Kulturë
Istref Haxhillari: Pelegrinët
E hene, 18.07.2011, 06:11 PM
Istref Haxhillari
Pelegrinët
(Tregim)
Në kthinën e pasme të restorantit “Pelioni” drekonin vetëm dy
kliente. Kur i vështroje nga larg të krijonin përshtypjen se donin t’u
fshiheshin syve të njerëzve. Era e intimitetit i mbështillte me kundërmime
dehëse.
Hanin me sqimë; thika, piruni lodronin mjeshtërisht.
Njëra përkujdesej ta pastronte mishin nga kockat, sidomos copëzat e vogla të
padukshme. Kishte dhëmbë elegantë, të bardhë e të njëtrajtshëm. Ngjanin me
shirita të platintë zbukurimi.
Klientja përballë zgjidhte pjesët pa dhjamë.
Biseda sillej rreth motit të nxehtë, burrave, modës dhe domosdo
drekës.
-Gatim i përkryer, - tha klientja me dhëmbë delikatë, - veçse
duhet ta presë me kujdes. Ndodhin jo pak dëme të pariparueshme.
-Kohët e sotme njerëzit më tepër vuajnë nga obeziteti - tha
tjetra me shqetësim të vetëkuptuar.
-Eh, mish pa dhjamë nuk mund të ketë, - ironizoi mikesha e saj,
duke i dhënë fytyrës përpara me buzët gjysmë të hapura.
Dhëmbët e mrekullueshëm vezulluan.
-As pa kocka, - erdhi menjëherë përgjigjja. Me të njëjtën
monedhë.
Qeshën plot naze. Në fytyrat e hijshme rrezëllinte hareja,
shtendosej një paqe gjithmonë e më rozë.
Natyrisht nuk u dëgjua asgjë sallës kryesore të restorantit ku pelegrinët
bënin zhurmë, ngacmonin njëri-tjetrin. Nëpër flokë dhe supe rigonin
sumbulla uji, si thurima të argjendta. Shiu i beftë i verës nuk harronte të
spërkiste tokën e plasaritur sa herë vinte përvjetori i shenjtit të
krishterë
Atmosfera ishte gazmore, volumi i lartë.
Poterja i pëlqente pronarit, që nuk e duronte zbrazëtinë. Në të humbur të
ditës klientët rralloheshin, restoranti pothuaj boshatisej. Pelegrinët
sollën harenë e zakonshme me të cilën qe ambjentuar.
-Dua të kënaqeni, - buzëqeshi. Qingjin e pjekur në hell e shkëputi nga skara
duke e rrotulluar në mënyrë ceremoniale.
-Sot e keni nga Mali i Thatë, - u mburr, po vështirë të merrje vesh të
vërtetën e kulluar.
Porositën verë të bardhë.
Sedo Vinica pinte birrë. Vuante nga koliti dhe herë pas here rrëshqiste
dorën në pjesën jo aq të paqtë të anatomisë së tij.
-Pse s’përdor pijen e bekuar, - u rrek pronari t’i bashkohej euforisë
festive të
klientëve, - thonë se e ngjëronte edhe Shën Naumi.
-Nga vera më ka vdekur gjyshja, - u përgjigj me humor. I dukej e pahijshme
të tregonte arsyen.
Miqtë e tij vunë buzën në gaz.
-Në Sarajevë nuk mbanin verë, rrallë gjeje pijetoreve, - tha Ermal Amati.
Para disa mujash i pati rënë rasti të vizitonte Sarajevën, sillte dendur
përshtypje nga qyteti historik. E tepronte, shokët e ngacmonin.
-Me sa duket vuajnë nga koliti, - supozoi me shaka Fatmir Gradishta.
-Boshnjakët janë muslimanë, ua ndalon feja - tha Sedo Vinica. Pamja evazive
nuk lejonte të kuptoje nëse e kishte seriozisht.
-Bëtë kryq në Shën Naum? - pyeti pronari i restorantit në një tentativë të
zbehtë për humor. Të pasuksesshme.
-Jo, - u përgjigj ftohtë Ermal Amati, - nuk dimë ta bëjmë siç duhet.
Ai u largua duke mërmëritur diçka të pakuptueshme nëpër dhëmbë.
-Në Sarajevë nuk ulej asnjë punonjës shërbimi, - tha Ermali.
-Eh, sigurisht, - Fatmiri vuri buzën në gaz, i ndjekur nga të tjerët.
Rrugës përballë u shtua lëvizja e njerëzve. Ngjyra gri e asfaltit ndizej
prej një rrëkeje drite vezulluese. Qyteti fundosej në horizontin e përmbytur
nga rrezet e pjerrta të diellit në fund të ditës. Kurorat e blireve dhe
lofatave të çelura u shembëllenin kambanave që tunden ritmikisht.
Rezononin me tingull të lehtë shushuritës.
Nga plazhi filluan të ktheheshin gra me çadra nëpër duar, minifunde, bluza
të holla, gati të tejdukshme. Në dritën e kuqërremtë të perëndimit ngjanin
veshur me ar.
Klientët e restorantit “Pelioni” vështronin pjesët e pambulura nga rrobat,
që nuk kishin ngjyrën e arit.
Po diçka me vlerë më të madhe.
-Gratë të joshin në fillim, pastaj bëhen të bezdisura. Thelbi i dashurisë së
përjetshme qëndron te ndryshimi, - Vinica ndoqi me sy një vajzë të gjatë
pak e gjerë në këllqet. Pothuaj vetëm me rrobat e plazhit.
-Gabohesh, së paku nga përvoja ime, - Fatmir Gradishta donte të linte
përshtypjen se ishte i ndershëm.
Ndonëse natyrisht nuk ishte.
Te një mashkull, shijet për gratë kanë rregullat e veta të pathyeshme,
ngjizur qysh në moshë të re. Kushdo që rreket ndershmërisht t’i kthejë
mendjen, zor se ia arrin qëllimit.
-Sado cinike të duket, joshja është rruga më efikase drejt dashurisë, - u
rrek Vinica të çonte deri në fund pikëpamjet feministe. Kishte natyrë dhe
shpirt poeti.
Frymëzimi u shua sakaq dhe ai mbeti në pozitë qesharake: Ermal Amati e
ndryshoi kahun e bisedës.
-Kam diçka më interesante, - u tregoi fotot spiune në Manastirin e Shën
Naumit. Sfondit të aparatit dixhital shquheshin vajzat e reja vetëm me rripa
supeve të lakuriqta. Anash dhe pas shpinës së tyre.
-Në mbrëmje i kini te gratë, - tha.
-Kjo ditë e bukur po vrenjtet - meditoi në mënyrë metaforike Sedo Vinica. I
vrenjtur,
me dozë të fortë qesëndie.
Asnjëri nuk pati kundërshtim t’i shpinte fotot te gratë.
Mundi shkoi dëm dhe Ermal Amati uli kokën i zhgënjyer me të njëtën pamje të
menderosur si shoku i tij një çast më parë.
-Fole me Kritën? - Fatmiri tentoi një linjë më intime.
-Nuk do, - u përgjigj Sedo Vinica i hapur, i çiltër. Krita e refuzonte prej
tre muajsh,
por ai vazhdonte përçapjet. Ndonëse me shpresë të zbehur.
-Përse?
-Sikur ta dija!
-Ngaqë nuk të beson, - i tha. Me kompetencë të shtirë.
Në fakt ishte i vetmi që nuk do të mund t’i jepte asnjëherë ndonjë këshillë
për të qenë.
Krita nuk solli asgjë të re. Fatmir Gradishta donte të ndizte bisedën,
shakatë.
Ishin pelegrinë!
-Po në Sarajevë? - hodhi një fishek qorr.
-Asnjë rast për t’u shënuar, - përgjigja erdhi e thatë. Pak e zymtë.
Dukej se humori i asaj dite shteri. Mbetej të pinin gotat e verës dhe të
vështronin në heshtje rrugën, kalimtarët e shtuar, muzgun dembel.
Drekës po i vinte fundi.
Ermal Amati hante shpejt, ndonëse pronari, njohës i përkryer i kulinarisë, i
pati dalë borxhit: dëmtonte stomakun.
Mbaroi dhe u ngrit. Duart i ndrisnin nga lyra, rrallë përdorte pirunin.
Banja ndodhej mes dy ndarjeve të restorantit. Kur niseshe për atje i pikasje
menjëherë klientet e kthinës së vogël.
Domosdo i shikoje edhe po të vije posaçërisht.
I pavëmendshëm, në pozicion mashkullor disi të turpshëm, hasi vështrimin e
femrave. Ato e ndërprenë bisedën dhe Ermali u ndje ngushtë. Përballja e
papritur me të panjohurat e befasoi, e vuri në siklet.
Pasi hyri në banjë e mblodhi veten dhe, duke larë duart, zuri të qeshë. Në
pasqyrë shihte surratin e skuqur, iu desh kohë të dilte normalisht.
-Ç’bukuroshe! - u tha miqve në tavolinë, - rrallë kam parë femra kaq
sensuale. Vizatoi me ngjyra të gjalla pamje eksituese të gjinjve, kofshëve,
syve djallëzorë.
-Si ato Sarajevës? - e cytën pa humor, sa për të thënë diçka.
-Besoj se po, - ua ktheu dhe ngriti dolli me shprehje memece të
mezilexueshme.
E pinë pa hezituar.
Pastaj, përnjëherë u ndeh qetësi e shurdhët. Teksa përtypnin fjalët me
gjurmë të lehta buzëqeshjesh në cepat e buzëve, biseda ngriu.
-Kanë punën e tyre, - theu heshtjen Fatmir Gradishta.
-Mund të jenë zuska, - Vinica u ngërdhesh. Kur emocionohej sëmundja e
bezdiste.
Ermali porositi kafe pa sheqer, rivendosi linjat e këputura me pronarin. I
tregoi hollësira nga pelegrinazhi në Shën Naum; diçka për manastirin,
murgeshat, vizitorët e shumtë, kullat me pallonjtë emblematikë.
Serioz dhe indiferent.
Ndërsa vazhdonin të hanin të gjithëve u rrinte mendja te kthina e rezervuar.
Askush
nuk e bëri veten, po fjalët u zbehën, ngecën.
Kureshtja kapërceu disa gradë mbi normalen.
-Mbase janë të huaja, - dyshoi Fatmiri, - sezon plazhi! Instiktivisht vuri
rregull në flokët ngjyrëftoi, u shkoi një dorë vetullave të pabindura.
-Bjonde apo brune? - Vinica tentoi të mësonte hollësira.
-Dy hapa larg janë, pse nuk vete t’i shohësh? - ia ktheu i bezdisur me ironi
të fshehur.
Ai u mblodh nga sikleti dhe rrëshqiti dorën në pjesën jugore. Për atë
shkakun që nuk pinte verë. Ishte njeri praktik. Nuk donte thjesht shoqërinë
e femrave që shkëlqenin fare pranë, po diçka më shumë se aq:
Vetë femrat.
Fatmir Gradishta, i pazoti të mbante nën fre emocionet, luftonte burrërisht
për të mos u thyer.
-I njeh? - e pyeti eksploruesi i zonjusheve pronarin e restorantit. -
Ç’vajza të shkujdesuara! As e ruajnë veten. Nga ato që u sjellin vuajtje
pafund burrave.
-Vijnë për herë të parë, - nëqeshi ai në mënyrë enigmatike. Dhe sigurisht
naive.
Vera e bardhë ua ngatërronte mendimet, zgjonte ndijesitë.
Atmosfera fërgëllonte.
Ndonëse përpiqeshin të ruanin njëlloj serioziteti të shtirë, i vidheshin
vështrimit të njëri-tjetrit. Fshehur hidhnin sytë nga dhoma e vogël duke u
hequr sikur donin të kundërtën.
Kjo i bënte qesharakë.
Sedo Vinica rregulloi flokët gjysmë të rëna, drejtoi trupin, futi në
pantallona bluzën e kuqe të rrudhosur dhe u nis.
…të lante duart.
Në mesrrugë u dallua qartë mahnitja.
-Ajo përballë fantastike, sikur mezi pret të puthet. Sy që të mbeten në
mendje! Leshverdhë! - Kafshoi buzët të përmbante emocionin.
Kishte dobësi për bjondet.
Ermali qeshi me masë, kurse Fatmir Gradishta rrinte i heshtur, nuk dinte si
të sillej. dhe qeshi kot.
Më në fund u ngrit. Kur u afrua në zonën e dukshme vuri buzën në gaz sa mezi
u dallua, tundi lehtë kokën.
Dinte të sillej s’kishe ç’i thoshe!
Pas pak nga banja erdhën klithma të përmbajtura gazi. Iu desh kohë të dilte.
-U vonua! - Amatit i kullonin lotë nga sytë e skuqur.
-S’mundi të përmbahet, - u shkund i tëri Sedo Vinica. E zuri kolla, vuri
duart përpara.
Përtej banakut i zoti i restorantit shikonte tavolinën të lëkundej.
-Epo mashkull! - Ermali Amatit i dolën fjalët e rrokëzuara, të paqarta.
Në kthinën e rezervuar bukuroshet kishin përfunduar drekën dhe bisedonin të
shkujdesura. Gruaja përballë fshinte me delikatesë djersët që i kullonin nga
mbipesha. Tjetra pastronte tërë kujdes protezat e punuara mjeshtërisht.
I rrinin shumë bukur.
E djelë 3 korrik 2011
Manastiri i Shën Naumit, Maqedoni