Kulturë
Kujtim Mateli: Në kopshtin e poezisë ku tradita bashkëjeton harmonishëm me modernen
E hene, 11.07.2011, 07:59 PM
Në kopshtin e poezisë ku tradita bashkëjeton harmonishëm me modernen.
(Shënime kritike për vëllimin poetik “Dashuri të brishta” të poetes së talentuar Edlira Xhani)
Nga Kujtim Mateli
Poezia e Edlira Xhanit i ngjan atij mysafirit të mirë që kërkon të të nderojë duke iu lutur të qëndrojë edhe pak çaste më tepër, megjithëse koha e vizitës së tij ka mbaruar. Kërkon, sepse poezia e Edlira Xhanit është vetë jeta njerëzore, një përjetim filozofik për mjedisin shoqëror e natyror në të cilin bëjmë pjesë. Cilido që e ka lexuar vëllimin poetik “ Dashuritë e brishta”, apo edhe poezi të veçanta të këtij vëllimi që janë botuar më parë, ka gjetur aty veten.
Duke kuvenduar mes rreshatave të këtij libri, gjen aty konkreten, atë që ke përjetuar gjatë fëminisë dhe rinisë tënde, po aty gjen edhe të ardhmen, mbështjellë me mistikën e ditëve që po vijnë.
Një botë e magjishme: reale dhe jo reale shfaqet para teje.
Edhe djalli, “ i dashur” nga të gjithë, predikon lumturi të përjetshme. Kujt t`i besojmë. Në këtë kohë kur bota ka gjetur shumë zgjidhje, rrugët e jetës qenkan si dikur të vështira për t`u gjetur.
****
Poezia “ Mos më pyesni” paraqet realitetin e fshatit pas viteve 90-të. Është një realitet i trishtë, një fshat i braktisur nga njerëzit, rrëketë e një shiu të rrëmbyeshëm duke zbritur nga
“ Dhe qershitë janë tharë një nga një…
Thonë se nuk ka më as zogj
Cicërima pranverash”
Dhe nuk ka si të ketë cicërima pranverash, kur cicërimat e zërave të fëmijëvë sa vijnë e rrallohen.
“ Me siguri, ndonjë i vjetër sa bota
në vatrën e zjarrtë kafen e zien fort”.
“ Mos më pyesni…nuk kam shkuar
Dhe këtë nuk e di askush,
S`është faji im,
As i joti, i tjetër kujt…”
Kështu i përgjigjen njerëzit njëri-tjetrit hapësirave të Evropës dhe Amerikës. Vërtet i tjetërkujt është faji. Në vend që të sillnin pranverën, zgjatën stinën e dimrit. Dimrin e acartë që i shpërndau shqiptarët si shpendët shtegtarë hapësirave të globit.
“Di vetëm se dimri po jep shpirt”.
Me këtë varg mbyllet poezia. Në një tjetër stinë po bëhemi gati të hyjmë.
*****
Tek poezia “Brigje të huaja”, poezi e ngritur mbi metaforën e Diellit të Korrikut që djeg, poetja shtron para njerëzimit problemin e madh: të mos asimilimit të gjuhëve dhe kulturave që kanë popujt e ndryshëm, asimilim që do të jetë i frikshëm nëse do të ndodhë. Poetja jeton në një ishull të madh, në një ishull që jeton veç me turistë të huaj. Në një ishull ku flitet:
“ Gali, Angli, Latini, Elveti…” .
Flitet, veç gjuha e saj e bukur, veç shqipja nuk flitet.
Poetja e fokuson lexuesin tek qëndresa. Tek qëndresa për të komunikur e për të folur shqip.
Në këto brigje të Mesdheut ku shqipja ka qenë e para gjuhë që është folur, në këto brigje të Mesdheut ku Homeri thotë se aty rronin midis tre fiseve të tjera edhe pellazgët hyjnorë, në këto brigje të Mesdheut ku nuk dinin se ç`ishte “ Gali, Angli, Latini, Elveti…”, vjen një moment që popuj të tjerë që nuk dinin se ç`ishte Mesdheu, kërkojnë të tjetërsojnë gjuhën që ka folur në foshnjërinë e vet ky ishull mesdhetar.
Përballë këtij tjetërsimi ku kërkon ta fut njerëzimin era e re e globalizmit, ngrihet fuqishëm poetja shqiptare në këto brigje të Mesheut:
“Dhe unë nuk e shes dot krenarinë time
Të mos flasë gjuhën time të ëmbël, të mirë
Dhe sikur perëndia të vinte në Tokë
Dhe të zgjidhte për mua përjetësinë”.
******
Poezia “Harim” është një tjetër poezi brilante që hijeshon faqet e këtij libri. Është dëshira e cilitdo për të patur një shtëpi, një shtëpi të bukur pranë vilave luksose, pranë detit të kaltër, një shtëpi që të zinte kryet e vendit në një qytet të madh ku mund të bësh emër si politikan e deputet.
Po poetja nuk kërkon gjëra që janë jashtë natyrës së saj. Ajo do një shtëpi atje në vendlindje, ku dielli dhe hëna t`i përkasin veç asaj, ku një tufë rrezesh dielli t`i thonë mirëmëngjës teksa po pi kafen e e parë të ditës duke hedhur në letër vargje që nata ia la për hipotekim.
Aty do të donte ta kishte shtëpinë njeriu i pazhurmë, njeriu që kërkon pak qetësi shpirtërore për t`u shplodhur nga një rruge jete që e kishte lodhur teksa ecte ndanë një bregu moçalor.
Aty:
“Do të doja shtëpinë ta kisha të vetmuar
Buzë lumit tim me rrepe,
Njerëz të pafjalë
Ku netët vidhisen,
Në brazda dheu të ndritshme”.
Kjo shtëpi aty buzë lumit, në oborrin e së cilës ndjehet era e myshkut që vjen nga shkëmbinjtë rrënjëdalë që presin të qetohen në honet e përrenjve.
Aty do të donte ta kishte atë shtëpinë e ëndrrave të saj ku:
“ Drita e qiririt ndrin më shumë se një neon”.
Aty ku edhe lumi ka një sjellje njerëzore, një lumë pa teka të kota, pa kapriço e mashtrime. Një lumë që rrjedh i qetë si vetë jeta e këtyre banorëve të moçëm që kurrë nuk u përfshinë në trazira dhe dredhira.
“ Atje, pra, kështjella ime,
të dua në netë të ethshme,
Pa asnjë mbishkrim.
Si endacakët kur s`duan të duken
dhe prehjen e gjejnë diku në harrim…”.
Poezia “S`kam ndërruar lëkurë” është një nga krijimet origjinale, një nga ato krijime që të befason me freskinë dhe imazhin e mrekullueshëm që krijon artisti i fjalës. Ajo qëndron denjësisht përkrah krijimeve më të arrira. Janë raporte që koha e sotme ka krijuar midis çifteve, midis dashurisë si ndjenjë e përjetësisë dhe pengesave artificiale që i krijohen asaj për të mbetur e parealizuar. E, për të arritur deri aty, një rrugë e mistershme na shfaqet para.
“ Të thashë që do të vij,
Nëpër rrugët e gjata e të pakuptim
Diku dua të pushoj, mbi trarë të kalbur
që nëpër vite mezi qëndrojnë”.
Nëpër këtë rrugë të gjatë, të brishtë dhe të vështirë, dashuria stepet nga lehjet, nga lakuriqët e natës, nga zëra që shfaqen me tinguj të errët, prodhim që ka dalë nga nata, ku shfaqen re të zeza që shkojnë dhe vijnë dhe i rrinë sipër dashurisë sikur do ta mbytin atë. Po ti mos u tremb thotë poetja:
“Mjafton një frymëmarrje e pastër
Për t`i shtyrë tutje”.
Mjafton një çiltërsi dhe gjithçka e errët rrëzohet humnerave për t`i hapur udhën dashurisë.
****
“Andej nga vijmë”, është një tjetër poezi që e fut lexuesin në një atmosferë tejet të rënduar, në kërkim të një jete, por edhe në kërkim të një varri.
“Sa i madh ky det
Dhe prapë për ne nuk ka një varr”.
Është e kuptueshme që njeriu t`i mendojë të gjitha: edhe gëzimin, edhe hidhërimin; edhe të mirën, edhe të keqen; edhe brengat, edhe kënaqësitë; edhe trishtimin, edhe lumturinë. Sigurisht që njeriu kërkon gjërat e mira, ato që na bëjnë të ndihemi mirë, por atje ku shkojmë nuk na shoqërojnë vetëm këto. Teksa udhëtohet detit të kaltër përsipër teje:
“ Një copë qiell i varur lëngon trishtueshëm”
Po njeriu udhëton e udhëton në kërkim të një shprese. Brigjeve të ëndrrave të thyera nuk ka asnjë dritë. Një tunel i pafund ku gëlltitet pa pushim pështymë e hidhur. Sy të verbër e këmbë të akullta. Ecën e thërmon copra jete të ndyra. Njeriu kërkon veçse:
“ Mbi kratere të shuara nuk ka asnjë varr
Andej nga vijmë nuk dimë të ikim
Të mishëruar prej shpresës
Fyt mbytur me litar
Miliona zërash, tingujsh fjalësh”.
Jeta është lëvizje, është ecje. Ashklat e kohës na copëtojnë gjymtyrët teksa ecim në këto udhë të zhurmshe ku njerëzit flasin me gjuhën e shpirtit. Po shpirti është i mardhur: ka ngricë, ka borë. Atje ku do të shkojmë do të pengohemi peisazhit të akullt. Po s`kemi ç`të bëjmë. Jemi nisur për rrugë, duhet të ecim. Mbi lëkurat e lagura, shiu sapo ka nisur vallëzimin makabër. Duhet të durojmë. Ndryshe në labirinthe të përjetshme do t`na soset jeta. Andej nga erdhëm:
“Me dhimbjen tonë luajnë, tradhëtarë
Jetë të ndara përgjysmë,
As andej, as këndej
Dhe në mendjen tonë të lodhur
Nuk gjejmë dot një varr”.
Nuk flemë. Rrimë zgjuar. Pluhur dashurish përtypim mbrëmjeve të vona. Shtyjmë retë në qiellin e lodhur. Na është tharë fyti. Buza është fishkur si trëndafil i vyshkur. Ka shumë fjalë të pathëna. Diçka kërkohet në vetminë e njerëzve të harruar. I mendojmë të gjitha. Edhe atë çastin e fundit pas të cilit nuk kemi më nevojë:
“Në botën e vogël të gjithë lajmëtar…
Andej nga vijmë
Nuk dimë të ikim,
S`ka ç`na duhet i përjetëshmi varr”.
Poetja është e dëshpëruar ( si ajo edhe shumë të tjerë) se krijoi një hendek midis jetës dhe vdekjes. Jeta gati e gjitha jashtë vendlindjes dhe atdheut të saj. Një jetë në emigrim. Ndërsa pas vdekjes përjetësisht aty në vendlindje. Nëse një jetë të tërë nuk i erdhëm dot në ndihmë atdheut e vendlindjes, nëse nuk u kthyem dot andej nga erdhëm në kohën e duhur, kjo për cilindo krijon trishtim. Po edhe Atdheu, i përfaqësuar nga këta politikanë sharlatanë, të vegjël sa nuk shohin dot përtej fytyrës së tyre, nuk bëri asgjë për këta emigrantë që janë më tepër se një e treta e popullit shqiptar të shpërndarë në të gjitha këndet e botës.
Në këto kushte, poetja Edlira Xhani, jo pa dhimbje, ngre fuqishëm zërin e saj: “S`ka ç`na duhet i përjetëshmi varr”, atje në vendlindje, kur vendlindja kishte nevojë për ne dhe ne për atë, por që nuk iu gjendëm dot pranë njeri-tjetrit…
****
Poezia “Moçali” është një përjetim filozofik i botës që na rrethon. Moçali përfaqëson ngecjen në vend. Udhë nuk ka dhe nuk mund të çelësh. Që andej vetëm mund të dalësh.
“ Sa herë bëj ndoshta hapa të vonuara
Më ngecin të menduar në moçalishte
Dhe unë përpiqem të dalë prej andej
Si pela e bardhë,
Që e di mirë se moçali nuk është vend për të”.
Poezia e Edlira Xhanit godet fuqishëm atë fenomen negativ të shoqërisë së sotme siç është tjetërsimi i njeriut. Nëse ndodh që shoqëria t`i nënshtrohet një fenomeni të tillë, atëhere do të kemi një copë tokë të mbushur me tiranë dhe skllevër. Po jo të gjithë e pranojnë këtë ndryshim, sepse nuk mund të ndryshosh:
“Si hijet e drurëve të kopështit
Në një natë me ngricë janari
Krenare me vështrim të vëngër,
Aq të qeta në profilin e plotë
Të Hënës akullsi,
Që nesër bora shkrin
Dhe ti je prapë një dru i shtrembër…”.
“Vallëzimi i qershive” është një himn që i këndohet vendlindjes dhe stinës së pranverës. Dimri ka mbaruar, por bora e bardhë e pranverës ka rënë mbi degët e qershive. Era e mëndafshtë sjell cicërima të harbuara zogjsh, bletët si shtojzovalle thithin nektar në këtë tymnajë bardhësie. Këto imazhe i kemi pranë ngado që shkojmë. I marrim me vete në vise të largëta. I zgjojmë dhe na zgjojnë nga një gjumë i bardhë si petalet e luleve, si fruti i qershisë që përflak agimet dhe mbrëmjet e një stine të begatë :
“Rreze ylberesh në fytyra resh
Kjo përthyerje magjike
në kurme të kristalta qershie
Shtrijnë duart,
Afrojnë kokat kurorë
magjia ndodh…
Vallëzojnë qershitë
Në kujtime vendlindjesh…”.
*****
Një krijimtari që nderon autoren, por edhe atë mjedis që ka prodhuar një talent të tillë poetik. Është një mjedis emigrantësh, në një nga ishujt më të bukur dhe më të rëndësishëm të Mesdheut. Kreta ka qenë vatra e një prej qytetërimeve më ta lashta të Ballkanit. Në mos më i vjetri. Ishte vatra e një qytetërimi që edhe sot na befason.
Enzo Gatti thotë: “Janë në gjuhën ilire edhe shumë emra të lashtë gjeografikë… si dhe emrat gjeografikë të Kretës…” (Enzo Gatti, Ilirët, Sh.B. Bargjini, Tiranë 2005, fq. 50-51)
Dihet që në ato fillime të qytetërimeve Kreta mbante Kr(y)et e vendit. Ishte si të thuash kryeqyteti i Mesdheut.
Ndaj në Kretë ka gjallëri të jetës së emigratëve shqiptarë. Janë disa që shkruajnë e mbajnë vazhdimisht faqet e gazetave me krijimtari publicistike e letrare. Janë integruar në një mjedis jo të huaj dhe jo të panjohur për ta.
Fuqishëm në këtë mjedis është futur edhe poetja Edlira Xhani. Mjeshtëria në ndërtimin e figurave artistike, gjuha e pasur me metafora e epitete, e bën krijimtarinë e saj të begatë. Autorja është një penë prej së cilës pritet shumë në të ardhmen.