Kulturë
Kujtim Mateli: Me vështrim nga mali i Trebeshinës
E diele, 21.10.2012, 11:43 AM
Me vështrim nga mali i Trebeshinës ku tufat e reve mbështjellin me mister atë
majë mali që mban një emër të mistershëm: Dejan.
Nga Kujtim Mateli
Aty ku Vjosa ka ndarë në dy pjesë, dy
vargmalet më të bukur të Shqipërisë Jugore dhe që në lashtësi thirreshin Grykat
e Aosit (sot Gryka e Këlcyrës), në të majtë të Vjosës, në perëndim të malit të
Dhëmbelit, ndodhet Leskaj, një nga fshatrat më piktoresk të rrethit të
Përmetit. Aty lindi dhe u rrit Rrapo Këlliçi. Aty thithi bashkë me ajrin e
pastër të atyre maleve dhe tingujt e këngëve. Blegërimën e qëngjit dhe tigujt e
fyellit të bariut.
Pas mbarimit të shkollës fillore në vitin 1954 dhe në mungesë të babait të tij,
Rrapoja u detyrua të mos e vazhdojë shkollën, por mori kërrabën dhe u bë shok
me barinjtë e tjerë duke kullotur tufën e bagëtive deri në shtator të vitit
1958. Kohë e humbur kjo për një
intelektual dinjitoz si Rrapo Këlliçi? Kushdo mund ta interpretojë në mënyrën e
vet. Po Rrapoja në këto vite ngjizi poezinë e tij me qumshtin e deleve që
mbushnin vedrat e stanit. Poezia e tij u ngjiz me fëshfëritjen e krahëve të
thëllëzave, teksa ia linin vendin tufës së Rrapo çobanit. U rrit Rrapoja i vogël me trastën e bukës në
krahë, pagurin e ujit dhe tufën e dhenve përpara, në pjerrësinë dhe majave të malit të Dhëmbelit.
U rrit në Golikun që qëndron përballë malit Leskaj, ku një bimësi e pasur e ka
veshur këtë mal gati deri në majë. U
rrit me vështrim nga Çajupi ku buron ujët e ftohtë dhe që banorët e atyre
krahinave e kanë quajtur: “ilaçi i sëmundjeve”. U rrit me vështrimin nga mali i
Trebeshinës ku tufat e reve mbështjellin
me mister atë majë mali që gjithashtu mban një emër të mistershëm: Dejan.
*****
Vëllimi poetik “ Midis dy shekujve”, Tiranë 2011, vjen pas disa librave të rëndësishëm të Rrapo
Këlliçit, por sidomos pas vëllimeve poetike
“ Mëngjese dhe perëndime” 2002 dhe “ Flladet e Vjeshtës” 2006. Me këto
vëllimet e fundit mund të themi se Rrapo Këlliçi ka formuar personalitetin e
tij të spikatur poetik duke zënë vend në letërsinë shqiptare. Për poezinë e Rrapo Këlliçit është folur, por
edhe nuk është folur siç duhet. Ajo është si një margaritar, shkëputur trevës
së Malëshovës ku bën pjesë dhe fshati Leskaj dhe që pret të ekspozohet më mirë
para lexuesit shqiptar.
Libri ndahet në tre pjesë që lexuesi ta shijojë më mirë.
I
Cilki parë poetik titullohet: “ … mes buzëqeshjeve”. Vetë titulli i këtij cikli na jep mjedisin që
autori kërkon të eksplorojë me mjetet e tij poetike. Buzëqeshjet kanë fytyrën e
tyre si njerëzit: buzëqeshje të ëmbla, buzëqeshje të hidhura, buzëqeshje
hipokrite, buzëqeshje të çiltërta, buzëqeshje idiote, buzëqeshje enigmatike. Të
gjitha llojet e buzëqeshjeve lindin nga raportet që formohen në marrëdhëniet
mes njerëzve.
Poeti, të gjitha ato ëndrra që thur njëra nga vashat që ai do, ia lexon në
buzëqeshjen e saj. Po ndryshe nga të tjerët sjelljen e saj nuk e përjeton
emocionalisht:
“ Nëse më do, punë s`më prish,
nëse më shan,
S`të them: U çmende” (Poezia,
Buzëqeshja , fq. 7).
Tek një tjetër poezi “Buzëqeshje e vonë” autori kujton shoqen e tij të klasës, kur ishte në
shkollën e mesme. Janë këshilla mes miqsh që shpesh mbeten si pika referimi në jetë, se janë këshilla që
dalin nga një zemër e çiltër e lënë mbresa të pashlyeshme mbi moshën e njomë.
Mosha që krijon mbretërinë e pafajësisë. Në atë mbretëri ku fjala e humbet
kuptimin e zakonshëm dhe secilit i duket se fjala e njeriut që të lumturon, ka
brenda fuqi perëndie. Momente të tilla
rregjistri i kujtesës i fikson për t`u mos u fshirë përjetësisht.
“ Një gjysmë shekulli pa u parë ka kaluar,
Nga Ohio me buzëqeshje e mall po të flas me emër,
-Marika! ( si motër më ndje, sa jam munduar…)
Buzë Erios* një monument të ngrita, O Zemër!” (Poezia, Buzëqeshje e vonë,
fq. 11)
* Erio-liqen në Amerikën e veriut, midis SHBA-së dhe Kanadasë.
Poezi pas poezie, mbushesh me imazhe të freskëta. Në fund të këtij cikli
ndien se ke plotësuar një zbrazëti që të mundonte më parë. Pastaj… ndien
nevojën të kthehesh përsëri aty ku e nise.
“ Flladet e vjeshtës” është poezia që hap këtë cikël dhe njëkohësisht
këtë vëllim poetik. Rikthehesh ta lexosh
edhe një herë dhe të ndiesh nevojën të qëndrosh pak më gjatë me të. Është një
poezi filozofike. Dimri është mosha e
thellë e pleqërisë ku do të hysh, por që nuk do të mund të dalësh dot që andej.
Njeriu reziston për të mos u futur në segmentin dimëror të jetës. Edhe një hap
më tej dhe do të hysh në misterin që ende rri pezull që kur njeriu filloi të
mendojë për jetën. Njerëzit e parë i kishin dhënë një përgjigje më lehtësuese .
Ashtu si përtej dimrit vjen pranvera edhe Ai rikthehej përsëri në jetë në një
formë a në një mënyrë tjetër. Po njeriu i kohëve moderne është larg të
menduarit për një rikthim të mundshëm. Ai mendon se segmenti i jetës së tij
përfundon brenda dimrit të jetës dhe se,përtej saj, pranvera vjen për të tjerë.
Po ja që njeriu i kohës moderne paska fuqinë dhe aftësinë të ndalë edhe kohën.
Flladet e vjeshtës njerëzore. Ato të
thonë qëndro këtu. Ato nuk të lënë të bësh tutje. Njeriu e ndien se dimri i
jetës nuk është aq i egër sa thuhet për të dhe kufijtë e tij mund të
ngushtohen. Po si mundet që njeriu t`i ngushtojë kufijtë e dimrit të tij? Ja,
që në këtë botë të madhe, e pamundura bëhet e mundur dhe e panjohura bëhet e
njohur. Poeti ka depërtuar në zbulimin e këtij misteri. Ai ka mbledhur gjithë energjinë
vjeshtake brenda qënies së tij. Kjo energji i shkrin kufijtë e dimrit që po i
afrohet. Kjo energji vjeshtake projektohet tek njeriu i kohëve moderne në
projekte dhe ide. Njeriu i kohëve moderne kërkon si të lëvizë përpara
shoqërinë. Kontributi i njerëzve të moshuar ka qenë dhe do të mbetet përherë i
rëndësishëm. Për aq kohë sa ka projekte dhe ide, kufijtë dimërorë rrudhen
përherë e më tepër. Po e jap të plotë
këtë poezi që secili të mendojë e përjetojë sipas mënyrës së vet.
“ Po përgatitem për dimërim,
Por flladet e Vjeshtës,
S`më lënë të bëj tutje…
Si një behar i vogël,
që s`njeh breshër e thëllim…
Valoj e buças si mushti në bute…”. (Poezia , Flladet e Vjeshtës, fq. 5)
II
Cikli i dytë poetik titullohet : “ …në dashuri”. Poeti i është drejtuar
asaj ndienjës së lartë njerëzore për të cilën ia vlen të jetohet. Poeti derdh
në vargjet e tij gjithë dashurinë që ka grumbulluar për njerëzit e dashur që tani ndodhen të përhapur
në të gjithë atdheun, gjer në kontinentin e largët amerikan. Zemra e poetit rreh
fort për ta. Po poeti i kushtohet me një dashuri të pakufishme fshatit të tij
të lindjes, Leskajt në rrethin e Përmetit. Janë disa poezi, njëra më e bukur se
tjetra, ku misioni i poetit është që ta përjetësojë këtë vend të shenjtë të
vendlindjes së tij.
Poetit i vjen keq për këtë braktisje që ka pësuar ky fshat si shumica e
fshatrave të tjerë në këto vite tranzicioni. Kjo braktisje ka shkaktuar
prishjen e rrugëve. Kulprat e bardha
janë shtuar mbi muret dhe gardhet. Një bimësi e re i ka zënë vendin asaj
që kultivonte dora e njeriut. Poeti e ndien se kështu nuk mund të vazhdohet më
tej. Është një apel për të gjithë banorët e fshatit të tij. Secili të
kontribojë sipas mënyrës së vet. Shumë emra vendesh të këtij fshati, koha mund
t`u hedhë pluhurin e harresës, por disa prej tyre janë skalitur në vargje. Të
hedhura midis rreshtave ,poeti ndihet i sigurt.
“ Do të shkëlqesh në këngët e mia,
Si vesa e mëngjesit…
Leskaji im, dhe prapa Diellit
Do të t`i shumëfishojë vlerat”. (Poezia, Leskaj im, fq. 72)
Poeti e ndien se fshati i vendlindjes është pasaporta e tij e
identitetit. Cfarëdo që t`i shtojë
tjetër identitetit të tij, sado larg që të shkojë, do të mbetet bir i
vendlidjes së vet, se “ka pirë qumësht nga një nënë leskanjote, shqiptare këmbë
dhe kokë”. ( Poezia Identiteti im, fq. 41).
Poeti lufton vetminë. Njeriu është produkt i shoqërisë njerëzore në një
segment të caktur, kohë në të cilën jeton. Shoqëria njerëzore ka nevojë për
harmoninë, për lëvizjen, për ecjen përpara. Vetmia, mbyllja në vetvete, është
bataku ku ke rënë. Nuk mund të ecësh si gjithë të tjerët. Po kjo vetmi nuk
është vetëm në dëm të individit, por edhe të shoqërisë. Shoqëria njerëzore,
pjesë e së cilës është cilido, ka nevojë për njerëz që veprojnë, që e shtyjnë
atë përpara me forcën dhe mendimet e
tyre. Ndenjia i veçuar, është stacioni i
parafundit i vdekjes, stacion që askush nuk e dëshiron. Ndaj poeti e fton një
miken e tij t`i lërë mënjanë lotët e të hidhet në krahët e jetës. T`i lërë mënjanë lotët e t`i afrohet
gëzimit, të qeshurës. Dhe kjo nuk arrihet në vetmi. Të bashkojë gëzimin e saj
me të një tjetri. Të bashkojë të qeshurën e saj me të një tjetri. Atëhere nuk
do të jetë më e vetmuar, por edhe shoqëria njerëzore do të ndihet më e plotë,
kur të gjithë invidët që e formojnë atë, janë në harmoninë dhe lëvizjen e
kërkuar. Dy njerëz që bashkojnë gëzimet
e tyre ndërtojnë një jetë. Arrihet një qëllim i ëndërruar. Vetëm të bashkuar në familje a më gjerë në
shoqëri, mund të arrihet gjithçka. Se jeta nuk është ajo që ke parë e dëgjuar
deri në momentin në të cilin jeton. Jeta është e gjerë dhe e pamatë. Ajo lëviz
brenda një jete njerëzore si synim për ta jetuar të plotë. Të plotë po japim
edhe poezinë:
“ Na shkoi jeta të dyve duke qarë…
Le të vdesim bashkë duke qeshur…
Të rindërtomë një kështjellë të paparë,
(Këmbët në batak ngul mushka kokëngjeshur).
Jeta ka shumë anë për të eksploruar,
Me shpresë e guxim gjendet lumturia e ëndërruar! (Poezia Vejusha, fq. 85).
III
Cikli i tretë poetik titullohet:
“Deri në dhimbje…”. Janë poezi që u kushtohen njerëzve të dashur.
Janë miqtë që na rrethojnë dhe që i kemi pranë dhe që, kur ndonjëherë ndihesh i
braktisur, të gjenden pranë qoftë dhe me një telefonatë. Kur gjumi të largohet
e nuk e shlodh dot qepallën e rënduar, e ndien se për dikë vuan që nuk të ndodhet
afër. Ndien dhimbje për dikë , njohur
shumë vite më parë dhe që në kujtesë e ke ruajtur si shelegen bejke, ndërsa ajo nuk është më ashtu, nën peshën e
një kohe të egër është ligur e është bërë zezveke.
“ Meditim” titullohet njëra nga poezitë e këtij cikli. Po përse mediton
poeti, ndanë një pylli ku shushurijnë gjethet e pemëve? Për një trung që i janë
prerë degët, është i shqetësuar. Një trung që nuk e ndien më lëngun jetësor që
ngjitej deri në skaj të degëve të tij e çelnin lule e gjethe. Mblidheshin rreth
tij zogj e insekte dobiprurëse. Në një nga këto pemë, ra sëpata e xhelatit dhe
i preu degët e tashmë ky lis ka mbetur cung. Po si ky lis ka qenë deri më sot
edhe fati i poetit dhe i kombit të vet.
“ Të bie sëpata dhe kur je duke qeshur,
Dhimbje e shpirt s`ka xhelati…
Mallkoj historinë kokëngjeshur:
… dhe atdheu im këtë fat pati”. (Poezia, Meditim, fq. 115).
Poeti trajton dhimshëm ato marrëdhënie që krijohen midis çifteve dhe që shpesh sundon mosmirënjohja për njëri-tjetrin.
*** (pa titull)
“ S`e di pse u bëra kaq i huaj,
Dhe vesë po të isha….
(S` do të kisha avulluar aq lehtë…)
Të ketë rënë kaq “Kujtesa” juaj
Për një mal,
Ku ke kullotur një jetë?.... (Poezia,*** pa titull, fq. 131)
****
Poeti është i ndjeshëm ndaj mjedisit shoqëror ku jeton. Tek poezia
“Politikanëve…” fshikullon ashpër politikanët tanë , nga të cilët ndihesh i
turpëruar që je bashkëkohësi i tyre, sepse ata çirren e ulërijnë për kolltukë
,ndërsa atdheu rënkon si zog në mes të llohës…
Poeti është i ndieshëm edhe ndaj gjërave tepër të vogla e intime si: rënia e
një fijeje floku. Ajo fluturoi tej dhe ai e përcjell me vështrime tek bie mbi
një fole zogu, ashtu siç përcjell babai vajzën e vet kur e nis nuse.
Poeti Rrapo Këlliçi na përcjell
nëpërmjet poezisë mesazhe të rëndësishme për jetën, për ta jetuar atë me
optimizëm. Poeti është bërë shandan ku të ndriçojë e vërteta, edhe pse e ndien
që ajo pjesë e botës që kërkon
errësirën, ka nisur sulmet mbi të. Ky vëllim poetik, me 132 krijime
artistike, është një vlerë e çmuar që i shtohet gjerdanit të artë të letërsisë
shqipe.