Përjetësi » Lushaj
Zeqir Lushaj: Në sofrën e artit
E shtune, 28.04.2012, 12:13 PM
Prezantim, në ZemraShqiptare
-dhe…, një surprizë e vogël-
NË SOFRËN E ARTIT
Nga: Zeqir Lushaj
-Artist-poeti geg-hysenas, Zog Sokol Hysenaj, ka gati për dorëzim në shtypshkronjë librin “Në sofrën e artit”, (Poemë folklorike-etnografike). Si redaktor i këtij libri, si shok, mik e moshatar i autorit, po bëj një “dekonspirim”, një surprizë të vogël, pra, po e deklaroj para kohe librin, dhe, absolutisht pa dijenin e të Zotit të punës-
Sa për informacion të lexuesve të ZSh-së, Zog Hysenaj (Kalbaj),
ish-valltari e instrumentisti i mirënjohur i ansamblit “Valbona”,
është autor edhe i këtyre librave të më poshtëm:
1. “Si s’u mërzitka bjeshka pa mua” - Poezi
2. “Mos ik i them ditës, rri edhe një ditë” - Poezi
3. “Pa këtë fjalë, unë nuk jam unë” - Poezi
4. “Jemi andej nga fundi ndoshta” - Prozë
------------------------
DIÇKA NGA HYRJA...
Sa t’jetë mendja e fjala e gojës,
Nga një varg të gjithë me thanë,
Na, i a kemi borxh Tropojës,
Për me e shpreh me valle e kangë.
At’ vend-lindje me e kujtue,
Jem’ përkund në djepa nanash,
N’rrasa guri të gjithë me shkrue,
Ka i fjalë shpirti, shkoq’ prej zëmrash.
....!
UDHA E ANSAMBLIT
Kur u “rrit” Ansambli jonë,
Edhe u ba me konkurue,
I a kan’ ngjit’ emnin “Valbonë”,
Gjithmonë çmime ka fitue.
Debutoi në gjith’ Shqipni,
Dhe n’takime ndërkombtare,
I a banë emnin “Dardani”,
Ndaj jehon “Sofra Dardane”.
N’ato shpella, me lang bore,
Folën kroje e folën vrella,
Kangë e valle dorë për dore,
E shuajm’ etjen nëpër skena.
Thikë përpjetë, mbi ato kreshta,
Për trimninë e të par’ve tanë,
Mbetet kanga nëpër tela,
Të pavdekshme kangët janë.
K’to kang dadash dhe trimnie,
N’ato troje gjithmonë mbinë
Tunden skenat prej “stuhie”,
“Dallkë” po ban ansamli ynë.
Ngjallen shpirtnat n’rraj' të vjetra,
“Shorte” t’reja po gjallnojnë,
Ngjeshet kama në kto shkrepa,
Si kreshnikët, k’cejnë e k’ndojnë.
./.
DY FJALË PËR LAHUTEN
Amanet e la Dervish Luzha,
Me k’ndue burrat asht lahuta,
Me k’ndue burrat e mir’ me ndëjtë,
Me lahutë, at vegël t’shënjtë.
Kjo lahutë, vegël malsore,
Fërkon harkun n’rrëshin’ t’qershisë,
Tuj u lmue n’kime t’kalit,
Shfleton fletët e historisë.
“Shungullon lugu i malsisë”,
Asht k’ndua kanga me lahutë,
Zani i amël i Zef Avdisë,
Kurr për jetë nuk ka me hupë.
Dhe Mark Mitri i Nikaj-Mërturit,
Mirë ia k’ndoi kangën Prel Tulit,
Edhe k’ndoi për bukuri,
Syk Papleka, djali i tij.
…!
KANGËT ME GISHT N’FYT
Edhe kangs’ iu ka ba “hilja”,
Me gisht n’fyt k’ndoj Rush Halilja,
Si aroma që e lshon lulja,
N’Gegysen k’ndoj Sose Dulja,
Me nxjerr kangën si fildishin,
N’arrëz t’fytit e luejshin gishtin.
Sose Dulja si zanë mali,
Yll i rrall i bukurisë,
Me i k’ndue dadës, zoti e fali,
Me myhyr me i krisë tepsisë.
./.
... “HOJ DADO HOJ”
Kan’ metë çikat me kang’ n’gojë,
Tuj këndue “hoj’ dado hojë”.
I kan’ k’ndue çiks’ e djalit,
I kan’ k’ndue edhe jaranit.
I k’nduen bardhokës n’der’ të stanit,
I k’nduen deles, u g’zue kingji.
I k’nduen bjeshkës e ka ndie vrrini,
I k’ndoi bardhoks’ Bedrie Selimi.
./.
NË SHTËPINË E AG RRUSTEMIT
Kush ma mir’ qytelin’ gdhendi,
Në Kërrnajë, Bac Ag Rrustemi,
Veç n’at shpi, si askund tjetër,
K’cye e k’ndue asht me orkestër.
Tan’ kanë k’ndue edhe k’cye,
Për pa dalë asnjë prej shpie,
E janë gjet’ gjithmon’ n’at shpi
Tana veglat var’ n’baski .
Kush ka shkue te Ag Rrustemi,
Nuk ka dal’ pa u k’naq prej hengi,
N’daç me hè e n’daç me pije,
N’daç me k’ndue a n’daç me k’cye.
N’daç me ndejt e me ndigjue,
Një nga një veglat me i ndrrue,
N’daç kamkryq e n’daç rreshtue,
T’shkojke mendja me kujtue,
N’shpi t’kulturës n’prova ke shkue.
Kur t’shkojn’ syni te sahati,
E sheh diellin t’u zavraki,
Pa i m’shel sytë e pa fjet’ gjumë,
T’çel sabahi, n’sexhade ulë...
./.
NJËRI NGA ATA, HAZIRI I KEPENEKIT
N’Kepenek na ka zdrit dielli,
N’sabah t’dritës synin e çeli,
Një Epikë prej Muje erdhi,
Krah’ shqiponje Hazir Rrustemi,
Çel e m’shel synin vetimë
Nëpër skena, “Lis i bimë”,
Kur hedh kamen, l’shon xixllimë,
N’at kala ku bjen tupani,
Kah ka ardh ky soj valltari?
Dritë po i ban k’tij festivali.
./.
…E, PËR NË FUND, E LASH ALINË!
Tan kan’ k’cye dhe kan’ k’ndue,
Kan’ ba prova tan’ rreshtue,
Ali Mula i ka drejtue,
T’tan me rënd’ ai i ka mësue,
Shum serbes n’skena me shkue.
Nuk i la k’tij grupi t’keqe,
Burr i mir’ deri sa s’ka ma,
Babaxhan, drejtues orkestre,
Tan Shqipnia, njoft e ka.
Veç talentit për muzikën,
Pat humorin edhe mahitë
Ish dentist, natën edhe ditën,
Ka hjek dhambë... e shum’ ka ngjitë.
Edhe i “huq” e pat, (edhe e ka):
Kurr me kand, qef prish nuk ka,
Edhe i gja n’daçi me ditë,
Kujt idhnim, ai s’i ka qitë.
E për n’fund e lash Alinë,
Se e pata mik të vjetër,
Dhe në fund për ambëlsinë,
Veç për k’ta, se lash për tjetër.
Për këtë burr sa ma shumë t’flasim,
E ma shumë ne ta lavdrojmë,
Kurr nuk mujmë me ja dhanë hakun,
T’gjithë e dimë, e se harrojmë.
./.
MESAZH PËR BREZAT QË VIJNË
* * *
Sikur barin, mbi rudina,
Toka e t’parve, rritë artistë,
Bash si ajri = fryma e Jetës,
Frymon Arti, dit’ për ditë.
Libra tjera, kan m’u shkruejtun,
Kang’ e valle, kurr s’pushojnë,
Ne ju primë, me aq sa mujtëm,
Kohët ecin..., ma nalt shkojnë.
* * *
Shënim:
Kaq sa ju paraqita më lart, ishte thjeshtë një prezantim “gur në gur” i asaj që do të dali, çka, them se do të jetë një “Biografi” e pakontestueshme, një Apel gati shekullor për disa breza këngëtarësh e valltarësh, artistësh të mirënjohur skenash, që nga livadhet e bjeshkëve të Sylbicës e Dobërdolit, nga lëndinat e Currajve të Epër e deri në bedenat e Kalasë shekullore të Argjirosë e në sheshin e Çerçizit, në Gjirokastrën e Festivaleve të paharruara. Poema, i kalon kufinjtë e Tropojës, duke hedhë dritë në rrugën e artit ndër- krahinor e kombëtar.
Libri, është edhe si një homazh për shumë artistë të nderuar që, sot nuk jetojnë më, por që të gjithë ne, ua kemi borxh këtë kujtim e nderim, sidomos në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar.
./.
(Me respekt ndaj autorit të librit dhe lexuesve të ZSh-së, nga NJ, USA, redaktori Zeqir Lushaj)
-Fund-marsi, 2012-