Kulturë
Çerkin Bytyçi: Libër tejet i nevojshëm që udhëzon për përdorimin e barërave
E diele, 24.07.2011, 06:58 PM
Vitrina e librit:
Libër tejet i nevojshëm që udhëzon për përdorimin e barërave
(Dr. sc. Zehadin Gashi: Barnat-udhëzues praktik për të gjithë)
Nga Çerkin Bytyçi
Krahas punës së palodhshme dhe angazhimit me ngulm në hulumtimet shkencore në sferën e farmacisë, Dr. sc. Zehadin Gashi, me sukses i është përkushtuar edhe veprimtarisë botuese sidomos të librave dhe teksteve që janë në shërbim të qytetarëve, parasëgjithash të pacientëve. Dhjetra librave të tij të botuar viteve të fundit si „Barnat-të dhëna praktike”, “Shëndeti dhe barnat”, “Manuel i medikamentev”, Receptura magjistrale dhe galenike”, “Klasifikimi ndërkombar i barnave”, “Teknologjia farmaceutike” etj., ditë më parë iu bashkua edhe libri më i ri me titull “Barnat-udhëzues praktik për të gjithë”, që mëton të jetë një doracak tejet i nevojshëm dhe i domosdoshëm për pacientët, familjarët dhe madje edhe për farmacistët dhe punëtorët tjerë të shëndetësisë. Kjo nga fakti se, si thotë autori në hyrje të librit, problemet që ndeshen gjatë përdorimit të barnave, si mënyra e përdorimit, njohja me faktet anësore, përdorimi i tyre nga shtatzënat, fëmijët dhe pleqtë, ndikimi i tyre në rezultatet laboratorike etj., shtojnë nevojën e informimit të drejtë për përdorimin e tyre.
Autori i librit, si njohës i mirë i problemeve në sferën e farmacisë jo vetëm kosovare, këmbngulë për shtimin e kujdesit dhe ndërmarrjen e të gjitha masave për përdorim të drejtë të barnave në mënyrë që të pengohen pasojat të cilat janë të pranishme për shëndetin e një pjese të popullates. Në këtë funksion mund të jetë ky botim në të cilin, materiali është prezantuar shkurtazi me qëllim që pacientët ose përgjegjësit për ta, në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë të marrin informacionet e duhura për përdorimin e barnave. Informacione këto, që sot, janë bërë sa të domosdoshme aq edhe të kërkuara nga njerëzit edhe për vetë kundërthëniet dhe vështërsitë që e shoqërojnë shoqërinë e sotme, edhe në sferën e shëndetësisë.
Krijimi ibesimit të tepruar tek shumë njerëz se barnat mund ti përdorin për vete dhe për familjarët e fëmijët e tyre pa u vizituar tek mjeku dhe pa udhëzime adekuate, fatin e të sëmurit e vejnë jo rrallëherë, në një udhëkryq tejet të rrezikshëm. Duke e patur parasyshë këtë fakt dhe nevojën e informimit shëndetësor, autori Dr.sc Zehadin Gashi, me këtë libër ofron mundësi për tejkalimin e rreziqeve të mundshme, për të siguruar vetëm dobitë dhe për të shmangur dëmet me pasoja për të sëmurin.
Prof. dr. sci. Gjergji Minga dhe Prof. sasos. Dr. Ledjan Malaj, si recensentë të librit, vlerësojnë se risi në këtë botim është se autori ka përmbledhur përvojën e vet hulumtuese praktike dhe se paraqitja koncize dhe e qartë e mënyrës praktike të përdorimit të barit, këshillat dhe udhëzimet lidhur me përdorimin e tij, udhëzimet për përshkrimin e saktë të tyre etj., e plotësojnë zbrastirën që jo vetëm mjeku, farmacisti por edhe i sëmuri duhet të dijë për barnat, për përdorimin korekt e të sigurtë të tyre.
Si duhet të përdoren barnat dhe çfarë duhet patur parasyshë, kur duhet të merren barnat, para, gjatë apo pas ushqimit, në mëngjes apo në mbrëmje, sa duhet të jetë hapsira kohore e përdorimit të barnave, ndikimi i barnave te fëmijët, te shtatzanat, te të moshuarit, cilat janë ndërveprimet e barnave…,janë vetëm disa nga pyetjet që gjejnë përgjigje në këtë libër me rëndësi për përditshmërinë tonë kurse fotografitë që e ilustrojnë librin e begatojnë edhe më shumë përmbajtjen e materialit të trajtuar.
Dr.sc. Zehadin Gashi, vazhdon me hulumtime shkencore dhe trajtim të aspekteve farmaceutike me rëndësi për shëndetin e njeriut, sidomos të atij në Kosovë i cili përballet me probleme dhe vështërsi serioze sa i përket baranave, si çmimi i lartë i tyre, blerja dhe sigurimi nga vetë qytetarët (mbase sigurimi shëndetësor nuk funksionon), mungesa e disa barnave esenciale në treg, shitja e barnave pa kontroll e me afat të skaduar etj.
Ndërkaq libri “Barnat-udhëzues praktik për të gjithë”, me 190 faqe, botuar nga Shtëpia botuese “Fidani” në Prizren, duhet të jetë pjesë e secilës bibliotekë individuale dhe familjare.