E premte, 18.06.2021, 02:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Mehdi Krasniqi

E shtune, 09.07.2011, 06:12 PM


Mehdi Krasniqi

 

 

HISTORI E TRILLIMIT

 

Kujtova të të marr nga fjalët,

Lavrat dhe mbjelljet në sipërfaqe të shpirtit

Gjeta kroje të shterrura, krokodilë në komë

Bretkoca zështerur, gjarpërinj truplidhur nyje

Shtriga dydhëmbëshe në mriz zane

Mi qorra të rënë në kurtha moderne

 

Kambana në majë bjeshke merrte frymë thellë

Litari e kishte kapë për fyti, s’e lëshonte prej frikës

Mos të mbërrijë në kohën e duhur udhëtari i nemur

Të shprëndahet e qetë turma në qytetin pa lumë

 

Zoti pinte duhan bozhuri ulur këmbëkryq

Vizantonte në letër portrete profetësh

Kruante veshët me krane të thata

E sytë i fërkonte me gishtat zhytur në ngjyra piktori

Me buzëqeshje zori shante njeriun e butë...

 

Bota sillej në hell si derr i lyer me vaj ulliri e verë të kuqe

Sillej si macë e mbyllur në dhomën e shkrimtarit

Merzitur me fjalë që lexojnë njëra-tjetrën në libra fletëshkyer

Pastaj vdes si do shkrimtari në historinë e trillimit

 

 

KUJTOJ SI NUK DO  TI

 

Në vitin 1973,

Spiuni mund të ketë qenë në mes nesh

Mund të ketë shkruar ndonjë libër me tregime

 

Në vitin 1974,

Gjithë natën e parë të shtatorit

Më bastisën, s’bën tjetër gjë,

Pos më lanë pa gjumë

 

Në vitin 1981,

Tentuan të m’i mashtrojnë fëmijët me çokolada

Deshën të dinë drejtimin kah mund ta kem fshehur librin

Atë librin që e solla tinëz nga Tirana

 

Në vitin 1991,

Ma bastisën gjithë lagjen

Hynë edhe në biruca minjsh

S’gjetën asnjë gjurmë as qentë më të zgjedhur

Në shenjë revolte m’i helmuan fëmijët në shkollë

 

Kujtoj si s’duash ti në vitet tjera

Shërbëtor, fytyrëpalarë, gjakgjupi

S’ka më kthim në ato seri

Mbaroi dhe drama e ekzodit

 

 

LETRA E USHTARIT

 

Nën e dashur, atdhe

Nëse në malin e hartës sime

Të rralluar i gjëni lisat

Mblidhni gjymtyrët e trupit tim

M’i sillni në përvjetor, m’i mbillni

 

Nuk dua të më përuleni

As me lot e fjalë të mëdha

Lumin që më ecë skaj varrit

Mos ma turbulloni, paçit mëshirë

 

Ata që derdhin lot tek pushimi im

Le të mos vijnë herën tjetër

Edhe në qofshin fëmijët e mi

S’më duhen gjë, as të më kujtojnë

 

Emrin tim e ka atdheu, asnjëri prej jush

Mos ndërtoni gjë sipër varrit tim,

Ma lini një pëllëmbë tokë sa për shkabë flamuri

Kaq hise i kërkoj atdheut tim, nënë e dashur

 

 

U THYE BRENDIA IME

 

S’mbahet më për ashtin e jetës

I ranë muret për tokë

Nënshkroi detyrimisht disfatën

 

Lëkura e mbuluar me ca qime

U dogj në rreze dielli

Si copë mishi e gjallesës së zënë në gjah

Prandaj, edhe kjo u tha dhe ra

 

U thye brendia ime

Si krane e thatë

I paskam qëndruar jetës besnik pafuqi

Dhe zoti kurrë nuk më paska treguar

 

Mos i qofsha falë

Ditëve të zisë që i shpall dekreti

Se dekreti më hëngër gjersa vetë mbeti

Ai u deh dhe qeshi

Teksa shkelte mbi plagët e mia

Që skurronin gjak të gjallë

 

 

KAM FRIKË FAJIN

 

Mbetesh fajtor kur je i gjorë

E para syve ta hanë lëkurën

Mizat e mrizit

 

Fajtor mbetesh

Nëse s’ia gjurmon trupin gruas

Dhunshëm nëse e dehë

 

Fajtor mbetesh

Nëse nënës ia numëron kafshatën

E pleqërisë së saj ditët

 

Mbetësh fajtor i mjerë

Po ia drejtove gishtin babit

Po ia mbylle fjalët në kafaz të qyqes

 

Më vjen për të qarë

Kam frikë se gaboj  kur të qorrohem

 

 

MËRZITJE

 

Më shkon mendja

T’ia lidhi nyje këmbët shpirtit

Por s’e arrijë në gjurmë

 

Natën s’guxoj të jem vetëm pa dritë në shtëpi

Hija çohet e më kafshon si qen i qartur

Druaj kam dhe pak ditë shpresë shpirtthyer

Pastaj më kërkohen gjurmët e ADN-së

Në bjeshkët e nemura.

 

Më lodhin fjalët që më rruajnë terur

Ato fjalët që ma hanë prapanicën

O zot më falë që shkruaj kaq pis

E që po mendoj kaq zyrtarisht

 

 

GJURMËS

 

I vë zjarrin lisit të vjetër

Më tkurret tuma

Njeriu im, lidh kalin e tij,

Qenin e tij, macën e tij,

Për trupin e fillit

 

Hije i bën vapës, mashtrohet njeriu udhëtar

I lodhur lodhet dhe më tej së pushuari

Hanë vetvetën kafshatë-kafshatë

Mbi atin e tij lë bërllogun në qese

Pështynë,

Mbi trupin e tumës

Ia fikë shpirtin me thembër cigares

 

Kam drojën

Se eshtrat do të ikin natën një ditë

 

 

MË FAL

 

Më falë, o zoti im

Nëse të shaj në secilën ditë

Dhe nuk lutëm më për ty

 

Ashtu si po thonë, është...

Vuaj në ndërgjegje të krimbur

Me shpirtin duarlidhur

Por nuk falëm si gjë e falur

Dhe s’jepem si leckë për t’u lëpirë

Edhe pse hahem gojë-gojë ditë për ditë

 

Më falë, që po guxoj të të urrej

Me vetëdije e di që s’i bëj ballë fuqisë sate

Kaq shpirt sa kam

Vertikal do të qëndroj besnik i tradhtuar

 

Nëse më je aq burrë o zoti im

Shfaqu një ditë dhe thyej me grusht

Këtë kore të hekurt, hapi pak rrugë dritës

Rrënoje tërë mbindërtimin e bërë mbi shpirtin

 

 

LETËR ME RASTIN E NDARJES

 

U ndamë aty ku u pamë, andaj me vie turp që u shamë dhe asnjeri nuk derdhëm pikë loti, as në sy nuk u shikuam.

E tërë shpresa thuajse u verbua, u bë qorr pikëllimi, rezistenca e shpirtit ra në gjunj para medikamenteve.

Bashkë me kohën të kam përtypur si një çamçakëz. Ta kam zhgarravitur historinë si macja miun e lodhur.

Në buzët tua, në flokun tënd gjurmët e shtrëngimeve të duarve të mia do të mbesin edhe për një kohë kujtim i padëshiruar.

Përrallat që më përgjumnin në kraharorin tënd, më lanë, e teksa ranë zunë e qanë.

E dashur, nuk them të kthehesh pas plagës dhe të më torturosh sërish në këto pak ditë të jetës.

Dua të më harrosh duke më urryer si një fëmijë të huaj, si një varr të ushtarit që bie në tokë të huaj.

E di që, do të shlyejmë gjithë emrat, gjithë fjalët, që i vumë në lisa të pafajshëm; bëmë keq që i thamë sëgjalli duke ua gërrithur lëkurën. Mëkat të thahen për ne ata lisa me ato gjethe të bukura, me ato hije flladi.

E dashur, kjo botë e çmendur le të numërojë, pastaj mua të më gjykojë e ty të të mbajë peng, asgjë nuk bëhet, serish armiq të dashuruar do të mbetemi.

Plagëve u rrjedhë gjaku, e kthimi vdes i trishtuar diku larg në mes nesh i hamendur cilin ta kërkojë...Nuk po të shkruaj më shumë, sepse kam frikë se me sosen gjithë fjalët e  fjalori varfanjak s'me duhet gjë.

 

E dashur, me mall i yti i ditëve të kaluara

 

Carrallukë, qershor 199X

 

 

 

DESHIFRIMI I VETVETËS

 

I bie duarlidhur kitarës sime

Nga burgu ikin vargjet e poetit gueril

Thyhet në copa këngë e ndaluar

Nxjerrë ofshamë flakërimi refreni në natën e trazuar

Shpirti rri i lidhur si qen dhe i turret hijeve që zihen në xham

Mërzia ndien frikë, gropos të fshihet thellë në mua

Lugatët protestojnë sheshit me qirinj në dorë,

Djegin dhe thyejnë dyqane, vjedhin qefina

Intelekti pi duhan me afat të skaduar, ha fara të kungullit të vjedhur

Pastaj i mbështjell lozët për qafe si medaljone

Lexon gazetat me llupë qorrash, të vdekurve ua numëron datëlindjet

Unë rritem nën hijen e frikës duke e shikuar tinëz diellin

Ende s’e kam prerë flokun e barkut, gërshërët e dryshkura ishin kapur për tehi

As dhëmbët s’më ranë nga shkundja teksa polet e jetës u rrahen me grushta

Më vjen keq që nuk po arrij ta deshifroj edhe më tej vetvetën

Mjeran marr gradën në matematikën e sintaksës sime



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora