Kulturë
Sabile Keçmezi-Basha: Itakë të pashë ëndërr
E marte, 26.07.2011, 07:58 PM
Sabile Keçmezi-Basha
ITAKË TË PASHË ËNDËRR
Itakë, mbrëmë të pashë ëndërr
Të bukur, të blertë, madhështore siç je
Unë nuse u bëra,dhe qava në prehrin tënd
E Ti pyete
A qanë atdheu vallë?
Itakë,
Kohët u ndalën në ecje, mbrapshtë
Dhembjen ma preke me gjuhë dhe më shërove
Duart e ngrira me hukamë m’i ngrohe
Një shekull e akullt isha
Dhe ndodhi ekstaza…
Itakë,
Pse më vije vetëm në ëndërr
Në vite me tri stinë të çala
E ka net të tëra që frynë stuhia
Kur edhe ëndrra nuk të mbërthen
Në Formulën e Pagëzimit
GJARPRI I SHTËPISË
Në muret e dhomës sime
Gjarpri i shtëpisë ma qet gjuhën
Për çdo mbrëmje më përqeshë
për të pabërat, që i palëzova në arkën e gjyshes
dhe për dhembjen që shartohet me mjegullnajë
Gjarpri i shtëpisë për çdo natë të lume
Më rritet ndër sqetull duke ma thithë gjakun
Gjersa unë e ledhatoj për çdo agim
Duke i treguar përrallën
Medet, gjarpri i shtëpisë pak nga pak
Ma grimcon kullën dhe ma gris kujtesën
Për ditën e pa-ardhur
NË HOTEL “NIRVANA”
Në hotelin “Nirvana” sonte
Hamë krem karamele
Dhe llafosemi sa për të thënë
Bisedojmë tema të bezdisshme
Dhe themi sa jemi të lodhur
E Iliria na rëndon mbi supe
Itakë
Në këtë stinë
Na mungon shumëçka
Por…
Do ti them një ditë tjetër
O zot
Sa e sëmurë është
Kafka e shekullit
MË PREMTOVE
Më the
Se për çdo ditë LIRIA do të kthehet nga pak
Në gishta do t’i shartoj ëndrrat
Çfarë fati Itakë!
Rrugët shpesh boshatisën në këtë qytet
Pritja vritet nga rrufetë e papritura
Marrëveshjet bilaterale në zero e kthejnë orën
Itakë,
Ec e bjeri në fije
Udhëtimit gjer në stinën tjetër