E enjte, 25.04.2024, 05:50 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Cikël poetik nga Timo Mërkuri

E hene, 18.07.2011, 07:52 PM


Timo Mërkuri

 

 

Ditë e trishtuar

 

Sot nuk u vra njeri

e megjithatë kjo ditë qe e trishtuar.

 

S’ia ktheva përshëndetjen yllit të mbrëmjes

dhe as trëndafilit s’i fola

rrugës për në shtëpi.

Se kjo ditë më iku kot e s’kam ku e gjej më.

Më iku pa një puthje,

pa një dashuri.

 

 

Plakat e Vurgut

 

Të trishtuara janë plakat e Vurgut,

të trishtuara. Ndryshku i vetmisë

bren ditët e tyre.

 

Mëngjeseve dalin në prag të shtëpive

duke mbajtur në prehër heshtjen,

duke mërmëritur përralla që s’u treguan kurrë

            për nipërit e mbesat lindur në mërgim.

 

Pastaj nisin e flasin me të vdekurit

për motet e shkuara. U tregojnë të rejat

e dhimbshme. Dhe në mbrëmje,

pasi shtrojnë krevatet ku nuk fle askush,

ndezin një qiri.

I luten Shën Spiridhonit

të mos i harrojë më. T’i marrë atje lart

se u janë shterur lotët.

 

 

Zanafilla

 

E para ishte fjala!

... dhe fjalë e parë është “vdekje”.

 

Kështu u lexua ungjilli këtë pranverë

                                     në qytetin tim.

 

Pranverë e hidhur...

Ungjill i trishtë...

 

Unë do të shkruaj ungjillin që flet për dashurinë.

 

 

Viti ‘97

 

M’u kërrusën supet

                        nga pesha e arkivoleve.

M’u thinjën flokët brenda një dite

                        nga lemeria që më panë sytë.

 

Kështu eci drejt Golgotës së jetës

Duke mbajtur peshën e këtij viti

 

                        si një kryq mbi shpinë.

 

 

Skafi

 

Skafi po çan detin

drejt bregut të largët.

 

Moj flutur e puthjes

seç t’u lagën krahët.

 

Skafi ikën, ikën,

lë pas veç një emër.

 

Qiparis i dhimbjes

ç’m’u rrite në zemër.

 

 

Njoftim i zakonshëm

 

Mos i mblidhni guaskat brigjeve të Jonit,

 

këta arkivolë të vegjël

                        të bardhë.

Brenda tyre nuk do të gjeni perla

dhe as shtëpinë e Afërditës.

 

Dhe po t’i vini pranë veshit

                        zhurma që do dëgjoni

nuk është këng’ e sirenave,

                                    ju siguroj unë.

 

Por është klithma e fundit

                        e refugjatëve të mbytur,

që s’arriti dot gjer në shtëpi,

                        por u struk këtu.

 

Mos i mblidhni guaskat brigjeve të Jonit

që u ndrin te koka kandili i detit.

 

 

Trishtim në Ksamil

 

Më zë trishtimi në Ksamil

e dhimbja shket mbi valë.

Portokallet e prera

                        ngjajnë në muzg

si kryqet përmbi varre.

 

Një ëndërr e vrarë

                        nën një limon,

një këngë pa krah

                        nën një ulli...   

 

Dhe një dritë hëne përmbi to

që tretet si qiri.

 

 

Pranvera që nuk erdhi

 

Në qytetin tim

pranvera sivjet nuk erdhi.

 

Lulet rrinë të tulatura

                        mos i bëjnë kurora mortore

e zogjtë heshtin. Vetëm prilli

borë hedh mbi flokët e nënave

ulur në prag të vetmisë

me sytë nga deti.

 

Nuk erdhi pranvera dhe sivjet!

Nuk erdhi.

 

 

Zgjerimi i varrezave të qytetit

 

U shtuan të vdekurit

s’ka më vend në varreza,

për djemtë e porsavrarë u prish muri rrethues,

 

u prenë bungovilet, agaviet,

                        limoni që kuvendonte me detin.

Te hyrja ka mbetur veç  një qiparis.

 

Tani Bashkia diskuton

për varreza të reja.

Në kodrat e Volloderit apo në Berdenesh.

Pse mos t’i bëjmë varrezat

                        në mes të qytetit,

ç’ndryshim kanë të vdekurit prej nesh?

 

Të vrarë ata, të vdekur ne.

 

 

Fshati që vdes

 

Ky fshat po vdes

                        e përmbi të hëna

fshin lot yjesh

                        me shamin’ e reve.

 

Te parvazet e dritareve

                        të mbështetura ferrat

sodisin në oda

                        zbrazëtinë e djepeve.

 

Rrugët i mbuloi bari

                        u hap rrug’ e mërgimit

prej nga iku jeta

                        me hallet

                                    dashuritë.

E trishtuar hardhia

                        në oborrin e shkretuar

mbështet pëllëmbën e gjetheve

                        në tëmthat e çatisë.

 

 

Ditë marsi, ora tetë

 

Kjo ditë Marsi dhemb

si plagë e porsaftohur.

 

Lulet që çelin, më kot

e mbështjellin si fasho,

 

se ora tetë i mbeti

si plumb i mbetur në brinjë.

 

Ndaj dhemb kjo ditë, kjo orë

kur skuqi trëndafilin gjaku.

 

 

Ode për këtë liri

 

Liria më goditi si tokmak në kokë

e më la në mëdyshje më keq se diktatura.

 

Vërtet pas këtij shtegu s’më kanë zënë pritë

që të ma ngrijnë emrin mbi një pllakë mermeri

dhe kjo e përpjetë a s’është Golgota ime

ku do më kryqëzojnë shpresën a dashurinë?

 

Ku i kam shokët e miqtë, apo u bënë armiq

apo unë u bëra armiku i miqve?

 

* * *

 

Vërtet nuk është një ëndërr që ikën bashkë me agimin

kjo liri që më ngujoi në dyshim e dhimbje?!

 

 

Kisha një mbesë që më thoshte

 

 Polinës së vogël

 

... se yjet janë trëndafila të bardhë

çelur në lëndinat e qiellit

 

dhe meteorët janë karafila

që zoti ua hedh njerëzve që do.

 

Po mblidhëm ti për Barbin një tufë yje

ose së paku tre-katër meteorë...

 

* * *

 

Kisha një mbesë të vogël që s’e kam më...

Te cili yll, vallë ta kërkoj?

 

 

Dreka

 

Sot për drekë kisha kokën e një miku të vjetër.

 

                                    * * *

Sa mirë dimë t’ia hamë kokën njëri-tjetrit.

 

 

Këngë e arrestuar

 

Mbrëmë policia arrestoi një këngë dashurie

në bulevardin qendror të prostitutave.

 

Urgjentisht sot filloi çështja penale

ndaj kësaj shkelëseje të moralit të kohës.

 

 

Trëndafili i ëndrrës

 

Ndonëse ti s’më deshe

unë s’mund të të urrej.

 

Emrin tënd ua dhashë ëndrrave të mia,

si një fidan trëndafili që e mbjell në shkurt.

 

Vjen marsi e lëshon sythe,

vjen prilli e gonxhet çelin

si një buzëqeshje që të pikon në zemër.

 

Janë të bukur trëndafilat

dhe kur çelin në ëndërr.

 

 

Fjalë dashurie

 

                         Nites.

 

... si petale trëndafili më mbulojnë

dhe ma bënë jetën prill e maj.

 

Ç’trëndafilishte rrit për mua në zemër

pa fund edhe pa anë.

 

 

Lypësat në Sarandë

 

Lypësat, si trëndafila të tharë

rrugëve të qytetit tim.

 

S’të besohet që ka lypësa ky qytet,

që duhej të kishte vetëm dashuri.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora