Përjetësi » Lushaj
Zeqir Lushaj: Dy foto me presidentin Klinton
E enjte, 23.02.2012, 08:58 PM
Dy foto me presidentin Klinton
Nga: Zeqir Lushaj
1. HISTORIA E NJË REAL-TAKIMI
-Nga një intervistë e Rajmonda Moisiut,
me shkrimtaren Albana Mëlyshi-
-Ju keni botuar librin "Children of Kosova –Stories of Horror-“, libri i parë i një autoreje shqiptare që vleresohet nga Bordi i Arësimit i Nju Jorkut duke u rekomanduar si tekst shkollor. E vërteta është që kjo nuk ka ndodhur më parë, me ndonjë autor apo autore shqiptare. Si e arritët?
-Libri lindi në bazën ushtarake të Fort Diksit, Nju Xhërsi, gjatë verës së vitit 1999, ku qeveria amerikane kishte strehuar rreth 5000 refugjatë kosovarë, të përzënë nga shtëpitë e tyre nga ushtria e milicia sërbe. Aty pata mundësinë të njihja nga afër këto familje, Fëmijët e tyre rrinin pranë studios së transmetimit, kur unë jepja lajmet. U lidha shumë me ta dhe ata me mua. Më treguan se si I kishin përzënë nga shtëpitë me tytën e bajonetës, se kishin parë kufomat e të afërmve të vrarë nga serbi.Ndërsa vlerësimi nga ana e Bordit të Arsimit ndodhi krejt rastësisht. Një mësues amerikan që jepte mësim në një shkollë të mesme në Bruklin dhe që kishte lexuar librin "Children of Kosovo –Stories of Horror", i sugjeroi bashkëshortit tim që t'i dërgonim një kopje Bordit të Arsimit të Nju Jorkut. Ai vetë, si mësues e gjeti interesant librin për lëndën e studimeve sociale dhe e kishte punuar në klasë. Ne ndoqëm këshillën e tij.
Pas dy muajsh, na erdhi një shkresë e Bordit të Arsimit të Nju Jorkut, që thoshte se libri qe aprovuar si 'text book" për klasat 6-12 për "social studies" Nuk më besohej. Në Shqipëri kjo gjë nuk do të qe arritur as me mik.
-Ky libër i është dhënë vetë presidentit Bill Klinton me dedikim nga dora juaj. Si ndodhi?
-Në takimin e organizuar nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan (NAAC) për nder të Presidentit Klinton, për kontributin që ai dha për çlirimin e popullit të Kosovës, ky libër qe vendosur në çdo tavolinë për çdo të ftuar në atë darkë. Natyrisht edhe në tavolinën ku qe ulur presidenti, përpara tij. Një nga shoqëruesit e tij, m’u afrua me librin në dorë duke më kërkuar të nënshkruaj me dedikim për presidentin Klinton. Sinqerisht u emocionova kaq shumë, sa atë moment thashë se s'dija asnjë fjalë anglisht. Por mbaj mend që kam shkruar: "God Bless you, Mr. President!......"
Nga ajo darkë, kam kujtim fotografinë ulur në tavolinë, në krah të tij. Kur ke nderin të qëndrosh pak minuta pranë njerëzve të mëdhenj dhe bisedon qoftë edhe për pak çaste me ta, ndjen madhështinë e tyre...
Kjo qëndron pikërisht në thjeshtësinë që ata kanë.
|
|
---------------------------------------------
2. (NJË)…FANTAZI AMERIKANE
-Ose, kur ecën edhe…FALLCI…!
-Skicë-ditar- (Usa, Mars 1998)
…!
Nuk kishte asnjë arsye që të mos e prisja me interes dhe aprovim të plotë propozimin e Dervish Shehut,në Bruklin të Nju Jokut,(ku isha pritur dhe strehuar, fillimisht në Amerikë, si mik-mysafir), që të shkonim në kryeqytetin amerikan, Uashington D.C. Dhe, aq më shumë për mua,banorin, ndër më të rinjtë e këtij vendi gjigand. Bile,akoma edhe më shumë,kur bëhej fjalë për të marrë pjesë në një demonstratë për Kosovën, para Kongresit amerikan.
…Dita, ishte jashtëzakonisht e ftohtë, ndoshta dita më e ftohtë e jetës time! Shqiptari nga Malsia e Madhe e Mbishkodrës, që,në atë rrugë ishte dhe
në rolin e shoferit,ishte shumë xhentil.
Autostadat e mëdha si dhe makina e mirë me të cilën udhëtonim,na bën të mendojmë
se, Uashingtoni, nuk qënka edhe aq larg nga Nju Jorku. Gjithë-gjithë, rreth pesë orë.
-Meqënëse jemi heret e për demonstratën, kemi kohë të mjaftueshme, të bëjmë një kalim nëpër qëndrën e Kryeqytetit,-na tha, me mirësjellje, ai,burri që po grahte kerrin?
Ja,godina e Kongresit amerikan…,Presidenca, ose Shtëpia e Bardhë,…Pentagoni…etj etj. Ç’farëdo që të them për këtë kryeqëndër botërore, zor se them diçka të re… !
Jemi, ngjitur me Shtëpinë e Bardhë. Po ecim me këmbë në PENNSYLVANIA AV 1500.
-A don ta keshë një fotografi me Presidentin Bill Klinton !?
Unë,ktheva shikimin nga bashkudhetari, duke bërë , plotësisht të paditurin !
Ai e kuptoi menjëherë reagimin tim, sikur t’i thosha:-Pse tallesh me mua…?
-Hajde këtu…, Afrou…,Shiko… !
Kur, ç’të shoh? Një copë kompesato, sa trupi i Atij që ish pikturuar në të, orvanile, Bill Klintoni, në vënd !
… Aparati u shkrep dy-tre herë, dhe unë, vizitori më i ri i Uashingtonit , hyra në “histori”,
duke u fotografuar me njeriun më të fuqishëm të botës, (për atë kohë), me vet Presidentin.
Fakti që, Ai, pra, Bill Klinton, (sado që në zyrën e tij), nuk ishte më larg meje se, 10-15 metra, e bënte këtë shaka, këtë mahi, këtë fotografi, gati-gati,e dhe për mua, krejt si të besueshme!
Kjo foto, që ju po shihni, në bashkëshoqërim të këtij shkrimi, në sytë e ndokujt, ndokund e një ditë, mund të më bënte mua, një “Tjetërkushi !”. Botë iluzionesh, o robi i Zotit !
…!
Një miku im , që e lexoi këtë skicë përpara botimit ,më tha, tërë seriozitet:
-Tani, më thuaj:-Kush është fallci…?…Fotografia ? Apo skica që ke shkruar ?
-Të dyja, janë-realitet. Ti, zgjidh e merr, -simbas qefit, -ju përgjigja.
Kjo përgjigje, vlen edhe për ju, të nderuar lexues. E, me që ne, jetojmë me atmosferat zgjedhore të Atdheut tonë të dashur, për ata që ju pëlqen politika, këtë foto mund ta quajnë edhe:-Votë, në kutinë “e gabuar’!!...Ama, gjithsesi, e vlefshme !
…!
…Jo rrallë,FALLCI…, vlen më shumë se sa e vërteta, se vet realiteti ! Ec e gjëje, -vëlla!
Në fund të fundit: - (Një)…,fantazi amerikane !
./.
(Shënim: Albana Mëlyshi e Zeqir Lushaj, kan qenë koleg, gazetarë të gazetës “Zëri i Rinisë” në Tiranë, nga mesi i viteve ’70. Sot, që të dy, janë shtetas amerikan, përkatësisht, në NY e NJ).