E premte, 26.04.2024, 07:13 AM (GMT+1)

Faleminderit

Sabile Keçmezi-Basha: Mësuesi Hasan Bilalli, në mbrojtje të trojeve shqiptare

E enjte, 28.01.2010, 11:00 PM


MËSUESI HASAN BILALLI, NË MBROJTJE TË TROJEVE SHQIPTARE

Nga Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Sabile_basha@hotmail.com

Situata politike në Kosovë

Pas Luftës së Dytë Botërore por edhe para saj, problemi i Kosovës dhe i viseve të tjera të banuara nga shqiptarët, jo që nuk u zgjidh, por përkundrazi, atyre iu mohua çdo e drejt për të vetëvendosur, si rrugën e vetme për zgjidhjen përfundimtare të problemit kombëtar. Pakënaqësinë e vet populli i sapo okupuar e shprehi në forma e mënyra të ndryshme. Atdhetarët e dalluar në shumë pjesë të vendit revoltën e shprehen edhe me organizimin e kryengritjeve në shumë qytete të Kosovës. Të gjitha këto kryengritje pushteti i “ri” sllav, i shoi me gjak. Pas një terrori të paparë që u ushtrua mbi popullatën liridashëse, ai prej vitit 1945 e këndej u detyrua të gjejë forma të reja veprimi, rezistimi e reagimi për ta shprehur pakënaqësinë e vet. Qe i detyruar që nga një formë legale e shprehjes së pakënaqësisë të kalojë në ilegalitet. Por, për shkak të mbetjes së Kosovës me dhunë në kuadër të Serbisë shprehja e pakënaqësisë si formë institucionale e demokratike ishte rreptësisht e ndaluar. Ata që patën guximin të shprehnin revoltën lidhur me statusin e tillë të Kosovës, ndëshkoheshin rëndë. Atyre u mbeti vetëm edhe një mundësi: organizimi ilegal i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare. Në bazë të këtij organizimi gjatë vitit 1945 u formuan dhe vepruan shumë organizata shqiptare ilegale-patriotike siç ishin:Organizata Nacional Demokratike Shqiptare që njëherë ishte vazhdimësi e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe shumë organizata të tjera më të vogla që vepronin në pjesë të ndryshme të tokave shqiptare që ishin okupuar nga ish-Jugosllavia.

Formimi i ONDSH-së

Organizata Nacional Demokratike Shqiptare u formua në mars të vitit 1945 dhe veproi kryesisht në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore. Puna e saj kryesisht zhvillohej në ilegalitet të thellë. Për shkak të rrethanave të vështira politike të krijuara pas vënies së Administrimit Ushtarak si forma më e shprehur e dhunës dhe gjenocidit në Kosovë, ONDSH-ja qe e detyruar që në kuadrin e saj të vepronin dy Komitete Qendrore, njërin me seli të përhershme në Prizren dhe tjetrin me seli në Shkup. Pas një aktiviteti të dendur ilegal-politik të zhvilluar në terren, Komiteti Qendror që vepronte në Prizren zbulohet, dhe anëtarët e saj dalin para gjyqit.
Sipas aktgjykimit të Hasan Bilallit, të mbajtur më 1947 në Gjykatën e Qarkut në Shkup, thuhej se më 1945, u organizuan, anëtarësuan dhe vepruan në organizatën Nacional Demokratike Shqiptare shumë atdhetar të devotshëm të cilët në asnjë mënyrë nuk u pajtonin me tradhtinë që iu bë nga ana e PKJ-së dhe udhëheqësve të saj. Ndërsa në muajin korrik të vitit 1946 formohet Komiteti Qendror në qytetin e Shkupit dhe atë e përbënin gjashtë (6) anëtarë që përfaqësonin tërë territorin e Kosovës dhe të Maqedonisë. 

