E marte, 19.03.2024, 04:22 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Tirana e ''tiranëve'' mashtron

E hene, 15.10.2012, 08:19 PM


Nga Fritz RADOVANI: 

TIRANA  E  “TIRANËVE”  MASHTRON  ME  SHIFRA  FALLCO !

Në 100 vjetorin e Pavarsisë…

TIRANË, 13 Tetor 1943, ora 13.13’…

Në Rrugen e Kavajes, shtëpia nr. 173…

Nr. i të vramëve nga bombardimi ishte 503 të vdekun.

Edhe pse isha vetëm 3 vjeç, e kujtoj si tashti…

Një zhurmë e mnershme, shurdhuese, vinte si gjamë prej qiellit, e dukej se po na merr me vedi bashkë me pullaze, oxhakë, hatlla e trena, tue rrënue e prishë muret prej qerpiqësh bashkë me dyer e dritare.  Krizmat e xhamave të thyem përziheshin me uturimat e avionëve anglezë, që pa pikë mëshire hidhnin bomba mbi krenat tonë, që nuk merrnim vesh asgja se shka po bahej mbi né e pranë nesh. Ashtu si ishim në atë sofër të asaj të zezë drekë, pa u çue mirë e me kafshatë të fundit në gojë, u drejtuem nga shkalla për me zbritë në podrum.

Ajo ishte pamja e vetme e fundit e babës së gjallë, kur u çue në kambë me një vile rrushi që kishte në dorë, më tërhoqi prej krahu…e nuk di gja ma gjatë….veç, për pak çaste, rá në fundin e shkallëve dhe i shtrimë ndër pllaka të korridorit, përballë derës kryesore të hymjes, u mbulue me gjak. Pizhamat ngjyrë banane, me polseta e kolet të zi, i tërhiqja me sa forcë kisha n’atë lamë gjaku, tue thirrë: “BABË, ÇOU !”

Prej skeçes së një bombës, që ra në oborr dhe hyni nga dritarja në gjysmën e shkallave dhe preku anën e djathtë të ballit të tij, tue përshkue trunin e tue dalë mbas veshit të majtë (si më tregonte nana ma vonë), kishte marrë fund gjithshka.

***

Nuk di sesi u hap dera, veç kujtoj një prift me këmishë të bardhë dhe të shkurtë, që hyni mbrendë nëpër atë breshën bombash, me një gju në gjak u ul pranë babës, përshpëriti dishka…! Unë mendova se po e çon babën prej atij pellgu gjaku,…por, kishte mbarue gjithshka. Prifti nuk iku për pak kohë derisa nanës i erdhi axha i saj, At Mati Prennushi...atëherë, klerik në Tiranë.

U nisem per Shkoder naten, ku u ba edhe varrimi të nesermen, në Rrëmaji...

***

Një muej perpara me 13 shtator 1943, kishte kapitullue Italia fashiste. Në Shqipni hyne forcat gjermane. Zgjidhja e problemit të Kosovës, prishja e vijës kufinit të 1913, qeverisja e tokave tona nga Shqiptarët, hapja e shkollave shqipe në trojet Shqiptare, qarkullimi i monedhës sonë në Evropë etj., forcuen besimin tek të gjithë nacionalistët shqiptarë për bashkimin e trojëve tona, gja të cilën e gjejmë të shkrueme prej kryekomandantit të forcave gjermane në Shqipni Besel, në librin e Dr. Aurel Plasarit “Vlera Shpirtërore”, ku shkruhet: “Me hyrjen e ushtrisë gjermane në tokën tuaj, pavarësia e Shqipërisë do të jetë e siguruar mbasi garant do të qëndroje Rajhu i Madh Gjerman, dhe ushtria ngadhënjyese e tij, e cila kundrejt tokës suaj nuk ushqen kurrfarë pretendimesh.” Ndërsa, në relacionin e Militarbefehlshaber Sudost të Vermahtit, thuhet: “Një administrim ushtarak, në kuptimin e mirëfilltë, në Shqipëri nuk ekzistoi... Politika shqiptare e Gjermanisë pati si parim prijës rëspektimin e Shqipërisë si Shtet neutral dhe i pavarur.”

A pajtoheshin me këte qendrim Aleatët Anglo – Sovjetikë – Amerikanë dhe veglat e tyne komuniste në Shqipni të drejtueme nga shovenistët sllavobolshevikë të Beogradit? Vetkuptohet se jo! Ndaj qendrimit neutral dhe të Pavarun të Shtetit Shqiptar, ku nenkuptohet vetë Populli ynë Liridashës dhe asnjëherë në histori agresor, u perdor terrori dhe bombardimi i Popullit të PAFAJ.

Me daten 13 Tetor 1943, ora 13.13’ Aleatët bombarduen aeroportin e vjeter të Tiranës, Rrugen e Kavajës e deri tek shtëpia e vjeter e oficerave...dhe vrane 503 qytetarë të pafajshem, që në atë kohë ishin tue ngranë dreken...Janë vra pak ushtarë italianë në aeroport, dy ushtarë nga forcat gjermane tek shtëpia e oficerave, ndersa shifra tjeter asht popullsi e Tiranës. Mbas pak ditësh gazetat e Tiranës fillojnë me dhanë lista emnore të gjymtueme. Spitali i Tiranës mbas 1945, fillon e zhdukë fletët e rregjistrave me të vdekunit nga bombardimi. Kjo zhdukje e shumë dokumentave të kësaj vepre makabre e terroriste ka vazhdue deri vonë, aqsa në vitin 1967 edhe në Gjendjen Civile të Shkodres, asht zhdukë fleta e rregjistrit ku asht shenue emni i Babës tim, Kolë Radovani, vra në bombardimin e Tiranës, dhe varrosë në Shkoder, me 14 Tetor 1943. Po i njajti veprim asht ba edhe në Gjendjen Civile të Tiranës, ku Baba ishte Drejtor i Pergjithshem i Policisë Shqiptare. Nga mungesa e zhdukjes së akteve të vdekjes nga komunistët, në vitin 1995, jemi detyrue me marrë deklaratë nga Kardinal Mikel Koliqi, Famullitar i Shkodres në vitin 1943, dhe kleriku që ka drejtue ceremoninë e varrimit në kishen Katedrale dhe në varrezat në Shkoder.

Në vitin 1998, ka shkrue një artikull per këte vrasje z. Rudina Xhunga, dhe kur kam shkue me e falnderue më ka tregue se: “Kur kam pyetur Nexhmije Hoxhen, pse nuk është zënë me gojë ndonjëherë kjo veper kaq e përgjakur, ajo më është përgjigjur se ishim ne vetë që bënim pjesë në një front me Aleatët. Nuk kishim si të flisnim për këte bombardim të Tiranës.”

Shifra e 503 të vramëve në bombardimin e 13 Tetorit 1943 dihej nga oficerët e asaj kohë Prekë Mirija, Paulin Prennushi, nga kleriku i kishës Fretenve të Tiranës At Mati Prennushi, në vitin 1964 këte shifer më ka tregue vetë At Pjeter Mëshkalla, që ka kenë në kishen e Jezuitëve të Tiranës, në rrugen e Kavajës dhe ka varrosë shumicen e të vramëve.

Arsyeja kryesore e fshehjes së të vertetes së shifres 503 të vramë, asht konkluzioni që ka dhanë vetë kobra Nexhmije Hoxha, mbasi Aleatët po të donin me vra “okupatorët” gjermanë, nuk bombardonin Popullin e Pafajshem të Tiranës, dhe pikrisht zonen kristjane (ortodokse dhe katolike), por shkonin nder gazermat ushtarake që nuk ishin fare në atë zonë.

Bombardimi i 13 Tetorit po t’ ishte ba pa pelqimin e shtabeve komuniste, dhe pa asnjë marrveshje të tyne me Aleatët, per me terrorizue Popullin Shqiptar, “Dita e Deshmorëve” sot do të ishte 13 Tetori 1943, ku u vranë 503 Shqiptarë dhe jo ajo ditë që u vra “vetem një”...

Shifrat fallco vazhdojnë me kenë edhe sot “Historia e Tiranëve të Tiranës”...



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora