E diele, 13.06.2021, 06:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Ukaj: Arti i ambivalencave krijuese

E hene, 18.07.2011, 07:58 PM


Arti i ambivalencave krijuese

 

Nga Ndue Ukaj

 

Të rrallë janë ata krijues, të cilët lirinë e imagjinatës krijuese, e lëshojnë në ujërat e pafundme të kërkimit dhe që nga andej përftojnë më të bukurat e thellësive. Në të vërtetë, të rrallë janë ata krijues që thyejnë shabllonet e artit të krijimit dhe guxojnë të eksperimentojnë deri në imtësi më fjalën, gjuhën dhe rrjedhimisht, produktin e saj, shkrimin. Mirëpo, ata që e bëjnë këtë, janë ata që shënjojnë kohët, kulturën letrare dhe bëhen shënjuesit e saj. I tillë është autori Skender Sherifi. Një krijues me potencë të jashtëzakonshme, që kur shkruan, sikur lëshohet në ujërat e trazuara të shkrimit dhe lojës imagjinative, nga e cila, si krijues i rryer di të  përfton ato thesaret më të zorshme, ato guaca, që brenda shpërthejnë me fuqinë e dashurisë për artin e të shkruarit, me të cilin ky shkrimtar është i mishëruar. Skender Sherifi hedhet ne krahët e imagjinatës dhe shtegton nëpër ato misteret më të mistershme të magjisë së shkrimit. Një magji e vërtetë krijuese, një vepër letrare thellësisht tronditëse, është edhe vepra teatrale, Trioja, ose Trioja e përjetshme, një tipizim për Artistin, Femrën dhe Tjetrin. Ky tekst letrar, konceptualisht ndërthur trajta të shumëfishta krijimi dhe perceptimi. Ai është një shkrim letrar, ku autori mjeshtërisht funksionalizon ironinë, humorin, dialogjet  dhe monologjet dramatike, elemente këto që e bëjnë shëmbëllim të letërsisë së bukur. Trioja e përjetshme, është një tekst që të magjeps dhe të fton ta lexosh e rilexosh, ta përjetosh dhe shikosh.  Janë këto tipare karakteristike dhe poetika origjinale e kësaj vepre unike që, thënë me gjuhën e përgjithshme, e pasurojnë fondin e kulturës letrare shqiptare.

Autorin Skender Sherifi, të cilin gjer me tani e kemi njohur si poet me një botën tejet të veçantë e unike krijuese, tani shfaqet para lexuesit me tekstin letrar, Trioja e përjetshme, një vepër letrare, në të cilën trajtohen probleme të përjetshme të njeriut, me një frymë të re, që është tipik sherifiane. Teksti i tij letrar, ka brenda poezi, prozë, filozofi, religjion, film. Aty ka copëza jete të njeriut bashkëkohës, që merr dhe jep nga më të zakonshmet dhe pazakonshmet e jetës. Nëpër këto ambivalenca dramatike, perceptimi i artistit për botën, rrethin, femrën, paranë, bëhen tipare semantike dhe shënjues të tekstit letrar.

Brenda një trekëndëshi të çuditshëm, i cili luhet mjeshtërisht, mes artistit, gruas dhe tjetrit, me ndërhyrje edhe te korit, si përbërës i rëndësishëm i tekstet dramatike, autori e shëtit mjeshtërisht lexuesin nëpër kohë dhe hapësirë, e ballafaqon me të shkuarën dhe bashkëkohësin, prapa së cilës, shpërfaqet intencionaliteti ideor autorial, ku rëndojnë pikëpyetjet krijuesit për kohën e tij dhe dramat e thella të saj, dehumanizimin dhe kohën teknike.

Ky tekst teatral, shpërfaq intensitetin krijues, atë intensitet që brenda fabulës së tekstit Trioja na ravijëzohet me nuanca thellësisht filozofike, ku mendimi krijues ngjizet brenda një sistemi gjuhësor të konstruktuar me shprehje dhe figura stilistike, në të cilat zotëron krahasimi, metafora dhe ironia. Teksti thërret. Ai kumbon. Është një shpërthim, në të cilën receptuesi gjen shpërthimet me tipike të kohës sonë.

Ashtu sikurse ne poezi, edhe ne tekstin Trioja, të shkruar me destinim teatrin, autori luan me fjalën, të cilën e përdor në mënyrë magjike, për të funksionalizuar tiparet e një estetike të kondensuar, ku ritmi i fjalës dhe intensionaliteti i mendimit, ecin paralelisht, ashtu siç ec vetëdijshëm botëkuptimi i krijuesit për fenomenet e ndryshme që trajton, për natyrën dhe karakterin e Artistit, relacionin e tij më krijimin, botën, femrën. Për autorin e këtij teksti, Artisti në të vërtetë, është një   gjeni dhe ”rrjedh si një Lumë në Asgjësinë njerëzore” (Artisti). Kësisoj, Ai është si një gjahëtar i përjetshëm, i anktheve, ankthe këto që përcillen me gjuhën e së bukurës, nëpërmes veprës Trioja.

Trioja është një tekst i shkruar me gjuhën e së bukurës, që rrjedh si një lumë i qetë, në thellësinë e të cilit lundrojnë mistere të pafundme të krijimit, e të cilat, autori ja sjell lexuesit dhe shikuesit të etur për të bukurën dhe të këndshmen mjeshtërisht.

Bota e krijuese e Skender Sherifit është një univers i pafund shqetësimesh dhe observimesh. Autori i  shpërfaq para receptuesit, me tiparet e një estetike postmoderne, me tendenca të sintetizimit të procedimeve të ndryshme teknike në shkrim, qoftë të karakterit gjuhësor, stilistik apo kompozicional.

Teksti, përveç tjerash shquhet për muzikalitetin e veçantë, për një ritëm të brendshëm që e mban në tension mendimin dhe shthurjen e fabulës. Për më tepër, këtë tekst e shquan edhe një rimë e bukur, e cila kumbon muzikalitet dhe i jep gjallëri veprës.  Janë këto tipare dhe shenja letrare, të cilat e bëjnë këtë vepër shumë të admirueshme për skenim.

Në këtë tekst, ka një përpjeke për të sintetizuar forma dhe modele të ndryshme të procedimeve dramatik. Futja e korit modern në skenë, është një tipar klasik, por që këtu merr tipare bashkëkohore dhe bëhet mishërim i një bashkekzistence dramatike. Kori nuk është një ndërmjetëses klasik, mirëpo në trajta eksplicite, mishërim i personazheve të panumërta në korin e jetës, që flasin: “Kultura u bë një Luks në gjithë këtë Antikulturë” (Kori).

Poetika e semantike e këtij teksti, konstruktohet mbi një ambiguitet të fuqishme mendimesh të thella e filozofike që zbërthejnë mistere, ato mistere që në trajtat më të bukura vinë përmes personifikimit më emblematik, me Artistin, Femrën, Tjetrin dhe Korin. Autori trajton problemet e kohës, “Si lind Etika , si ushqehet Vullneti, si gjendet Qëllimi ultim ? Si orientohet një Komb”, (femra).

Skender Sherifi, tekstin e tij pasuron me elemente të ndryshme kohore, përmes shëtitjes nëpër kohë dhe hapësira të gjithfarshme, me elemente kulturore, duke shfrytëzuar pasuritë e mëdha të letërsisë, kulturës, religjionit, në funksion të konstruktimit të një bote specifike dramatike. Trioja është e përjetshme. Prandaj duhet lexuar. Për më tepër, ajo duhet skanuar. Kështu do të realizohet qëllimi i saj final.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora