Përjetësi » Lushaj
Zeqir Lushaj: Ai, që më hapi portat e shkollimit
E diele, 25.03.2012, 05:55 PM
Nderim për mësuesit tanë
AI, QË MË HAPI PORTAT E SHKOLLIMIT
(Ose, JETA E MËSUESIT, NË MIJËRA JETË)
Nga Zeqir Lushaj
“Edhe kur kryet do na e mbulojnë thinjat,
Ndërmend do të sjellim një emër nderues... ”
Çdo njeri, i çdo moshe a profesioni, i çdo partie
a grupimi shoqëror, që ka kryer një shkollë të
madhe apo të vogël, është e pamundur të mos
kujtojë mësuesit e tij, ata që me punën e veprën
e tyre, me mund e përpjekje, me sakrifica e
pasion bënë diçka, aq sa mundën që ta drejtojnë
e kulturojnë filizin-njeri për një rrugë sa më të
mbarë në jetë. Shtatori i shkollës, shtatori i dijes
në bankat e thjeshta të fshatit a qytetit, tek të
gjithë kujton diçka, ngjallë një ndjenjë të veçantë,
një nostalgji, në kuptimin më njerëzor të kësaj
fjale, për të djeshmen, për rininë e fëmijërinë e
tij, për ZOTNI MESUESIN.
Jeta ime (dhe e të tjerëve) nuk është as më shumë as më pak, veçse pjesëza nga jeta e tërë atyre që mbi ne “gdhendën”, me përkushtim, si mjeshtri në gurin që laton. Natyrisht, as dua as mund t’i fus të gjithë mësuesit në një “thes”! Ka secili vendin e tij, rolin e tij, kujtimin e tij. Ata, kurrë nuk mund të harrohen, ashtu siç thotë edhe poeti: “Edhe kur kryet do na e mbulojnë thinjat/ Ndërmend do të sjellim një emër nderues, /Emër të dashur porsi fëmijëria, / Emrin e thjeshtë, por të madh, MESUES/”.
Sot, si nderim për të gjithë atë armatë mësuesish që janë duke shkruar ditarët e parë të orëve të mësimit, po flas vetëm për njërin, për atë që ma dha dhe mua këtë mundësi që sot të shkruaj, që sot të jem dhe unë “një dikush”. Nuk do t’i bëj portretin, as biografinë. Do të risjell vetëm një moment, një “ndërhyrje” të mësuesit në jetën time. Besnikërisht, ashtu siç ka ndodhë. Ka shumë mundësi që ish mësuesi im i nderuar Mehmet Margjeka, të mos e kujtojë këtë që do them, se, ashtu si me mua, ai ka vepruar edhe me shumë të tjerë, por, ndoshta edhe i kujtohet. (Shtoj këtu sot, në këtë ribotim se, mësuesi im i nderuar, nuk rron më!).
... Kisha mbaruar shkollën fillore në fshatin tim, Gri. Asokohe për fëmijtë e fshatit tim, nuk kishte detyrim ligjor, për të vazhduar shkollën më tej, në Bujan as Geghysen (fshatra fqinj, në të dy anët e Grisë, që kishin asokohe shkolla 7-vjeçare). Ishte shtator, shtatori i dashur i fillimshkolles, një kohë, diçka si tani. Kishin kaluar rreth, 10-12 ditë nga fillimi i mësimeve në shkolla. Për mua, mbasi mbarova shkollën fillore, kuptohet, prindërit më shumë se për shkollën, u gëzuan asokohe se, -tani djali është i lirë, dhe do t’i kullosë dhitë. E kisha filluar detyrën time, ndoshta të përjetshme të çobanit të dhive. I lëshova ato në mëngjes, kalova rrugën e fshatit afër blinit të motshëm të Grisë, dhe bagëtia, morën përpjetë malit të shkemzes. Rrugës, në atë orë të mëngjesit, po vinte drejtori i shkollës së Geghysenit, Mehmet Margjeka. Një djalë trupmesatar, I mbajtur- model, me një veshje të thjeshtë por të figurshme, të pastër, nje tip shumë simpatik nëpunësi. Ishte nga lagj-ja Rosuje e Bujanit, por ish caktuar drejtor shkolle në
Geghysen, rreth një orë me këmbë nga shtëpia e tij, rrugë e cila kalonte jo vetëm nëpër fshatin
tim, Gri, por, edhe krejt afër shtëpisë time.
- Mirëmëngjes, - zotni drejtor, e përshëndeta dhe, mora të
përpjetën mbas dhive në kullosë.
Mbasi më ktheu përshëndetjen, u ndalua, ashtu serioz, bile disi
i brishtë dhe më thirri:
- I kujt je more djalë?
- Jam i Sadik Selmanit, - i thashë unë, jo pa ndrojtje.
- Pse nuk shkon në shkollë ti?
- Unë e kam mbaruar shkollën fillore sivjet, -zoti drejtor.
- Me çfarë notash ke dalë nga klasa e katërt, - më pyeti,
disi rrept, ai ?
- Me të gjitha pesa, - i thashë unë.
Ndaloi për një çast! M’u përqendrua edhe më shumë me
një shikim dashamirës, por edhe si zhbirilues. (Sikur donte
të më ngulte mirë në përgjigjen që do t’i jepja pyetjes së
tij, që do vinte më pas!) Dhe, në mënyrë, gati sugjestionuese,
foli, kësaj radhe, më me përkëdheli se më parë:
- A don të vish në shkollë në Geghysen, për të vazhdue
mësimet në 7-vjeçare?
E kujtoj si tani, që kjo pyetje më kaloi një dridhërim në trup. Si t’i them? T’i them “po”, kush do t’i ruaj dhitë dhe, kryesorja: -si do të reagojë baba? Drejtori, e kapi shumë shpejt e mirë mëdyshjen në gjendjen time emocionale të atij momenti. Dhe, pa pritur përgjigje nga unë, si për të më ndihmue, ndërhyri:
- Ku asht Sadiki?
Kjo pyetje e lehtësoi në mënyrë të rrufeshme shpirtin tim. Atë që unë, në kushtet e asaj kohe, nuk mund t’ia thoja babait tim, mund të ja thoshte, më mirë se askush tjetër, ky njeri, ky mësues-psikolog, pra, drejtori i shkollës!! Vetëm, Ai, …Po!
- Aty asht te shtëpia, po bahet gati me u nisë me kali, me furnizue dyqanet në Lekbibaj, -fola unë.
- Shko ma thirr!- Thyej se, po të pret drejtori i shkollës, te blini…
…Erdhi babai im. U përshëndet me drejtorin që e njihte dhe e kish dashamirë. Mbasi shkëmbyen disa pyetje të zakonshme për punën e jetën, drejtori i tha:
- Sadik, -a po ma falë këtë djalë?
- Ç’ka asht ka të duhet, bre zotni mësues?
- Falma këtë djalë, Sadik Selmani. Due me e marrë me vete në shkollë, në Geghysen. Mos e kie merak, asht pak larg, por shkon e vjen me mua çdo ditë…Mos ma prish! Babai im u ndalua. Nuk foli për pak çaste, pastaj, duke e parë drejtorin në sy, i tha: “Po dhitë, more zotni mësues, a po i sheh që e kan marrë malin përpjetë e janë vetëm. Ç’ka me ba me to?”
- Shiko Sadik - i tha drejtori tim eti. Sot, edhe një javë mbas sodit, djali do t’i ruej dhitë. Për një jave, ti e gjen një njeri tjetër me e ba këtë punë. Mos e len këtë djalë pa shkollë. Mos ma prish! Të lutëm, Sadik!
…- Ta dhash fjalën Mehmet Margjeka! Qysh nesër, djali të vijnë me ty në shkollë. Veç po të porositi, atje asht katund i huej e djali asht i vogël, me ma pas kujdes, dhe po bani gja të keqe, amanet “rrehe, rrehe pa marak”, si me kanë fëmija yt. Mue, nuk do të më vij keq.
... Të nesërmen e asaj dite, prita në hije të blinit duke shikuar drumin, dhe mbrapa drejtorit Mehmet Margjeka, hyra për herë të parë, në oborrin e shkollës 7-vjeçare, tu Bungu, në Breg të Geghysenit…
…Sa herë e shoh Mehmet Margjekën, dhe tani në prag të pensionit, mbasi flas e shmallem me të, ju them të tjerëve, (mbasi ndahem prej tij, se, ndërsy, se si më vjen zor, ta lëvdoj tjetrin) ju them atyre që jam me ta:
- Këtij njeriu, i obligohem tërë jetën. Ky më ka çuar në shkollë, me një fjalë, me një ndërhyrje, që ndoshta rasti e solli atë ditë shtatori të vitit 1960, kur unë me ëndrrën time për tu bërë një çoban i mirë, po mendoja vetëm një gjë: “Nga t’i kullosja dhitë atë ditë?!”
* * *
Ja, fjala e mësuesit, kujdesi i tij prindëror. Ja, pse jo, edhe atdhetarizmi i tij, i shprehur në punën për te edukuar tek brezi i ri, dashurinë për shkollën, për dijen, për vet jetën. Me mijëra raste, janë, me siguri, në tërë vendin, si ky rast që tregova Unë, për Mehmet Ramë Margjekën. Me qindra mijëra janë si unë, që nga pozicioni i nxënësit në fëmijeri, kujtojnë sot episode të tilla për mësuesit e tyre të paharruar, për mësuesit e tyre të dashur, per ata që në heshtje e modesti të plotë, piketuan rrugën e tyre për në të ardhshmen Kështu do të jetë gjithmonë. Se, jeta e mësuesit, ka vendin e vet të nderuar, ajo është e shkrirë te puna e jeta e të tjerëve, ajo është futur thellë e, është bërë pjesë e pandarë e fatit njerëzor.
Nderim për jetë e mot, mësuesit, jeta e të cilit, është e ka për të qenë, në mijëra jetë.
./.
-Marrë nga libri “Dyqani i mendjes”, faqe 66. Kristalina KH, Tiranë 2009-