Kush ishte Hasan Bilalli
Njëri ndër veprimtarët e dalluar të ONDSH-së, pa dyshim ishte edhe i riu, mësuesi Hasan Bilalli, i cili ishte i lindur në Prishtinë më 1918. Shkollën fillore dhe Medresenë e Reformuar të Gazi Isa Beut i kishte mbaruar në Shkup. Kursin Pedagogjik e kishte mbarua në gjimnazin “Sami Frashri” në Prishtinë. Po ashtu gjatë kësaj kohe kishte rënë në kontakt edhe me profesorin e nderuar Ymer Berishën dhe shumë atdhetar të tjerë. Duke e parë se situata politike në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi dita më ditë po keqësohej, ai pa hezituar u anëtarësua në radhët e ONDSH-së që vepronte në Shkup. Gjatë tërë asaj kohe sa ishte në organizatë, ai ndikoi dhe formoi shumë komitete të rretheve dhe anëtarësoi shumë qytetar shqiptar e turq që jetonin në Maqedoni. Vlen të përmendet se gjatë punës së vet ilegale Hasan Bilalli mbajti lidhje të shumta me shumë atdhetar siç ishin: Hysni Rudi, Azem Morana, Halim Orana e patriot të tjerë. 
Me zbulimin e organizatës së ONDSH-së, Hasan Bilalli informohet se edhe atij i kishin rënë në gjurmë. Gjatë asaj kohe ai ndodhej në Kosovë, duke marr pjesë në Kongresin e Lipovicës. Pas përfundimit të punimeve të kongresit, ai detyrohej që të ik për në Shqipëri e nga andaj kalon në Greqi, ku bie në duar të partizanëve grek të Markosit, të cilët e kthejnë në Shqipëri e prej andej organet e Sigurimit të Shqipërisë e ekstradojnë në Jugosllavi dhe bie në duar të OZN-ës pikërisht në kohën kur në Shkup po përgatitej procesi kundër veprimtarëve të tjerë të LNDSH-së. 

E fejuara e quajtur Besime Ajvazi

Në kohën kur u arrestua Hasan Bilalli ishte i fejuar me Besime Ajvazin, vajzë nga një familje me tradita të larta atdhetare nga Prishtina. Edhe pse ishte e re, Besimja ishte e edukuar në frymën atdhetare dhe duke e ditur se i fejuari i saj ishte arrestuar dhe po dënohej për punë të mëdha të atdheut dhe të lirisë, ajo filloi të rezistoj dhe të qëndrojë përpara sfidave në mënyrën e vet dhe ashtu siç e kishin mësua të parët. Rasti i Besimes nuk ishte rast i veçantë i qëndresës së gruas shqiptare. Edhe pse djemtë tanë dënoheshin me vite të shumta burgu, gratë tona jeta i kishte mësuar që ato të qëndronin stoikisht para torturave dhe vuajtjeve dhe asgjë nuk dilte që ti thyente. Shumica prej tyre ishin të martuara për burrat atdhetar, dhe shumë të tjera të fejuara, ndërsa disa prej tyre posa kishin filluar lidhjet dhe njiheshin në mes veti dhe gëzonin simpati të ndërsjella, por, që të gjitha këto, kishin një emërues të përbashkët, e kjo ishte besnikëria si ndaj burrit poashtu edhe ndaj atdheut që e donin dhe sakrifikonin shumë nga jeta, por herë-herë nuk ishin të rralla rastet kur flijonin edhe jetën. Të gjitha ato me një besnikëri të rrallë, me vitet të tëra si nëpër baladat shqiptare, i pritnin burrat, të fejuarit, të dashurit e tyre që të ktheheshin nga kazamatet serbe. Vajzat e reja, të fejuara, edhe pse të fejuarit e tyre nga qelit e ndyra iu përcillnin amanetet që mos t’i presin, të martohen, se fati i tyre nuk është i sigurt, se nuk dihej se sa do të qëndronin në burg apo do të dilnin fare nga aty. Por, të gjitha këto porosi, mbetnin pa përgjigje, nuk kishin kurrfarë ndikimi në qëndrimet e tyre. Ato qëndronin- shkëmb, pa u luhatur në asnjë moment, se ishin shumë të sigurta se kthimi i tyre ishte i pashmangshëm, se ata gjithsesi do të kthehen në tokën e tyre. Ato qëndronin dhe duhet shtuar se ishin Penelopat shqiptare që koha i kishte rexhurë pa mëshirë dhe dal nga dal i armatoste  me fuqinë e besnikërisë së fjalës, dhe se ishin krenare që pritnin trimat e tyre, që plakeshin nëpër burgjet sllave për lirin e atdheut.
 Andaj, Besime Ajvazi dhe rasti i saj ishte njëri ndër rastet e shumta që kishte ndodhur që të fejuarin e kishte në burg, ajo kishte vendosur që ta pres, pa marr parasysh se sa vite do e dënojnë. Vajza e re nga Prishtina, ishte fejuar me mësuesin e ri Hasan Bilallin nga Shkupi, dhe në çdo moment pritnin që të bënin dasmën. Fati nuk e deshi që të bëhej dasma se me 21 janar 1947, atdhetari i ri arrestohet, si anëtarë i NDSH-së, ndërsa procesi gjyqësor mbahet nga 27 janari-7 shkurti i po të njëjtit vit. Në këtë proces gjyqësor, Gjykata e Qarkut në Shkup pas shumë ditëve e netëve të shumta të kaluara në hetuesi, atij i shqiptojnë dënimin prej 20 vitesh burg të rëndë. Pas shqiptimit të dënimit, ai të fejuarës i dërgoi porosinë që ajo të mos e pres. Megjithatë, besnikëria nuk do të ishte besnikëri sikurse të ndodhnin gjëra që nuk i përkasin sakrificës. Ajo nuk pranoi. Trembëdhjetë vjet e priti të fejuarin e saj, derisa u lirua nga burgu, dhe që të dy ia dolën, u martuan dhe bënë një jetë të lumtur familjare.

