Kulturë
Avni Alija: Ankthi si element tematik në librin në prozë artistike “Jetë në ikje” të autorit Dibran Demaku
E marte, 19.07.2011, 06:58 PM
Vështrim
Ankthi si element tematik në librin në prozë artistike “Jetë në ikje” të autorit Dibran Demaku.
Botoi Shkëndija, Prishtinë 2010
Nga Avni Alija
1.
Tërësinë kompozicionale të librit në prozë “Jetë në ikje”të shkrimtarit Dibran Demaku e përbëjnë dhjetë tregime. Filli i përbashkët që përshkon të gjithë brendësinë e tregimeve është diskursi ideo-estetik dhe psiko-social i mbështetur në rrafshin e objektivitetit real, diskurs ky i mbështjellur me përkushtim nëpërmes të të rrëfyerit fiksional.
Në strukturën narrative të tregimit të parë, titulli i të cilit është edhe titulli i librit, lexuesi gjen elemente të një strukturimi artistik që i përafrohen të të ndërtuarit romanësor; kjo dëftohet në përpjekjen krijuese e të ngriturit të relacioneve, analogjive,dokumentariteti, reportazhi, analepsa, prolepsa, koncipimi i i mendimeve të kryeprotagonistëve etj.
Në prozën e Dibran Demakut, pothuajse në të tri shtresat e të sendërtuarit letrar, si në atë të retorikës së tekstit, stilistikës së tekstit, e gjithashtu edhe në vetë strukturën rrëfimtare, element qendror , si në aspektin objektiv e poashtu edhe në dimensionin fiksional, është pa dyshim Ankthi si gjendje dhe Ankthi si situatë.
Dëftohet, megjithëatë, se intenca e autorit Demaku ka qenë të të qëndruarit më afër retorikës së tekstit dhe strukturës rrëfyese. Stilistika e tekstit, ndërkaq, si shtresë e të sendërtuarit të kompozicionit estetik është tejkaluar në prapaskenë.
Ernest Hemingueji shkruante se “mua më tërheqin fatet e ideve, unë nuk ndjek fatin e personazheve.”
Në librin me tregime “Jetë në ikje” Dibran Demaku sikur ka ndjekur me konsekuencë fatin e personazheve dhe më pak fatin e ideve.
2.
Në thelbin e të rrëfyerit artistik tek tregimi i parë “Jetë në ikje”, është një familje e re nga nënqielli i Kosovës që për fatin e lig, “merr botën ne sy”, ashtu sikurse kaq herë nëpër mote që kjo hemorragji goditi banorët e truallit arbënor.
Dy të rinjë, burrë e grua, Visari dhe Dafina, me tre fëmijët e vegjël, të gjetur në një situatë të rrezikimit ekzistencial provojnë të gjejnë një rrugëdalje. Kalojnë kufijtë njërin mbas tjetrit. Ankthi i ndjek përherë. E panjohura, si Dafinën, ashtu edhe Visarin, i trazon dërmueshëm. Dëshpërimi, rrëzbitja, thyerja shpirtnore për Humbjen e madhe, është shëndrruar në një krymotiv brenda botës së tyre tashmë të mbetur pezull.
Tregimi ka një linjë singulare me pikëprerje të shkurtëra në kohë e hapësirë. Brenda tregimit, i cili, siç e përmendëm më sipër, është i ndërtuar simbas principit romanësor, autori shtrin një hark të gjerë kohor. Visarin dhe Dafinën i zë vjeshta e jetës. “Bashkë me vitet, sikur ikën edhe jeta e tyre. Mbi flokë u ka rënë mjellazë e Alpeve.” Ky fragment nga teksti i tregimit ka një fuqi poetike për të krijuar një relacion intertekstual brenda rrafshit prozaik. Prozatori Dibran Demaku vijon me projeksionin e kryeprotagonistëve: “Sa shpejt ikën jeta e njeriut.(...) Ta jetosh jetën në ikje është sikur të mos ta jetosh fare.”
Nuk ka dyshim, se në të dy shkëputjet e mësipërme dërftohet qartë ndrydhima shpirtnore që ka krijuar Ankthi gjatë gjithë viteve të përvijuara në ikje. Ankthi është në brendabotë.Ankthi është shëndrruar në një aspekt substancial të një jete në ikje. “Mbi flokë u ka rënë mjellazë e Alpeve”. Lexuesi, këtu, gjithsesi do të bëjë përpjekje të vë dorë mbi normativitetin e të lexuarit të rëndomtë. Ai dë t’i rikthehet këtij fragmenti. Do të provojë të ngrisë relacione personale, të ngrisë analogji e të thellohet në brendësinë filozofike të këtij rreshti. Janë mpleksur kohërat, koordinatat e shpirtit dhe të vetë botës, është lëkundë drejtpeshimi në jetë, humbja e madhe bënë hije të idhtë përmbi secilin mendim e ndjesi.
3.
Një nga aspektet e interpretimit të teksteve artistike është pra edhe analiza e strukturës së tyre; secila histori që rrëfehet ka një metodë të veçantë rrëfimi. Një nga elementet e strukturës së të rrëfyerit është zëri i rrëfimtarit.
Në tregimin “Jetë në ikje”, (tregim i parë i vëllimit me të njëjtit titull), zëri rrëfyes herë na vie në vetën e parë e herë në vetën e tretë. Dibran Demaku ka ndjekur konceptin dual; pra lexuesi përjeton rrëfimin nga perspektiva e parë dhe ajo e tretë, teknikë kjo tashmë e praktikuar në të gjithë prozën bashkëkohore. Lexuesi, gjatë përjetimit të ngjarjeve nga perspektiva e vetës së tretë, heton se brendësia e tekstit letrar përfiton dimensione të theksueshme të didaktizmit etik. Kjo shtresë, pa dyshim që rëndon mbi supet e të rrëfyerit fiksional dhe bënë që teksti të ndjej fërkime dhe ngushtime nga aspekti artistik. Natyrisht qe arti i të shkruarit prozë kërkon prej autorit një energji e përpjekje shumështresore. Mund të ndërfutën prandaj,edhe pa dashje, elemente të didaktizmit etik. Lexuesi mandej do të hidhet pa dashur brenda një labirinthi ku nuk mund ta veçoj autorin nga personazhi. Vepra, në këto momente, sikur ka humbë pak nga rrezatimi artistik. “Të shkruash prozë”, thoshte Georg Orwel,” është sikur me të ndjekë një shpirt i keq”. Shtresat e retorikës së tekstit dhe stilistikës tek vepra “Jetë në ikje” ia dalin ta mbështjellin,megjithëatë, brenda për brenda edhe tendencën e didaktikës etike.
4.
Libri “Jetë në ikje” herë herë zgjon tek lexuesi ndjesinë e të lexuarit të një traktati mbi zbrazëtinë. Zbrazëtia që në vështrim të parë ngjanë e pakonsistencë, tek tregimet e shkrimtarit Demaku, përmbushët me Ankth.
Ikja ngjizë zbrazëtinë rrëzbitëse në shpirtin e njeriut.I vënë në situata ekzistenciale, brendësia e qenies njerëzore zë të përshëndrrohet përvuajtshëm sikurse kryeprotagonisti i “Metamorfozës” të Franz Kafkës. “ Kur një mëngjes Gregor Zamza u zgjua ëndërrash të trazuara, hetoi se ishte shëndrruar në një kandërr të përbindshme.”
Një Jetë në ikje është në gjendje ta përshëndrroj natyrën e shpirtit njerëzor. Janë dilemat, depresionet, traumat psiko-sociale që e përcjellin në vijimësi Të ikurin e një Jetë në ikje; dhe të përshëndrruarit vie e ngritet në proces të patejkalueshëm shfytyrimi shpirtnor.
Vepra e Dibran Demakut “Jetë në ikje” me tematikën që e përshkon ka rimarrë ngjarje e protagonist të ndryshëm nga e kaluara jo e largët. Fatin e personazheve dhe rrjedhën e ngjarjeve e përshkon elementi i ankthit ekzistencial.
Brenda strukturës narrative të tregimeve janë shpërfaqur edhe konflikte të botës psikike të individit në situata të caktuara, qofshin ato absurde apo paradoksale, qofshin ato të krijuara mbi shtratin e objektiviteti real apo përmbi rrafshin fiksional; janë skena të përditshmërisë intime përzier me ironi, sarkazëm, grotesk e cinizëm.
Libri “Jetë në ikje”i Dibran Demakut ka pasuruar letërsinë shqipe. Kjo, pa dyshim, është një ngjarje domethënëse brenda kulturës shqiptare në përgjithësi.
Një ngjarje me dy kuptimësi: atë artistike dhe kuptimësinë faktike.
Prill 2011