Kulturë
Poezi nga Naim Aliaj
E shtune, 19.02.2011, 07:22 PM
Naim Aliaj
Flet pafajësia
Erdhëm për ditëlindje
Të gjithë kanë uru
Por dhurata ime
Është këngë me u këndu
Xheni,Eni,Lili
Besmiri e Keta
Me një zë bilbili
Njëqind tu bëftë jeta
Thonë fjalët e veta
Flet pafajësia
S`dinë ç`është urrejtja
Kjo është madhështia.
Si meteor
Nga hapësira
Bie një meteor
Mund të ndodhin çudira
Thuaj ç`ke dëshira
Dhe në kraharor
Të të vijë më e mira
Vashë,vetullkurora
Me sytë shkëndira
Që kur ta zësh me dorë
Të të dehë si e pira
Kitara
Luaj në kitarë
Të shoh tek vallëzon
Shpirtin tim të vrarë
Veç ti ma shëron.
Mali
Njëri-tjetrit ia lënë vendin brezat njerëzorë
Po mali mbeti përsëri aty
Zoti krijoi tempuj madhështorë
Për qëndresën duket bisedoi me ty.
Urim
Shkathtësinë e tigrit
Forcën e luanit
Sytë e shqiponjës
Mendjen e isanit.
Nga tradita
Mblidheshin burrat në fshat
Në odë të tyre në konak
Mendje shumë e fjalë pak
Zgjidhnin hallet për merak.
Dasma
Oh çpo u ndizka dasma
Për hare që paska
Burrat me allti
Gratë nën dimi
Çupat si flori
Rreth çiftit të ri.
Hapi i diktaturës
Ecni me hapin tim
Thotë ai , i pari
Kush kërkon shkëlqim
E pret lapidari.
Skepticizëm
Epokën që ndau
Vëllanë me vëllanë
Dikush e vrau
Apo thonë e vranë?!