Procesi gjyqësor i vitit 1947, në Shkup

Gjykata e Qarkut në Shkup nga data 27 janar-7 shkurt, 1947, mbajti procesin gjyqësor të quajtur “Grupi i NDSH-së në Shkup”. Kryetar i gjykatës ishte Panta Marina, cincar nga Manastiri, ndërsa gjykatës porotë ishin :Halit Tekija, Liman Veseli, procesmbajtës Borqe Cvetkovski. Procesi gjyqësor zgjati 12 ditë dhe zakonisht për të marrë pjesë në përcjelljen e këtij procesi, kishin të drejt vetëm familjarët e ngushtë të të akuzuarve, por në këtë rast edhe familjaret seleksionoheshin sipas qejfit të pushtetarëve. Procedura e gjykimit sipas shumë të dhënave ishte një farsë, ngase shqiptaret dënoheshin edhe kur nuk merrnin pjesë në organizime ilegale. Gjithsesi, për ata u shpikte shkaku dhe u burgoseshin edhe shpesh pa pikën e fajit. Grupi i NDSH-istve i përbërë prej 19 vetave u akuzuan se ishin armiq të popullit dhe të shtetit dhe gati që të gjithë u akuzuan për veprimtari armiqësore kundër shtetit dhe popullit, në bazë të nenin 3, pika 1, 2, 7, 8, dhe 9 të Ligjit Penal të Jugosllavisë.
Personat që u dënuan në këtë proces ishin:
1. Qemajl Ali Skenderi, i cili ishte i lindur në Shkup dhe ishte i moshës 24 vjeçare. Me përkatësi kombëtare ishte shqiptar. Djalë i Ali Skenderit dhe nënës Ademsha. Dinte shkrim lexim. Ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Me profesion ishte berber. Ishte njëri ndër më aktivet në ONDSH. Gjykata e Qarkut në Shkup, me 7 shkurt të vitit 1947 i shqiptoi dënimin me vdekje-pushkatim.
2. Azem Idriz Morana, ishte i lindur në fshatin Moranë të Maqedonisë, por jetonte në Shkup dhe punonte si mësues. Në kohën kur u arrestua ishte i moshës 23 vjeçare. Ishte djali i Idrizit dhe nënës Hatixhe e lindur Duraku. Ishte i martuar. Qysh herët kishte filluar që të merrej me veprimtari atdhetare. Me 7 shkurt 1947 iu shqiptua dënimi me vdekje- pushkatim.
3. Mexhid Haki Zyberi, ishte i lindur në Shkup nga babai Haki dhe nëna Sulejhana e lindur Salihu. Në kohën kur u arrestua (7. VIII. 1946), ishte i moshës 22 vjeçare. Ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Më parë nuk kishte qenë i dënuar, ndërsa me 7 shkurt 1947 Gjykata e Qarkut në Shkup ia shqiptoi dënimin me 10 vjet burg të rëndë.
4. Mahmut Hysen Dumani, ishte i lindur në fshatin Bellovë-Peshkopi (Shqipëri), nga babai Hysen dhe nëna Meleqe, e lindur Osmani. Jetonte në Shkup. U arrestua me  24. VII. 1946. Në procesin gjyqësor të 7 shkurtit 1947, iu shqiptua dënimi me 4 vjet burg të rëndë.
5. Hysen Muharrem Rudi, në kohën kur u arrestua ishte i moshës 29 vjeçare. Ishte djalë i Muharrem e Nerxhivane Rudit. Me profesion ishte kapiten. Në procesin gjyqësor të grupit të NDSH-së, më 7 shkurt 1947, u dënua me vdekje-pushkatim.
6. Mehmet Nezir Bushi, ishte i lindur në një fshat të Shqipërisë (Dukagjin), ndërsa jetonte në Tetovë. Në kohën e arrestit ishte 33 vjeçar. Ishte djalë i Nezir e Mine Bushit. Kishte të mbaruar Akademinë Ushtarake në Romë dhe me profesion ishte oficer, ndërsa në Tetovë ishte kryetar komune. Gjykata e Qarkut në Shkup me 7 shkurt, 1947 i shqiptoi dënimin me Vdekje- pushkatim.
7. Jonuz Ymer Balla, ishte i lindur në fshatin Molisë- Elbasan (Shqipëri). Me profesion ishte mësues. Ishte djali i Ymer e Fatixhe Ballës. Në kohën e arrestimit jetonte në Tetovë dhe ishte i moshës 25 vjeçare. I pa martuar dhe deri më 21 janar 1947, ishte i pa dënuar. Në procesin gjyqësor të vitit 1947 i shqiptuan dënimin prej 8 vitesh burg.
8. Qerim Muhamet Zllatku, ishte i lindur nga babai Muhamet dhe nëna Xhylije nga qyteti i Dibrës. Ishte i moshës 32 vjeçare dhe me profesion ishte mjek, Fakultetin e Mjekësisë e kishte mbaruar në Zagreb. Ishte i pa martuar dhe i pa dënuar deri më 24. VII. 1946, kur Gjykata e Qarkut në Shkup i shqiptoi dënimin prej 20 vitesh burg të rëndë.
9. Osman Ahmet Dani, ishte i lindur në qytetin e Dibrës nga babai Ahmet dhe nëna Shyhrete. Sa ishte në liri, merrej me bujqësi. Ishte në moshën 28 vjeçare. Ishte i pa martuar dhe i pa dënuar. Më 7 shkurt 1947, gjykata i shqiptoi dënimin prej 15 vitesh burg të rëndë.
10. Medat Mustafë Tërshana, ishte i lindur në qytetin e Dibrës. Në moshën 30 vjeçare u arrestua (12. VIII. 1946). Ishte djalë Mustafë e Hamide Tershanes. Merrej me tregti. Ishte i martuar dhe kishte një fëmijë. Gjykata e Qarkut në Shkup me 7 shkurt 1947 si anëtarë i ONDSH-së, i shqiptoi dënimin prej 18 vitesh burg.
11. Gani Bej Abdullahu, ishte i lindur në qytetin e Dibrës nga babai Mehmet dhe nëna Diba. Në kohën kur u arrestua (24. VII. 1946), ishte i moshës 55 vjeçare. Ishte i martuar dhe baba i katër fëmijëve. Deri në momentin e arrestimit nuk kishte qenë i dënuar. Në procesin gjyqësor në Shkup i shqiptojnë dënimin prej 3 vitesh burg.
12. Spiro Harilla Teodosi, ishte i lindur në Korçë. Ishte i moshës 22 vjeçare kur u arrestua. Ishte djali i Harillës dhe Nadezhda Teodosit. Me profesion ishte mësues. I pa martuar. Ishte i pa dënuar deri kur u arrestua më 24. VII. 1946. Në këtë proces i shqiptuan dënimin prej 3 vitesh burg.
13. Hajdar Kurtesh Jashari, ishte i lindur në fshatin Orizare nga babai Kurtesh dhe nëna Nifë. Me profesion ishte hoxhë. Në moshën 37 vjeçare u arrestua (24. IV. 1946). Ishte i martuar dhe baba i pesë fëmijëve. Ishte anëtarë i ONDSH-së. Gjykata e Qarkut në Shkup, me 7 shkurt 1947, i shqiptoi dënimin me 12 vjet burg.
14. Xhemail Fazli Kasemi, ishte i lindur në fshatin Bllacë. Në kohën kur u arrestua (1. VIII. 1946), ishte në moshën 28 vjeçare. Ishte djalë i Fazli Kasemit dhe Merime e lindur Hyseni. Ishte i pamartuar dhe me profesion para se të arrestohej ishte policë. Në procesin gjyqësor të grupit të NDSH-së në Shkup, u dënua si anëtar i ONDSH-së, me 15 vite burg të rëndë.
15. Sherif Mehmet Halili ishte i lindur në Kaçanik, nga babai Mehmet Halili dhe nëna Nebije e lindur Xhemajli. Merrej me zdrukthëtari dhe jetonte në Shkup. Ishte i moshës 35 vjeçare kur u arrestua (31. VII. 1946). Ishte i martuar dhe babai i dy fëmijëve. Ishte i pa dënuar, por më 7 shkurt 1947, në procesin gjyqësor të Shkupit, u dënua me 2 vite burg të rëndë.
16. Xhavit Abdullah Selimi, ishte i lindur në qytetin e Shkupit, nga babai Abdullah dhe nëna Fatime e lindur Jashari. Me profesion ishte rrobaqepës. Në moshën 22 vjeçare u arrestua (24. VII. 1946). Ishte i pa martuar. Më 7 shkurt 1947, Gjykata e Qarkut në Shkup i shqiptoi dënimin prej 6 vitesh burg të rëndë.
17. Galip Rauf Mustafa, ishte djalë i Raufit dhe nënës Ylfete e lindur Emini. Ishte i lindur në Gjilan dhe merrej me rrobaqepësi. Kur u arrestua, me 31. VII. 1946, ishte i moshës 44 vjeçare. Me përkatësi kombëtare ishte turk. Ishte i martuar dhe kishte 2 fëmijë. Më 7 shkurt 1947, Gjykata e Qarkut në Shkup i shqiptoi dënimin prej 6 vitesh burg të rëndë.
18. Hasan Hamdi Bilalli, ishte i lindur në Prishtinë nga babai Hamdi dhe nëna Hatmone e lindur Mehmeti. Jetonte në Shkup dhe punonte si mësues. Në kohën kur u arrestua (21. I. 1947), ishte në moshën 29 vjeçare. Ishte i pa martuar. Gjykata e Qarkut e dënoi me 20 vjet burg të rëndë, për shkak se ishte anëtar i ONDSH-së dhe në fshatrat e ndryshme të Maqedonisë Perëndimore kishte formuar shumë komitete të rretheve të NDSH-së.
19. Nazmi Emin Azemi, ishte i lindur në Kaçanikun e Vjetër nga babai Emin Azemi dhe nëna Sherife e lindur Selmani. Ishte i moshës 23 vjeçare dhe merrej me bujqësi. Dinte shkrim-leximin dhe ishte i pamartuar Deri më 21 janar 1947 ishte i pa dënuar. Në procesin gjyqësor të Shkupit, iu shqiptua dënimi me 4 vjet burg të rëndë.

Dëshmia e Hasan Bilallit para prokurorit

Në një stenogram të Ministrisë së Punëve të Jashtme të RFPJ-së, të cilat janë të përkthyera nga gjuha frëngjishte, që më herët, nëpër mes të kanaleve të caktuara i kishte siguruar Hysen Terpeza, i cili ishte një atdhetar i madh i çështjes kombëtare. Më vonë, këto dokumente nga vet Tërpeza iu  kishin fal Azam Dautit, që i kishte botuar në gazetën “Flaka” të Shkupit. Ndërsa, unë me ndihmën e djalit të Hasan Bilallit-Muhametit, i sigurova ato shënime që më vonë ishin te botuara në një fejton në magazinës “Globi”, më 1996, në Shkup. Në revistë nuk shkruan se kush e ka përgatitur, veç se nga frëngjishtja që do të thotë se e kishte përkthye Selman Reçi.
Para trupit gjykues, prokurori i përgjithshëm Hasan Bilallit i bënte shumë pyetje provokuese, në të cilat përgjigjej i akuzuari. Si zakonisht, në këto raste prokurorëve dhe gjykatësve iu interesonte organizimi dhe veprimtaria në organizatë, poashtu nuk mungonin edhe pyetjet lidhur me të angazhuarit në te dhe çfarë funksione kishin ata. Në bazë të stenogramit (28 janar 1947), del se Hasan Bilalli zinte një vend të rëndësishëm në organizatën e NDSH-së që vepronte në Shkup, dhe se mbante lidhje me të gjithë anëtarët e saj. Por, ajo për të cilën vlen që të cekët në këtë material është se, Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Shkupit, i thoshte të akuzuarit se nëpër mes lidhjeve të tyre kishin arritur që ta siguronin rendin e ditës të Kongresit të V të NDSH-së që ishte mbajtur me 25 korrik 1946, në malet e Blinajës (Lipovicë). Gjatë procesit gjyqësor, kryetari i gjykatës i lexonte rendin e ditës dhe pyeste me kureshtje të akuzuarin se sa janë të sakta ato, edhe pse ishte shumë i sigurt për atë që i prezantonte të akuzuarit. Sipas këtij stenogrami  del se  kongresi u mbajt me 25 korrik 1946 dhe se në të Komandant Gjeneral ishte zgjedhur prof. Ymer Berisha, edhe pse më vonë vijnë deri të të dhënat se Profesori ishte likuiduar pak më herët tek malet e Hereqit në prit nga OZNA. Dhe është provokuese se gjatë pyetjeve që i bëhen Bilallit nga ana e prokurorit, vazhdimisht i tërhiqet vëmendja se “Gjyqi i ka të gjitha të dhënat për mbarëvajtjen e Kongresit dhe të gjitha dokumentet lidhur me të. Sipas kryetarit të gjyqit, del se rendi i ditës kishte pesë pika:
1. Hapja e kongresit- Programi
2. Lidhja e ushtarëve të ND (nacional demokrates) në male me Komitetin Qendror të Shkupit
3. Ekspozita e punës së organizatave... Flasin Ymer Berisha dhe Ajet Gërguri.
4. Përgjigja e Organizatës nr. 2, në 5 korrik të vitit 1946 në Komitetin Qendror, e cila kishte kërkuar përkrahje për ushtrinë e cila gjendej në mal dhe mbrojtjen e popullatës së Kosovës, duke i nënkuptuar këtu fshatarët dhe popullatën qytetare, në rast të kapitullimit të Partisë Komuniste Jugosllave, kjo ishte përgjigja e delegatëve të Komitetit Qendror në Shkup.
5. Zgjedhja e një Shtatmadhorie të Armatës së NDSH-së në malet e Kosovës
Në stenogram lexojmë edhe këtë se i akuzuari të gjitha këto i pranon si të vërteta, ngase mendoj se shteg tjetër nuk i kishte ngelur, se të gjitha këto të dhëna i kishte vet prokurori maqedonas që i kishte sigurua nga spiunet që ndoshta nën ndonjë maskë kishin marr pjesë në Kongresin e Pestë të NDSH-së.  


Literatura:
Magazina “Globi”, shtator 1996, Shkup 20-23
Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut,Shkup (12 faqe), K. Nr. 8/47
Fotografi familjare të marra nga djali i atdhetarit, Muhamet Bilalli


(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora