E shtune, 03.05.2025, 08:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Rexhep Shahu: Poezi nga libri ''Lis i vetëm në fushë''

E diele, 10.07.2011, 07:58 PM


PËR LIBRIN LIS I VETËM NË FUSHË TË REXHEP SHAHUT

 

Këtë qershor, doli në qarkullim libri më i ri i poetit dhe gazetarit Rexhep Shahu, Lis i vetëm në fushë, vëllim me poezi, mjaft cilësor si nga përmbajtja ashtu edhe nga paraqitja e botimit. Ky është libri i gjashtë i këtij autori, 3 libra poetikë dhe 3 publicistikë.

 

Në 122 poezitë e këtij vëllimi poetik poeti Rexhep Shahu vazhdon të jetë në shtratin e krijimtarisë së tij poetike : poet i tragjizmit, i revoltës së fortë, i vëzhgimeve të thella.

 

Për ta përshkruar më mirë poezinë e këtij poeti e gazetari të angazhuar, vlen të lexojmë minibiografinë e tij letrare të botuar në kopertinën e librit Lis i vetem në fushë.

 

Biografia letrare e Rexhep Shahut :

 

Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 ne Lume. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimën në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.

 

Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të.

 

Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

 

Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit dhe në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, ku dhe ende punon për një detyrë tjetër.

 

Por veten e gjeti në profesionin e gazetarit. Ka drejtuar si kryeredaktor  revistën kulturore “Dy Drina”,  revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe prej pesë vitesh edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë.

 

Rexhep Shahu vazhdon të magjepset pas poezisë. Vargjet e tij të hershme janë tretur shpateve te fëmijërisë si larat e dëborës. Vijat e fatit shpeshherë trazohen në përngjasim me relievin e përthyer të Bardhocit të Kukësit, fshatit të tij të lindjes, njërit prej fshatrave të Lumës, i ndodhur në gjurmën e udhës së vjetër “Via Publica” që lidhte Dardaninë ilire me Adriatikun dhe i njohur me këtë emër që në shekullin e 13-të.

 

Veç librit “Lis i Vetëm në Fushë”,  ky autor ka botuar edhe pesë libra të tjerë, dy vëllime poetike dhe tre libra me publicistikë: “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi , Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006.

 

Redaktori i librit, poeti dhe gazetari Izet Duraku, ka bërë këtë shënim :

 

“Një mal dhimbjesh të ndritshme, larë në argjendin e hënës, ku nuk shqiten mjegullat, s’reshtin shirat, e, rrallë, tepër rrallë, mbase në një skaj ëndrre, shfaqet dielli. Përse iu dashka kjo natë e natuar botës? A thua do të mbërrijmë në bregun e lakmuar ku së paku me veten të jemi vetvetja?

“Lis i Vetëm në Fushë” i Rexhep Shahut ndryn burime të kthjellta poetike, por rrjedhat e pakta, përmes botimesh të pakta, herë pas here bëjnë të mos e ndjesh mrekullinë e shijes që në hurbën e parë. Të thëna nën zë, mbase për të mos e provuar kurrë syrin e vrazhdë të dritës, në të ndihet si një pelin e pezm i tepruar. Pamjet apokaliptike, kundruar me një qetësi të admirueshme, mund të shihen vetëm përmes poezisë”.

 

Për poezinë e Rexhep Shahu, poeti, shkrimtari e studiuesi i mirënjohur Sadik Bejko është shprehur:

 

“Njeriu i dyzuar që vuan, që shpreh pikërisht hendekun midis vetes e vetvetes, që e bën njeriun – veten e tij, një tjetër dhe pastaj si në një operacion fillon dhe e copëzon më tej atë. Ka gjë më të dhimbshme, tragjike? Ato që duan të pikëllohen, tu them unë, lexoni Rexhepin? Ndoshta të tjerët pëlqejnë gjëra të tjera, më të bukura, tek ai, fjalën e mirë, të saktë, harmoninë e vargut, të figurës…

 

Por nëse vetmia është përsonale dhe tëhuajëzimi mbetet i huaj në një shoqëri të caktuar, ndonjëherë merr edhe përmasa kombëtare. Rexhep Shahu do të hedhë ura midis kufijve, ura midis vetmive, ura midis njerzve…”.

 

Nuk mungojnë edhe vlerësimet e poetit të njohur shqiptar Aqif Hysa që është në emigrim. Ai shprehet për librin e Rexhep Shahut si më poshtë :

 

Dashuria lind në një vend e në një moment e humbet në pafundësi… Por poezia jo. Ajo lind në një vend e në nje moment e jo vetëm që nuk vdes, por s’le të vdesin as vendin e as momentin që i nxori në dritë. Se vendi dhe momenti, por dhe poeti bashkë me ta, janë fiksuar në celuloidin e fjalës; tinguj e ngjyra, feshfëritje e pëshpëritje e mahitje e mahnitje, të filtruara nëpërmjet vetvetës. Kjo është përshtypja ime nga leximi i poezisë së Rexhep Shahut. Ka shumë rrugë e levizje në poezinë e tij, ka shumë ecje . Ecje me këmbë mbi të gjitha. Aq sa shpeshherë të ngjet se ecën këmbëzbathur, si për ta prekur më mirë tokën, si për ta prekur më mirë erën, si për të treguar se ecja e poetit drejt mbërritjes është kaq e përjetuar dhe e vertetë, aq sa ç’janë të vërteta dhe rrugët që ai ka përshkuar, përshkon e do të përshkojë… Gjithnjë drejtë majës së parabolës së tij poetike.

 

Mbresëlënëse është vlerësimi i poetit të mirënjohur të letrave shqipe Xhevahir Spahiu, për Rexhep Shahun dhe poezinë e tij:

 

“Rexhep Shahu është një poet i vertetë. Ka një ndjeshmëri, ku tragjizmi vetiak bashkohet me tragjizmin e përgjithshëm të shqiptarëve. Ai beson se njeriu mund ta jetojë jetën dhe lirinë e tij duke u mirëkuptuar me njerzit, malet dhe universin. Ai jeton nën hijen e Pikëllimës. Fati i këtij mali është edhe fati i tij. Të dy bashkë hedhin sytë në largësi për të gjetur një shteg drite”.

 

Ndërsa më gjërë për këtë poet dhe poezinë e tij është shprehur shkrimtari i njohur Faruk Myrtaj i cili e gjen të veçantë në shumë aspekte poezinë e Rexhep Shahut:

 

“Në të gjitha kohët, fati i autorit dhe fati i poezisë së tij, janë gjëra të ndryshme në jetë. Migjeni, ndër të fundit (!), e ka shpallur mrekullueshëm, madje ca vulgarisht : Sokrat i vuajtun, a derr i kënaqun…?! Është tjetër se në këtë truallin tonë, që jemi marrë vesh ta quajmë edhe për ca kohë, së paku, Shqipëri, na është bërë e mundur të vuajmë si Sokratër e të shtiremi si derra.

 

Rexhep Shahu, kuptuar sipas poezisë së botuar prej tij, duket se mbase nuk e lexon pjesën “moderne” të poezisë së sotme shqipe, së paku nuk joshet e as mashtrohet prej lulkave pa aromë të vërtetë të saj.

 

Ai e vendos veten aty ku është : qoftë edhe i kërcënuar.

 

Të jesh, është e domosdoshme të shpallesh siç je. Si njeri është mbase më vështirë se si krijues. Si krijues, si poet, është mallkim i detyruar. Mund të shtiresh gjatë si i ri, si gjoja i dashuruar, si gjoja i lumtur, si gjoja qytetar duartrokitës, si mëmëdhetar i paatdhe… Por si poet nuk mund të mbyllësh sytë…

 

Autori e ka fituar betejën me të shkuarën e shkuar. Malet e Hënës dihet që janë. Janë, kanë qenë prej kohësh. U desh dikush të shkonte, t’i prekte, t’i shfaqte për të tjerët…!”.

 

REXHEP  SHAHU

 

p  o  e  z  i

 

LIS I VETËM NË FUSHË

 

babës tim :

  ...        

Po plakem fëmijë

jetim pa ty...

 

 

Titulli :  Lis i Vetëm në Fushë

Autori : Rexhep Shahu

Redaktor : Izet Duraku

 

Të drejtat të rezervuara autorit

 

ISBN : 978-99927-685-5-6

 

Piktura ne kopertine : nga Nazmi Hoxha

Arti grafik : Albdesign

Shtëpia botuese : Albdesign

Shtypur në shtypshkronjën : Albdesign

 

Tiranë, 2011

 

SI KUAJ TË ZI NISUR PËR LUFTË

 

Si kuaj të zi nisur për luftë

Turfullojnë e rendin radhë e pa radhë

Kalorësit u kanë mbetë s'dihet se ku

Jelet u janë zbardhë.

 

Bregun synojnë dallgët e çmendura

Si në çdo luftë ku s’fitohet gjë

Përplasen në shkëmbinj e zalle

Shuhen e treten pa zë.

 

Me veten e kanë dhe e bëjnë stuhinë

Si njerzit që fundin harrojnë

Dhe rendin ta shalojnë lavdinë

E në fund në zalle shterrojnë.

  

 

TI JE PREJ UJI

 

Ti je prej uji se nuk të mbaj në duar

Më derdhesh në poret e lëkurës e sërish dua

Të derdhesh sërish e sërish.

Të pi si tokë e kallur nga etja,

ngopem një çast,

Mbush të çarat e thara të shpirtit

Dhe pas pak, prapë dua se prapë digjem,

E prapë pi e s’ngopem me ty.

 

Ti je prej ajri… Më përkëdhel edhe kur s’të shoh,

Kur kam ftohtë më ngroh,

Më mbush mushkëritë sa herë kam nevojë,

Më ledhaton flokët me dorë të padukshme,

Më ter djersët se mos ftohem,

Më flladit shpirtin kur më kallet zjarrmisë.

 

Duket se je prej drite, je drita vetë

Je dielli, hëna, ylli

Që hyn në sytë e mi e u jep dritë

Gjithë gjërave dhe botës që më rrethon

Gjithë gjërave dhe botës që kam në veten time,

Udhëve nga shkoj, të mos thej qafën në honet e hiçit

Tek ec mbi tokë, nëpër ëndërr a kur shtroj retë nën këmbë

Edhe hijes e natës time i jep dritë, ta shoh vetë e ta shohësh ti

Skutave ku ikën të natojë që të mos shihet,

Udhëve nga ecën që të mos e shkelin.

 

Duket je prej ëndrre, prej ëndrre je

Se vjen pa u ndjerë e më derdhësh kur dua,

Pa të parë edhe pse të thërras

Më hyn mes krahëve të hapur që të presin,

Mbështetesh në gjoksin tim që digjet, më puth lehtë

Më mbështjell për beli se e din që dua,

Më gudulis dhe hidhem përpjetë.

 

Po, po, prej ëndrre je, prej ëndrre

Se ta ndjej frymën që ma lëshon në fytyrë edhe pse je larg 

Ta ndjej aromën e trupit mbi gjithë aromat e luleve,

Të ndjej ngjeshë për trupi kurdo,

Kudo ndjehem i mbështjellë me ty,

Si i zhytur në diell, det a Dri,

Më bëhet se ec dhe jetoj jetën brenda syrit tënd

Ndjej çdo çast trokun e hapit tënd në ritmin tim të nxituar

Në udhët e jetës që m’i ke paqtuar

Në tokën ku mbij e në qiellin ku hedh shtat

Ndjej lëngun e buzëve që s’di të teret në mua…

 

 

*  *  *

 

Ranë gjethet,

ulërimat e tyre ngjethëse

i pashë e dëgjova

ditë e natë në mua.

 

MË HUMBI VETJA

 

Më humbi vetja, dheu i zi e përpiu

det’ i pangimë, ëndrra të pangime

në hijen time vetja u mbyt.

S’lashë vend që e rreh dielli pa e lypë

as hije e skuta të errëta të botës e të vetes

pa hy s’lashë...

I kreha retë me gishta edhe ëndrrat po e po

yll pa pyetur s’lashë në qiejt e pafund,

s’lashë dyshim timin pa e pyetur për veten time

thërras sot pa zë me piskamë në breg të detit

thërras kot veten, brenda vetes thërras,

cfarë humbtë mos u gjettë kurrë, mërmërin deti a

thërret dikush zëngjirur brenda meje,

e unë s’e shoh kush thërret,

deti u step më keq se unë i shtangtë

prej dhimbjes sime, turfulloi si kalë i zi plot plagë

me kalorësin të vrarë mbi shpinë

u ndal, më pa e më tha,

meqë e dashke kaq shumë veten,

lype lype se një ditë do ta gjesh

të ngrime bri ndonjë ferre…

 

 

*   *   *

 

Mbeta me drapër në dorë…

Bari i shpresës mbin

Edhe në majë të shkëmbit.

 

PA KRYE

 

Gjithkush në vetvete është varr i padukshëm

Që rreket të kalbë fajet e tij

Por faji në varr është si në serë

Veç rritet e rritet në shëmti.

 

Gjithkush në vetvete është i varur

Nga pak në çengelin e fajit të vet

Askush me vetveten s’është në paqe të plotë

Askund, në asnjë botë s’je n’harmoni t’vërtetë.

 

Askush s’qëndron dot kollaj para vetes

E sidomos para vetes në gjumë

Është njësoj si ta lash të vërtetën

Në të vjellat e botës që rrjedhin si lumë.

 

1998

 

 

*  *  *

 

Ti do të ikësh drejt pranverës,

Dimrin do ta lësh tek unë,

Por ngricat brenda syve tu do mbeten

Si copat e akullit në lumë…

 

 

JEMI TË GJITHË VETËM

 

Jemi të gjithë vetëm në këtë botë

Dhe kemi nevojë për dikë tjetër

Kush ndryshe bën e thotë

Gënjen të gjallë e të vdekur.

 

Shpesh vetmia na bëhet parajsë

Udhëkryqet kanë marramendje

Kërkojmë një palë sy, një sup, një krah

S’i gjejmë e drejtë vetmisë rendim me ëndje.

 

Jemi të gjithë vetëm në këtë botë

Drurë prej rrufeje shitur,

Pas syve që s’i gjejmë dot më,

Rendim mashtruar…

 

2000

 

 

RRËNJË E PADUKSHME

 

Ëndërr që jeton kur nata është tretë
Diell që përvëlon kur vera ka ikë
Rrënjë të padukshme që s'më shkulen kurrë
Dorë që m'i mbyll qëpallat kur të kam pranë
Dhe më zgjon sa herë që s'je
Era dhe ajri që më duhet të thith
Pamja që më duhet për sytë
Lulja dhe kopshti që s'janë më
Ku rri e kundroj ikjen e mosardhjen tënde
Gjurmët që le në tokë, në ajër, në lëkurën time
Ku rri e kundroj ditën pa ty
Ditën pa sy...

 

 

QIELLI DIMËROR

 

Qielli dimëror lotonte në Paris

Grija bëhej më gri

Mijëra njerëz në Shën Elize

S’më hynin në sy.

 

Ecja mes tyre i pavënë re

Njerzia në punë të vet

Në dhjetra fytyra më bëhet se je

Mashtrim i shkretë.

 

Këtu gjithçka është gri

Dhe ëndrra më bëhet e hirtë

Ti atje buzë detit të largët

Sheh rërën që lahet.

 

Buzë Senës java pa ty

Ish e gjatë, ish një jetë

Dhe ky qytet ëndërr

Pa ty ish i shkretë.

  

Këtu qielli loton shi

Ti lahesh me diell në ato anë

Nata parisiene më përpin

Në tingujt e bardhë.

 

 

*   *   *

 

Larg më je sot, kaq larg

Të shoh me sytë e mendjes,

Buzët e puthjes s’të mbërrijnë

Veç krahët e zemrës.

 

 

NA LINI

 

Na lini të jemi të pa emra sonte

Mos na kërkoni pasaportë,

Eva është kjo, unë jam Adami

Dashnorët e parë në botë.

 

Na lini të jemi veç dy njerëz sonte

Të digjemi e të bëhëmi hi,

Mos na spërkatni me pështymë tek flisni

Mos villni nga sytë padi.

 

Na lini të jemi pa identitet sonte

Mos na kërkoni pasaportë,

Eva është kjo ,unë jam Adami

Dashnorët e fundit në botë.

 

2000

 

 

TRISHTIMI YT

 

Kulm mbi Dri,

trishtimi i syve tu…

 

A nuk mjafton mungesa e cicërimave të zogjve

mungesa dhe heshtja e tyre

(ç’tu ketë ndodhur vallë?…)

 

A nuk mjaftojnë këto drurë pa gjethe e sytha, të fjetur, të trembur

a nuk mjafton plogështia e udhës, supet e kërrusura të njerzve

buzët e vyshkura nga mosputhja të grave e vajzave që më kalojnë pranë,

çapet e zvarrë të njerzve që bëjnë sikur ecin, sikur flasin e sikur qeshin

por që në fakt edhe sot ecin bythëmbrapsht.

(Ka kohë që njerzit ecin me shpinë para e kokë pas,

duke parë me mall të shkuarën e tyre që i poshtëroi,

gjithmonë duke pyetur nga vijmë e kurrë jo, ku shkojmë…)

 

A nuk mjafton grija e errtë e qiellit të sotëm

që bëj be se nuk ka parë e mbajtë kurrë diell në gji

kurrë hënë në sy, yje përmbi…

 

Sot, ah të paktën sot, nuk e doja trishtimin në sytë e tu

se zërat që dëgjoj ngado më ngjajnë me mjaullima macesh të pafuqi

sytë e gjithkujt që takoj më duken galeri boshe…

 

Kurvat që më kalojnë pranë, (disa që i njoh dhe ua di hamshorët)

më thonë se janë perëndesha të gjithpushtetshme,

mbretëresha të virtytit dhe nderit…

 

Më beso, të gjithë u tremben kurvave sot

edhe ato që kanë shkuar me to

edhe ato që s’kanë shkuar por kanë ëndërruar.

 

Kurvat të groposin dhe të marrin copën e bukës së fëmijëve

ta plasin publikisht se i ke palluar…

 

Sot, jo, të lutem, mos loto trishtim

edhe pse më sheh mes burrave kurva

me ligësinë e tyre pa kufi,

po ti mos loto, se unë do të hesht si shkëmb përballë detit

se ndryshe burrat kurva të bëjnë horë

e të marrin erzin…

 

Sot, në këtë ditë shterpë, në udhën e shkretë plot njerëz

trishtimin e syve tu nuk e mbaj mbi supe,

pasi më shemb përdhe fytyra e ditës

si e vajzës së pafaj kafshuar e nxirë prej maniakut seksual…

 

Shësht… dëgjo si derdhet e frikshme qeshja e kurvave

derdhet kërcënuese nga kulla në kullë

nga zyra në zyrë, nga selia në seli

merr pastaj bulevardin bri tribunave të lehjes…

 

NËSE MË DO

 

Nëse më do, mos më fto të vdes

Më ler të ngjitem në parvaz të dritares

Të shoh hënën…

 

1998

 

 

TRE ZOGJ…

 

Rrufeja ra

Lisin shkrumb e dogj

Edhe po të mbijë ndonjë filiz prej rrënjëve

S’bëhet lis për zogj.

 

Tre zogj mbeten pa fole

Të vetmuar cicërojnë në shkurrë…

A do t’i gjejë e ëma kur të kthehet

A do të mundet t’i ushqejë ?…

 

Tre zogj të vetmuar, pa fole

Qajnë në një shkurrë,

Rrufeja ra

E lisi shkrumb u dogj…

 

2000

 

 

*   *   *

 

Jemi bërë si gurë

të brejtur,

ngulur rastësisht mbi tokë,

pa mundur t’i gjendemi njëri – tjetrit…

 

 

 

NË UDHË T’PA EMËR ME M’PRITË

 

Në udhë t’pa emër me m’pritë

në ditë të vdekura veshur me qefin,

në netë të shkreta veshur me vetmi,

në ardhsha me diellin ndonjë ditë,

me ndonjë yll të këputur ndonjë natë,

me pikat e trishta të ndonjë shiu të ngratë,

me hedhurinat që shtjell erë e forte…

 

 

ME M’I KPUTË KRAHËT

 

Me m’i kputë krahët, duart me m’i kputë

e di se kanë me më dalë prapë

se nuk mundem mos me i përkëdhelë

e shtërngue e me i mbushë duart plot me gjinjtë e tu

nuk mundem mos me të kapë e shtërngue gjithkund

në trupin tënd, me ta dëgjue zërin tek bërtet

auuaaa… më vrave, më sakatove, më nxive…

nuk mundem mos me të kapë për beli a për barku

tek më rrëshqet si ngjalë nën krahë e lumë nën urë

nuk mundem të mos ndjej dridhjen e dehjen e trupit tënd

e djersën e lehtë të lodhjes së ëmbël që të bulëzon mbi lëkurë…

 

Me mi nxjerrë sytë e ballit, me mi qorrue krejt

e di se prapë kanë me më ardhë sytë

se nuk mundem mos me të pa ty

e sytë e tu përmes të cilëve shoh botën…

nuk mundem pa e pa qetësinë hyjnore të syve të tu të qielltë,

s’mundem pa i pi ato dy pika loti që bulëzojnë në ato sy

teksa unë i thith e i pi që të mos rrjedhin faqeve tua,

tek perëndojnë e tulatën e derdhin një dritë qiellore në mua

teksa më thua fjalën tënde të zakonshme, ah i lig, i lig…

 

Me ma këput kryet në qafë si të pulës

e di se më ngjitet prapë, më del një krye tjetër

se s’mundem me ndenjt pa e vu kryet në gjoksin tënd

mes gjinjve të tu, s’mundem kurrë mos me e futë kokën

mes gjinjve të tu e me heshtë, me heshtë, me heshtë

s’mundem mos me e mbulue kryet me flokët e tu

e me u bë nervoz në çast tek më derdh flokët në fytyrë…

 

Me më mbytë krejt, me më blue gur për guri a me më djegë

e di se prej hiri kam me u ngritë kështu si jam

njeri që ha përditë fatin e vetën time me dhëmbë

që humbas pa mëshirë si në kumar orët, ditët, kohën time

që i ha e nuk i sos dot as në ëndërr thonjtë e mi

që të puth e të puth e nuk ngopem kurrë me buzët e tua që më çmendin

që qaj, qesh, flas e hesht, ulërij e vdes në të njejtën kohë

që e vras ditën me plumb në ballë dhe ashtu të vdekur e mbaj në krahë

udhës së yjeve me vaj e kujë ditë e natë

e gris, e çjerr përnatë natën e përdalë

ia shpërthej barkun e zi me thonjtë e mi të pistë

në prushin e yjeve ia pjek zorrë e mushkëri

 

Kam me u ngritë prej hirit të yjeve të djegur e kam me u ba

kështu, si më ke dashtë gjithmonë

ti, që për fatin tim të bardhë, nuk ke kërkue në mua dikënd tjetër...

ti, që më ke dhënë nga vetja jote plot sharm gjithë gruan e botës

dhe pafundësitë e saj…

prej hiri pra kam me u ngritë

e kam me ardhë, i gjallë…

  

 

*   *   *

 

Ka ditë që sytë e tu s’më kërkojnë

Dhe zëri im s’bën më për fjalë…

 

1998

 

TASH SA KOHË

Tash sa kohë shoh veten e varme në lis

Mu në mes të fushës

Me litar në qafë, natë e ditë.

Dimër verë njerzit pështyjnë,

Bëjnë shurrën në trung dhe rrënjë.

Lëvores, miza pafund, rrallë ndonjë korb a zog i pafaj

Merr vdekjen e vet në sqep.

 

S’ka mbetur gjë tjetër në mua,

As vdekje s’ka mjaft për gjithë zogjtë…

 

 

NË ËNDRRAT E MIA

 

Në ëndrrat e mia

Kam vdekë e

Jam varrosë qindra here,

Në tokën e mbretërisë së ëndrrave

Jam lindë,

Përmendore mjegulle jam bërë,

Nëpër varret e ëndrrave kam hyrë e dalë

Me ty në krahë,

Pa ty në krahë,

Me veten për dore

Drejt asgjësë.

 

LIS I VETËM NË FUSHË

 

Lis i vetëm në fushë

Gjysmë i plakur e gjysmë i kalbur

Që ende dëgjon gjithçka

Nga bëmat e botës,

Që sheh edhe ato që s’duhen parë.

Trumcak i ngrirë në borë

Me krahun e thyer nga llastiqet e fëmijëve.

Sytë e Hënës që shohin gjithsinë,

Dera e çelur ku hyjnë zërat,

Dritare pa xhama nga hyjnë zogjtë,

Dhimbja që ndjen toka nga pesha e hapave,

Etja e lumit nga shterrja e ujit,

Tharja e buzëve nga mungesa e puthjes,

Thirrja e gjinjve për tu shtërnguar,

Malli i dorës për të rrëshqitë mbi flokë,

Shëmtimi i oxhakut pa zjarr,

Fole dallendysheje e braktisur...

 

E tjetër çfarë mund të jem

Në këtë ditë pa sy

Në këtë natë të verbër

Kur ti s’je...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx