E hene, 20.09.2021, 12:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Valëvitjet e fjalës së një poeti shqiptar

E diele, 05.02.2012, 06:42 PM


Valëvitjet e fjalës së një poeti shqiptar

 

(Ramiz Dërmaku, Valëvitjet e fjalës, Amanda Edit, Bukuresht, 2012)

 

Nga Baki Ymeri

 

MORAL, DINJITET DHE IDENTITET

 

Poezia ka në origjinë një përjetim shpirtëror, më shumë apo më pak kompleks, më shumë apo më pak të organizuar: një emocion, një ndjenjë, një pasion, një imagjinatë, një aspiratë. Poeti autentik, sipas një eseisti të huaj, për dallim nga jopoeti, e josh lexuesin me një shprehje lirike ku zotërojnë vibracionet e pastra psikologjike. Para nesh kemi një ëndërrimtar dhe një gazetar. Sipas mendimeve kritike, autori i kësaj vepre e ka konsoliduar personalitetin e tij si publicist. Poezia dhe gazetaria kanë qenë dhe janë hobi i tij artistik. Në krijimet e Ramiz Dërmakut zotërojnë temat historike, përkatësisht personazhet që kanë hyrë në historinë tonë më të re. Në kuadrin e medalionit “Pendë e artë e përjetësisë”, një mendimtar tjetër thekson se Ramiz Dërmaku i qëndis fjalët e kombit në mënyrë artistike, duke na i përkujtuar dëshmorët e lirisë, aktivistët e gazetarisë së mirëfilltë, dhe atë me një shije të veçantë për natyrën dhe trojet e bekuara të Dardanisë, pa i harruar edhe ato të Arbërisë së cunguar që një ditë do të bëhet e plotë dhe e rrumbullaktë. Autori shkruan me një sinqeritet të rrallë dhe me një dhimbje të thellë shpirtërore për heronjtë e kombit, për yjet e Kosovës dhe Kosovën kreshnike.

         Kosova e Ramiz Dërmakut ta përkujton Kosovën e Bilall Xhaferit: “Kosova e legjendave legjendare të Gjergj Elez Alisë./ Kosova/ legjendë e mbetur në udhëkryq të historisë./ Kosova/ Gjitnnjë, ashtu si gjithnjë,/ Me dhëmbë shtrënguar e me shpirt në dhëmbë.” Ramiz Dërmaku ka moral ideal, identitet, dinjitet dhe personalitet. Kosova sipas autorit është një vatër burrërie me Besë shqiptare. Dardania e tij është një “shkëmb i pamposhtur i gjallërisë së kombit tim”, një skaj Parajse ku dëgjohet “zëri i martirëve”. Fryen e shfryen ky shekull i ri/ Kurrë më Kosova nën Serbi, thekson autori në kuadrin e poezisë kushtuar Komandant Colit! Përmes Valëvitjeve të fjalës, autori i këtij libri i jep prioritet gjuhës shqipe, zërit të atdhedashurisë, lashtësisë sonë dhe martirëve të kombit. Tejet impresionusese janë vargjet kushtuar komandantit legjendar, Adem Jashari apo martirëve të Untergrundbachut: “Tre ranë/ Me mijëra u gritën/ Fjala me peshë mali/ Besa e Kulla dhe shpresa/ Akademi shekullore.”. Të një vlere specifike janë edhe vargjet kushtuar kolonel Tahir Zemës, Fazli Greiçevcit etj. Përmes vargjeve që defilojnë në këtë vepër, kuptojmë se Ramiz Dërmaku ka patur fat të njohë një plejadë bij shqipesh që i kanë dëshmuar botës se shqiptarizmi është një kod moral, një metaforë jetike dhe një ndjenjë e shenjtë që nuk shuhet kurrë.

          Kështusoj, kemi para nesh vargje që dëshmojnë shpërthimin e një ndjenje të hatashme të patriotizmit dhe shqiptarizmit. Miradije Gashi thekson se Ramiz Dërmaku është patriot i lirisë së atdheut dhe lirisë së njeriut, dhe se kemi të bëjmë me një krijues të mirëfilltë të diasporës shqiptare. “Fjala e tij e ushqen shpirtërisht lexuesin. Dëshira për lirinë është ndjenja më e fuqishme që buron nga mosha e brishtë e fëmijërisë e tij, kur babai i fliste për historinë e bujshme të popullit shqiptar.” Diaspora letrare e shqiptarëve të diasporës ka vlera të mirëfillta dhe vlera diskutabile. Ramiz Dërmaku është një poet i mirë që digjet për komb e atdhe, që shkruan vargje me rimë dhe që e ka djegur rininë dhe jetën e tij për një ideal të shenjtë. Ai është njëri nga krijuesit e diasporës shqiptare që shkruan më shumë artikuj publicistikë se sa poezi. Duke shfletuar poezinë e tij të parë kushtuar kushtrimit studentor të vitit 1981 (në kohën e Pranverës shqiptare), mendja na shkon te një rapsod yni që thekson: “Kur në zemër të Kosovës digjen lisa e shtëpia,/ Ti ia more këngës e poezia kullonte lot.” Autori shkruan për Kosovën e ngjyer në gjak, për tokën e saj të shenjtë ku “çelin vetëm yje”, për zjarrin e zemrës dhe prushin e qiellit të saj, për trimat që luftuan siç u ka hije dhe jehonën që la kjo ngjarje e shquar historike. Pasojnë disa poema të shkruara në burgun e Pejës (1982), pas të cilave vjen “Krenaria e Dardanisë” me luginën e “lotëve të pafajësisë.” Mund të thuash se nuk ka metafora në këtë kontekst?

         Autori shquhet parasëgjithash për mjeshtrinë dhe përkushtimin e tij si publicist, autor portretesh, intervistash, analizash kritike, etj. Çdo poet që tenton të mbetet i pavdekshëm ka nevojë për njohjen e stilistikës letrare, për kultivimin e figurave të stilit dhe të një imagjinatë të bujshme që të hedh nga toka në qiell dhe anasjelltas. Me këtë rast kemi të bëjmë me inspirime të rëndomta lirike ku zotërojnë dashuria ndaj atdheut dhe vargut klasik. Frymëzimet e tij më të freskëta vijnë nga Weingarteni dhe disa lokalitete tjera të Gjermanisë. Ramiz Dërmaku vjen për herë të parë para opinionit shqiptar me një vëllim modest vargjesh, duke dëshmuar se nuk i mungojnë as talenti dhe as ndjeshmëria. Disa vargje të tij u kushtohen fëmijëve, ndërsa disa poezi tjera shëmbëllejnë me një prozë të bukur poetike, siç është ajo kushtuar Bardhyl Ajetit (Shqiponja e Pashtrikut), një tjetër kushtuar Xhemal Mustafës, apo poezia “Për atdhe s’më dhimbset jeta”, kushtuar Agim Çelës.

         Vëllimi respektiv përmban një numër simbolik poezishë (1981-2012), disa të rradhitura kronologjikisht, disa tjera sipas motiveve atdhetare. Konform mendimeve kritike prezente në luginë të kësaj vepre, fjala është për  vargje që na nxisin të mendojmë për të mos e harruar kurrë të kaluarën tonë të lavdishme. Ky njeri i një sinqeriteti të jashtëzakonshëm, në krijimet e tij ka për model njerëz të cilët kanë lënë shembuj të panumërt për punën, artin dhe kulturën, pa e harruar edhe më të shenjtën: jetën për lirinë e Atdheut. Në spektrin e tij lirik defilojnë edhe disa vargje të gjata kushtuar atyre që luftuan, që lanë pas prindër pa fëmijë dhe fëmijë pa prindër. Me një ndjeshmëri shpirtërore të veçantë, me një shpirt të florinjtë dhe me një zemër të madhe, Ramiz Dërmaku na jep një gamë perlash lirike dhe publicistike që me kënaqësi  lexohen nga dashamirët e fjalës së shkruar.                

 

BOX

 

Një krijues i mirëfilltë i diasporës shqiptare

 

Nga viti ne vit rritet numri i revistave, romaneve, veprave letrare, por edhe i krijuesve që i përkushtohen krijimtarisë letrare dhe mendimit kritik për letërsinë shqipe. Intelektualët tanë të cilët emigruan në diasporë aktivitetin atdhetar e patriotik ndaj çështjes kombëtare kurrë nuk e ndërprenë, Ata me guximin, vendosmërinë, e dashurinë e madhe që kanë ndaj çështjes kombëtare, rëndësinë e shkrimit, vazhduan edhe në kohën kur njeriu, për një fjalë goje dënohej me vite. Këto vargje flasin qartë për nivelin intelektual e poetik të zotëri Ramiz Dërmakut, i cili i takon grupit të krijuesve të mirëfilltë, duke qenë inkurajues i vazhdueshem i formave të reja të shprehjes emancipuese dhe kulturës, jetës në të gjitha segmentet e saj. Poeti shkruan atë që duhet shkruar, për ta informuar opinionin shqiptar dhe ndërkombëtar me realitetin në të cilin kalonte Kosova.

          Fjala e tij e ushqen shpirtërisht lexuesin, dëshira për lirinë është ndjenja më e fuqishme që rrjedh nga fëmijëria e tij kur babai i spjegonte për historinë e popullit shqiptar. Kjo dëshirë hyri në kokën e Ramizit, siç kishte hyrë edhe vetë jeta e tij. Nga këto vargje të shkrura nga dora e zemra e poetit Ramiz Dërmaku, tregojnë qartë se poeti shpirtërishtë e ka përjetuar luftën dhe së bashku me popullin ka ndarë dhembjen. Poeti e kuptoi herët se situata për çdo ditë vinte duke u keqësuar në Kosovë dhe ky vendosi t'i bëjë një rezistencë pushtuesit serb. Ky motiv i Ramizit në vargjet e tij tingëllon fuqishëm edhe atëherë kur në mënyra realiste dhe tronditëse e përjeton shpirtërisht robërinë dhe nga tërë kjo mund të konkludojmë se “Pa lirinë njeriu s'rron.”

        Ramiz Dërmaku është patriot i lirisë së atdheut dhe lirisë së njeriut. Pra me plotë të drejtë themi se Ramiz Dërmaku, është ndër penat shumë të zgjuara në, Kosovë, e në Diasporë. Autori tashmë e ka konsoliduar personalitetin e tij si krijues dhe publicist. Poezia dhe gazetaria ka qenë dhe mbetet hobi i tij artistik. Në krijimet e poetit zotërojnë temat historike, përkatësisht personazhet që kanë hyrë në historinë tonë më të re, po çka nuk shkroi! Shkroi edhe për kriminelët, bajraktaristët, karrieristët, tradhtarët, gënjeshtarët, kuislingët. Shkroi edhe për krimin, dhunën, korrupcionin, helmimet, vrasjet. Por nuk harroi të shkruajë edhe për anët pozitive dhe sukseset të cilat na shpien drejt çlirimit e ndërtmit dhe konsolidimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. (Miradije Gashi)

 

Pendë e artë e përjetësisë

 

Vargjet e poetit dhe veprimtarit, por edhe të publicistit Ramiz Dërmaku, të mbushin me frymë atdhedashurie. Duke startuar me ngjyrën e kaltërt për qiellin, të gjelbërt për natyrën, transparente për familjen dhe dashamirët, por edhe të kuqe për dëshmorët dhe veprimtarët të ndryshëm, ky shqiptar i lindur për atdhedashuri, na bën më dije se jo vetëm gazetaria është punë shkrimi. Jo së koti e titulluam këtë medallion "Pendë e artë e përjetësisë"! Përveç aktualiteteve, analizave speciale për art dhe kulturë, autori është prind dhe një njeri sinqertë i cili i trajton me mjeshtri profesionale edhe vargjet e poezisë për nostalgjikët e artit.  "Fjala e kombit është fjala e Zotit", thoshte dikurë ky njeri i mirë. Ramiz Dërmaku, fjalën e kombit e qëndis në mënyrë artistike, duke i përkujtuar dëshmorët e lirisë, aktivistët e gazetarisë së mirëfilltë, dhe atë me një shije të veçantë për natyrën dhe trojet e bekuara të Dardanisë, pa i harruar edhe ato të Arbërisë së cunguar që një ditë do të bëhet e plotë dhe e rrumbullaktë. Me stilin e tij të veçantë, ky burrë i shquar nga trojet e Karadakut, ndjek rrugën e rilindësëve tanë që i këndon me përzemërsi dhembjes më të madhe, Atdheut dhe trimave të kombit.

         Rreshtat që burojnë sipas stilit të tij artistik, janë dëshmi të rralla,  kryesisht me konotacione patriotike. Janë vargje që na nxisin të mendojmë për mos të e harruar të kaluarën tonë të lavdishme. Me një ndjeshmëri shpirtërore të veçantë, me shpirt të florinjtë dhe zemër të madhe, Ramiz Dërmaku shkruan për Gjergj Kastriotin dhe Nënën Tereze, për komandantin legjendar, Adem Jashari, për Tahir Zemën, Ahmet Krasniqin dhe Ibrahim Rugovën, për gazetarin dhe trimin e fjalës së lirë, Bardhyl Ajeti, duke na dhënë edhe poezi të tjera që me kënaqësi do të lexohen nga dashamirët e fjalës së shkruar. Paralelisht me vargjet poetike të Ramiz Dermakut, ne rrugëtojmë me dekada edhe në të shkuarën tonë fisnike që na bën krenarë pse kemi lindur shqiptarë.

       Ramiz Dermaku nuk i kushton rëndësi partive politike, fetare etj., por ky njeri i një sinqeriteti të jashtëzakonshëm, në vështrimet e tij ka për model njerëz të cilët kanë lënë shembuj të panumërt për punën, artin dhe kulturën, pa e harruar edhe më të shenjtën - jetën për lirinë e Atdheut. Në spektrin e tij lirik defilojnë edhe vargje të gjata kushtuar atyre që luftuan, atyre që lane pas prindër pa fëmijë e fëmijë pa prindër. Për punën dhe veprimtarinë e Ramiz Dermakut, kërkohen vite e vite për të shkruar, siç e ka bërë ai vetë, gjatë më shumë se tri dekadave: artikuj, analiza, reportazhe, intervista, portrete dhe poezi. I urojmë dhe dëshirojmë me këtë rast, suksese te reja, duke shpresuar se penda e tij nuk do të harxhohet kurrë! (Muhamet Hoxhaj)

       Përndryshe, libri i parë i Ramiz Dërmakut del në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, në një vëllim prej 60 faqesh, me 25 fotografi në kolor, me këtë përmbajtje: Moral, dinjitet dhe identitet,  Kosovë moj Kosovë, Gjallëria e kombit tim, Pranvera Shqiptare, Kosovës Republikë, Martirëve të Lirisë, Komandantit legjendar Adem Jashari, Komandant Coli, Krenaria e Dardanisë, Dëshmorëve të kombit, Intelektualit atdhetar, Vepra jote na jep dritë, Bardhyl Ajetit, Për atdhe s’më dhimbset jeta, Shqiponja e Pashtrikut, Nënës sime, Pranverës, Gyrbeti, KosovariMedia, Nusërimi i fjalëve,  Mendime kritike, Një krijues i mirëfilltë i diasporës shqiptare (Miradije Gashi), Pendë e artë e përjetësisë (Muhamet Hoxhaj) dhe Shënime për autorin.

      

SHËNIME PËR AUTORIN

 

Ramiz Dërmaku vjen nga një familje fisnike me rrënjë të lashta të atdhetarizmit shqiptar. U lind më 10 nëntor 1956, në fshatin Shipashnicë e Epërme, komuna e Dardanës (ish Kamenicë). Gjashtë klasët e para të shkollimit fillestar i kreu në vendlindje, ndërsa dy vitet e fundit në shkollën fillore "Skënderbeu" në Hogoshtë. Tre klasët e gjimnazit (drejtimi gjuhësor),  i kreu në Hogoshtë, ndërsa vitin e fundit në Dardanë. Me shkrime filloi të merret që nga shkolla e mesme. Pas kryerjes së gjimnazit regjistrohet në Univerzitetin e Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore (dega e Biologjisë), në Prishtinë.  Gjatë vitit 1981 ishte student i vitit të dytë. Sipas shtypit, “Ky aktivist i dalluar i diasporës sonë, e fillon bisedën me fjalë të qeta, i rradhit ngjarjet, aksionet, mbledhjet, tubimet, protestat, demonstratat, porsi fletët e një romani.” Ngjarjet e 11 dhe 26 marsit, si dhe ato të 1 e  2 prillit, jo vetëm që i ka përkrahur, por edhe ishte pjesëmarrës  i drejtëpërdrejtë në to, si pasojë e së cilës e larguan nga Fakulteti  i Shkencave Matematiko-Natyrore, duke e përjashtuar për shkak të pjesëmarrjes së tij në demostrata. Falë sjelljeve dhe angazhimit të tij,  Dr. Dervish Rozhaja do t’ia  bëjë të mundur të regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike "Bajram Curri" në Gjakovë (grupi Biologji-Kimi). Ramiz Dërmaku është autor i një biografie të bujshme e të dhimbshme. Vargjet e para i ka botuar në disa gazeta që delnin në Perendim (Liria dhe Zëri i Kosovës).

         Gjatë kohës së studimeve në Gjakovë, së bashku me disa shokë, ishte duke i bërë pregatitjet e fundit për ta kremtuar njëvjetorin e ngjarjeve të vitit 1981. Më 9 mars të vitit 1982, do t'a arrestojë në banesën e tij policia dhe organet e sigurimit të  Gjakovës. Pas torturave të shumta që pat pësuar në burg, me procedurë urgjente iu  shqiptua masa e dënimit me dy muaj burg të rëndë, me pretekst për fletoren e Anatomisë ku i kishin gjetur dy vjersha që ua kishte kushtuar ngjarjeve të vitit 1981. Katër vjet punoi në arsim.  Pas daljes nga burgu, ndjekjet dhe interesimet informative shpeshtoheshin.  Duke e parë se jeta për çdo ditë bëhej më e vështirë, gjendja politike acarohej, për t'i shpëtuar më të keqes, detyrohet të emigrojë në Zvicër, ku pat fat të stabilizohet. Gjatë qëndrimit të tij në Luzernë, merr pjesë aktive në protesta dhe demostrata, ndihmon shkollën plotsuese shqipe në diasporë, bën orvatje për ta unifikuar mërgatën tonë. Pasojnë provokimet dhe persekutimet psikologjike kundër bashkëshortes së tij nga ana e klyshëve të sigurimit komunsit, që kërkonin që sa më parë  të kthehet burri i saj  në Kosovë, duke e gënjyer se pastaj do t'ia japim pasaportën.

          Me kalimin e kohës gjendja shëndetësore e saj u keqësua, kurse Ramizi vendosi të kthehet në Kosovë. Posa arriti ilegalisht në  shtëpi, forca të mëdha policore dhe njësia speciale e arrestuan, ia demoluan shtëpinë dhe e  dërguan të lidhur tek kryeshefi i Policisë në Dardanë. Pas një bisede informative, kur e pa po e ndiqnin dhe tentonin t’ia marrin pasaportën, largohet për në Zvicër. Të nesërmen, organet policore serbe ia rrethuan shtëpinë dhe pas demolimit të saj ia marrin veturën duke u thënë familjes se kur të vijë Ramizi, ne do t’ua japim veturën. Pas disa muajsh, organet e SUP-it, në krye me spiunin Moma, shkojnë në shtëpi dhe ia marrin edhe veturën tjetër me tabela të Zvicrrës. Veturën e parë e morri pas 9 muajsh babai i tij, ndërsa  tjetrën kurrë më nuk e pat parë. Merr pjesë si organizator, së bashku me familjarët e tij, në ngjarjet e vititeve 1990-91. Katër vjet punoi pranë Shkollës fillore "Skënderbeu" në Shipashnicë të Epërme, si arsimtar i Biologjisë. Në gusht të vitit 1986 ia ndalojnë të drejtën për të punuar në arsim. Në shtator të vitit 1992,  kalon në ilegalitet, dhe në mungesë të tij, gjykata serbe kishte vendosur që të ndiqet penalisht. Në protesta, asokohe morri pjesë aktive Ramiz   Dërmaku me dhejtra shqiptarë të tjerë që përbëjnë lëndën e një portreti për intervistë. Ditën e fundit të protestave,  të gjithë protestuesit, nga të gjitha fshatrat, pasi ishin tubuar në Roganë, vendosën që ta thejnë kordonin e policisë e të marshojnë në drejtim të Dardanës, mirëpo nuk arritën. Prandaj, të gjithë protestuesit shkuan në këmbë nga Rogana, duke e kaluar lumin e Roganës drejt fshatit Bllatë, Topanicë, Koretin.

         Por, ndërmjet Koretinit dhe Berivojcës ishin stacionuar forca të mëdha policore, të pregatitura  edhe me mjete transporti (pizgauer dhe tanksa). Demostruesit e thyem kordonin e parë të policisë, i cili ndodhej mbi Koretin tek Lapidari i dëshmorëve të  rënë në luftë për çlirimin e Kosovës nga fallanga serbe. Mirëpo, policia për t’i penguar demostruesit që mos të hyjnë në Dardanë, filloi ndaj protestuesve të përdorë gazin lotësjellës, i cili u pengonte. Në anën tjetër nga shtëpit e shqiptarëve në Koretinë, demostruesit  furnizonin me djathë, qepë dhe bukë. Pasë një lufte ballëpërballë me forcat policore, që zgjati mbi një orë, të lodhur e të rraskapitur nga shiu, kthehen për në shtëpi. Me 17 shtator të vitit 1992, për t’i shpëtuar ndonji dënimi apo izolimi, Ramizi emigron në Ravensburg të Gjermanisë. Bëri kërkesën për strehim politik, dhe organet kompetente gjermane brenda një kohe të shkurtë  do t'ia njohin të drejtën e qëndrimit në atë vend. Që nga ditët e para ra në kontaktet me disa aktivistë të LDK-ës, pranë filiales së kësaj dege në Ravensburg. Gjatë zgjedhjeve të vitit 1993, do të zgjidhet  anëtar i kryesisë së aktivit të LDK-ës në Ravensburg. Mirëpo, gjatë kohës sa ishte veprimtar aktiv i kryesisë së kësaj dege, së bashku me shokë tubuan ndihma të mëdha materiale, humanitare, veshëmbathje, duke e ndihmuar shkollën shqipe në Kosovë, Univerzitetin e Prishtinës e të Tetovës, organizuan protesta e demostrata për internacionalizimin e çështjes së Kosovës. Në vjeshtën e vitit 1994 mbaheshin zgjedhjet në LDK-ës, pra edhe në aktivin e Ravensburgut. 

        Në kuvendin themelues të BISHM-im, zgjidhet anëtar i kryesisë së BISHM-it, dhe zëdhënës i mjeteve të informimit. Që nga 15 janari i vitit 1995, e deri më 7 Mars të vitit 1996, do të pranohet bashkëpuntor i gazetës "Zëri i Kosovës", që botohej në Zvicërr. Nga data 12 maj 1997, do të fillojë punën si gazetar tek gazeta kombëtare “Bota sot", bashkëpunëtor i së cilës është sot e kësaj dite. Kryesia e Bashkimit të Intelektualëve Shqiptarë në Gjermani, organizuan tubime të panumërta me mërgimtarë (madje edhe me gjermanë), të cilët i njoftonin me gjendjen e rëndë ne të cilën kalonte Kosova, si pasojë e kolonializmit dhe barbarizmit serb. Mbajtën edhe tryeza te rrumbullakta, siç ishte ajo në Singen, ku nikoqir ishte Klubi Shqiptar Kosova, në krye me atdhetarin, strategun e artit luftarak dhe themeluesin e bërthamave të  para të UÇK-ës, Agim Çelaj.

         Në atë tryezë arritën që për herë të parë t'i ulin së bashku të gjitha subjektet shqiptare që vepronin në diasporë. BISHM-i organizonte tubime me mërgimtarë nepër klube, shoqata, dhe orvatej ta unifikonte diasporën shqiptare në Gjermani e më gjërë. Anëtarët e kryesisë së BISHM, duke e patur Ramiz Dërmakun anëtar i kryesisë dhe zëdhënës i mjeteve të informimit, së bashku me gazetarë tjerë, pos që mbanin tubime me mërgimtarë, mbajtën shumë takime me deputetë të Parlamentit gjerman dhe të atij europian, me kryeredaktorë të gazetave gjermane, me rektorë shkollash e univerzitetesh, me gazetarë të mediave të shkruara dhe atyre elektronike. Kryesia e Bashkimit të Intelektualëve Shqiptarë në Mërgim (BISHM),  falë punës së pa lodhur të Ramiz Dërmakut, arriti të depërtojë dhe të intervistojë edhe deputetët e Parlamentit gjerman dhe të atij europian, falë edhe prof. Azem Ajvazit, i cili gjatë takimeve tona me deputetët e parlamentit gjermanë luante rolin e përkthyesit. Organizata e tyre ishte kyçur edhe në aksionin humanitar "Ndihmë për Kosovën", nga i cili aksion tubuan mbi 30 tonë veshmbathje, medikamente, vaj etj.

        Kohën më të madhe, Ramiz Dërmaku me aktivistët e tjerë ia ka kushtuar mbrojtjes së fëmijëve nga asimilimi, duke bërë orvatje që të hapin sa  më tepër  shkolla shqipe. Kontributin më të madh e ka dhënë duke shkruar  shkrime të cilat kishin për qellim unitetin dhe bashkimin e mërgatës sonë. Gazetat apo revistat ku unë ka shkruar gjatë asaj kohe janë: “Rilindja”, “Bujku”, “Bota sot”, “Jehona”, “Mërgimtari”,  “Zëri”, “Koha”, “Kosova press”, “Zëri i Kosovës”, “Zëri Ditor”, “Dardania”, “Gazeta Java”,  “Republika” etj. Është prezent edhe në web-faqet Zemra Shqiptare, Albania Press, Pashtriku.org, KosovariMedia, Revista Drini, etj. Ramiz Dërmaku ka qenë pjesëmarrës aktiv dhe shpeshherë edhe organizator i protestave, demostratave, peticioneve, ekspozitave, tubimeve informative, jo vetëm me shqiptarë, por edhe me gjermanë. Ai është shqiptari që e ka  ndihmuar vazhdimisht e me besnikëri, fondin e 3%-shit si dhe ate të UÇK-së. Valëvitjet e fjalës është vëllimi i parë i tij poetik, pas të cilit pason botimi i një serë veprash të reja me vlera publicistike.



(Vota: 20 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora