Kulturë
Vaso Papaj: Isha Edmond Dantes (Hetuesit tim)
E diele, 24.07.2011, 06:55 PM
Vaso Papaj
Monolog me ju
Nuk më deshët bashkudhëtar
Rrugën e vazhduat vet
E morët se e kishit të marrë
Ëndërrën që kisha parë një jetë
S’ kisha par’ ëndërr me krime
Edhe sot e refuzoj
Pa ditur atë që shkoi?
Nuk e di cili ësht’ krimi
Heshtje e gjatë, dënim harrese
Zoti im, ka qenë betimi
Të qendrojë para çdo kthese.
Ndonëse rrugë për ëndrrimtarë
Mosbesues, s’më deshët më
S’më deshët as guximtar
T’ ikja deshët, përgjithnjë.
Ja ku jemi sot përballë
Ndërruat gjer dhe perënditë
Mund t’ju duket si përrallë
Vendin tim s’e ndërroj një ditë.
Viagra
Jeni viagra e kohës së vjetër
Vlejtët për t’ kaluar lumë
Porse koha si Shën Pjetër
Ju ka nxjerr zbuluar shumë.
Nuk jam mburrur kurrë me plagët
Ju tregoni dekorata
Plag’t e mia nuk janë viagër
Pres pendesë me dorë tek Dhjata.
Isha Edmond Dantes
(Hetuesit tim)
Kur Kontin Monte Kristo lexoja në fëmijëri
Me fundin simbolik: Durim dhe shpresë
S’e dija, sinqerisht, çdo të thoshte drejtësi
As, se një ditë, do t’ hyja në kronikë të zezë.
Kronika e zezë, i ngjet ndodhisë tek ashensori
Tritoli me komandë, nga larg, hajde ta gjesh
Në të tilla raste, zakonisht, fiton vetëm fajtori
Prandaj vendimi yt, më mbushi tërë shpresë.
Gjatë ta dhashë dorën, të thashë faleminderit
S’e di nëse një tjetër, do t’kish marr para me thes
Veç ti nuk i ngjasove, monstrës së librit, Vilforit
Dhe unë, ti shpejt u binde, isha Edmond Dantes.