Kulturë
Skënder Mulliqi: Bisedë me shkrimtarin dhe publicistin, Sejdi Berisha
E merkure, 20.07.2011, 06:59 PM
Bisedë me shkrimtarin dhe publicistin, Sejdi BERISHA
KRIJIMTARIA E MIRËFILLTË E SHKRIMTARIT ËSHTË E SHENJTË, ËSHTË DHEMBJE DHE KLITHMË...
Nga Skënder MULLIQI
Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, deri me tash ka botuar njëzetë e tetë vepra me poezi, prozë, eseistikë, dramë dhe monografi. Shkak i kësaj bisede, ndër të tjera ishte se para pak kohësh, ai botoi dy veprat më të reja, librin me poezi , “Kërkoj dhembjen time” dhe librin me shkrime refleksive, “Mallkimi i heshtjes”.
_________________
Pyetja: Ju jeni njëri prej krijuesve dhe punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës jo vetëm në Kosovë por dhe më gjerë. Ku qëndron e tërë kjo energji, i gjithë ky vullnet?
S. Berisha: Krijuesi i mirëfilltë është si ai kopshtari, i cili është i përkushtuar që kopshtin ta shndërrojë në parajsë. Për çdo ditë kultivon nga diçka, mbjellë ndonjë fidan, mbjellë lule me ngjyra të ndryshme, por edhe shkul e heqë therra të cilat mund t’ia shëmtojnë bukurinë dhe madhështinë e kopshtit, e në këtë rast lumturinë e jetës. Kjo është ajo kokëfortësia e krijuesit që me veprën e vet, çdo gjë dëshiron ta shndërrojë në lumturi të njeriut, duke filluar nga ata më të vegjlit e deri tek ata që janë në pragun e lamtumirës...
Unë sivjet i kam botuar edhe dy vepra, të cilat, nuk e fsheh dot, janë sjellë në letër dhe në libër nga zemra e shpirti. Dhe, si të tilla, kujtoj se kanë provokuar mendjen e kureshtjen e lexuesit. Sepse, vërtetë, për ta mallkuar heshtjen dhe për ta kërkuar dhembjen, njeriu asnjëherë nuk e ka lehtë. Këto, diku ia kanë zënë rrugën, ia kanë prekur atë thellësinë e ndërgjegjes dhe të sinqeritetit, dy faktorë, këta, që janë themel i lumturisë por edhe i dhembjes. Mirëpo, kjo është si diçka që nuk mund të mbillet si perime në kopsht. Përkundrazi, gjërat e tilla ndërtojnë kështjellë në të cilën pastaj jeton vepra, e përbrenda saj shumëçka!
Pyetja: Ku gjendet sot krijimtaria dhe letërsia shqiptare?
S. Berisha: Keni bërë një pyetje të “nxehtë”, e cila do përgjigje të gjatë, të drejtë, të saktë dhe të sinqertë por edhe studiuese dhe shkencore. E, të gjitha këto, t’ua them të drejtën, sot nuk i kemi në një pe. Bile, kjo çështje është shumë komplekse, e cila në këtë kohë, në këtë shekull ishte dashtë të jetë mu sikurse binarët, mbi të cilët, me madhështi ecën treni me kompozicionin e vagonëve. Në këtë aspekt, kujtoj se nevojitet uniteti dhe mirëkuptimi krijues dhe intelektual. Një gjë e tillë, tek kombi ynë akoma çalon, bile çalon bukur thekshëm dhe sikur e krijon edhe ndasinë e respektit, ndasinë krijuese, dhe e tërë kjo i ngjanë kulaçit të thyer të bukës, të çarat e të cilit ia shëmtojnë hijeshinë dhe kompaktësinë.
Kjo është duke e penguar seriozisht zhvillimin normal të vlerave letrare dhe jo vetëm të atyre letrare. Raste të tilla ka shumë e shumë, që tani as nuk kemi kohë as nuk është vendi për t’i theksuar, dhe atë duke filluar nga niveli lokal, komunal, rajonal por edhe më gjerë.
Sivjet, në një manifestim letrar tradicional, patëm debatuar edhe për çështjen e unitetit dhe të përfaqësimit adekuat të krijimtarisë letrare në nivel kombëtar. Mirëpo, edhe në këtë pjesë tematike të këtij manifestimi, pjesëmarrësit që ishin caktuar për të elaboruar përkitazi me këtë temë, e që ishin nga Kosova, Shqipëria dhe nga Maqedonia, me prezantimet e tyre sikur më shumë u përqendruan kah prezantimi i krijimeve të tyre fushën krijuese kombëtare. Dua të them, se jo vetëm shoqëria e gjerë, por edhe vetë krijuesit duhet të kontribuojnë në ecjen përpara të vlerave të përbashkëta letrare. Mbase, për këtë janë edhe vetë ata përgjegjësit kryesor për këtë.
Ndarja në grupe, klane, klube, shoqata e shoqëri të copëtuara, s’është gjë tjetër veçse një shkapërderdhje e pakuptimit që i ngadalëson vlerat krijuese, por që reflekton edhe në shkallën e afirmimit dhe të civilizimit krijues, gjë e cila, fatkeqësisht tek ne është jo e kënaqshme. Megjithëkëtë që e thashë, nëse e analizojmë ndryshe krijimtarinë letrare, atëherë del se nuk është që nuk kemi vlera të mirëfillta dhe që nuk po realizohen ato. Por, është e qartë, kjo më shumë mund të nënkuptohet tek krijimtaria individual, e cila ndonjëherë, fatkeqësisht ngelet e strukur dhe pa u bërë pjesë e opinionit. Kështu është kjo...
Pyetja: Ju, sivjet keni botuar edhe dy vepra shumë interesante; njëra me shkrime refleksive, kurse tjera me poezi. Sipas titujve, që të dyja menjëherë të bëjnë për vete,... zgjojnë kureshtjen e lexuesit?
S. Berisha: Është e vërtetë se janë dy vepra që provokojnë edhe me formën e të shkruarit, edhe me temat dhe me ndijimin e thellë, që pikon “gjak” jete, që fuqishëm tingëllon, që të bën për të qarë, kurse në të njëjtën kohë ta ndërton lumturinë dhe ta forcon arsyen për të gjetur rrugë drejtë të së mirës, drejtë lumturisë. Por, për këtë lexuesit le ta thonë fjalën vet.
Pyetja: Pse shkruani kështu! Pse temat janë aq të thjeshta e aq përcëlluese,... me aq mesazh human dhe filozofik?
S. Berisha: Për këtë nuk di të përgjigjem në mënyrë adekuate. Shpeshherë e kam pyetur edhe vetveten, dhe sikur në pasqyrë kam marrë përgjigjen: sa i çuditshëm që je! Vetëm kështu vazhdo, sepse shpirtin e ke të tillë. Ndoshta nuk të kuptojnë,... por të kuptojnë, sepse kështu ua shëron plagët, nëse dikush ka... E, plagë ka e ka, njeriu. Ka plagë edhe toka, edhe bjeshka, edhe lumi, edhe fusha... E, kush nuk ka plagë, të cilat gjithnjë kërkojnë ilaç për shërim!
Pyetja: “Kërkoj dhembjen time”,... e bëni këtë për vetveten, digjeni me te?!
S. Berisha: Po! Së pari e bëj për vetveten time, sepse kam etje për gjërat e bukura, për buzëqeshjen e pastër, për fjalën e dëlirtë, për rrugëtimin pa fikë. Mirëpo, e tërë kjo, kur meditoj, e shoh se nuk është vetëm dhembja ime. Sikur më bëhet se kërkimi i dhembjes më shndërrohet në zë, në ulërimë e në oshtimë kolektive! Kjo është ajo, që pastaj ma detyron vargun,... Kjo është ajo që digjem për vetveten dhe për të gjithë.
Njëri më pat thënë se me poezinë “Hyni në dhomën time”, të tërin e kisha trazuar, e kisha lënë pagjumë duke i përplasur ai vargjet e mia me lotët e vet. Kur e tha këtë, unë i tëri u kënaqa. Për këtë arsye, unë propozoj që secili lexues të mos përtojë, le të hyjë në dhomën time për ta parë, për ta shijuar e përjetuar madhështinë e njeriut i cili ecën vertikalisht, për ta përjetuar edhe lumturinë, kur mbi supet e veta e ka peshën e peshës të vetvetes dhe të njeriut përgjithësisht!
Sepse, poezia, edhe kur të rrjedhin lotët, përbrenda ta dhuron të pamundurën e lumturisë dhe madhështinë kurrë për t’u mos u përkulur.
Pyetja: Po, “Mallkimi i heshtjes”,... ç’është kjo “akuzë”, që siç thoni Ju, dot s’na hiqet qafet?
S. Berisha: Mallkimi,... është diçka që vetëm përplasja e rëndë e shpirtit mund të të detyrojë ta bësh një gjë të tillë. Kurse, heshtja, duhet ditur, ajo nuk është ar, por i ngjanë dergjës që të përlanë e kurrë nuk e dikton dhe as nuk i gjen ilaç.
Njeriut nuk i nevojitet heshtja, sepse, ajo është si mortaja. Sa më shumë që e ndrydh vetveten me te, të jeni të bindur, njeriu e “zverdhë” pamjen e vet të bukur, e humb madhështinë e shpirtit, dhe kështu duket si dru i lakuar, e në atë gungën e lakesës fshihet dhe dënesë historia! Se, e kujt është ajo histori, le të mundohemi që ta prekim këtë plagë, e cila, çuditërisht duket se nuk dhemb, por në fakt është dhembje, e cila, po të kishte forcë e mundësi, padyshim se do ta mallkonte vetveten! Andaj, mallkimi dhe heshtja bashkë, kujtoj se janë provokim, të cilit asnjëherë nuk i humbet “aktualiteti”. E, kjo për njeriun është plagë, dhe dhemb shumë...
Pyetja: Keni botuar edhe shumë vepra të tjera të fushave të ndryshme. Monografinë “Zejtarët e Pejës” e keni botuar për herë të dytë, respektivisht e keni bërë botimin e dytë. Është ky libër voluminoz, është si diçka që i përngjanë veprës udhërrëfyese për të hyrë e studiuar në histori, në vlerat shpirtërore dhe kulturore...!
S. Berisha: Mirë bëtë që ma shtruat këtë pyetje. Monografia “Zejtarët e Pejës” është një vepër që e kam shkruar me mund të madh dhe me përkushtim, sepse, të shkruash vepra të tilla nuk është edhe aq shumë falënderuese, ngase, po e harrove një emër, po e huqe një ngjarje e cila nuk i shkon përshtati dikujt prej zejtarëve apo edhe dikujt tjetër, atëherë mentaliteti i caktuar konsiderojnë se nuk ke bërë gjë dhe se veprat e tilla nuk e kanë atë vlerën që e kërkon individi! E, po duhet ditur se veprat nuk shkruhen për dëshirën dhe as për qejfin e dikujt. Ato shkruhen për ta përjetësuar një etapë, një periudhë apo një pjesë të historisë së kombit dhe të shoqërisë, e cila, pastaj shërben edhe si provokim për studime më të thella. Këtu qëndron edhe vlera e kësaj monografie, e cila vitin e kaluar e përjetoi botimin e dytë me plotësime të periudhës gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Një historian i njohur yni, për këtë vepër ka thënë: “Monografia “Zejtarët e Pejës” është një dokument dhe material që nuk e ka bërë kush deri me tash, e që mund t’u shërbejë antropologëve, gjeologëve, arkeologëve, historianëve por edhe studiuesve të tjerë për të shkruar vepra shkencore që u hedhin dritë periudhave historike të kombit dhe të njerëzimit”.
Unë, kujtoj se kjo monografi është edhe si një dokument-monografi në miniaturë e historisë së Pejës me rrethinë, është një udhërrëfyes për të mësuar për rolin dhe rëndësinë e zejtarisë dhe të zejtarëve të kësaj ane në ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave shpirtërore dhe kulturore, por edhe në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik, si dhe në vënien e themeleve të para të degëve të ndryshme të industrisë.
Pyetja: A çmohet dhe a respektohet sot krijuesi. Ku gjendet ai, të themi në rrafshin gjithëkombëtar?
S. Berisha: Shikoni. A çmohet dhe a respektohet sot krijuesi?!... Po, unë them se jo dhe jo! Shoqëria duhet kuptuar se shtylla e filozofisë së jetës është intelektuali, e në këtë rast filozofi dhe krijuesi. Andaj, kësaj çështjeje, shoqëria i ka hyrë në hak, edhe përkundër asaj se bëhen përpjekje për të përkrahur dhe stimuluar vlerat krijuese.
Nuk dua t’i prejudikoj gjërat, vetëm dua t’u them se për vlerat e krijuesve dhe vet atyre, ose u ndahen far mirënjohje në prag të fundit të jetës, ose, çfarë është edhe më keq, ata i përkujtojnë dhe i “ngritin” në piedestal pas vdekjes, u ndajnë lëvdata, mirënjohje e dekorata! Por, më besoni, se kjo mua më duket shumë e pakuptimtë. Veprimet apo gjërat e tilla, duhet bërë atëherë derisa krijuesi është në vlugun, në piedestalin e punës dhe të të arriturave krijuese. Atëherë, ai e përjeton dhe e çmon respektin për punën e vet. Kjo është ajo që duhet praktikuar. Sepse, një gjë duhet ditur gjithnjë dhe përgjithmonë, se krijimtaria e mirëfilltë e shkrimtarit është e shenjtë, por është edhe dhembje dhe klithmë...! E, këtë duhet ditur, duhet kuptuar por edhe ndier se çfarë është kjo, se çfarë ndikimi ka në shoqëri.
Është e papranueshme mbase nënçmuese për një shoqëri, sot, bie fjala, të ketë krijues që varen apo i frikësohen mungesës të bukës për ditën që vjen. Kurse, të mos flasim sa i përket standardit jetësor. Ndërsa, në anën tjetër, ka shumë të atillë që krijuesve ua rrahin supet me krenari! Kjo është përgjigjja...
Pyetja: A përkrahet pra, a stimulohet krijimtaria letrare?
S. Berisha: Një gjë e tillë kujtoj se bëhet në mënyrë formale dhe sipërfaqësore, e që kjo përgjigje, pra është në përputhje ndoshta me përgjigjen në pyetjen e mësipërme.
Pyetja: Po çmimet tradicionale, vjetore, kombëtare, rajonale dhe komunale, a janë stimuls dhe a shkojnë në duart e merituara?
S. Berisha: Në të gjitha hapësirat kombëtare, themelohen dhe jepen e ndahen çmime tradicionale vjetore, kombëtare, rajonale dhe komunale. Dhe, kjo ishte dashtë që të ndikojë pozitivisht në stimulimin e vlerave krijuese dhe në mbështetjen e shkrimtarëve. Mirëpo, edhe në këtë segment, edhe pse jo gjithmonë, këto shpërblime, këto çmime jepen dhe ndahen, kushtimisht të them, me hile, e që kjo irriton krijuesit e mirëfilltë. I zemëron një veprim i tillë.
Për t’ua dëshmuar këtë, kemi pasur raste edhe të refuzimit të shpërblimeve për një apo për arsye tjetër (dmth. që nuk ia kanë qëlluar). Ose, tjetra. Ndoshta, në të shumtën e rasteve, për t’u “dekoruar” me shpërblime të tilla, nevojitet krahu i fortë. Pra, çmimet dhe shpërblimet, më shpesh shkojnë në duart e atyre që ndoshta nuk e meritojnë se sa tek krijuesit e dëshmuar me rezultate. Kjo, ndodhë pothuaj se në të gjitha nivelet. Ja, ky është më duket “stimulimi” për krijuesin.
Pyetja: Shkrimet e Juaja eseistike mbase edhe refleksive, kanë zgjuar interesim të veçantë në opinion dhe bëhen e dëgjohen komente me shumë respekt dhe konsideratë, por, edhe lexohen me një interesim autoritativ, ngase, siç komentohet, ato shkrime sjellin ngrohtësi dhe mesazh e kuptim shumëdimensional.
S. Berisha: Unë, ndjehem shumë mirë kur dëgjoj fjalë miradije për krijimtarinë time. Besoni, kjo më bën të lumtur dhe përgjegjës në të njëjtën kohë. Ky edhe është shpërblimi më i lartë dhe më i dashur për mua. T’u them të drejtën, kënaqem kur lexuesit me orë të tëra i lë pagjumë, apo me orë të tëra rrinë me mua, me vargje dhe me shkrimet e mia, me të cilat nganjëherë ua detyroj edhe lotët. Sepse, aty fshihet edhe forca e njeriut për ta dashur të bukurën, për ta luftuar të keqën.
Pyetja: Si duket, poezia gjithnjë të ka shërbyer si karrem për t’i rrëmbyer zemrat e lexuesve. Libri më i ri “Kërkoj dhembjen time” fillon me poezinë, të cilën shumëkush e ka cilësuar si të rrallë dhe me zërin që përbrenda vargjeve shndërrohet në rrugëtimin e historisë duke rrëshqitur pastaj në atë kombëtare dhe gjithsesi njerëzore.
S. Berisha: Poezia ime, ashtu kujtoj, është ushqim shpirti, i cili vetëm shëron plagë, trimëron për të hapur rrugë lumturie, ndërgjegjëson për t’u shikuar në pasqyrë...! Dhe, çfarë të them. Prapë u them lexuesve: hyni në dhomën time. Aty, së bashku do ta kërkojmë të vërtetën do ta kërkojmë atë dhembjen që na bën të lumtur. Kjo është madhështia e vargut, të cilën lexuesit ma fisnikërojnë me fjalët që u dalin nga zemra, dhe kështu, ata, sikurse edhe unë atyre, ma detyrojnë pagjumësinë! Kjo është shumë e vërtetë,... besoni!
Pyetja: Çfarë jeni duke bërë, kur si gjithnjë, përherë të shohim me çantë të rëndë në dorë. Lëni përshtypje se e harxhoni kohën kot, pasi pothuaj përherë Ju shohim në restorantet “Nositi”, “Tirona”, “California” dhe në Hotelin “Dukagjini”. Interesant, edhe në këto lokale ku rrini kanë emra karakteristik?
S. Berisha: Po, çfarë jam duke bërë unë, ore! Përpiqem që askënd mos ta pengoj. E vërtetë është: më shihni në këto restorante si njeri të urtë por të “çmendur”! Po, kush rri për çdo ditë në restorante?!... Rri, sepse e kam një ushqim që askujt nuk ia tregoj, por kësaj radhe po ua tregoj juve. Ai ushqim është fati, lumturia, dhembja dhe gëzimi i njeriut, të cilat gjëra për çdo ditë përpiqem t’i veneroj dhe t’i përjetoj,... Dhe ëndërroj që ato t’i shndërroj në krenari dhe në madhështinë e njeriut. Pra, nuk rri rehat, jo!
Është duke më munduar një shkrim, të cilin, shpresoj dhe besoj se së shpejti do ta shkruaj dhe lexuesit do të kanë rastin ta lexojnë. Nuk do të ketë as lot, as shi, as dhembje,... Por, interesant. Një gjë ma prishi planin. Një krijues, të cilin rastësisht e takova duke shitur veprat e veta por edhe të disa të tjerëve në një shtand të improvizuar me rastin e ditës së çlirimit të qytetit ku jetoj, dhe pasi u përshëndeta me te, ma priti:
-Ja, dua të ta dhuroj këtë vepër timen!
Iu falënderova, dhe pasi u nisa për në punën time, e shikova titullin: “Pse shqiptarët nuk kanë mend”! E lexova disa herë titullin, dhe thashë:
-Eh, sa kopil është njeriu ynë...
Më pëlqeu bukur shumë titulli i librit...! Kaq. A, biseduam mjaftë?!
Pyetja: Ju faleminderit. Suksese në jetë e në krijimtari.
S. Berisha: Ju faleminderit për respektin. Sukses edhe Juve në punë dhe në afirmimin e vlerave shpirtërore dhe kulturore të kombit.