Kulturë
Elida Buçpapaj: Mark Krasniqi dhe Rita Saliu
E diele, 21.10.2012, 10:46 AM
ME PËRKUSHTIM, DY MIQVE TANË, AKADEMIK MARK KRASNIQIT DHE HUMANISTES RITA SALIU
Nga ELIDA BUÇPAPAJ
Nuk
e kisha menduar kështu Botën Shqiptare, që të vazhdonim e të kërkonim Njeriun e
me qiri, si Diogjeni, filozofi i cinizmit. Diogjeni në mes të ditës kërkonte me
qiri Njeriun e ndershëm, atë që ne sot e quajmë njeriu me integritet, i cili as
nuk të shet dhe as nuk shitet, sepse udhëhiqet nga parimet demokratike e
humaniste të shoqërisë.
Skënderi
dhe unë gjatë këtyre njëzet viteve tranzicion, të mbushura me turbullira të mëdha,
por edhe me shpresa të mëdha, me përmbysje premtuese si kurrë më parë për
kombin shqiptar për t’u integruar në trupin e Europës, si pjesë natyrale e saj,
e kemi marrë shpesh në dorë qiririn e Diogjenit dhe vazhdojmë ta mbajmë në dorë,
në kërkim të Njeriut!
Dhe
kemi gjetur, pak, por kemi gjetur. Midis tyre qëndron në krye Ibrahim Rugova
dhe Pjetër Arbnori, dy legjenda moderne të historisë të shqiptarëve, që sipas
kredos të John Kennedy-t dhanë gjithçka sa kishin për vendin e tyre, duke marrë
prej tij vetëm një pëllëmbë varr dhe mirënjohjen e kombit.
Gjatë
këtyre njëzet viteve tranzicion jemi ndeshur me tyrlish profiterë politikë e
biznesmenë të pashpirt, që në qendër të vemendjes kanë vendosur egon e tyre dhe
kanë dashur që Botën Shqiptare ta sjellin rrotull tyre, por Zoti na ka takuar
edhe me Njerëz, të cilët shndrisin si konstelacione diellore sepse të mbushin
me besim për të ardhmen.
Në
këto njëzet vite tranzicion, me të paktën tri konflikte në trojet shqiptare dhe
gati një luftë civile në shtetin amë, kemi kërkuar që t’i jepet fund luftës vëllavrasëse
të të gjitha llojeve, intrigave, përjashtimeve e çdo lloj përçudnie brenda
llojit, për hir të një jete të re, pa Mur Berlini ndërshqiptar dhe pa kufij e
pranga sistemesh totalitariste dhe pushtuesish. Kemi gjetur një mirëkuptim të gjerë
midis opinionit publik të shqiptarëve, pak mirëkuptim midis profiterëve politikë
dhe jemi përkrahur nga konstelacionet diellore të atyre që i japin vlerat
kombit. Shumë prej tyre nuk jetojnë më. Por shumë prej tyre janë në pritje të orës
së tyre për të dhënë kontributin e tyre të shquar.
Rruga
e vështirë për demokratizimin e politikës shqiptare, sepse kombi shqiptar është
komb europiano-perëndimor, ndërsa politika shqiptare është ortodokse, me hije,
reminishenca dhe inerci nga e shkuara, na ka bërë që të vihemi në provë, e të vemë
në provë politikanë e miq dhe të mbetemi duke mbajtur në dorë qiririn e
Diogjenit, për të gjetur Njeriun. Dhe Zoti na ka shpërbyler me Miq të denjë e
personalitete të denja, si Akademik Mark Krasniqi dhe Humanistja Rita Saliu, të
cilët janë dy nga simbolet e rrugës dramatike që ka përshkuar Kosova, midis
simboleve të përndritura.
Akademik
Mark Krasniqi bashkëpunëtor dhe aleat i pandarë i Ibrahim Rugovës është dalluar
për integritetin dhe trimërinë, të cilën nuk e ka këmbyer kurrë me asgjë, është
një nga përkrahësit e pandarë të gazetës Bota Sot, dhe të autorëve të saj,
midis tyre, shkrueses të këtyre rradhëve. Akademik Mark Krasniqi është Veterani
i Kosovës, i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës për liri e pavarësi, veterani i
pluralizmit të Kosovës, veterani i letrave, veterani i inteligjencës iluministe
të Kosovës, është njëri nga Njerëzit e Mëdhenj të Kosovës, veteran i tolerancës
dhe jetës. Zoti i dhëntë jetë!
Rita
Saliu, një Shqiptaro-Amerikane me zemrën në Kosovë e trupin në Amerikë, me
shpirtin tek zhvillimet në Kosovë dhe prapë e prapë shpirtin në Kosovë, bashkë me
të shoqin dhe djemtë e tyre, familje intelektuelësh, kanë qenë dhe janë dera e
hapur për të pritur e përcjellë politikanë e personalitet, për të pritur e përcjellë
fëmijë, shqiptarë e familje nga Kosova me probleme e pasoja prej luftës.
Rita
Saliu, është shembulli dhe modeli i gruas shqiptare në shekullin XXI, i
angazhimeve pa interes personal, i kontributeve të tilla, bashkë me një grup
Figurash të ndritura në SHBA, pa të cilat Kosova nuk do të mund të bëhej. Sot
vihet e shkohet në SHBA si tek shtëpia, por nuk ishte kështu para njëzet
vitesh, përpara 15 vitesh, përpara 14 vitesh! Ishin Shqiptaro-Amerikanët që e
mbështetën lëvizjen për pavarësi dhe kërkuan përkrahje tek Aleatët tanë jetikë,
dhe njëra prej tyre ishte Humanistja Rita Saliu, e cila vazhdon në fluturimin e
saj si shqiponjë e lirë mbi oqeanin Atlantik, me zemrën në Kosovë e trupin në SHBA
me gjysmën e shpirtit në SHBA, sepse aty ka familjen e saj, e gjysmën e shpirti
në Kosovë, sepse aty ka shpresat e saj për ta parë Kosovën një shtet
demokratik, të standarteve perëndimore.
Midis
këtyre dy figurave të shquara ka lidhje të ngushta, sepse nuk ka xhelozi dhe
smirë, nuk ka luftë për pushtet dhe etje për të gllabëruar e pasuruar, ka vetëm
dëshirë për t’i dhënë vendit.
Kur
Humanistja Rita Saliu u ftua në Shqipëri për t’u nderuar me dekoratën e artë të
Nënë Terezës, midis njerëzve që e shoqëruan tek Presidenti i Republikës ishin
Zonja e gazetarit martir Enver Maloku, Zonja Nusret Kumanova, që drejton shoqatën„Thirrjet
e Nënave“, e viktimave të zhdukura nga regjmi pushtues dhe Akademik Mark
Krasniqi, i cili pa marrë parasysh moshën ishte aty për të nderuar Zonjën Saliu.
Kur
në Prishtinë u bë promovimin e librit të tij „Kujtime e Përjetime, Shënime
biografike 1920-2012“, ku jam shumë e nderuar të them se në faqet e atij libri
gjendet edhe një shkrimi im kushtuar Akademik Mark Krasniqit, në rrethin e të ftuarve
të tij padyshim që do të ishte Humanistja Rita Saliu.
Sepse
Bashkëkohësit e shquar bëhen Miq të pandarë në kudhrën e kohës, e cila të vë në
provë dhe pasi i kalon këto prova vështirësish, atëhere hyn në histori.
Ne
shqiptarët sot më tepër se kurrë kemi nevojë për Njerëz si Mark Krasniqi e Rita
Saliu, për Ibrahim Rugovë e Enver Malokë, për Fehmi Aganë e Agim Ramadanë.
Më pëlqeu në fjalën e Kryetares të Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, kur ajo duke vlerësuar rolin e gruas tha se „Unë dua që politika të ketë me mijëra zonja si Albright, me mijëra zonja si Clinton“. Ok, jam dakord, por unë do të thosha se do të desha që të kemi me mijëra Njerëz si Akademik Mark Krasniqi e si Humanistja Rita Saliu. Dhe ne jemi njëri nga kombet më të vjetra në Europë, e ndërkohë me moshë më të re, që do të thotë se kemi të drejtë që të kemi shpresë, që më në fund ta hedhim tutje qiririn e Diogjenit, në kërkim të Njeriut!