E marte, 19.03.2024, 08:03 AM (GMT)

Përjetësi » Lushaj

Zeqir Lushaj: Ta ''dhjesim'' presidentin?

E merkure, 02.05.2012, 02:42 PM


… TA “DHJESIM” PRESIDENTIN?

-Politika shqiptare,  ose : -Fyelli në të njejtën vrimë!-

(10 vjet: -“Nano-ik”, 10 vjet: -“Nano-hajde”!)

Nga: Zeqir Lushaj

(BINOMI “NANO - BERISHA”… DHE ALI RAMA I GRISË)

-Ese, në prag të zgjedhjeve presidenciale-

… Shqipëria, dukshëm nuk paska udhëheqësa ma të

mirë e ma të zotët se Ata, “të dhjesurit” në mbledhje

e në shtyp, por të përzgjedhurit e politikanit të hollë,

Ramiz Alia, vëllezërit siemez, dueti i liderve tanë historik

Nano=Berisha! Sepse, sado që t’i “dhjesim”, prap

me votat tona, ne, prap ata do i zgjedhim!

- Po luajnë, apo po luftojnë tigrat siberianë?

Ç’farë do që të themi, për këta të dy burra, pra, për binomin Siemez: “Nano=Berisha”, e dijmë se, nuk kemi thënë asgjë të re. Pse? Sepse, për këta “robë zoti”, as për mirë, as për keq,(siç thotë një kangë e vjetër për Bajram Currin:” …nuk është lanë ndonjë fjalë pa i’thanë, / E kem’ sha, me babë e nanë(!!), /…”), tash 17 vjet demokraci, 17 vjet tranzicion e tollovi. Jo vetëm se, nuk i jap ndonjë gjë të re lexuesit, por, as nuk due “ta prishi gojën”, me këta burra, ç’ka nuk është fort, as në natyrën e shkrimeve të mia. More, në fund të fundit (Të rrijmë shtrembër e të flasim drejtë), unë, autori i këtyre radhëve, i kam patur (dhe mendoj se i kam akoma), që të dy, dashamirë. Kam jetuar e “vuajtur” me Ta, mbi 25 vjet, në darën e monizmit punist të diktatorit

Enver Hoxha, dhe, kemi ditur (ata, edhe unë), t’ia hedhim “qelbësirës”, të gëzojmë dashurinë e Tij, kur, siç po duket tani, ashiqare, sheshit, ne, e urrenim, me gjithë shpirt! Pra, shkurt llafi, kemi qenë burra të zotët. (Thuaj se, nuk kemi qenë, po deshe!!)

- Mirë, do të thotë lexuesi, - për këta të Dy, edhe Ti, (pra,Unë me Ta), po ky zotnia tjetër, ky, Ali Rama i Grisë, ç’ka hynë këtu? Për Aliun, do të ju flas unë, sot. Ky, është ç’ka është... Biramel, -i thonë, kah malësia. Besoj se, ju, të nderuar lexues, do të më ndiqni me kënaqësi, sepse, për këtë njeri (vetëm ata që e njohin drejt për së drejti), se të tjerët, nuk keni dëgjuar ndonjë gjësend, kurrë. Duke ju folur (besnikërisht) për Ali Ramën e Grisë, do të hedhim, dicka si me rrotulla, edhe pak dritë, në një mënyrë pak më origjinale se nëpër gazetat “gojëshpërlara”, në binomin politik, të këtyre viteve, në robtë tanë të shtëpisë, që, edhe:“po i nxorëm nga dera, siç thotë popullit, - na hyjnë ngadritarja”, për Tosin e Salën, ose, ose, më saktësisht, po të huazojmë një shprehje, nga gurra jonë tradicionale, “për Colin, e për Lolin”.

Kush është Ali Ramë (Sinani), dhe, pse bahet Ai sot, personazh i shkrimit tim?

Kam kënaqësi se, personi për të cilin unë po shkruaj, pra, bashkfshatari im, Ali Ramë Sinani, ndonëse i moshuar, jeton “si kokrra e mollës”, në shtëpinë e fshatin e tij të dashur, në Gri të Malsisë së Gjakovës, pra, në vendlindjen time, në Tropojë...

