Kulturë » Kozeta
Kozeta Zylo: Vazhdon përkrahja e Grevistëve para OKB
E diele, 21.10.2012, 10:50 AM
Vazhdon përkrahja e Grevistëve të urisë para Kombeve të Bashkuara
Nga Keze Kozeta Zylo
Forumi
Shqiptaro Amerikan për Demokraci mblodhi përsëri përkrahës në tubim në mbështetje
të Grevistëve të Urisë, ish të përndjekurve politikë që hynë në ditën e 30 të ngjujimit
të tyre.
Tubimi u
drejtua nga z.Grid Rroji, kandidat për titullin Doktor në shkencat politike dhe
Kryetar i Forumit.
Z.Rroji
ia dha fjalën z.Viktor Martini ish i përndjekur politik ku i ati dhe katër vëllëzërit
e tij kaluan në burgjet komuniste dhe kampet e internimit.
Oratori i
fjalës shqipe z.Martini me fjalën e tij të zjarrtë ndezi zemrat e të pranishmëve
duke e falënderuar Atë me duartrokitje. Ish
i përndjekuri politik shprehu indinjatën e thellë për heshtjen e qeverisë dhe të
shumë shoqatave shqiptare karshi ngujimit të grevistëve, bashkëvuajtësve të tij. Ish të përndjekurit politikë vazhdoi oratori
e ndërkombëtarizuan çështjen shqiptare dhe i kanë treguar botës se ka pasur
shqiptarë që nuk e kanë ulur kokën përpara diktaturave, por përkundrazi kanë luftuar
për të mos u instaluar ajo. Z.Martini
shprehu dëshirën për t'u bërë anëtar i Forumit dhe njëkohësisht ai premtoi se
do të hapë degë të saj në Boston ku dhe jeton së bashku me familjen.
Më vonë e
ka marrë fjalën Bizenesmeni Shqiptaro-Amerikan dhe bashkëthemelues i Forumit z.Alfred
Tollja. Z.Tollja tha se jemi mbledhur këtu
për një fillim të ri dhe solidarizohemi plotësisht me kërkesat e ish të përndjekurve
politike dhe dënojmë heshtjen kriminale të qeverisë shqiptare e cila ka mbyllur
sytë dhe veshët përpara kërkesave të tyre plotësisht të drejta.
Z.Ben
Dedaj Anëtar i FSHAD dhe aktivist shoqëror i komunitetit midis të tjerash tha: "Kanë kaluar 22 vjet nga rrëzimi i
regjimit gjakatar dhe përsëri ne shohim se sa keq persekutohen të burgosurit e
ndërgjegjes. Edhe pse politikanët e të gjitha
ngjyrave duken sikur grinden me njeri-tjetrin ata përsëri prapa skenave bëjnë pazare
të fëlliqura duke shitur vendin dhe pasurinë tonë në ankand. Ata çdo ditë majmen duke vjedhur dhe duke lënë
popullin në mjerim dhe errësirë të plotë...Kam një Atdhe që quhet Shqipni dhe
nuk është në shkretëtirën e Saharasë, as në Tibet, as në Afrikë, por është në zemër
të Europës. Eshtë një vend që ka lindur
mbretëreshën e parë në Europë. Vendi ynë
meriton më shumë. Vepro tani"!
Në tribunë
është prezantuar nga z.Rroji ish Ambasador i Shqipërisë në Washington dhe
shkrimtar i shquar, Mjeshtër i Madh z.Pëllumb Kulla. Z.Kulla dënoi ashpër qeverinë e Sali Berishës
për diktaturën që po përdor në çdo sektor të jetës. Unë kam ardhur këtu vazhdoi Zoti Kulla për
t'u solidarizuar me ish të përndjekurit politikë që kanë një muaj në grevë urie
dhe qeveria akoma nuk ka denjuar të bëjë asnjë bisedë, dialog me ta. Është për
të ardhur keq që të gjithë klerikët e feve të ndryshme nuk janë solidarizuar me
Grevën e urisë nga ish të përndjekurit politikë.
Ish të përndjekurit
duhen përkrahur dhe duhet të marrin të gjitha shpërblimet që u takojnë, pasi
deri tani me ta vetëm është abuzuar. Fjala
e z.Kulla u ndërpre disa herë nga duartrokitjet nga të pranishmit.
Doktor i shkencave ekonomike, ish student i dhjetorit dhe bashkëthemelues i FSHAD-it z.Ilir Hysa tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve me argumentet e tij shkencore. Ndër të tjera tha:
Jemi këtu
si shqiptarë të shqetësuar për Atdheun. Si
shqiptarë që nuk pranojnë as arrogancë nga pozita dhe as Rilindje kombëtare
fallso nga opozita. Rilindjet kanë kuptim
vetëm kur bëhet ndarje nga e kaluara.
Më lejoni
që fillimisht të shpreh keqardhjen time për faktin që në momente të rëndësishme
të historisë sonë ne kemi humbur më shumë kohë duke korrigjuar gabimet tona se
sa jemi përballur me problemet gjeopolitike dhe me kombet e tjera në rajon. Të tilla
janë edhe 22 vitet e tranzicionit të dështuar në Shqipëri...
Dikush,
mund të nxitojë të numërojë arritjet e këtyre dy dekadave. Sigurisht, që ka patur ndryshime. Nihilizmi është i dëmshëm. Por, ato nuk janë arritjet
e politikës; ato janë të shqiptarëve. Madje në shume raste, pavarësisht nga
puna dhe sakrificat e njerëzve të ndershëm, ata kanë mbetur mbrapa në ethet e
garës për ndërtimin e fshatrave turistike, privatizimit të minierave dhe gjithë
pasurisë kombëtare. Një grusht njerëzish
në pushtet dhe të lidhur me pushtetin u pasuruan në mënyrë marramendëse dhe
shoqeria jonë e zvetenuar në amullinë e shitjes së gjthçkaje, madje edhe
nderit, për të mbijetuar.
Pse lindi
nevoja për NJë FILLIM Të RI?
Klasa
politike shqiptare është përgjegjësja e vetme e dështimit të tranzicionit në Shqipëri.
Dy partitë, tashmë të vjetra, dhe që papërgjegjshmërisht kanë qeverisur Shqipërinë
i vunë zjarrin asaj në 1997-n dhe paralizuan vazhdimisht edhe më pas jetën e
vendit. Ka ardhur koha t’iu themi NDAL!...
Kjo na bën
që t’ju bëjmë thirrje për mbështetje që të mundësojmë NJë FILLIM Të RI. Nese
edhe ju e ndjeni nevojën e NJë FILLIMI Të RI, ne i bëjmë secilit thirrje: VEPRO
TANI! Faleminderit!
Ndërsa Dr.Harxhi
me flamurin shqiptar kuq e zi hedhur krahëve tha se si mjek në profesion që jam
e quaj antihumane të mos vizitosh ish të përndjekurit në grevë urie dhe njëkohësisht
të mos u shërosh plagët që ata morën në vetësakrifikim.
Znj.Merita
Shkupi ish anëtare e Këshillit Kombetar të PD-se foli me dhimbje për situatën që është krijuar me Grevistët e
urisë dhe që qeveria s'po ndërhyn ta zgjidhë situatën. Populli nuk po merr pjesë t'i mbështet ngase
atje është instaluar frika dhe kjo është e tmerrshme...
Z.Emin
Egriu ish kandidat për në Kongresin Amerikan, President i Programit Unik
Shqiptar (PUSH) ndërmjet të tjerash tha se ish të përnjekurit politikë e kanë merituar
respektin tonë për qëndresën që ata kanë bërë karshi diktaturës. Unë kam ardhur këtu në solidarizim të ish të përndjekurve
politikë dhe flas nga vendi më demokratik në botë.
Kandidatja
për titullin Doktore në Drejtim (Leadership) znj.Val Karanxha ka përshënderur
Greven e Urisë, ish të përndjekurit politikë dhe ka falënderuar pjesëmarrësit që
me humanizëm i janë bashkangjitur thirrjes së Forumit për Demokraci në solidarizim
të ish të përndjekurve politikë.
Ish
studentja e dhjetorit të vitit 90 dhe bashkëthemeluese e Partisë Demokratike
znj. Mimoza Ferraj dënoi ashpër qeverinë Berisha dhe e quajti atë një diktator
të egër. Znj.Ferraj intepretoi poezinë e
ish të burgosurit të Spaçit poetit Pëllumb Lamaj.
Vargjet
tepër të ndjera të poezisë si: "Në grevën
e vdekjes janë ngujuar Ata/ Ata që barkun nuk e ngopën kurrë/ Ndërgjegje e
Kombit, Simbol i Lirisë/ Atdheun deshën më shumë/...Në grevën e Vdekjes janë ngujuar
Ata/ Ata që privilegje nuk kërkuan kurrë/ Kanë njëzetë vjet që rropaten rrugëve/
Të vetmen pasuri kanë një Flamur/
Poezia
kushtuar ish të perndjekurve politike u ndërpre disa herë nga duartrokitjet. Tubimi
u mbyll nga z.Grid Rroji i cili falënderoi pjesëmarrësit që erdhën para Kombeve
të Bashkuara për t'u solidarizuar me Grevën e Urisë.
Z.Rroji
lexoi kërkesën drejtuar Parisë së Tiranës siç dhe është etiketuar qeveria nga
Prof.Shenasi Rama, si dhe nga Forumi dhe disa intelektualë të mirënjohur duke i
kërkuar kryeministrit Sali Berisha që në mënyrë të përshpejtuar dhe urgjente të
respektohet vullneti i të gjithë qytetarëve që masivisht mbështesin kërkesat
ekonomike të grevistëve të urisë, ish të burgosur të ndërgjegjes në kohën e
diktaturës së kaluar...
Midis të tjerash
shkruhej se Forumi dhe pjesëmarrësit në tubim janë shumë të shqetësuar pasi
hapur është refuzuar dialogu edhe pse ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që të bisedoni
me ta...
Midis
pjesëmarrësve kishin ardhur dhe nga larg si psh prej Bostoni si z.Subi Cako së bashku
me bashkëshorten për t'u solidarizuar me Grevistët e urisë.
Në këtë tubim TV Alba Life mori disa intervista me ish të burgosur të ndërgjegjes si me Z.Viktor Martini, z.Dine Dine, Dr.Ilir Hysa etj...intervistat e të cilëve do të trasmetohen së shpejti në emisionet e ardhshme.