Kulturë
Tahir Bezhani: Kurbeti si plagë shpirti
E hene, 18.07.2011, 06:28 PM
GURBETI SI PLAGË SHPIRTI
(Mehmet Haxhosaj:”Buzëqeshje e afshët”, poezi)
Nga Tahir Bezhani
Këto ditë të nxehta vere doli nga shtypi libri më i ri me poezi i poetit Mehmet Haxhosaj,me titull”Buzëqeshje e afshët”,nën redaktimin e pendës së njohur të letrave shqipe,z.Ali Jasiqi , me recensent,Muharrem Kurti,poet nga Gjakova.
Libri u botua nga Ndërmarrja Shërbyese “Jeta e re”,Prishtinë.
Poeti Mehmet Haxhosaj,jeton ,punon e krijon në diasporë,pikërisht në Zvicër i cili ,këtyre ditëve na gëzoi me librin më të ri poetik,”Buzëqeshje e afshët”,i cili është i treti libër me radhë,pas atij”Pesha e gurit”,”Fillo me të mbarë”.
Kam bindjen se askush nuk do prekte lapsin me dorë për të shkruar asnjë fjalë për librin i cili nuk të le mbresa. Thënë ndryshe,pas leximit të poezive te Haxhosajt ,nuk pata durimin të ndalëm pa i shkruar përshtypjet e mija si lexues.
Libri më i ri i krijuesit M.Haxhosaj”Buzëqeshje e afshët”,është i ndarë në katër njësi cikle dhe secili cikël përmban nga 15-17 poezi me nga tre e më shumë strofa që fletë çartë për një poet me frymëzim të rrëmbyeshëm.
ARTI POETIK Që MREKULLUESHËM TË PËRVETSON DHE TË BËNË PËR VETE
Që nga poezia e parë e deri në atë të fundit,lexuesi takohet me fuçinë e fjalës poetike,me talentin e theksuar të një të riu i cili me motivet e larmishme të sjella në artin poetik,të përvetëson mrekullueshëm. Jeta e një të riu larg vendlindjes,larg familjes,ambientit ku është rritur,padyshim se janë derdhur në vargje plot mall e nostalgji,motive këto që janë të rrënjosura thellë te çdo qenie njerëzore dhe në brendi shpirti rrinë si gurë i nxehtë e që kurdoherë pëlcet si vullkan.
Jeta e një gurbetqari me baticat e zbaticat e veta,patjetër se të motivon të nxjerrësh nga shpirti tërë nxehtësinë që flenë për t’u ndier pastaj,sadopak,më i ftohur e më i lirë. Nga ky aspekt pastaj lindin motive të përcjella me ndjenjën humane, njerëzore. Porosi të tilla gjejmë te secila strofë,te secili varg i poetit Mehmet Haxhosaj.
Ky krijues,i përndjekur nga regjimi i Millosheviqit 20 vite më parë,i mbërthyer nga malli për vendlindjen,shpirti i tij gjen pushim duke zbrazur katarzën e vet poetike me vargje përkushtuese ndaj njerëzve të mëdhenj të letrave shqipe e të kombit,si Lazgush Poradeci,Mitrush Kuteli,Ukshin Hoti,Din Mehmet etj. Këta emra të veçantë të kulturës sonë,janë të pa kalueshëm për poetin e ri,z.Mehmet Haxhosaj,të cilët kanë lënë gjurmë në jetën e tij,në formimin e tij si intelektual e krijues,prandaj janë edhe burim frymëzimi në rrugëtimin e tij letrarë.
Te çdo krijues,motivi i femërisë ka zënë vend në krijimtari,andaj edhe te autori i këtij libri,ky motiv është mjaft i theksuar dhe i nxjerrë nga brenda me një nostalgji elegjiake,duke e trajtuar në mënyrën e vet karakteristike. Në poezinë”Në Gjirin e Mellës”,vërejmë më së miri grrithjet e kujtimeve që lotojnë nga larg,duke perceptuar lodrat buzë Erenikut dhe Drinit,afër Gjakovë,afër vendlindjes. Ja disa vargje te kësaj poezie :
Pas larjes gëzimi
Pas larjes dëshpërimi
Në Gjirin e Mellës të viteve të mia
Gjiri i Mellës
Para kujtimit- mallëngjim
Pas kujtimit-trishtim
Poeti është karakteristik dhe di mrekullueshëm të përdorë disa motive të vogla si filozofi personale e që në fakt mbajnë peshën e tharmit të rrallë poetik. Kjo ngjanë,mendoj unë,për faktin se mërgimi që në moshë të re,dashtë e pa dashtë,le gjurmë të pa shlyera në kujtesën e njeriut,ku efekti indikativ pa tjetër është i thelluar edhe në psikologjinë e personalitetit. Këtë indikacion mund ta vërejmë më së miri edhe tek poezia “Fëmijëria ime”,ku poeti pëlcet spontanisht por fuqishëm:
“Sa herë që jeta më hedhë cepave
Në ndonjë thellësi të errët moshe
I kthehem fëmijërisë sime
Atëherë kur ndjekja mëzin e ri
Që lodronte fushave të gjelbra
Që të qeshë më zëshëm
x x x
Kur e kam ngushtë në moshë
Dua të mbetem
Vetëm fëmijë i rritur....
Janë këto vargje të nxjerra nga thellësi e shpirtit e që fuqishëm mbërthehen fushës imagjinatave plot mall vendlindje.
Te autori i këtij libri,nuk është vetëm motivi i mallit për vendlindje që thuret në intuitën e tij të pjekur poetike,por me guxim dhe në mënyrë shumë të pjekur,tani si poet i formuar,lëvron edhe tema tjera me rëndësi të theksuar historike si motivet e luftës për liri,dhe motive tjera të kohës që jetojmë.
Mjafton të përmendim poezinë “Dokumente” dhe të bindemi për cilësitë artistike të poezisë së z.M.Haxhosaj:
“Në Iliri
Në vitin 2200 para Epokës së Re
U takova me ju
Unë poeti i heshtur”
x x x
Historia ju cullakoi
E sot jeni me dhe pa emra
Pastaj erdhën kohë ndaras
Erdhën emaile sms ueb
Dhe zgjuan dashurinë tonë
Shëmtuan urrejtjen tuaj”
Luzern,2007
ATDHEU DHE KURBETI PESHË E MENDIMIT DHE E KËNDIMIT POETIK
Kurbeti është plagë e vjetër dhe si duket e pandalshme tek shqiptarët, ku stuhitë e nxehta politike në Ballkan e më gjerë,përherë nxirren jashtë kufijve të vet poet,shkrimtarë,politikan të mendimeve ndryshe,atdhetarë te paepur te çështjes kombëtare. Janë me mia shembuj të shkrirjes së gjeneratave dhe tani të harruar për jetë e mot!
Kjo plagë e vjetër,për fatin më të keq,përsëritet edhe në kohën e sotme,në lirinë për të cilën u derdhë aq shumë gjak.
Në mesin e shumë krijuesve nga diaspora shqiptare,bënë pjesë edhe autori i librit,”Buzëqeshje e afshët”,i cili në krijimtarinë e vet letrare,vend të veçantë i ka kushtuar qëndrimit pa dëshirë e tij,larg atdheut e vendlindjes. Prandaj,siç u cekë edhe më lartë,poeti Haxhosaj,ka është karakteristik në mënyrën e shtruarjes së motiveve me rëndësi shoqërore. Ka ide të kapura në thellësi të gjykimit bashkëkohor,të modernitetit poetik, shkruan poezi me esencë fleksibile që meritojnë një vëmendje të veçantë nga lexuesi.
Poezitë e këtij zhanri nuk janë me vajtime e shfryrje të pa shpresa,por janë poezi me aksent të veçantë,me porosi të drejtuar çartë e guximshëm. Krijuesi tani e gjene edhe shkakun e gjendjes se tille. Nga ky këndvështrim aludohet,përmes vargut,për të mos mbetur rrugëve të botës tërë jetën ky popull i shumëvuajtur. Ja një poezi e këtij krijuesi:
“E mendohem e mundohem
Të krijoj një aforizëm
Apo një satirë të re
Por shkruaj përsëri letra
Për t’i dërguar në ish-Iliri
Të çmallen deri në pafundësi
Edhe pse dëshirimin e gëzimin
Kurrë ndaras s’i gjeta
E shkruaj letra për atdhe
E shkruaj letra për vete
Sepse kam frikë pleqërinë
Që mos të më takojë e gjejë
Rrugëve të ngatërruara të Globit”
Luzern,2008
Libri “Buzëqeshje e afshët” e poetit Mehmet Haxhosaj ka vlera të pa kontestueshme artistike letrare,ka cilësi,ka motiv krijues i cili i vjen nga pasuria e brendshme shpirtërore me të cilin virtyt ndërton kullën e artit poetik. Duke u bazuar në këto cilësi e vlera bashkëkohore,them lirshëm se ky libër është një pasurim i bibliotekave tona e posaçërisht edhe i atyre bibliotekave ku libri ruhet përjetësisht më së”,është një pasurim i bibliotekave tona e posaçërisht edhe i atyre bibliotekave ku libri ruhet përjetësisht më së miri.