Kulturë
Flet piktori Aleksandër Dragoti: Sot piktura quhet një profesion elitar
E merkure, 13.07.2011, 06:43 PM
Piktura është magji, është një art që të mbërthen
Nga Albert ZHOLI
35 vjet në profesionin e piktorit ai nuk i mban mend pikturat e tij. Rrjedh nga një familje intelektualësh nga fisi me emër i Dragotëve tepelenas fama, e të cilëve ka shkuar deri në SHBA. Sigurisht, emri i Sten Dragotit tashmë është publik në gjithë botën, takimin me të cilin Aleksandri e përmend plot emocion. Aleksandri ka qenë ndër të parët që mbështeti lëvizjen studentore, por me kalimin e viteve ai ngeli i zhgënjyer nga rrjedhat e demokracisë shqiptare dhe nga politikanët shqiptarë që kanë drejtuar për 20 vjet këtë politikë. Për këtë arsye ai emigron në Greqi, ku ka punuar si restaurues i shumë veprave të artit kishtare dhe si piktor me porosi. Sot ai punon në profesion të lirë ku në atelienë e tij në çdo kohë gjen vizitorë, miq, klientë, të cilët ai i prêt me buzëqeshje
Çfarë përbën emigracioni për Aleksandrin?
Një eksperiencë e bukur. Një eksperiencë edhe me vuajtje, por që të jep shumë tjetër mendim për jetën, për botën, për respektin ndaj punës, për miqësitë. Emigracioni është një shkollë me vete. Ika në Greqi kur pashë se demokracia shqiptare nuk funksiononte sipas modelit tim dhe sipas asaj kërkese popullore që u shpreh në dhjetor 1990. Pra mbeta i zhgënjyer nga demokracia.
Si vlerësohej piktura në Greqi?
Vlerësohej dhe shpërblehej. Dihet që Greqia është një vend me traditë të lashta në këtë fushë, është një vend ku piktura vlerësohet po ashtu dhe piktorët. Por Greqia ka një fushë të gjerë në afresket murale kishtare apo pikturat murale të shenjtorëve. Pikërisht, në këtë fushë kam punuar për një kohë të gjatë, ku jam ndjerë i vlerësuar. Kishat greke janë të mbushura me afreske dhe piktura që të befasojnë. Restaurimet e tyre janë një kulturë me vete.
Kur jeni kthyer shihni ndonjë ndryshim në politikën shqiptare?
Them se jo. Shoh një politikë të ashpër. Një politikë të plot inate, mëri, grindje, zënka, ofendime. S’guxon të çosh televizionin në parlament se shikon se aty gjen fjalorin më të ulët që nuk e gjen në asnjë rrugë, sokak, ambient tjetër shqiptar. Aty gjen zhargone që s’të bën të shohësh televizor me familjen. Ata që duhet të jenë shembulli i etikës në bisedë janë bërë përdoruesit më të këqij të shqipes së bukur.
Ç’është për ju piktura?
Është vetë jeta. S’mund të rri asnjë çast pa penel në dorë. Punoj me orar të zgjatur pasi kur marr penelin ai ta humb nocionin kohë. Piktura është magji, është një art që të mbërthen. Kur zë me dorë një pikturë harrohem dhe mund të më ndajë nga peneli zilja e celularit ardhja e ndonjë miku, apo pjesëtarët e familjes. Kur nis një pikturë dua ta mbaroj sipas idesë time, mendimi më gërryen dhe n.q.s do ta lë më duket se mendimi do të më iki. Disa herë jam harruar deri në mesnatë. Kjo atelie e thjeshtë është vetë jeta ime, vendi, ku lindin dhe zgjohen ëndrrat e mia.
Ju rridhni nga një familje patriotike, nga rrjedh fisi i Dragotëve?
Me origjinë jemi nga Tepelena, nga ai vend plot male dhe shkrepa me njerëz, të ashpër, por krenarë, të dashur, bujar, por shumë patriot. Në këtë vend kanë lindur heronj të përmasave kombëtare që koha ju ka dhënë vendin që ju takon. Babai im ka qenë ushtarak deri Ministër në vitet e para pasluftës dhe mësimet e tij i ruaj dhe sot e kësaj dite në kujtesë. Sten Dragoti është djali i xhaxhait tim që edhe pse i lindur në SHBA, asnjëherë nuk e harroi vendin e të parëve. Jam krenar që jam tepelenas dhe nga fisi që mbaj mbiemrin.
A vlerësohet sot piktura në Shqipëri?
Ende jo. E them me bindje ende jo. Nuk është krijuar ajo kulturë që piktura të jetë e domosdoshme në çdo familje, çdo shtëpi. Kjo për shumë arsye. E para se pse s’kemi pas një traditë shekullore, por dhe se jemi një vend i varfër ku shumica ende se kanë mundësinë ekonomike që të kenë një pikturë të shtrenjtë në shtëpi. Sot piktura quhet një profesion elitar dhe kërkohet apo blihet vetëm nga intelektual apo familje të kamura.
A ka konkurrencë mes piktorëve dhe a mund të jetohet sot me pikturë?
Konkurrenca është bërë e madhe, pasi jemi dhe një vend i vogël. Është rritur numri i piktorëve cilësorë, pasi duhet thënë se Shqipëria ka nxjerrë piktorë shumë të mirë që respektohen kudo në botë. Për këtë arsye piktorët kanë emigruar. Aktualisht, është shumë e vështirë të jetosh me pikturë. Shpesh herë jemi të detyruar të ulim çmimet pasi dhe fuqia blerëse është e vogël. Piktori sot mundohet të mbijetojë duke nxjerrë nga duart vepra arti të mrekullueshme që asnjëherë nuk marrin vlerësimin që duhet.
Keni menduar të merreni me politikë?
Dëgjo. Është një pyetje interesante. Unë thashë që në vitet e para të demokracisë isha ndër të parët që dhashë ndihmën time, që mora pjesë intensivisht në proceset demokratike, që doja të bëheshin ndryshime në atdheun tim. Por u zhgënjeva. Politika s’është për artistin apo më mirë të them politika shqiptare nuk e do afër dhe nuk e respekton sa duhet artistin. Artisti është i ndjeshëm, i ndershëm, sensibël që nuk i duron dot padrejtësitë. Besoj se, s’mund të ndodh që një artist do të mund të bëjë korrupsion. Ndaj tashmë politikën e shoh si një pozicion që s’ka asgjë të përbashkët me mua, me artin. Piktori është artist që ka të tjera ndjesi për jetën, punën, respektin. Edhe pse kam kërkesa, nuk do rreshtohem në asnjë formacion politik, por do ndjek me vëmendje dhe do jap kontributin tim me art, me debat, në favor të demokracisë së vërtetë në Shqipëri.
Ç’është dashuria për Aleksandrin?
Është ajri, ku njeriu shpreh ndjenjat më të bukura të shpirtit. Ajo është piktura më e bukur e ndjenjës njerëzore.
Problemi më i madh i shoqërisë së sotme shqiptare?
Papunësia dhe divorcet.