| E marte, 12.07.2011, 07:58 PM |
Ka lindur më 15.07.1952 dhe ka kryer studimet e larta për gjuhë-letërsi në vitet 1971-1975. Në vitin 1984 është diplomuar për dramaturgji dhe në vitin 1998 për drejtues biblioteke në Kajro.
Pas kthimit ne Shqipëri ka punuar si mësues letërsie.
Prej vitit 1986 ka qënë drejtor i Pallatit të Kulturës “V.Mio” në Korçë e që prej vitit 1992 vazhdon të jetë drejtor i bibliotekës “Thimi Mitko”, Korçë.
Ka botuar 8 libra me poezi dhe dy nga dramat janë vënë në skenë nga trupa e teatrit “A.Z.Çajupi”. Me njërën prej dramave ka marrë edhe çmim kombëtar.
Ka publikuar krijime në gazeta, revista e antologji në disa vende të Europës si në Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Greqi etj.
Prej 12 vjetësh është kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re” në Korçë.
Është redaktor dhe botues i 120 librave në poezi e prozë të krijuesve të rinj dhe me përvojë në krijimtari.
Prej 7 vitesh organizon dhe drejton aktivitetin më të madh kulturor në Korçë: “Netët korçare të poezisë" me poetë të ftuar nga Kosova, Greqia, Maqedonia,
SKENDER RUSI
NUMËRIM I DETYRUAR
10 ditë që ti prej meje ke ikur,
100 ditë që ke tronditur botën,
1000 ditë që mbeta duke pritur
S’ e di më datën
Vitin
Orën!
10 ditë që koha në vend ka ndalur,
100 ditë që dielli del e zhduket,
1000 ditë të miat ia kam falur
Veç asaj që do më kthejë puthjet!
10 ditë që mjegulla s’po ikën,
100 ditë veç ajrin tënd kam prekur,
1000 ditë që mua po më bindën,
Se pa ty,dy herë jam i vdekur!
30 mars 2011
SHI I TURBULLT
Gjithnjë e kam ditur
se ke qenë e lumtur,
Se përqafimet e mia
për ty ishin mjaft!
Ti po bie mbi mua
si një shi i turbullt,
Dhe unë nuk mundem dot,
të të ndal!
Nuk i ndalkam dot litarët e tij,
Që po më japin mua
dënimin e madh!
Unë jam i mbyturi yt
që gjer tani,
Jam munduar më kot,
këtë shi ta shmang!
Por ardhka një çast
kur njeriu u lodhka,
Nuk duron dot
ta torturojnë ashtu!
Ky shi i turbullt
i vjetër sa bota,
Nuk është me gjerdanë,
po me litarët e tu!
Gjithnjë kam kujtuar
se ke qenë e lumtur,
Se puthjet e mia
për ty ishin mjaft!
Tani e mësova
që qënkam faji yt,
Por s’bëj dot,
më tepër se kaq!
10 qershor 2011
MOSHATARËT
Kanë filluar të më ikin moshatarët,
Pyllit, ku mezi hynte dielli
po i rrallohen drurët!
Ndonjëri,duke folur,
i la përgjysëm fjalët,
Dhe iku sikur të mos kish qënë kurrë!
Asnjëherë,me njëri-tjetrin nuk u grindën,
Por kanë dhënë më tepër,
se sa kanë marrë!
Secili që iku e mori me vete një dimër,
Dhe na e la ne dëborën e tij aq të bardhë!
Kanë filluar të më ikin moshatarët,
Unë shkoj dhe u flas
kur hëna fenerin e fik!
Njëri zgjat kokën dhe më sheh
nga mermeri i bardhë,
Një tjetër nga lëndina
ma bën me dorë që të ik!
Nuk mbajnë inat
me ne që jemi ende gjallë,
E dinë që të gjithë
kemi për të shkuar atje!
Është një pyll
me drurë gjithnjë e më të rrallë,
Ku dielli tani hyn lirisht
dhe vjen na sheh!
11 qershor 2011
LAMTUMIRË TRISHTIM
Ndonjëherë më merr trishtimi me vete,
Ai është ky lumë
ku rri e zhytur mbrëmja!
Në ujrat e tij është mbytur mëngjezi,
Është mbytur mesdita
(imja, jo tëndja!)
Gjithnjë i jam shmangur
këtij lumi të keq,
Nëpër ujrat e tij kurrë nuk jam futur,
Këdo që gjen përpara ai e rrëmben,
E sidomos kur sheh që s’je i lumtur!
Ndonjëherë më merr trishtimi me vete,
Ai më mban peng pa patur asnjë shkak!
Çdo lumë është i tmerrshëm
kur nga shtrati del,
Po më i tmerrshëm është ky
që s’ka asnjë shtrat!
31 maj 2011
LAVDIA
Sa torturonjëse që qenkërke
ti lavdi!
Më ikën sapo afrohem të të kap!
Dhashë për ty
shpirt nga shpirti im,
E çfarë tjetër
më ka mbetur të jap!?
Sapo arrij që të kap një qiell,
Në qiell tjetër unë këmbën e hedh!
Ti prapë më ikën
nën një tjetër diell,
Pas të cilit vazhdoj që të bredh!
Mos vallë kështu bën me të gjithë?!
Dhe të tjerëve iu ikën kështu!?
Sorkadhe me brirë kryengritës,
Pylli im është në brirët e tu!
Më lerë të të prek veç një herë!
Nuk përmbyset bota për kaq gjë!
Lavdi që të gjithë i ke gënjyer
Dhe poetët i ke mashtruar gjithnjë!
27 mars, 2011
UNË TË PREK TY
Unë të prek ty me duart e zgjimit,
Ti më thua se qenkërka ende herët!
Vështrimin tënd që e ke si të tigrit,
E ke për mua apo për të tjerët!?
Unë të prek ty me duart e padurimit
Ato të dyja janë rrethuar me ankthe!
Trupin tënd që është i tëri prej jasemini,
Mund ta bëj të çelë
brenda një nate!
Unë të prek ty me duart e zjarrit,
Ti ke frikë,ndaj dhe s’më afrohesh!
Unë pa asnjë shkak mund të djeg
edhe ajrin,
Por jo ty që më torturon
dhe torturohesh!
5 prill 2011