Kulturë » Kozeta
Keze Kozeta Zylo: Gryka e Mezhgoranit gjithmonë do të ushtojë
E hene, 04.07.2011, 07:59 PM
Ne Gryken e Mezhgoranit, gurgullon Vjosa
Gryka e Mezhgoranit gjithmonë do të ushtojë
Nga Keze Kozeta Zylo
Oshëtima e Grykës së Mezhgoranit do të jetë në rezonancë të përhershme me zërin e Akademikut Ushtarak Asim Zenelit, tenorit shqiptar Mentorit Xhemalit që interpretoi aq fuqishëm vargjet e poezisë “Një zë po del nga grykë e Mezhgoranit” të shkrimtarit të mirënjohur Qamil Buxhelit.
Por ndërsa jehona e një zëri të zakonshëm përplaset shpateve dhe herët a vonë nis e shuhet zëri i këtij heroi me mendje të thellë, ndjeshmëri të jashtëzakonshme dhe shpirt vullkanik, cilësi dhe virtyte të thithura nga toka ku lindi, Progonati balli i djemve, si dhe nga shpirti i begatë e vital i popullit plot kulturë mezhgoranase, ky zë do të jehojë, do të kumbojë nëpër kohë, pavarësisht nga pickamat rrënkonjëse që janë dëgjuar herë pas here.
Asimi iku shumë i ri, në moshën 27 vjeçare, në luftën kundër fashizmit, kur nga Tepelena nëpër Grykën e Mezhgoranit marshonte një autokolonë fashiste, armike me 40 makina lufte shoqëruar me autoblinda, dhe që futën në luftime për t’u mbrojtur edhe avionë që bombardonin nga larg për të ruajtur rrugën automobilistike.
Më 2 Korrik 1943 u shkrua Epopeja e Mezhgoranit, ku u zhvilluan luftime trup me trup.
Asimi çante përpara me bomba dore për të marrë kodrën e cila sundohej nga një pozicion armik që mbrohej nga një mitraloz. Ai ra siç vdesin trimat dhe burrat për Shqipërinë.
Si student në Akademinë ushtarake në Romë kishte marrë një letër nga mësuesi i tij, letër që e gëzonte pamasë ndaj dhe iu përgjigj duke perifrazuar vargjet e Çajupit: “Në dhe të huaj njeriu provon se vendlindja dhe balta qenkan me të vërtetë më të ëmbla se mjalta”. Atje dhe gurët janë të dashur...Letra që mora më ka gëzuar shumë, sepse bashkë me të mora dhe një copë baltë të Shqipërisë...
Kur studentët shqiptarë në Akademinë Ushtarake në Itali plotësuan anketat se ku dëshironin të bënin praktikën mesimore duke i joshur me lajka dhe premtime se mund të zgjidhnin Italinë, Asimi shkruante vetëm fjalën: “Shqipëri, Shqipëri, Shqipëri”! Me forcë e kundërshtoi dhe betimin përpara flamurit fashist në Akademi ndaj dhe e internuan dhe e burgosën.
Asimi u përket atyre njerëzve që jetojnë përherë në zemrat e tyre. Ai e përjetoi me intensitet të jashtëzakonshem emocional çastin historik që kaloi Kombi, u shkri me të, u bë pjesë përbërëse e Luftës, u bë dëshmi autentike e saj. Këta heronj i përkasin qiellit shqiptar, janë një dashuri për gjithë botën e madhe, për gjithë popujt që luftojnë kundër klikave fashiste dhe skllavërisë.
Ishte populli me kulturë të lashtë i Mezhgoranit, një popull dervenas që kishte nxjerrë sa njerëz intelektualë mbaruar në vendet perëndimore, përfaqësuar denjësisht nga firmëtari i Pavarësisë, avokat në hartimin e Juridiksionit ligjor, që e shkëputi atë nga Perandoria Osmane, Prefekt i Dibrës, mik i afërt i Ismail Qemalit, kryeredaktor i gazetës “Zgjimi” në Greqi, Fehmi Bej Mezhgorani, që e mbështetën pa dallime pikëpamjesh Heroin e Atdheut Asim Zenelin.
Eshtrat e Asim Zenelit u përcollën me nderime të mëdha nga gjithë populli i Mezhgoranit, ndërsa gratë të gjitha u veshën me të zeza, sepse ishin motra, nëna, nena plot dhimbje për gjakun e birit të tyre, nëna të ngarkuara me halle të rënda njëlloj si toka dhe të shkrira me tokën, ndaj këtë tokë të huajtë as e shkelën dot dhe as kanë për ta shkelur kurrë...
Populli i Mezhgoranit në çdo 2 korrik e ka kujtuar me nderime dhe respekt duke bërë homazhe pranën lapidarit të tij, buzë lumit Vjosa, Akademikun Ushtarak, Heroin e Luftës, Asim Zeneli.
Kultura e këtij ushtaraku tingëllonte heretike për shumë skeptikë, edhe ndaj Epopesë së Mezhgoranit, kulturës së këtij vendi, ministria e arsimit iu pergjigj duke e lënë me një shkollë fillore ndërtuar që në kohën e pushtimit anadollak turk, shkollë që ishte një ndër më të vjetrat e rrethit të Tepelenës, dhe që i kishte dhënë aq shumë kulturës dhe luftës. Fakt për këto janë dokumentat historike ku populli i Mezhgoranit ka marrë pjesë në protesta për gjuhën shqipe dhe i kanë dërguar letër qeverive përfaqsuar nga intelektuali i shquar prof.Beqir Samiu.
Si për ironi të fatit xhuxhmaxhuxhët politikanë e ndërtuan shkollën 8-vjeçare 3 orë larg fshatit dhe sot e kësaj dite s’është bërë asgjë karshi atij populli…
Por sot dua të kujtoj të rënët, Asim Zenelin, Akademikun Ushtarak, sepse nuk bëjmë gjë tjetër veçse rrezatojmë dashuri dhe krenari të thellë, për jetën, historinë e popullit tonë, gëzim të ligjshëm për flladin e demokracisë, ndjenjë të ngrohtë e njerëzore për vendlindjen…
Tirane, 1994