Kulturë
Daniel Gazulli: E bukur, por e trishtueshme
E diele, 17.07.2011, 06:59 PM
E bukur, por e trishtueshme
- Përsjatje mbi vëllimin poetik “Marr përdore hijen time” –
Nga Daniel Gàzulli
Shpesh gjendemi pikërisht para këtij konstatimi për poezinë e sotme shqiptare: E bukur, por e trishtueshme.
Ngjan si një qortim për poetët, kur fjala e tyne tingllon në trajtën e dhimbjes, jo në trajtën e kangës, si asht në traditën e popullit tonë.
Ashtu vërtetë, po ç’faj kanë poetët nëse kudo që janë, në Atdhe a larg Tij, mbartin dhimbjen e kohës: mallin, braktisjen, vetminë, të gjetunit në shkretinat metropolitane ku heshtja në mes turmave të pafund asht ma e randë se ajo në një rrafshnaltë “të namun”? Ç’faj kanë poetët nëse vështrojnë me dhimbje prej naltësive të artit të fjalës braktisjen e të vdekunve: ata vorre që mbulohen përditë e ma liksht prej shkurreve; për fat të keq edhe nga braktisja në kujtesën e brezave të ri? Asht një çast i vështirë kur poezia asht kthye gati në simbol të dhimbjes, aq sa nuk të mjafton gjuha jote ta klithish, por kërkon t’ua transmetojsh njerëzëve në të gjitha gjuhët e botës.
Janë këto përqasjet e para që të lindin vetiu si të kesh lexue vëllimin e fundit poetik të Dr. Zef Mulajt, poetit të Malësive të Gjakovës, por që braktisja e shtërngoi të bahet edhe poeti i Rekanatit. Nuk due të mëkatnoj: Rekanati asht per antomazi djepi që përkundi Giaccomo Leopardi-n. Por një djep i tillë ka vend gjithmonë edhe për poetë të tjerë, sidomos për ata zogj shtegtarë që e ndalin flurimin aty.
Vëllimi poetik “Marr përdore hijen time” i Mulajt, që do të prezantohet këto ditë në Porto Rekanati, i botuem në katër gjuhë: italisht, shqip, anglisht e gjermanisht, asht një reflektim estetik me ndjeshmëni të naltë i asaj që përjetojmë të gjithë, vaçan ata ma mallin kthye si një ikonë lutjeje për fatet e Atdheut, që nuk gjen paqë.
Nuk due të përsëris ato që kanë hartue në parathanje zonja Novella Torregiani për variantin italisht dhe poeti ynë Skënder Buçpapaj për variantin në shqip. Due të ndalem vetëm tek një poezi, ajo me titull “Kohët shtatzana”.
Me pak fjalë poeti paraqet gjendjen e tij, me frikë ndoshta jo vetëm për të sotmen, por edhe për të ardhmen:
Në trupin e heshtur
e ardhmja është bërë
kurorë.
Në muret e rrëzuara,
varur,
brënda ëndrrat mbetur
kanë.
Natyrisht, edhe një objekt, e varim në një vend të sigurtë. Por nëse edhe andrrat i shohim, të paktën sot për sot, të varuna në rrenojat e shpirtit tonë, atëherë pikëllimi asht i thellë: Andërra në mes rrenojave – mos, o Zot!
Por kjo asht dhimbja e Poetit. Ajo
………… bëhet sopatë
mbi drunj të kalbëzuar
për të dalë sythe të reja.
Ky kontrast i fuqishem, tronditës, na kthen aq bindshëm shpresën se nesër andërrat tona do t’i varem jo në rrënoja, por pikërisht në këta sythe të reja, paçka se, përvoja njerëzore për një poet ka lanë ma shumë kujtime të hidhuna të skalituna në shpirtin e tij të ndjeshëm:
kohet shtatzëna të njerëzimit,
që pillnin vetëm mjerim,
mjerim…………………
As zogjtë
nuk uleshin në filizat
e reja,
..............................
Po ate që arrin të shohnë shpirti i poetit, ndoshta nuk arrin ta përceptojë askush tjetër. Ai i shikon horizontet e së ardhmes me një shqisë të veçantë që nuk e kanë të gjithë njerëzit. Prandaj:
Përtej ëndrrave
është vetëm qielli.
Përtej shpresës
është vetëm toka.
Përtej buzëqeshjeve
ështe vetëm dielli.
Përtej lotëve
është vetëm koha
shtatzënë….
Përtej dashurisë
është vetëm njeriu
që di të dashurojë,
Ai shikon njeriu që di të dashunojë, NJERIUN me të gjitha shkronjat të mëdhaja, ai që do ta ndërtojë të ardhmen ndrysh, të brumosun me dashuni, pranaj:
atij ia fali buzëqeshjen
Në duer të sigurta, pa frikë nga mjegullnajat e kohnave,
...................... atëherë
e ardhmja del nga trupi
i heshtjes.
Pra, ja që bukuria e fjalës poetike, ajo e trishtueshmja, në penën e Poetit kthehet me një forcë poaq emocionuese në BESIM!
Poeti ynë, e na të gjithë së bashku përkrah tij, fitojmë besimin se e ardhmja i përket
..................... kohës shtatzënë
që do të lindë vetëm dashuri
dashuri….
Shënim:
Ndërsa isha përgatitë të nisja këtë shkrim, mësova se mbramjen e datë 16 korrik në Porto Rekanti u mbajt promovomi i librit të Poetit tonë. Fjalën e rastit dhe një vështrim kritik e mbajti poetja Novella Torregiani, e cila ndër të tjera, tha: “Në këte kohë, kur Poezia asht lanë në një qoshe shpërfillëse të kulturës, Poeti Shqiptar, me banim prej vitesh në Itali, ZEF MULAJ, ka zgjedhë pikërisht gjuhën poetike për të shprehë mendimin e tij, për të shfrye dhimbjen e tij përvëluese, ende e pranishme në Atdheun e shumëvuejtun. ….. Poezia e Zef Mulajt të emocionon për thjeshtësinë dhe ngarkesën emotive që ajo mbartë ….
Ishte i pranishëm dhe përshëndeti edhe Rektori i Universitetit të Macerata, Prof. Lamberti.
Mbi promovimin e librit kanë shkrue sot edhe gazetat lokale të Rajonit të Markeve.
Poeti Zef Mulaj dhe Rektori i Universitetit politeknik Markeitali Prof. Lamberti.