Eshtë prej një vllaznie e familje, me emër të mirë, në Gri, por edhe më tej. Eshtë komunisti i parë i fshatit. Ai e ka themeluar, bashkë me veteranin Adem Alia, dhe të riun (at’herë) Brahim Zhuja,të parën organizatë të Partisë së Punës në Gri. (Dy ,të lartpërmëndurit e tjerë, kanë vdekur, të nderuar). Ali Rama, është themelues i kooperativës bujqësore Gri, (e dyta, mbas asaj të T’planit, që është ngritur në rrethin e Tropojës), si dhe, kryetari i parë dhe shumë e shumë vite më pas, i kooperativës së fshatit tim, me emrin, shumë simbolik dhe të vertetë për

kohën: “Vet vullneti i popullit, Gri”.

Thuhet se, historia është kokëfortë, jo për tjetër, vetëm se, atë që ka ndodhë, po e kritikojmë sa të doni, por, nuk ndryshohet dot! Ndoshta, deri këtu, nuk kemi thënë ndonjë gjë, sepse, kjo pjesë e biografisë së tij, është e kohës së monizmit!... Por, Ali Rama i Grisë, nuk i përket vetëm monizmit, Ai, është edhe demokrati i parë i katundit të Grisë. E, çka është e rëndësishme, nuk është demokrat i ’90-ës, por,është demokrat i hershëm, është demokrat brenda radhëve

të Partisë së Punës, dhe detyrave që i ka marrë në atë kohë përsipër. (Të tillë e njohim Ali Ramën edhe shumë vite më pas, si drejtues në disa fronte të hidrocentralit të Fierzës).

E, çfarë nuk ka hequr Ali Zeza, në ato vite të vështira? Dhe, kurrë nuk u zemërua me njeri, kurrë nuk ofendoi njeri, kurrë nuk mbajti inate as nuk u hakmor ndaj kujt, e sidomos, ndaj atyre që e sulmuan. Ai, i kaloi pengesat e jetës, me buzëqeshje dhe me burrëri. Nuk dua t’i hyj në hise se, ndoshta edhe vet Ai, është duke shkruar kujtimet e tij për ato kohra, por, do të sjell vetëm një moment, vetëm një detaj,domethënës, nga jeta e Tij intensive, në drejtimin e fshatit, në kohën e kooperativës bujqësore.

... Për shumë e shumë dobësi e të meta, të kohës kur punoi e drejtoi, Ali Rama, është njeriu më i sulmuar, më i kritikuar, më “i persekutuar”, (ky term at’herë nuk përdorej). Ç’farë, nuk është thënë për Ali Ramën, të bëra e të pabëra, të qena e të paqena.

Unë, biri i Grisë, autori i këtyre radhëve, at’herë, për kohën që po flasim, rreth viteve ’60- të shekullit që lam pas, kam qenë fëmijë. Megjithatë, shpesh, shkonja pas babait, në mbledhje të

popullit, të Frontit, të Asamblesë së kooperatives etj.Sinqerisht,edhe sot ndjehem i “turpëruar”  për kritikat e rrepta e sulmet nga më të ndryshmet që i drejtoheshin kryetarit tonë, kryetar Aliut...

Plasën “fletë-rrufetë”, letrat kundër Tij, në rreth e, deri në Tiranë!... (I kërkoj falje, Ali Ramës se, i rikthej në kujtesë ato kohë kritike të jetës së Tij).Edhe “lart”, dikur u mërziten me “prapasitë” e Ali Ramës, dhe vet sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit, Izet Dyrmishi, vjen i deleguar në mbledhjen e asamblesë së kooperativës bujqësore Gri, mbledhje, në të cilën, kuptohet se, pritej që për paudhësit e Tij, të shkarkohej kryetari Ali.

