Kulturë
Valentina Dafa: Vështrim analitik mbi vëllimin poetik “Nuk jam larg” të autorit Fehmi Korça
E enjte, 14.07.2011, 07:58 PM
Vështrim i përgjithshëm analitik mbi vëllimin poetik
“Nuk jam larg” të autorit Fehmi Korça
Nga Valentina Dafa
Poezitë e vëllimit poetik “ Nuk jam larg” të autorit Fehmi Korça dëshmojnë udhën e individit në aktualitetin historik e shoqëror të kohës së trevave shqiptare, ku përplasen sakrificat dhe sfidat. Përmes optikës vetjake universalizohet realiteti historik, filozofia e jetës, atdhedashuria, dashuria në të gjitha këndvështrimet, sepse poezia e tij lind si pasojë e rrethanave konkrete dhe përhapet me gjeografinë e trishtë të fatit.
Në këtë vëllim tipizohet uni dhe koha e tij. Përmes një komunikimi emocional autori na sjell ngjarje të rëndësishme dhe figura të papërsëritshme historike brenda kufijve të gjendjes shpirtërore.
Ngjyrimi emocional përthyhet në katër ciklet e vëllimit me esencë poetike që përhapet nëpërmjet figurave stilistike, duke kaluar tek lexuesi lehtësisht me vërtetësinë e ndjenjës, sepse motivi i poezisë është i pranishëm tek gjithsecili. Përgjithësisht nuk kemi të bëjmë me përsiatje të çastit, por me poezinë e mendimit në rrethanë që strukturohet brenda hermetizmit.
Simbolikat e përdorura nuk janë thjesht nyje lidhëse të subjektit me objektin, por janë forca dhe pesha filozofike e mendimit për realitetin jetësor, që depërton përmes kësaj nyjeje dhe plazmohet në vargje.
Variacionet e mallit dhe brengës trajtëzohen përmes një lirizmi delikat në ciklin e parë “ Kristale malli”
Fjala është kodi i mungesave, i mallit dhe brengës nëpërmjet së cilës autori na sjell imazhe të thjeshta e të qarta në përqasje të dy realiteteve që janë sa të largëta, po aq dhe të afërta. Është linja shpirtërore dhe elementi kohë që përmes mendimit poetik na pështjellohen hap pas hapi për të na sjell trinitetin bir-nënë-at në ciklin e parë “Kristale malli”, ku vibrimet emotive kulmojnë sa në njërën poezi, po aq dhe në tjetrën, sepse linja genetike përcjell dhembje, kujtime, mall, dashuri. Jo më kot janë cilësuar që në faqen e kryeciklit vargjet:
Ura që lidh dy brigjet /
ringjalle rrënjët, biri im.
Vjen i palimituar në retrospektivë kujtimi i prindërve, i nënës që guxon t`i numërojë thinjat birit, si ditët që e burrëruan larg syrit të saj:
Lokja m`i numëronte thinjat në kokë!
- Më erdhe të pastë lokja!
Ma burrërove shtëpinë!
Tash` konaku,
ka zot për miq e dashamirë!
Po mungesa e babait ndihet ethshëm në poezinë “ Në ikjen pa kthim”:
Ike, diku në harresën e kohës,
Ku rritet çdo stinë pa shpresa
Këpute lulen e blirit
dhe more me vete ëndrrën…
Në ciklin “ Legjendë e dheut tim” përcillet historia e tokës mëmë nga ku buron krenaria e trashëgimisë si dhe trishtimi i realitetit që është një e vërtetë klithëse me të cilën bashkohet edhe rebelizmi i autorit :
Heshtja më vret në largësi…
Klithmën përcjell përtej lumit
T`i tregoj botës këngët e vajit,
Këngët e pakëndueme…
( Hije)
Kjo protestë e vetvetes ndihet në çdo varg, sepse është ekzistenca e identitetit që s`mund të shpërfillet , aty gjallon shpresa e një dite ndryshe dhe vizionet e gjera largpamëse për Atdheun e lirë , pa brenga…
E pres një natë të rilindë jetë e re
dhe të thërras:
Unë, biri yt tani hesht, se të tjerët flasin për ne
Unë, biri yt s`do të hesht, edhe pse duhet të vuaj.
( Unë, biri yt)
Rikthimi në atdhe është i adhuruar cilido qoftë qëllimi, madje edhe për t`u flijuar. Në poezinë (Atdheu) poeti shprehet:
E dua dheun,më tepër Atdheun
Si kurorë të bukur në kokë
Kur të dojë, le të më marrë në gji,
Kur të dojë…
Buzët petale do t`ia mbështes me mall
Unë, biri i tij.
Në këtë cikël si dhe në ciklin “ Pantomimat e marsit” gërshetohen notat e lirizmit me epiken, sepse identiteti i njeriut dhe atdheut nuk munden kurrsesi të kuptohen pa historinë e vet. Autori ka arritur të perceptojë kohën dhe fatin e njeriut përmes tablove tepër domethënëse në ciklin “Pantomimat e marsit” :
Largësia, një gotë verë e thartë…
Eci rrugëve i humbur…
Ikën jeta.
Rrudhat në ballë marshojnë
Thinjat – tregues të kalendarit kohë…
( Thirrje)
Ose tek poezia “ Mars i thyer” ku subjektivisht merr edhe titullin cikli:
Rrapullimë e ditëve të thyera
Katrahurë e netëve të errëta
Katandisje aritmetike
Në mortin e marsit të thyer
Nuk është thjesht një përshkrim stine, por është paralelizmi dhe simbolika e përdorur nga autori për realitetin e rrënuar të një jete boshe, por që sërish optimizmi edhe kështu përmes heshtjes, del qartë në përmbyllje të kësaj poezie:
Mos rënko as në marsin e thyer
Pranvera do të trokasë sërish
Ose në përmbyllje të poezisë “ Eja”, ai jep mesazhe të rëndësishme tek lexuesi në formën e një thirrjeje apeluese:
Ti, eja!
Të mbjellim farën për bukën e re!
Të mos na mallkojë nesër heshtja!
Eja !
Autori mban qëndrim kritik ndaj veseve njerëzore në shumë poezi të këtij cikli.
Në asnjë moment nuk mund të anashkalohet dashuria, balsami jetësor ndaj dhe në ciklin përmbyllës “Rrugëtim shpirti “ autori në poezinë “Vetëm ti” shprehet:
Ti je rreze dielli,
Fllad pranveror
Engjëll,
Je flakadani me kurorë…
Je agimi i mëngjeseve
Zjarr i dashurisë
Që shuan furtunat
Dimrit me acar.
Si përfundim , mall që djeg në shpirt është pragu, nëna, atdheu, liria e munguar, mall që thellohet prej brengës së largësisë e shpërthen në vargje aty ku mendimi s`ka sinorë…aty ku përputhen tri kohët e djeshmja-e sotmja- e ardhmja.
Derivimet dialektore, krahinore kanë funksion të dyfishtë, pasi nga njëra anë plotësojnë teknikisht strukturën e vargëzimit dhe nga ana tjetër është leksiku dialektor që në gërshetimin harmonizues të shqipes letrare, përcjell ngjyrime dhe vlera të patjetërsueshme.
Poezia është laborator shpirtëror që kristalizon klithma dhe si e tillë e ka bërë autorin Fehmi Korça të guxojë për të na i sjellë këtë vëllim të parë poetik.
Valentina Dafa
Fier
Qershor 2011