Kulturë
Poezi nga Vaso Papaj
E diele, 17.07.2011, 06:08 PM
Vaso Papaj
Kronikë kryeqytetase
Një zile e çmendur ore më tremb herët mëngjes
Tirana ende përgjumur, makinat tërë vesë
Kafeja më e hidhur, është kur vetëm pihet
Ndërkohë, tymi i cigares në mushkëri më fshihet.
E marr me ngutje xhinsat, hedhur mbi karrike
Dy grushta ujë syve, që mos të kem dremitje
Flokëve një krëhër dhe gjithçka tani ësht’ gati
E kthej gotën e qumështin, të lënë atje tek rafti.
Ndryshon jeta gjithnjë, më shumë i ngjan betejës
E kam shumë më të lehtë, se gjer tani jam njejës
Por për betejë jam gati, ngjasoj me ushtarak
I ngjitur bark më bark, n’ urbanin për Laprakë.
E për të mos mbetur vetëm, si ëndërr kujtoj seksin
Provoj ca prekjeje dore, çdo prekje m’shton oreksin
Shoferi shfrenon radion. “…njëzetepes’ gërshetat…”
Unë , vajzën pranë përpij, nga koka gjer te themrat.
E zbres te kioska e shtypit, një sy...lajmet e mbrëmjes
E ndonse ngjaj i ftoht,indiferent nuk jam ndaj dhëmbjes
Kronikë e zezë dhe rozë, jepen emër për emër,
Për fatin tim të mire, e kam ende një zemër.
Luftohet në Irak, fëmijë për jetë cunguar
Nga mediat vijnë orteqe lajmesh të shkrumbuar
I ftohtë jam këtë herë, indiferent edhe ndaj dhëmbjes
Një rresht më s’u lexoj kronikave të mbrëmjes.
Ministra të përfolur, të ndjekur nga drejtësia
Dhe britma opozitare: Të ikë qeveria!
Kronikë me shesh beteje, e hedh vështrimin shtrembër
Për fatin tim të mire, e paskam prapë një zemër.
Dhe dielli edhe hëna më vijnë nga prapa Dajtit
Kur kthehem në shtëpi, i them “shpejtohu” hapit
E le të vijnë, të ikin, nuk e besoj të ndreqem
N’urbanin e mëngjesit, pas kthesës do të tretem.
Bie borë
Bie borë
Ti nuk do të vish këtë mbrëmje
Bie borë
Nuk do të shihemi, e di
Qyteti fle, mbulohet me të bardhë
Zemra ime ndrydhet në vetmi.
Bie bore
Nga qielli lehtë lehtë
Në rrugën time të shkretë
Të paktën një zë
E ndjej se po vdes
E ti s’më je pranë
Më kot po të pres.
Këtë mbrëmje nuk do të vish
Më është mbrëmje e zbehtë!
Dhe bie borë, ta dish’
Nga qielli lehtë lehtë.
Periferi
S’ keni qenë kurrë përtej
Një bot’ e re ësht’ duke u lindur
në periferi.
Atje ku edhe qielli është i shpifur
Ku lindja ka shumë dhëmbje
Por ka dhe shumë fëmijë,
Heronjë të vegjël ngjajnë
Bijë të së mundëshmes.
Për një buzëqeshje
i bëjnë luftë së pamundëshmes.
Ndonëse zhele të ndyra mbajnë,
më të mirë se ne do ta kenë fatin
Drejt së mirës do ta mbajnë vrapin
Mes vdekjes dhe jetës do të dine të kapin
Jetën e re
Dhe nuk do të thonë kurrë:Vdekje, ku je?...
Bijë të rrugës janë
Do tu zgjohet një ditë
dëshira e çuditshme për të ikur prapa diellit
Gjersa t’i ngrohë edhe ata
E tua fshijë rrufeshëm dhëmbjen
Me peshqirët e qiellit
Të njoh mirë periferi!...
Të jetosh tek ti, është si të luash kumar
Ku mbrekullia është një bukë më shumë
Me votën e lirë sekserët bëjnë pazar
Ndonëse zgjedhje me standarte…
Hajde, jepi dum.
Je shtëpia ime, periferi
ku gjithçka i ngjan një filmi western
Pluhur dhe varfëri
Këtu s’ka kurrë Krishtlindje,as Bajram,
as Vit të Ri
Mërzia këtu nuk ka mëshirë
Po ka shumë shpresë
Dhe bijtë e së mundëshmes,
ndonëse me zhele, më lenë mbresë.
Më të mirë se ne do ta kenë fatin
Drejt së mirës do ta mbajnë vrapin
Mes vdekjes dhe jetës do të dine të kapin
Jetën e re
Dhe nuk do të thonë kurrë:Vdekje, ku je?...