Mbledhja, shkoi mirë. Ato, që ishin thanë për Ali Ramën,“poshtë e naltë”, ju thanë edhe në sy. E, që të mos e zgjatim shumë (veç tre faqe fletë-format!), u kalua në pikën: “zgjedhje të reja”. Zgjedhjet, edhe në atë kohë, e kishin demokracinë e tyre, dhe, u zhvilluan shumë korrekte. E veçanta është kjo, se, me votat e popullit, pa asnjë vjedhje as manipulim (që sot na janë bërë kangrenë në çdo votim), fitoi prap Ali Rama postin e kryetarit të kooperativës! Izet Dyrmishi (ai burrë i nderuar, skraparlli, që në Tropojë, Kukës e Has ka lënë emër shumë të mirë si drejtues i asaj kohe), u inatos. Mbledhjen e kishte orjentuar drejt shkarkimit të Ali Ramës, dhe, ndodhi e kundërta: U rizgjodh! At’herë Ai, si për të dalë nga situata, ju drejtua një burri të mençur dhe të njohur të fshatit Gri:

- Ooo, Filani? - Si spjegohet kjo punë? Ju, diskutantët, nuk lat gjë pa thënë për kryetarin. Ju nuk e kritikuat, por “e dhjeset”, “e dhjeset” kryetar Aliun! Kështu e dhjesni ngahera, dhe e rizgjidhni ngahera?!, - tha disi jashtë etikës së Tij e të detyrës së Tij, Izet Dyrmishi.

- Shoku Sekretar i Parë, - Mos u habit!, - Ju përgjegj fshatari bashkëbisedues. - Të gjitha ç’ka thamë për Alinë, janë të vërteta. Por kur vjen puna për kryetar... , katundi jonë nuk e ka një burrë ma të mirë, as ma të zotin! Aliu se Aliu, zgjidhet! E, ne, prap do ta kritikojmë...

- More, ju nuk e kritikuat, por, të më falni, ju e dhjesët kryetar Aliun. - foli prap Izeti.

- Shoku sekretar! - Ndigjom këtu, të lutëm - Edhe po të humbi fara e gabelve, na, Grija, i ndojmë edhe një herë, me Ali Ramën. Por, kryetar ma të mirë, nuk kemi ku e marrim, - përfundoi bisedën Plaku, duke i dhënë edhe pak humor situatës, disi kritike të atij moment.

Izet Dyrmishi, (i cili edhe sot mbahet i fortë dhe aktiv aty ku jeton, në Tiranë), ndonëse, në atë moment, pak nervoz, e mbylli mbledhjen me këto fjalë: - E po, ju e votuat, ju e gëzofshi kryetar Aliun!

…Jam i bindur se, edhe sot, po të ngrihet ndonjë koperativë (Jo kooperativë bujqësore. Duhet të gjindet një emër më i pranueshëm, jo monist), prap, edhe sot Ali Rama zgjidhet kryetar i saj në Gri. Se, edhe sot, katundi jone, nuk e kemi ma të mirë, as nuk e kemi ma të zotin...

... Kemi 17 vjet që, “parinë” tonë kombëtare, pra, binomin politik “Nano=Berisha”, i kritikojmë e i bëjmë leckë. More, a e lexoni shtypin e përditshëm, apo jo? Nuk i kritikojmë por i “dhjesim”, siç ja bënte Grija ime kryetar Aliut. E prapëseprap, ata të Dy fitojnë, ata të Dy, majtas e djathtas, bashkëkryetarë. Njëri në kali shale, tjetri, në kali samari. Vitin tjetër, i ndërrojnë kuajt por, prap të parë se të parë, prap në kali se në kali! Sot president, nesër kryeministër. Pasnesër, prap bajnë rrokadën, siç u ndërrojshin mushqit në Lekbibaj, për festën e Shmasjanit.

Pse kështu? Sepse, Shqipëria dukshëm, nuk paska udhëheqësa ma të mirë e ma të zotët, se Ata, “të dhjesurit” në mbledhje e në shtyp, por të përzgjedhurit e politikanit të hollë, Ramiz Alia, vëllezërit siemez, dueti i liderve tanë historik Nano=Berisha! Sepse, sado që t’i “dhjesim” prap, me votat tona, ne, prap i zgjedhim.

Nuk na mbetet gjë tjetër për të thënë, vetëm: - I gëzofshim!

- I gëzofshim ngahera! …Si bashkëfshatarët e mi, kryetar Aliun.

./.

NJ, USA, Maj 2007.

 

(Marrë nga libri “DYQANI I MENDJES “, faqe 127)

-Sot, mbas 5 vjetesh, për ZemraShqiptare, nga NJ,USA, maj 2012-



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora