Kulturë
Vaso Papaj: Rrofsh Durrës!
E merkure, 13.07.2011, 07:57 PM
Vaso Papaj
Rrofsh Durrës!*
I pashë turistët.
Zbritën tek porta e kalasë,
mes vapës në shkallinat e amfiteatrit antik,
atje ku luftohej dikur.
Në vëndin nga vinin ata,
atëherë nuk kish asnjë burrë.
S’ e di nëse duhet të kem turp apo të krenohem,
por gjithsesi,
me korin e durresakëve të mi do të bashkohem
dhe do të thërras: Rrofsh Durrës!
Do të vazhdoj të shijojë peshkun tek Liali në Currila
Të pi raki me qofte, ndanë Portit, te klubi i Kabilit
Kafenë me shokët e fëmijërisë tek Kajzeri nga Vila
Tek Dyqani i Luleve të dëgjojë barcaletat e Fadilit
E të jetojë akoma kohën mes urrejtjes dhe idilit,
duke thirrur: Rrofsh Durrës!
Torra veneciane
sonte tregon histori me të njejtën hënë.
Histori e largët me polake...
Këtu e takova atë turisten flokëverdhë lozonjare,
pikërisht,
dhe këtu këmbyem atë, puthjen e gjatë shqiptare.
E ndërsa më thoshte me zë të ulët:
“Pushimet mbaruan, po kthehem”,
shallin e najlonit më la në dorë...
Sa trishtim të mbetesh me një shall në vetmi!
Një shall,
përkthyer në njëzet vjet qeli.
E prapë të vazhdosh të thërrasësh: Rrofsh Durrës!
Dua të kthehem përsëri tek Sefer Efendiu
Të shoh shtëpitë si kuti shkrepsesh.
Po humbin nën hijen e shumëkatsheve.
E të kujtojë oborret, portat e hapura,
muret me gastare
Dacët pehlivan mbi ta.
Jepnin shfaqje pa pare
Lulet e shegës, jaseminët, karaifilat ngjyrë gjaku
“Mirmëngjeset” dhe “si u gdhitë” të lira fare
Në fund, nënën me fshesë tek pragu…
Dhe prapë të thërras si durrësaku: Rrofsh Durrës!
Dhe do të shkojë, do Zoti, një ditë atje
Do të shpie në Poloni perëndimet e tua tërë zjarr
Aromën e molusqeve të Kallmit
Edhe atë do ta shpie në Varshavë
Me vete, tërë betimet e rinisë do të marr.
Dhe lakuriqësinë e saj,
që akoma më rrëshket nëpër damarë.
Bashkë me shallin, natyrisht,
bashkë me njëzet vjet qeli.
Dhe do të uroj nga larg përsëri: Rrofsh Durrës!
E ndërsa, grupi i turistëve largohet,
dy gjimnazistë, në galeri, te kisha e Shën Stefanit
këmbejnë ndoshta puthjen e parë...
Ç’ puthje e gjatë!?...
Janë shqiptaaarë...
Sa shpresoj që historia mos përsëritet!
Por as mos u harroftë,
tragjedi apo komedi qoftë
Dhe vazhdoj të përsëris me zemër: Rrofsh Durrës!
*Ia kushtoj maturanteve të shkollës Gjergj Kastrioti
në zemër të qytetit. Kanë nevojë të njohin histori
të tilla e prapë ta duan qytetin e tyre.
Zbres...
Zbres nga qafë e Llogarasë
Me malin rrotulluar
M’ dukej sikur atje lartë
Zotin e keshë qafuar.
Ika Zot, nuk dua frone
Po zbres poshtë në det
S’dua t’ jem një Al Kapone
Jam vetëm poet.
Dua det, ta çaj me krahë
E mbi rërë të zhgërryem
Atje lartë ka vetëm gjah
Gjahun kam urryer.
Ah moj rruga dredha-dredha
Lavire me naze
Një here zbrita, zbritur mbeta
S’doja kamikaze.
Zemër, Zot, ti më ke falur
Shpirtit m’i dhe paqe
N’ rrugën tënde s’kam të ndalur
Por pa puthur faqe.
Ku po shkon Martin?!...
I zbehtë e me mëndje mpirë
Ku po shkon kështu Martin?...
Në buzë një qeshje naive
Në sy, për çdo gjë, dyshim
Çfarë kërkon të dish ti sot?
Merr besniken, çifteli
Dhe këndo, këndo me lot
Kënga është një hajmaili
Ja, lotove buzagaz
S’ pyet njeri për lot rrëke
Dhe dëgjo, për asnjë çast
Mos kujto kohën që qe
Edhe ty do të t’ thërras
N’ recitim, farsa e re.
Moshatarë , Martin, si ti
Fluturojnë, nuk humbin rastin
Kërkojnë vetëm kënaqësi
Duan të gëzojnë veç çastin
Hidhu, shokët të thërrasin
Shkoji pas ritmit të tyre
Nëpër pub-e ëndrra ngasin
Sonte duken porsi yje
Ku po shkon kështu Martin?...
Në u lodhe, kurrë mos fli
Zer këndo një këngë, çfarë pret
Me besniken çifteli
Edhe ty po të thërret
Farsa e re në recitim.
Ecën koha, mos dremit
Qetësia është vrastare
Është e shtrenjtë edhe një ditë
Ndryshe prap’ kthehesh në male.