Kulturë
Blerim Rrecaj: C’po bëjmë për atdheun?
E diele, 10.07.2011, 07:58 PM
Blerim Rrecaj
C’po bëjmë për atdheun?
Shprehjen e famshme të komunikatave të policisë “hetimet vazhdojnë” mund ta zëvendësojmë me shprehjen “shqetësimet vazhdojnë”. Sa për t’ia nisur e pëshpëritur diç për ngjarjet, rrethanat, gjendjen e rëndë ku jemi katandisur. Ilustrimet për parregullsitë, mbrapshtitë, pakënaqësitë janë vargonj të gjatë, të tmerrshëm që zgjaten e nuk kanë fund. Dhe të gjitha këto janë si një “dush i ftohtë” dhe “shuplakë e fortë” për shpresat që na rigjallërohen ndonjëherë nga entuziazmi për atë që e quajmë rimëkëmbje, (ri)zgjim, vetëdije njerëzore e kombëtare. Lodhja me plogështinë na mbërthejnë aq fort sa që vetëm vetmevete përsiasim duke kujtuar atë që s’do të dëshironim as të na endej nëpër mend të cilin e quajmë “dështim i madh, i tmerrshëm,i frikshëm, i turpshëm, i pafalshëm” a kushedi si do ta emërtojmë e ndoshta do ta krahasojmë me “ikjen e një treni”. Sillemi e pështillemi duke u kujtuar për trazimet, shqetësimet, moslirinë dhe fatin e atdheut tonë që here-herë duket që po merr rrugë të mbarë e drejt zgjidhjes së kahmotshme të problemit kombëtar. E shqetësimet e shtresuara vazhdojnë se ç’mund të ndodh nga çasti në çast, nga ora në orë dita në ditë…Kush mblodhi mend e e pa veten e gabimet e veta e kush vazhdon avazin e vjetër a të ri duke vënë mina bash sikur armiqtë nëpër trollin e atdheut që përveç rrezeve të vakëta të shpresës ende s’po sheh dritë me sy. Nuk do të merrem shumë me ilustrime e me emra keqbërësish a me shembuj sepse lista do të dilte e gjatë me mprapshtitë që duken e s’duken e (ri)gatuhen gjithandej. Zë i atdheut s’dijmë me saktësi se nga vije, nga varre dëshmorësh a nga ushtima e lumenjve, nga fundi i detit a nga yjet në qiell po ai zë po jehon: Dilni përballë të keqes!