  forconte  në mbarë popullin e tij vetëdijën kombëtare,duke u bërë ashtu me veprën e përkushtimin e vetë Apostull i Shqipëtarizmës, i ndërgjëgjshëm për misionin historik të poetit, ai  përgjërohet  para bashkëkosve:

Në mes tuaj kam qendruar

E jam duke përvëluar

Që t`u jap pakëz dritë,

Natën t`ua bëj ditë.

................................

Për ju do rri të tretem

Asnjë çik të mos mbetem.

“Kurrë ndonjë poet s`është nisur  ashtu   vetëdijshëm  rrugës së vetmohimit për hir të një qëllimi të shenjtë”[2] - ka shkruar për të  Prof. R.Qosja, dukë analizuar  përkushtimin e  madh  të këtij  poeti.  Një personaliteti të tillë dritëdhënës i përshtatën fare mirë fjalët e novelistes amerikane Edith Wharton[3] : “Janë dy mënyra për të shpërndarë dritë:të jesh qiri,ose pasqyrë që e reflekton atë”. (There are  two ways of spreading  light: to be the candle or the  mirror that reflect it) . Themi kështu, pasi Naimi me veprën e tij  ndriti si qiri nga njëra anë, po  nga na tjetër pasqyroi dhe mendimin progresiv të kohës.

Figura  iluministe  e Naim  Frashërit u shfaq në horizontin shqiptar në momentin historik më    nervojëshëm,  atëherë kur  Perandoria  Turke po numëronte vitet e fundit, kur  vendet fqinjë kishin fituar pavarësinë dhe atdheu kish  nevojë për dritë. Me veprën  e tij ai u bë  Volteri dhe  Russoi i parë i Shqipërisë.

Si poet romantik dhe përçues i iluminizmit, Naim  Frashëri  u përpoq të  rilindte   ndërgjegjen kombëtare së pari  përmes  evokimit të së kaluarës historike, duke treguar lashtësinë e popullit dhe heroizmat e figurave më të shquara. Ashtu ai  përpiqej  poetikisht të rriste krenarinë kombëtare,  të shtonte dashurine për Shqipërinë dhe ndjenjën  e të qenurit  shqipëtar:

“Bota që kur është zënë,

Shqipëria gjallë ka qënë

Pellazg` u thoshin më parë

Më së fundi  shqiptarë.

Përkrahës i teorisë pellazgjike lidhur më  origjinën ë kombit tonë, Naim Frashëri  rreh  të kumtojë se  “Neve jemi më të parët” në Evropë krahas helenëve dhe romakëve e madje dhe më të  lashtë se ata.  Tek  rrëfen lashtësinë e kombit,poeti gjen rast dhe përmend figurat më të shquara të së kaluarës.,thur vargje për  trimërinë e heronjëvë të dikurshëm:

Pirrua ish nga  Shqipërija

Trim q` e lëvdon historija,

Skënderbeu  Kastrioti,

Q`u rrëfye aq i zoti,

Ishte burr` i Shqipërisë

Kështu gjithnjë  po  me këtë synim patriotik poeti  tregon  po me atë ndjenjë krenarie:

E   kush e bëri  Morenë?

Gjith shqipëtarë qenë.

S` ish shqiptar Marko Suli?

Xhavella e Miauli?

Bubulina e  Kanari?

Shqipëtar bir shqiptari.?

Po ndjenjën e patriotizmit dhe të krenarisë kombëtare, më tepër  se në çdo vepër , poeti do ta shfaqte  te  poema epike  “Histori e  Skënderbeut”.  Është e vërtetë se  autorë të herëshm  shqiptarë si  Marin Barleti, Tivarasi, Dhimitër Frangu , Gjon Muzaka, e më  pastaj,  Frang  Bardhi e kishin vënë në qendër të  librave dhe të shkrimeve të tyre heroin  tonë kombëtar,Gjërgj  Kastriotin, Skënderbeun.  Po  ashtu qe vlerësuar dhë ngritur lartë Skënderbeu edhe nga  përsonalitete të shquara të botës. Papa Kalisti  III  do t`i jepte tiullin e lartë të  “kapitenit të përgjithshëm të  Selisë së Shenjtë “.  Ky  papë e lavdëronte dhe e propagandonte Skënderbeun si një “mbrojtës të krishtërimit” dhe i shkruante atij më 1457:  “Nuk ka njeri  në botë i cili të mos dijë  trimëritë që keni bërë, dhe i cili  të mos  ju  lavdërojë gjer në qiell si një kryengritës të vërtetë dhe si një kryeluftëtarë bujar të krishtërimit” [Hist.ë Shqipërisë - f -310].  Po ashtu do ta  çmonte heroizmin e  Skënderbut

më vonë,  në kohën e iluminizmit, filozofi  i famshëm francez, Voltëri.  Poeti angles, Bajroni, do ta kujtojë në  veprën e tij   “Çaild Harold”.  Shkrimtarë e piktorë  europianë  e deri  te  Longfellou në Amerikë do të trajtojnë në veprat e tyre  figurën e  Skënderbeut. Po rëndësia e veprës së  Naim   Frashërit për  Skënderbeun qendron në atë se ai e shkroi në radhë të parë për gjithë popullin shqiptar dhe në një  periudhë  që ajo  nevoitej aq shumë. Me poemën e tij  ai  e ngriti  dhe e lartësoi   Skënderbeun. “Naimi i jep dimensione të gjëra  fytyrës madhore të Skënderbeut dhe e ngriti atë njeri (të ngritur në  veprat e veta luftarake dhe morale) në nivelin e simbolit kombëtar të luftës  për liri e pa pavarësi.” [4]

Për ta dhënë sa më madhështore dhe tërheqëse figurën e  heroit kombëtar, Naim  Frashëri përdori gjithë talentin e tij poetik dhe përvojën letrare, që kish fituar nga letërsia klasike botërore. Përmes një imazhi  gjysëmmitologjik,si  te “Eneida”,  ngrihet natën hija e të atit të Skënderbeut, Gjon  Kastriotit dhe endet në hapsirat e luftës, për të gjetur të birin, Gjergjin, e mbiqujtur Skënderbe:

U  ngrit fat`i Shqipërisë,

Si i vdekuri nga varri,

Mori rrugën e Asisë,

Duke rendur si i marri.

Dhe kur  hija e fanepsur  e takon  heroin,  fillon  t`i    flasë.  Ashtu si në  një pamje danteske,  si në një legjendë, hija  bisedon me    birin, si i vdëkuri më të gjallin:

Flë, i thotë, o jetëgjatë,

Nuk e di se ç`është bërë!

Ç`e gjëti  të zinë tët atë

Dhë Shqipërinë të tërë.

Po qëllimi kryesor i poetit nuk është vetëm që të jap informacion për epokën  e trimërisë Skënderbejane, por  dhe    ndez  te lexuesit zjarrin e luftës kunder sulltanit dhe zgjedhës  së robërisë turke. Jo më kot hija e të atit  e  vë në pozitë të vështirë heroin, kur do që ta nxisë  për   kryengritje:

A më sheh ti mua plaknë?

Të qenkësha si ti djalë!

Muratit i pinja gjaknë,

S`gënjehesha sot më fjalë.

 

Kuptohet se  këto vargjëe  kishin një tingëllim aktual. Anologjia historike është më se e qartë: Ashtu si  luftuan   Skënderbeu dhe i ati   kundër  sulltanëve,  ashtu duhet të bënin  edhe  bashkëkohësit e   poetit , që të shpëtonin   Shqipërinë dhe të fitonin  lirinë.

Me  përmasa madhështore dhe  si me imazhe  homerike jepet edhe kthimi  çlirimtar  i  Skënderbeut në Krujë.

Zjente fusha tundej mali

Nga armët e trimërisë,

Hingëllin e s` mbahej  kali,

Që sjell mbrenë e Shqipërisë.

Poeti ishte i sigurt se çdo shqiptar, po të dinte  dhe  të njihte  luftrat dhe trimëritë e  Skënderbeut, do të  krenohej me të dhe të kaluarën e  atdheut.Për këtë arsye Naim  Frashëri përpiqet  të nënvizojë çdo vlerë morale e pamje heroike të kryëtrimit të  Shqipërisë, aq sa  edhe për armët e tij, kur i pa në muzeun e Vjënës, u mrekullua dhe shkroi i mahnitur e gjithë frymëzim:

Lum ti moj  Shqipëri,thashë,

Armët ` e  tij kur i pashë,

Ndë Belvedere, në  Vjenë,

Sikur pashë  Skënderbenë.

Ndjenjat patriotike poeti mundohet  t`i forcojë  jo vëtëm  duke evokuar të kaluarën heroike dhe lashtësinë e kombit, po edhe duke  treguar  me gjithë frymëzimin e tij bukuritë e natyrës shqiptare. Me mall të patreguar dhe gjithë krenari ai shkroi për bukuritë e  madhështinë  e  vendlindjes poemën  e famshme lirike “Bagëti` e  Bujqësija”. Tek këndon  me dashuri të  zjarrtë  për malet e larta, për fushat e gjera me lule, për lumenjtë e kulluar  dhe pyjet e gjelberuar të  atdheut të tij, mbushet me krenari dhe flet me eksklamation:

Ti ,  Shqipëri më ep nder, më ep ëmërin shqiptar,

Zemërën ti ma gatove, plot me dashuri dhe me zjarr.

Kjo poemë qe një hymn madhështor për Sqipërinë dhe  gjithë  shqiptarët e kohës së  Rilindjes, që ushtroi një ndikim të jashtëzakoshëm për edukimim e ndjenjave patriotike dhe forcimin e ndërgjegjes  kombtare. Poema  “Bagëti e Bujqësija” ka qenë  dhe është edhe sot e kësaj dite një  burim i pashterrshëm   atdhedashurie për të gjithë brezat.

Rigjallërimin e vetëdijës   kombëtare poeti përpiqej ta bëntë edhe duke shtuar dashurinë për gjuhën amëtare, që ajo të mësohej e këndohej sa më mirë. Për poetin   gjuha shqipe është e shenjtë dhe  e lashtë sa vetë kombi. Sipas poetit shqipëtarët kanë atë  “Gjuh` që flisnin Përënditë, /Atë flisnin Pëllazgjitë” Po gjuha e nënës sonë nuk është vetëm e lashtë, po edhe e bukur dhe e lehtë, prandaj duhet ta duan e ta mësojnë të gjithë:

“Gjuha jonë sa e mirë!

Sa e ëmbël!! Sa e gjerë!

Sa e lehtë! Sa e lirë!

Sa ë  bukur ! S ë  vlërë!

Naim Frashëri i pushtuar nga  frymëzimi  i zjarrtë i shqiptarizmës, shkruan më ndjenjë  krenarije po edhe  me një kënaqësi  dhe admirim për bukurinë magjepsëse të gjuhës shqipe:

E ku shkruhën në kartë

Fjalët e gjuhës së zjarrtë!

Poeti me të drejtë  vlerësonte lartë mësimin e gjuhës aq sa mësimin e  saj  e lidhte me përparimin kombëtar:

Vëllezër shqiptarë!

Të prekim urtësinë,

Të zëmë udhën e mbarë,

Të ngjallim  Shqipërinë.

 

Të shkruajmë gjuhën tënë,

Kombin ta ndriçojmë,

Gjithë ç`është e ç`ka qënë,

Nga  dalëz ta mësojmë.

Naim Frashëri,që shkroi me kaq  dashuri për  bukurinë e gjuhës shqipe, u përpoq me gjithësa   mundi   intelektualisht me veprën e tij për lartësimin e nivelit kulturor të saj.  Këtë anë të rëndësishme të veprës së poetit nënvizonte edhe albanologu i famshëm Norbert Jokl-i [5],  i cili, dukë  shkruar për autorin e  “Historisë së Skënderbeut” dhe të  “Qerbelasë”, theksonte rolin e madh të veprës së  këtij poeti për formimin e gjuhës letrare shqipe. Me veprat  e Naimit gjuha shqipe u pasurua edhe nga ana leksikore  me shumë fjalë të reja. Është shumë e dukshme përpjekja e tij si edhe dëshira e madhë për ta   pasuruar, po edhe për ta pastruar gjuhën shqipe. Kjo anë e krijimtarisë së  poetit  duket edhe në titujt e  librave shkollore e diturake, që botoi siç janë  “Vjërsha për Mësonjëtoret e  Para” dhe “Këndimi  i Çunave”, ku fjala “mësonjëtore “  zëvëndësonte fjalën  “shkollë” dhë fjala  “Këndim” fjalën “lexim”.

Naim  Fashëri si poet mbarëkombëtar, i pushtuar tërsisht nga ideja  patriotike e bashkimit dhe vëllazërimit të të gjithë shqiptarëve, ngrihet mbi  ndasitë fetare. Shpirti i tolerancës e lartëson edhe më tepër figurën e tij si  Apostull i shqiptarizmës. Nuk është e rastit që në librin  “Lulet e Verës” midis vjërshave  me motive të ndryshme, ndodhet edhe poezia “Para  Krishtit”. Në këtë   poezi autori nuk e shikon krishtin  as  si shenjtor, as si fetar, po si një  njeri tokësor, si përfaqësues i humanizmit më të thellë, që predikon mirësinë dhe drejtësinë dhe që sakrifikon veten për njerëzinë:  “Fytyra jote mua më tregon,/.....Gjithë ç` ka hequr njeriu i mjerë,..../Që e kanë vrarë dhe e kanë prerë, pa fjalë, pa pasur faj”.Toleranca fetare e  Naimit  nuk e çudit  aspak lexuesin, pasi ajo është edhe tolerancë e popullit të tij , gjë që flet  për një psikologji të qytetëruar,  për një  civilizim  mbarëshqiptarë.  Poeti mbi gjithçka  vë mëmëdhenë.  Ai i drejtohet  Nënës  Shqipëri me apoteoze, duke u përfalur me përgjërim:  “Shqipëri të qofsha falë,/ Të kam mëmë e më ke djalë”.Kështu, heroi lirik i Naimit u jep shëbullin e tij shqiptarëve, që ta ndjejnë veten  si ai,  bijë të Nënës Shqipëri,  që në radhë të parë  Shqipëria të jetë metaforikisht “Parajsa” e tyre, kurse feja të mos i përçajë, se jemi  vëllezër të një kombi, të një gjaku, të një gjuhe  dhe një bese:

Gjithë ç`jemi shqipëtarë,

Jemi një fis e një farë,

Kemi të tërë një shpresë,

Një gjak,një gjuhë,një besë.

Të bashkuar dhe jo të ndarë, shqipëtarët do ta shpëtojnë mëmëdhënë, prandaj ai i këshillon bashkëkohësit:

Lëreni më nj`anë fenë,

  shikojmë mëmëdhenë”

(Parajsa)

Po është e vetkuptueshme se me këtë këshillë Poeti shtron nevojën e bashkimit kombëtar, duke u ngritur kundër ndasisive fetare, që viheshin re gjithandej. Pra, Naimi, kur thotë “Lëreni më nj’anë fenë”, nuk ngrihet kunder feve dhe as nuk tregohet “atheist”. Për më tepër,  për të qënë sa më i vërtetë, pas kësaj porosije, ai bën  edhe pak didaktikë

Fet` e besët t`i kemi,

Po të ndarë të mos jemi.”

Kjo ide e Naim Frashërit, që feja të mos na ndajë,që, për  Shqipërinë “ t`i  lëmë më nj’anë  besimet fetare”,   për analogji na kujton vetiu thirrjen e famshme të Pashko Vasës :

“ Çonju shqiptarë prej gjumit, çonju

Si vëllazën në një besë shrëngonju

Dhe mos shikjon kisha e xhamia

Fe e  shqyptarit asht shqyptarija”

Pra dy autorë të famshëm të Rilindjes kanë  ide të njëjtë për bashkimin kombëtar, duke kërkuar që ndasitë fetare të mos bëhen pengesë për këtë ideal. Po ndërsa për  poetin Naim Frashëri nuk bëhen vërejtje kur ai jep porosi “ Lëreni më nj’anë fenë”, për  poezinë e Pashko Vasës kohët e fundit  bëhen kritika, madje ndonje meshtar ka kërkuar edhe çkishërimin e tij. Duke e quajtur  rilindasin e Madh person  antife, mohues të feve dhe zëdhënës të një feja tjetër, të “shqiptarizmës”. Të gjykosh kështu për këtë figurë madhore të Rilindjes sonë do të thotë ta nxjerrësh poezinë e tij nga konteksti historik i zgjimit kombëtar, së dyti të mos vlerësosh veprën e tij letrare-historike, esseistike prej rreth tetë qind faqesh dhe së treti të mos kesh parasysh stilistikën dhe fjalët e figurëshme ne krijimin poetik. I kujtojmë lexuesit se poezia “O moj Shqypni e Mjera Shqypni” u bë shumë popullore ne Kohën e Rilindjes. Në formën e nje “fletë-volante-je”  ajo “fluturonte” kudo që kishte shqiptarë që dinin të lexonin, nga  Stambolli në Shipëri, te shqiptarët e Egjyptit dhe deri te arbërshët e Italisë.  Ashtu ajo poezi u prit me aq kënaqësi për patosin e saj patriotik dhe liridashës. Dhe,…. nuk bënë vërejtje për atë poezi as mendimtarët e shquar te teologjisë si At Gjergj Fishta, At  Zef Valentini, Dom Ndre Mjeda, as Eminenca e tij Kardinali  Koliqi, as Peshkopi ImZot  Fan Noli. E çuditsme është se  kritika është zgjuar, tani, pas  një qind e dyzet vjetësh.

Po të shikosh me kujdes vargjet e poezisë,  kupton me një herë  frymëzimin e autorit dhe mjetet artistike që ai ka përdorur. Poezija nis me personiofikimin e Shqypnisë si një zonjë e “randë”; në mënyrë metaforike burrat e dheut e quajnë “Nanë”. Po poeti do që  kjo Nanë ta ketë kokën lart dhe prandaj grish gjithë shqiptarët që të çohen nga gjumi i robërisë dhe me një metonimi u thotë  “Mos shikoni kisha dhe xhamia” ashtu si kur edhe Naim Frashëri   (të lëmë mënjane fenë), pra të shmangim ndasitë fetare, dhe t’i përkushtohemi  atdheut, Shqipërisë , dhe për këtë angazhim mbarëkombëtar poeti përdor  vargun metaforik:

Fe e shqiptarit asht shqyptaria”, pra në rastin  konkret kemi të bëjmë me nje shprehje metaforike që emëron nje send a po ide me një  send ose ide tjetër, dhe nuk reklamohet “ndonje fe e re”. Keshtu,  tog-fjalëshi   feja e shqiptarit” është përdorur si metaforë. Dhe  as Naim Frahëri, as Pashko Vasa nuk dalin  kundra feve dhe nuk bëjnë atheizëm. Dëshira e tyre e madhe është që të arrihej bashkimi mbarëkombëtar dhe për këtë synim dhe ideal madhor të mos bëheshin pengesë ndasitë  fetare dhe krahinore. Për analogji le të kujtojmë disa shprehje  të ndryshme metaforike:  “Fëmijët janë lulet e jetës”; metaforikisht Bajram Curri quhet “Plaku i Maleve”,”Dif dragoi i Dragobisë”, kurse Luigj Gurakuqi është “Vigan Liberator”. Vetëm kështu, përmes një analize logjike dhe stilistikre gjen shpjegimin  e saj shprehja poetike e Pashko Vasës: “Fe e shqyptarit asht shqyptaria”.

. Autori, duke  sublimuar ndjenjen e shqiptarizmit, nuk e mohon as zotin as fenë. Shenojmë se në të gjithë veprën  patriotike të Pashko Vasës nuk ka asnjë deklarim antifetar, dhe asnjë pretendim për të krijuar ndonjë fe tjetër.  Vlen të përmenden me këtë aresye dy vargjet e fundit të  kësaj poezie :

“T’ desim  si burrat, që diqen motit,

E mos t’marrohna përpara Zotit.”

Para,në këto dy vargje duket qartë se autori  ka konsideratë  dhe nderim para fronit të Zotit dhe nuk del  kundër tij.

Për më tepër, në Romanín e tij “Bardha e Temalit”, Pashko Vasa  na ka dhënë figurën e një prifti human siç është At Leonardi, i cili u rri aq pranë malësorëvë të vuajtur dhe të plagosur, duke marrë pjesë në brengat e tyre. Për këto arsye shqetësimi që  është ngritur kundër poezisë së Pashko Vasës na duket i pambështetur nga ana e logjikës poetike dhe analizes stilistike .

*   *   *

 

Vargje  e më sipërme të marra nga poezitë e  këtyre dy autorëve të  Rilindjes sonë flasin  për një dukuri të  psikologjisë  sonë  kombëtare, për  atë    shqipëtarët ndjenjën  patriotike e kanë  të shenjtë dhe  mbi  gjithçka. Kjo ide  e fuqishme e karakterit  atdhetar të shqiptarit i pat tërhequr vemëndjen  studjuesit austriak   J.  G. Hahnit, i cili rreth 150 vjet më par, më 1867, siç e thekson edhe  Prof. Çabej,  kur në veprën e tij shkruante: “Greku dhe vëllahu lirinë politike ia sakrifikon besimit.  Shqiptarit i vjen aq rëndë të durojë zgjedhën, sa lirimin nga kjo zgjedhë e paguan me  besimin  e të parëve”[6]. Më një fjalë, thënë më shkoqur, te shqiptari  ndjenja  kombëtare qendron e fuqishme dhe mirëkuptimi ndër fetar  midis tyre është gjë normale.  Aspekt i kësaj dukurie  janë edhe martesat  midis mijëra  e mijëra   shqiptarëve me besime të ndryshme, gjë    dëshmon realisht  pohimin e  Hahnit.

*   *   *

.             Po edhe kur shkruan për  Abas Aliun dhe  Qerbelanë, Naim Frashëri  nuk është se do të propagandojë dogma fetare; përkundrazi, ai do të japë një meszh, duke marrë  anën  racionale, humane  dhe përparimtare të ngjarjeve. Qendrimi ideoemocional i autorit është pro me  Alinë  dhe me të bijtë, po është kundër  palës regresive të përfaqësuar  me Mauvian dhë  Jezidin. Në një analizë për poemën  Qerbelaja”, Prof. Kristo Frashëri, njohës i historisë    Orientit, ka shkruar se  Naimi ka marrë anën e  Aliut dhe të bektashizmit, për arsyen se ky ishte drejtimi më progresiv, ishte si një lloj  protestantizmi brenda  muslimanizmit.

Lidhur me bindjen    pantheistike të  Poetit duhet  nënvizuar  edhe  ideja e tij   botëkuptimore    për ndeshjen e së mirës me të keqen. Kjo gjë duket në natyrë siç është fenomeni  i ditës dhe i  natës , i dritës dhe i  errësirës; në jëtën njerëzore, ku ndeshet e vërteta me  gënjeshtrën.  Ashtu  si  ndodh  edhe  në jëtën  vetiake të njeriut, ku përzihet:

Dhe Parajsi dhe  Skëterra,

Dhe ëngjëlli dhe djalli,

Edhe gjithçka të tjera,

Janë brenda tek i gjalli

Këtë dualizëm konfliktuos poeti e shtrin edhe te puna e njeriut  si   edhe te  subjekti   i   veprës  letrare.  Siç ka vënë re me  kohë  Prof.          E.Çabej  “Te  “Istori e   Skënderbeut” të tërheq vëmendjen fakti  se përfaqësuesit  e  së keqes janë sulltanët  turq, Muradi   II  dhee Mehmëdi  II, përfaqësuesi i së mirës i krishteri  Skënderbë ( lë të nënkuptojmë këtu edhe të atin dhe gjithë njërëzit e tij të afërt  - shënimi ynë -A.M.).    këtë mënyrë trajtimi duhet t`ia çmojmë aq shumë poetit, kur që  ky vetë  ishte  muhamedan. Kjo ndodh në frymë të karakterit të popullit shqiptar, te i cili  ndjenja etnike ka qenë gjithmonë më e fortë  se ndjenja   religjioze . Naimi i shikuar dhe nga kjo anë  na tregohet pjella e thjështë  e kombit të tij. Ai është  frymë nga fryma jonë dhë gjak nga gjaku ynë”[7].

Naim  Frashëri qe në të njëjtën kohë dhe poet dhe edukator i kombit të vetë. Si një sociolog largëpamës ai këshillonte shoqërinë shqiptare që  “gruaja duhet të jët`  e mësuar  më shumë nga burri, se fëmija së pari nga mëma e marrën arësimin dhe mësimet.....Gruaja është mëmë e fëmijësë, zonjë e shtëpisë dhë krei i njerëzisë”. Të shtroje  para opinionit shoqror ide të tilla progresive, kur në  Shqipëri dhe  në gjithë vendet fqinjë patriarkalizmi ishte aq sundues, do të thotë të ishe  njeri me autoritet intelektual  të jashtëzakonshëm,  një  dijetar me aureolë qiellore,  para të cilit   burrat e rëndë ulin kokën. Në fushën e edukimit dhe të pedagogjisë nuk duhë harruar edhe thënia tjetër  e Naimit  për arsimimin e rinisë, që çdo prind të kujdesej më sa të mundej për të mësuar  fëmijët , se ata, siç shkruantë ai  “janë për një kohë më tej nga koha juaj”. Ndërsa  vetë të rinjtë  i  këshillonte me fjalën e urtë  “Trupi shëndoshet me të punuar,,/ Mendja  ndritohet me të mësuar”.... Po si edukator i  kombit  ai nuk mjaftohej vetëm me këshilla, po vriste mëndjen të  ndihmonte konkretisht duke  bërë  libra  diturakë  për fëmijët e atëhershëm të  Shqipërisë  siç janë  “Vjërshat për Mësonjëtoret e Para”,  “ Këndimet e  Çunave”, vjersha  “Dituritë” ,  “Istori e përgjithshme”. Sot këto  botime  shkollore  do të dukëshin didaktikë dhe miturake, por për në atë kohë, kur në Shqipëri kishte vetëm një shkollë  shqipe dhe asnjë libër, rëndsia e tyre ka qënë e jashtëzakonshme. Përmes atyre  teksteve të shkruara më një gjuhë të rrjedhëshme dhe të natyrëshme autori përpiqej të jepte mësime edukative dhe informacoine shkencore. Me gjithë paraqitjen  didaktike  të atyre  librave, ne , po të thellohemi në realitetin shqiptar të asaj kohe, gjejmë tek ato   vepra  edhe edukatorin, edhe dijetarin edhe artistin e fjalës, poetin  e përkushtuar për gjithë  çështjen kombëtare. E rëndësishme  është të theksojmë me këtë rast se  edhe   nga ato tekste të thjështa shkollore marim vesh mendimet përparimtare, që kishte përqafuar autori.  Naimi kishte një kutpim materialist për Universin,  sistemin diellor dhe planetet”:

Dheu është në mes të qiellit,

I vjen rreth e rrotull diellit.

Po kështu edhe  për vetë diellin  ai shkruan në përputhje me idenë e heliocentrike të  N.Kopernikut

Dielli ësht` një yll i zjarrtë

Që ndrin posi lëmsh i  artë,

Është me mijëra herë

Nga dheu m`i math e m`i gjërë.

Në mënyre realiste spjegon  Naim Frashëri edhe fenomenet e natyrës, reshjet atmosferike, vetëtimën, gjëmimet,elektrikun, për botën e gjallë shtazore,bimore, njeriun dhe evolucionin e tij nga barbaria deri në kohët e reja. Dikur njeriu “Me egërsirat luftonte”, po pastaj  “Zu kafshët  e i përdori,/Metalet nga dheu i nxori,/ Gjithë ç` kish nëvoj`,/ Mihu ,lëroi,  mbolli korri,/ Shoshi,bloj, mbrujti e gatoj.”

Po t` i hedhësh një sy gjithë veprës letrare të  Naim  Frashërit,  si në poezi ashtu edhe në prozë,            dallon me një herë së ai   kishtë një informacion shumë të gjerë kulturor; ai njihtë mirë letërsinë antike greko- romake, sidomos  Homerin e Virgjilin, letërsinë  europianë, Danten e autorët romantikë si  Shatobriani, Lamartini e V.Hugoi;  mbështetej    filosofinë e  iluministëvë dhe idetë e dijetarëve materialistë si Volteri, Russoi, Lajbnici, Darvini  e të tjerë,ashtu siç njihte edhe poetët e dijetarët orientalë si Firdusi e  Rumiu.

Si u tha më sipër, Naimi, si  ish student i gjimnazit  Zosimea, pati ndikime të ndjeshme nga iluminizmi, që ka qënë  rrymë filozofike e shek.XVIII.  Iluminizmi  qe një revolucin në  mënyrën e të menduarit, që parapërgatiti ideologjikisht njerëzit dhe i priu revolucionit demokratike ne  Europë dhë në  Amerikë. Ishte koha e shkëlqimit të dritës mendorë, kur  Volteri në Francë i kishte hapur luftë obskurantizmit, dhe  kërkonte që bota të drejtohej nga mbretëria e arsyes, duke lartësuar  diturinë, kur  Emmanuel  Kanti në Gjermani  reklamonte se motoja e jetës duhët të jetë  Të guxosh për të ditur”-”Dare  to  knw”, kur Th. Jeffërsoni në Amerikë, i ndikuar nga filozofia e Lockut dhe  Volterit  përpiqej për diturinë  e gjithë popullit the deklaronte “Dituria është  fuqi”- (Knowledge is power).  Ide të tilla përparimtare lëshonin dritë në mendjet e njerëzvë. Ishte pikërisht ajo dritë që ënderronte dhe dëshironte   Naim  Frashëri  me vargjet e

poezisë së tij:

Jak` o drit` e uruar,

Që lind nga  perëndon.

At` an` e ke ndrituar,

E  ne  pse na harron?.

Si iluminist  poeti ka shumë besim te dituria, se dritë e diturisë  përpara do të na shpjerë, prandaj ai  u  bën thirrje    gjithëve për të fituar  dituri dhe dritë:

O burra shqipëtarë,

Të marrim dituritë,

Se s` është  koh` e parë,

Tani lipset dritë. Poetin  e ngazëlleu hapja  e shkollës së parë shqipe dhe me një lavdërim të veçantë shkruan për qytetin, që pat nderin të çelte i pari derën e saj:

Lumja ti , moj  Korç` o lule,

Që i le pas  shoqet e tua,

Si trime në ball` u sule,

T`a paçim për jetë hua.

Shkollat që po hapeshin dhë forcimi i  përditshëm i ndërgjegjës kombtare e bënin optimist Naim Frasherin për çlirimin e Shqipërisë nga  sundimi i  Turqisë:

Se shqipëtari

E gluha  e tija

Venë së mbari

Dhe Shqipëria.

Besimi i  poetit për ardhmërinë e  Shqipërisë ishte  i patundur, sepse ai e  kuptonte    drita e diturisë po e mundte errësirën:

Për  Shqipërinë

Ditët e mira

Paskëtaj vinë.

Shkoi errësira.

Naim Frashëri qe i bindur se dita e  Pavarësisë nuk do të ishte ë largët  Me frymëzimin  e tij poetik ai  parandjente  dritën e agimit të  Shqipërisë:

Lum kush ta  shoh

Për pak kohë.

Po ai  vet, ai që u  tretë  tërë jëtën si qiriri,  nuk arriti ta shikonte  atë ditë aq të dëshiruar. Naim  Frashëri vdiq më 20  tëtor  të vitit 1900, në Stamboll,  dukë lënë pas dritën e veprës së tij dhe dëshirën e madhe që  “Sqipëria të ndritohet, të lulezohet”. Ashtu,  më veprën dhë fjalën e tij ai qe futur në mendjen dhë në zemrën e gjithë  shqiptarëvë.  Si  apostull i shqiptarizmës ai që bërë pjesë e ndërgjegjës  kombëtare. Poeti  e ndjente dashurinë e njerzëve, prandaj edhe shkroi:

Unë jam në shpirtin tuaj,

Mos më kini për të huaj

Dhe  vërtetë   ai është e do të jetë në  mendjën e popullit shqiptar me  vargjet e tij   patriotike  dhe dritën e mendimit   poetik. Vepra e  Naim  Frashërit  bëri epokë në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Së pari se me  fjalën e tij  edukoi gjithë popullin më dashurinë për atdhenë dhe së dyti se  krijojë shkollën e parë poetike   shqiptare, që nga morën  e marin  dritë breza  të tërë poetësh deri në ditëtë tona.


[1] E. Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, MÇM, 1994, Tiranë, f. 107

[2] R. Qosja,  “Naim Frashëri”, Vepra 1, Rilindja, Prishtinë, 1978, f.10

[3] Edith Wharton  (1862 – 1937 ) noveliste e talentuar amerikane

[4] R. Qosja, “Naim Frashëri –Vepra 1, f.65, Rilindja, Prishtinë,  1978

[5]  Norbert Jokl (1877 – 1942 ) gjuhëtar austriak, indoeuropianist , albanolog

[6] Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit  dhe Lindjes”,  MÇM, Tiranë,1994, f. 116

[7] E. Çabej  “Shqipëtarët midis Perëndimit dhe Lindjes, MÇM, Tiranë, 1994, f. 113.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora