E premte, 25.06.2021, 05:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Individi-shoqëria dhe shteti në fokusin e shkrimtarit Ylli Hoxhaj

E hene, 18.07.2011, 07:59 PM


Individi-shoqëria dhe shteti në fokusin e  shkrimtarit Ylli Hoxhaj.

 

Nga Kujtim Mateli

 

Ka disa vite që poeti dhe shkrimtari Ylli Hoxhaj, ka tërhequr vëmendjen e lexuesit me poezitë  e tij të arrira dhe tani së fundi edhe me një vëllim të përkryer me tregime e novela. Në krijimtarinë e tij rroket e tërë hapësira shqiptare me tematikën e problemeve që shoqërojnë vendin tonë në periudha të ndryshme të historisë së tij. Autori është i shqetësuar nga fenomenet negative, të cilat e frenojnë zhvillimin e një shoqërie, dhe sidomos tonën, e cila ka arritur deri në këtë shkallë nëpërmjet vështirësish e sakrificash.  Autori, edhe kur shkruan për të shkuarën, e sheh atë duke e fokusuar nga e sotmja, bën lidhjen midis ngjarjeve e epokave të ndryshme të historisë dhe nëpërmjet personazheve, nxjerr konkluzione të rëndësishme politike e filozofike për brezin e sotëm, që  disa fenomene negative të së shkuarës të mos përsëriten më. Ky është edhe motivi që e bën atë herë–herë të jetë i ashpër duke e fshikulluar realitetin e kohës në të cilin jetojnë personazhët e tij. Përballë një realiteti të hidhur e të ashpër që përfaqësohet nga zyrtarë që shkelin moralin e një shoqërie për hir të interesave të tyre vetjake, por edhe si përfaqësues të shtetit, autori vendos njerëzit e thjeshtë që janë vërtet shpirti i një shoqërie dhe që nuk zmprapsen  përpara sakrificave. Të tillë karaktere ka skalitur Ylli Hoxhaj në librin e tij të fundit me tregime e novela “Deri te kloni…”, i cili  erdhi si dhuratë në duart e lexuesit.

***
Autori ka ditur të kapë dhe të trajtojë me mjeshtëri një problematikë të rrokur pak në letërsinë tonë. Është ajo problematikë që ne shpesh i bëjmë pyetje vetes: pse marrëdhëniet e mia mbeten përherë të vështira me shtetin dhe pushtetin?
Këto janë  marrëdhënie që kapin sferën më të madhe dhe më të ndërlikuar  midis marrëdhënieve të tjera që individi lidh me shoqërinë, me familjen e vet, me mjedisin, me profesionin, me dashurinë, besimin etj. Mbi të gjitha, ato më të mistershmet, atyre që individi u jep një përgjigje të mjegulluar, janë raportet e tij me shtetin. Janë këto marrëdhënie, që për të janë më pak të suksesshmet. Pikërisht këto marrëdhënie kaq të ndërlikuara trajton në librin e tij “Deri te kloni…” mjeshtri i fjalës artistike, duke dhënë para nesh një hapësirë të re.  Megjithëse autori shkruan, punon dhe jeton në hapësirën Juglindore të Shqipërisë, vepra e tij trajton problematikën që ka patur dhe ka e gjithë hapësira shqiptare dhe më tej.
Kjo ndodh se arti ka përmasa universale që edhe pse shkruhet për një segment të caktuar kohor dhe në një vend të caktuar, i drejtohet qënies njerëzore kudo që të jetë. Arti i vërtetë i drejtohet shpirtit njerëzorë dhe ai e gjen atë shpirt kudo, duke u lënë mesazhe të rëndësishme edhe brezave pasardhës. Kjo ka ndodhur edhe me shkrimtarin Ylli Hoxhaj dhe ndodh me të gjithë krijuesit e vërtetë.
Ky libër shënon një arritje të re dhe e vendos autorin e këtij vëllimi, poetin dhe prozatorin e mirënjohur Ylli Hoxhaj, midis atyre autorëve që i kanë sjellë vlera dhe risi letërsisë shqiptare. Autori ka pasqyruar me realizëm jetën shoqërore duke e prurë të djeshmen sikundër ishte: një realitet që gjymtohej, sepse kishte devijuar nga lëvizja e përgjithshme e shoqërisë njerëzore; kahu i lëvizjes nuk ishte në drejtimin e duhur dhe si rrjedhim, la për shoqërinë shqiptare një shije jo të mirë, duke e rrotulluar kot në të njënjtin vend dhe pa rrugëzgjidhje. Autori nuk mbërthehet nga ndjenja e trishtimit për atë që nuk funksionoi si duhet dhe që shteti nuk arriti të bënte më të mirën për njerëzit.
***
Arti nuk është si etiketat që u vihen përsipër ambalazheve “Djath Përmeti” “Mjaltë Çajupi” e me radhë dhe ku blerësi kërkon përputhjen e etiketës me mallin që ka brenda. Nuk dua të mohoj që është origjina e autorit që  i vë vulën krijimtarisë së tij, por një vepër nuk do të ngrihej në nivelin artistik, nëse ajo nuk do të trajtonte atë shqetësim që ka e gjithë shoqëria shqiptare dhe shoqëria njerëzore në përgjithësi.
Në tregimet dhe novelat e vëllimit “Deri te kloni…”  kemi të trajtuara raportet e individit me shtetin, apo të indivit dhe të shoqërisë me shtetin dhe zyrtarin e shtetit.
Tek novela “ Lulekaçet” na jepet drama që kalon njeriu i thjeshtë, të cilin pa kurrfarë faji kërkojnë t`ia degradojnë personalitetin e tij deri në ekstrem. Historia njerëzore dhe në veçanti historia e shoqërisë shqiptare, është e mbushur me shembuj të shumtë ku shtresat e varfëra janë shfrytëzuar dhe trajtuar në mënyrë jonjerëzore, dhe kjo mënyrë sjelljeje, ka lënë gjurmë në vetëdijen e një kombi, në rastin konkret atë të shqiptarëve.
Personazhi kryesor i kësaj novele, Ramadan Jaho, përfaqëson atë shtresë të shoqërisë që u burgos dhe u dënua  me ligje që ngriheshin mbi absurdin, që e ardhmja u mjegullohej pas hekurave të burgut, pas heqjes së Kartës së Frontit, pas shpalljes kulak, sabotator, armik. Armik pse?
Sepse guxoje të pyesje, të thoshe atë që mendoje.
Në novelë shpaloset me realizëm tipari më çnjerëzor që një shoqërie mundën t`i modifikonin në trupin e saj. Personazhit kryesor i ka vdekur aksidentalisht nipi, po nuk mund të shkonte në varrimin e tij.
Shkaku?
Biografia. Nuk shihej me sy të mirë nga pushteti. Disa gjëra nuk mund t`i gëzonte si gjithë të tjerët. Distanca, midis atij që i gëzonte privilegjet e pushtetit deri në maksimum dhe atij që i mohoheshin po deri në ekstrem, bënte dallimin midis njeriut të partisë dhe armikut të partisë. E gjithë shoqëria merrte frymë midis këtyre dy ekstremeve. Njeriu i partisë, njeriu i “kulluar” përbënte etalonin e njeriut të kohës. Ai mund të ishte anëtari i byrosë politike e deri në distancat më të ulta të partisë e pushtetit.
Armiku i partisë ishte ai që nuk gëzonte asnjë privilegj. Këta përbënin atë radhë njerëzish që edhe bukën kur e  hanin duhet ta shihnin si akt mëshire që tregonte partia ndaj tyre. Ndryshe ditë më të zeza mund të projektoheshin për ta.
Midis këtyre dy ekstremeve rropullitej shoqëria shqiptare. Ishte ajo që përbënte shumicën e shoqërisë, asaj që nëpër podiume i thoshin: “masat e gjera të popullit”, ishte turma laramane komunisto-balliste, turma me cene në biografi, ku një pjesë e saj synonte të ngjitej atje ku shoqëria ishte e “kulluar” ndërsa pjesa tjetër e përbuzte atë deri në neveri.
Shumica e njerëzve rrëshqisnin duke lëvizur në një terren tepër të të rrezikshëm. Gjithë ditën ëndërronte i varfëri njeri të futej në shoqërinë e purokomunistëve, ndërsa në mbrëmje, kur kthehej nga puna, e gjente veten në një mbledhje fshati a lagjeje se do t`i hiqnin triskën e frontit. Ç`mendonte i shkreti njeri e çfarë mendonin të “tjerët” për të. Mëngjeseve ëndërronte të ngjitej në “parajsë” e mbrëmjeve e gjente veten në ferr.
Në këto situata e gjeti veten edhe personazhi i novelës “ Lulekaçet”, vetëm pse kishte guxuar të pyeste. Të pyeste se donte të shihte përtej asaj që nuk dukej në horizontin e mjegulluar. Të pyesje(sigurisht përtej klonit…) ishte mëkati më i madh që mund të bënte njeriu.
***
Po a është mbyllur përfundimisht dënimi që merrte  njeriu, se guxonte  të pyeste? A mund ta pyesë nëpunësi i thjeshtë ministrin e sotëm për shpërdorimet e tij me detyrën?
Nëse dje mund të përfundoje prapa hekurave të burgut, sot sa të jetë klasa e tij politike në pushtet, nuk e sheh derën e zyrës ku ke punuar dhe as të ndonjë dikasteri tjetër.
Tregimet e novelat e shkrimtarit Ylli Hoxhaj sa janë të ashpra me personazhët e djeshëm që abuzonin me detyrën dhe shtetin, po kaq të ashpra përqasen me realitetin e sotëm, me ata përfaqësues të shtetit që nuk iu përgjigjen interesave të kombit tonë, po e shohin atë nga dritarja e vogël e interesit të tyre vetjak.
Autori ka skalitur një sërë personazhezh që të mbeten në mendje, ndoshta edhe përgjithmonë. I tillë është Ramadani, djemtë guximtarë Lami dhe Shyqua, personazhet e novelës “ Lulekaçet”.
Ylli Hoxhaj, ashtu si në poezi, na dha një vepër të përkryer, tregime e novela të arrira artistikisht, një galeri personazhezh që pasqyrojnë qartë periudhën në të cilën jetuam.
***
Tregimi  “ …në pikën e këputjes”, na jep një personazh tepër interesant, njeriun e lidhur me vendlindjen, i cili nuk largohet prej saj edhe kur gjendet në vështirësi ekonomike dhe mosha e thyer e bën të pamundur qëndrimin e tij në fshat, në vendlindjen e tij.  “Nuk lëviz prej këtej,- u thoshte babai të bijëve. Vdekjen e dua këtu, varrin si të vijë puna.”.
Nuk lëvizi nga vendlindja edhe kur ekonomia e vogël fshatare u përfshi nga “tufëzat edhe “arëzat”.  Po edhe në këto kushte, njeriu i lidhur në shekuj me tokën dhe vendlindjen e tij, nuk u ligështua, megjithëse e ndiente se ishte goditur në pikën e tij më delikate, tek nderi i familjes, nuk mund të priste e të përcillte mysafirë si dikur, i mungonte dhe ajo më elementarja: një gotë qumësht a dhallë për atë që i shkelte në vatër. Ata që i mblidheshin në vatër, vështronin fytyrën e plakut,
 Ç`thoshte ai vështrim orakullor që kishte heshtur dhe nuk bëzante? Çfarë u thoshte për ditët që do të vinin? Si ta lexonin të afërmit e tij atë heshtjen e gjatë dhe fytyrën që nuk i lexohej një dritë shprese?
Po plaku i urtë e i mençur e jepte mesazhin e vet jo me fjalë, po me gjeste: ashtu si Orakulli i vjetër i Amonit dhe i Dodonës në kohët më të hershme të tyre. Kur në festivalin folklorik të Gjirokastrës u këndua kënga: “Ç`u këput një këmbë mali”, plaku 95-vjeçar iu drejtua të pranishmëve që ishin mbledhur rreth tij dhe u bëri me kokë të dëgjonin atë që fliste nga ekrani. Një këngë e moçme e kishte parashikuar gjëmën që u kishte ndodhur atyre: një këmbë mali ishte këputur.
Pse? Edhe këngëtari popullor kishte frikë të fliste me fjalë. Edhe ai fliste me gjeste. Ata që  shoqëronin këngën  nxirrnin vetëm tinguj të mbytur: oreee, oreee.  ëhëëëë, ëhëëë.
***
“Gropa e syrit të verbuar” na jep një fakt real duke na treguar se për të denigruar figurën e një të riu, meqënëse nuk kishin se ku të mbështeteshin, përdorën si provë bibliotekën e vogël të babait të tij, libra që ruheshin mbi një gjysmë shekulli, në atë fshatin e vogël malor me emrin Bregas.
Sekretari i Rinisë së rrethit, duke qenë mik tek sekretari i rinisë së fshatit, zbuloi në njërën nga kamaret e shtëpisë, bibliotekën e vogël të familjes: aty ishin libra që kishin ardhur që nga Amerika, libra të shoqërisë “Vatra”, ”Qerbelaja” e Naimit dhe plotë të tjera, të gjitha vepra të Rilindasve. Ishin libra të shtypur në një kohë tjetër, jo në epokën e partisë, ndonjëri dhe i ndaluar si “Qerbelaja”. Ndaj dhe Sekretari i Rinisë së rrethit duhej të mbante qëndrim. Si përfundim librat u dogjën, një akt barbar si në kohën e xhonturqve ku digjeshin abetaret e gjuhës shqipe.
Po ç`do të thoshte ky zjarr në atë oborr  të vogël të fshatit Bregas, ku digjeshin njëra  pas tjetrës ato libra brilantë, që të marra ashtu së bashku formonin një këmbë mali në kulturën e lashtë të popullit shqiptar?
Mos vallë ai këngëtari popullor kishte vajtuar këtë këmbë mali me emrin Rilindje…?
****
Duke lexuar tregimet e këtij vëllimi shikon se me sa mjeshtëri shkrimtari Ylli Hoxhaj e krijon personazhin e vet. Ata karakterizohen nga humori i hollë përballë situatave tepër rënduese. Personazhet e tregimeve dhe novelave të këtij vëllimi janë të papërsëritshëm, edhe kur veprojnë në të njënjtat situata. Situatat absurde të një realiteti absurd nuk i mposhtën heronjtë e shkrimtarit Ylli Hoxhaj. Ata janë ngulitur në kujtesën e secilit lexues dhe kushdo e ndien se edhe vetë ka qenë pjesë e situatave të tilla, se si ka rënë në vorbullën e tyre apo u ka shpëtuar falë ndonjë mrekullie që i ka ardhur jashtë qënies së vet. Lexuesi kujton se një herë në jetën e tij i ka kaluar kësaj gremine ku mund të rrëzohej. Drithërohet kur mendon se mundi të shpëtojë apo rrënqethet kur kujton se u rrëzua bri tyre dhe nuk mundi të ngrihej...
Proza e shkrimtarit Ylli Hoxhaj është vetë jeta njerëzore. Aty secili gjen veten e vet.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora