E hene, 29.04.2024, 02:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Skënder Rusi

E marte, 12.07.2011, 07:58 PM


Ka lindur më 15.07.1952 dhe ka kryer studimet e larta për gjuhë-letërsi në vitet 1971-1975. Në vitin 1984 është diplomuar për dramaturgji dhe në vitin 1998 për drejtues biblioteke në Kajro.

Pas kthimit ne Shqipëri ka punuar si mësues letërsie.

 

Prej vitit 1986 ka qënë drejtor i Pallatit të Kulturës “V.Mio” në Korçë e që prej vitit 1992 vazhdon të jetë drejtor i bibliotekës “Thimi Mitko”, Korçë.

Ka botuar 8 libra me poezi dhe dy nga dramat janë vënë në skenë nga trupa e teatrit “A.Z.Çajupi”. Me njërën prej dramave ka marrë edhe çmim kombëtar. Po kështu poezitë janë vlerësuar e nderuar me çmime të para si në shkallë kombëtare ashtu dhe ballkanike.

Ka publikuar krijime në gazeta, revista e antologji në disa vende të Europës si në Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Greqi etj.

Prej 12 vjetësh është kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re” në Korçë.

Është redaktor dhe botues i 120 librave në poezi e prozë të krijuesve të rinj dhe me përvojë në krijimtari.

 

Prej 7 vitesh organizon dhe drejton aktivitetin më të madh kulturor në Korçë: “Netët korçare të poezisë" me poetë të ftuar nga Kosova, Greqia, Maqedonia, Bullgaria, Rumania, Italia etj.

 

 

SKENDER RUSI

 

 

NUMËRIM I DETYRUAR

 

10 ditë që ti prej meje ke ikur,

100 ditë që ke tronditur botën,

1000 ditë që mbeta duke pritur

S e di më datën

                        Vitin

                                Orën!

 

10 ditë që koha në vend ka ndalur,

100 ditë që dielli del e zhduket,

1000 ditë të miat ia kam falur

Veç asaj që do më kthejë puthjet!

 

10 ditë që mjegulla spo ikën,

100 ditë veç ajrin tënd kam prekur,

1000 ditë që mua po më bindën,

Se pa ty,dy herë jam i vdekur!

 

30 mars 2011

 

 

SHI I TURBULLT

 

Gjithnjë e kam  ditur

                        se ke qenë e lumtur,

Se përqafimet e mia

                        për ty ishin mjaft!

Ti po bie mbi mua

                        si një shi i turbullt,

Dhe unë nuk mundem dot,

                                    të të ndal!

 

Nuk i ndalkam dot litarët e tij,

Që po më japin mua

                        dënimin e madh!

Unë jam i mbyturi yt

                                 që gjer tani,

Jam munduar më kot,

 këtë shi ta shmang!

 

Por ardhka një çast

            kur njeriu u lodhka,

Nuk  duron dot

            ta torturojnë  ashtu!

Ky shi i turbullt

            i vjetër sa bota,

Nuk është me gjerdanë,

            po me litarët e tu!

 

Gjithnjë  kam kujtuar

                  se ke qenë e lumtur,

Se puthjet e mia

                      për ty ishin mjaft!

Tani e mësova

                    që qënkam faji  yt,

Por sbëj dot,

                       më tepër se kaq!

           

10 qershor 2011

 

 

MOSHATARËT

 

Kanë filluar të më ikin moshatarët,

Pyllit, ku mezi hynte dielli

 po i rrallohen drurët!

Ndonjëri,duke folur,

              i la përgjysëm fjalët,

Dhe iku sikur të mos kish qënë kurrë!

 

Asnjëherë,me njëri-tjetrin nuk u grindën,

Por kanë dhënë më tepër,

                                    se sa kanë marrë!

Secili që iku e mori me vete një dimër,

Dhe na e la ne dëborën e tij aq të bardhë!

 

Kanë filluar të më ikin moshatarët,

Unë shkoj dhe u flas

          kur hëna fenerin e fik!

Njëri zgjat kokën dhe më sheh

            nga mermeri i bardhë,

Një tjetër nga lëndina

     ma bën me dorë që të ik!

 

Nuk mbajnë inat

                        me ne që jemi ende gjallë,

E dinë që të gjithë

                        kemi për të shkuar atje!

Është një pyll

            me drurë gjithnjë e më të rrallë,

Ku dielli tani hyn lirisht

                                  dhe vjen na sheh!

                

11 qershor 2011

 

 

LAMTUMIRË TRISHTIM

 

Ndonjëherë më merr trishtimi me vete,

Ai është ky lumë

                             ku rri e zhytur mbrëmja!

Në ujrat e tij është mbytur mëngjezi,

Është mbytur mesdita

(imja, jo tëndja!)

 

Gjithnjë i jam shmangur

                        këtij lumi të keq,

Nëpër ujrat e tij kurrë nuk jam futur,

Këdo që gjen përpara ai e rrëmben,

E sidomos kur sheh që sje i lumtur!

 

Ndonjëherë më merr trishtimi me vete,

Ai më mban peng pa patur asnjë shkak!

Çdo lumë është i tmerrshëm

 kur nga shtrati del,

Po më i tmerrshëm është ky

 që ska asnjë shtrat!

                    

31 maj 2011

 

 

LAVDIA

 

Sa torturonjëse që qenkërke

       ti lavdi!

Më ikën sapo afrohem të të kap!

Dhashë për ty

                shpirt nga shpirti im,

E çfarë tjetër

            më ka mbetur të jap!?

 

Sapo arrij që të kap një qiell,

Në qiell tjetër unë këmbën e hedh!

Ti prapë më ikën

                 nën një tjetër diell,

Pas të cilit vazhdoj që të bredh!

 

Mos vallë kështu bën me të gjithë?!

Dhe të tjerëve iu ikën kështu!?

Sorkadhe me brirë kryengritës,

Pylli im është në brirët e tu!

 

Më lerë të të prek veç një herë!

Nuk përmbyset bota për kaq gjë!

Lavdi që të gjithë i ke gënjyer

Dhe poetët i ke mashtruar gjithnjë!

 

27 mars, 2011

 

 

UNË TË PREK TY

 

Unë të prek ty me duart e zgjimit,

Ti më thua se  qenkërka ende herët!

Vështrimin tënd që e ke  si të tigrit,

E ke për mua apo për të tjerët!?

 

Unë të prek ty me duart e padurimit

Ato të dyja janë rrethuar me ankthe!

Trupin tënd që është i tëri prej jasemini,

Mund ta bëj të çelë

 brenda një nate!

 

Unë të prek ty me duart e zjarrit,

Ti ke frikë,ndaj dhe smë afrohesh!

Unë pa asnjë shkak mund të djeg

                                               edhe ajrin,

Por jo ty që më torturon

                                    dhe torturohesh!

 

5 prill 2011



(Vota: 5 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora