E premte, 26.04.2024, 01:03 AM (GMT+1)

Mendime

Ilir Sefaj: Albin Kurti- persona grata

E merkure, 23.06.2010, 09:54 PM


Albin Kurti- persona grata

 

Nga Ilir Sefaj

 

Albin Kurti. Një emër që përcjell pashmangshmërisht jetën tonë politike në dy deceniet e fundit. Kisha dëgjuar për Albinin në Tetorin e 97-ës. Atëbotë isha diku rreth të katërmbëdhjetave. Thuhej se Albin Kurti na qenka njëri nga organizatorët e protestave studentore të zhvilluara në tetorin e po atij viti (1997) në Prishtinë. Më bënte përshtypje  shumëçka te ky i ri prishtinas, e në veçanti fizikusi i tij. Një djalosh flokëgjatë po i printe protestave studentore. Dorën në zemër nëse do të kishte “ekzistuar” atëbotë termi “kuller” unë të tillë do ta emëroja fillimisht Albinin, por ja që atëherë ishim, mund të thuhet, paksa më konservator, dhe termet si kjo e sipërpërmendura dhe shumë të tjera nuk ekzistonin. Unë, rëndom revolucionarët i përfytyroja ndryshe; me mustaqe ose mjekër të gjatë, me plis ose me tirq, që idol kanë këngët ë thurura për heronj, nuk i përfytyroja me xhins e flokë të gjatë të cilët pëlqejnë rok muzikën, e të rritur me “luksin” e  mjediseve urbane. Por, ja që shumë shpesh nuk mund të jesh i saktë në parashikime! Është vjeshtë e vështirë e vitit 97’. Ngjarjet në Kosovë kishin marrë kahen e saj të mbrapsht, dhe në rininë shqiptare ishte ngulitur thellë ndjenja e inferioritet ndaj të gjithë atyre të cilët besonin në lirinë e Kosovës. Vendit atëbotë i duhej një prijës me vizion të qartë, një njeri me një begraund të pasur politik,  i cili do të mund t’i jepte formë tjetër kësaj ndjenje fatale, e cila, idenë e lirisë e perceptonte iluzion të njerëzve në gjendje transi. Rezistencës paqësore-pasive i nevojitej mbështetje nga njerëz me shpirt revolucionar, të cilët do duhej të bënin diçka konkrete. Protesta studentore e 97-ës ishte kjo konkretja e cila i dha përfundimisht kahe të re proceseve politike në Kosovë.  Dhe cila ishte kredoja e kësaj proteste?! Ajo theu përfundimisht mitin, se Kosova do të mund të çlirohej me dialog, me të thash e më the. Qysh më 1997, Albin Kurti filloi të shihet si një djalë me potencial të jashtëzakonshëm intelektual, një i ri i guximshëm i cili një ditë do të mund të  merrte në dorë fatin e rinisë shqiptare, një djalë me vizion të qartë, i cili për asnjë çast nuk do të pajtohet me kompromise të cilat janë në disfavor të popullit dhe shtetit të Kosovës. Thjesht, Albin Kurti,  nga qytetarët e Kosovës filloi të shihet si një persona grata. Simpatia për djaloshin flokëgjatë rritej vazhdimisht. Në kohën kur pakkush kishte guximin ta zinte në gojë emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Albin Kurti ishte sekretar në zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm të UÇK-së, Adem Demaçi, me seli në qendër të Prishtinës. Albinin e bën unik shumëçka. Ndër të tjera është edhe diskursi i tij i pasur e i qartë, i një djaloshi që njeh me themel letërsinë botërorë, artin në përgjithësi, njeh në thelb problemet socio-politiko-kulturore të vendit të tij dhe më gjerë. Albini tashmë shihet si mësues i brezit të ri, ani pse edhe vet është ende në moshë shumë të re. Roli i Kurtit në jetën tonë politike mbetet i pandryshuar edhe pas daljes së tij nga burgu më 2001. Ai vazhdoi të luaj rol të rëndësishëm në të gjitha zhvillimet që përcollën Kosovën pas tërheqjes së makinerisë vrastare serbe. Në qershor 2005, Kurti do të themelojë një lëvizje të quajtur VETËVENDOSJE!.., e cila do i rrijë me çekiç në dorë udhëheqësve kosovarë në mënyrë që këta të fundit të mos pranojnë  kompromise të dhimbshme në dëm të interesave të vendit tonë. Dhe gjithsesi roli i kësaj lëvizjeje edhe në këtë aspekt ishte i pazëvendësueshëm. Pikërisht në pesë vjetorin e themelimit të kësaj lëvizjeje, lideri i saj para opinionit shfaqi vendimin e kësaj të fundit për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë. (Këtu nuk do të flasim gjatë për arrestim skandaloz të Kurtit nga ana e Policisë së Kosovës, aty kemi një emërues të përbashkët SHPK = TURP!).

Lajmi se lëvizja VETËVENDOSJE!, do të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare përmbante në vete të dyja anët e medaljes. Nëse flasim pa ekuivokë, ky lajm gëzoi një pjesë shumë të madhe të qytetarëve të cilët do të votojnë  në zgjedhjet e 2011-ës, ndërkaq në anën tjetër sikur la të ngrira  buzëqeshjet e krerëve të partive politike në Kosovë, të cilët në sy të opinionit “mirëpritën” vendimin e VETËVENDOSJES!, për pjesëmarrje në zgjedhje, edhe pse doemos vendimi i kësaj të fundit do i vë në siklet subjektet politike në vend.

Si do që të jetë, ky vendim i Albin Kurtit do t’i shtyjë njerëzit të dalin në zgjedhje, ngase liderin e VETËVENDOSJES!, një pjesë e madhe e qytetarëve të vendit e shohin si alternativë të mundshme. Se Albin Kurti ka bërë për vete një pjesë të konsiderueshme të elektoratit të supozuar nuk ka asnjë dilemë. Para së gjithash, Albini ka një bagazh të pasur politik e intelektual, i cili i mundëson krijimin e një lëvizjeje (në këtë rast VETËVENDOSJES!,) e cila sigurisht se rreth vetes do të mbledh një numër të madh të  njerëzve të cilët do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë. Është evidente se kjo lëvizje ende nuk mund të quhet e profilizuar në kuptimin e programit të saj, megjithatë ky grupim ka dëshmuar se ka alternativë se di, ku dhe kur të veprojë, në kohë dhe rrethana të ndryshme. Nuk dua të krijoj mit për Albin Kurtin, megjithatë sipas pikëpamjes sime në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, lëvizja VETËVENDOSJE!.., me në krye liderin e saj, shihet si e vetmja alternativë e cila do të çon qytetarin e vendit te kutitë e votimit.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora