E premte, 26.04.2024, 02:08 AM (GMT+1)

Speciale

Valon Kurtishi: Pseudo shkenca në shërbim të demonizimit të një kombi

E enjte, 07.01.2010, 10:59 PM


Pseudo shkenca në shërbim të demonizimit të një kombi

(Mendimi politik sërb për shqiptarët dhe Shqipërinë)

 

“Dhuna verbale gjithmonë i paraprin dhunës fizike”, Alber Kamy

 

Nga Valon Kurtishi

 

Marrëdhëniet në mes të kombeve/kulturave të ndryshme në periudha të caktuara historike janë shpeshherë peng i imazhit për tjetrin që zbulohet/imagjinohet, përpunohet dhe në fund edhe publikohet në forma të ndryshme nga politika zyrtare, rrethet shkencore, mediat apo në përgjithësi nga i quajturi “opinion publik” i një shoqërie të caktuar. I ngjashëm është rasti edhe me imazhin që është krijuar për kombin tonë nga ana e mendimtarëve të ndryshëm ballkanikë që në përgjithësi ngjajnë të jenë të kombësive sërbe e greke.

Që në të kaluarën më të largët historike për të përmendur vetëm kronistët e ndryshëm bizantinë, e veçanërisht në periudhën e vlimeve të fuqishme politike në Europën juglindore gjatë shekujve XIX dhe XX, një numër i madh i historianëve, antropologëve, politikanëve, publicistëve, udhëpërshkruesve, gjuhëtarëve grekë dhe sërbë kanë shkruar vepra të veçanta apo kanë përmendur në vepra të tjera shqiptarët dhe Shqipërinë. Janë trajtuar në këto vepra gjuha, kultura, origjina, karakteristikat antropologjike, etnopsikologjia, territori, religjioni, në përgjithësi çdo gjë shqiptare.

Dhe këto shkrime kanë në të shumtën e rasteve konotacione shumë negative për popullin tonë dhe kulturën shumë të pasur shekullore të tij. Këto shkrime në shumicën e tyre karakterizohen nga një rrymë e theksuar e shovinizmit, mosdurimit etnik, superioritetit kombëtar apo edhe urrejtjes racore për kombin tonë. Ky mosdurim ndaj etnisë tonë në shkrimet e këtyre autorëve ka marrë shpeshherë ngjyrime raciste të ngjashme me përshkrimet që autorë të ndryshëm të shkollës raciste në qytetërimin perëndimor u kanë bërë popullsive me ngjyrë të xhunglave të kontinentit afrikan në shekullin e XIX.

Në këto libra historikë, gjeografikë, politikë, demografikë, udhëpërshkrues, gjuhësorë, artistikë etj, falsifikohet rëndë e vërteta shkencore mbi të kaluarën, të tashmen dhe mbi prospektet për të ardhmen e kombit tonë dhe marrëdhënieve të tij me kombet fqinjë sllavë dhe grekë. Në këto vepra falsifikohet rëndë dhe tentohet që të ngatërohet duke plasuar teza nga më të çuditshmet dhe fantastiket vetë etnogjeneza e kombit shqiptar (si ajo e prejardhjes shqiptare nga Albania e Kaukazit p.sh). Manipulohet në lidhje me kalimin e elementit etnik ilir në atë arbër në mesjetën e hershme; në lidhje më kulturën iliro-arbërore të komanit; në lidhje me shtrirjen gjeografike të etnisë shqiptare në mesjetë; në lidhje me përkatësinë kulturore të shqiptarëve të asaj kohe; në lidhje me migrimet apo shpërnguljet e shqiptarëve në drejtim të veriut apo jugut sipas presioneve të ndryshme historike; në lidhje me periudhën e sundimit bizantin dhe bashkëpunimin e popujve ballkanikë në luftën e tyre të përbashkët kundër sunduesve bizantinë; në lidhje me depërtimin e osmanëve aziatikë në territoret ballkanike dhe shqiptare dhe luftën e përbashkët të popujve ballkanikë kundër këtij depërtimi e më vonë edhe përpjekjet për të organizuar kryengritje të përbashkëta kundër sunduesve otomanë; në lidhje me raportet etnike dhe fetare të rajoneve periferike të kombeve sërbe, shqiptare, bullgare dhe greke gjatë pesë shekujve të sundimit otoman; në lidhje me veprimtarinë e fuqive të mëdha dhe aleancat e hapura apo sekrete të tyre me kombe të caktuara ballkanikë; në lidhje me rivalitetet dhe armiqësitë e fuqive të mëdha për çështje të ndryshme ballkanike; në lidhje me periudhën e krizës lindore dhe largimit gradual të pushtuesit osmanë nga Ballkani; në lidhje me luftërat për liri apo kryengritjet sërbe dhe më vonë greke për çlirim kombëtar dhe pjesëmarjen e kontributin shqiptar sidomos në kryengritjen greke të viteve 1820/1825; në lidhje me shtetformimin grek dhe sërb respektivisht; në lidhje me përkatësinë etnike dhe fetare të popullsive në teritoret në të cilat formohen shteti grek dhe ai sërb përkatësisht; në lidhje me paqen e Shën Stefanit, kongresin e Berlinit, luftën e parë dhe luftën e dytë ballkanike; formimin e shtetit të vogël shqiptar dhe copëtimin e territorit të madh të banuar me shqiptarë etnikë në Ballkanin perëndimor; luftën e parë botërore dhe ndryshimet e Versajës pas kësaj; periudhën mbretërore, masakrat, reformat agrare dhe shpërnguljet e detyrueshme të popullsisë shqiptare nga Jugosllavia dhe Greqia drejt Azisë së vogël; marrëveshjet “xhentëlmene” dhe konventat turko-jugosllave dhe greko-turke për shkatërrimin e kombit shqiptar në Ballkan dhe zhdukjen e tij në shkretëtirat e Azisë së vogël; në lidhje me luftën e dytë botërore dhe regullimet territoriale të asaj kohe dhe me rirregullimet politike, territoriale dhe etnike pas luftës së dytë botërore; gjenocidet e ndryshme dhe shpërnguljet e sërishme të shqiptarëve nga Greqia veriore dhe Jugosllavia jugore në këtë periudhë kohore; e deri në shkatërimin e federatës jugosllave, agresionet sërbe në Ballkan gjatë viteve 90, ndryshimet politike dhe territoriale deri në pavarësimin e Kosovës e pas saj deri në ditët tona.

Duke njohur gjuhën e ish okupatorit sërb, këtu do të përmendim vetëm disa vepra të shkruara në këtë gjuhë të cilat kemi mundur ti gjejmë dhe lexojmë si të plota apo në pjesë të caktuara. Veprat e kësaj natyre të shkruara nga autorë grekë dhe turq nuk kemi mundur ti konsultojmë shkaku i mosnjohjes së këtyre gjuhëve.

Shqiptarët në shkrimet sërbe janë përmendur nga autorë më të hershëm sërbë, por elementi shqiptar mer një rëndësi të veçantë politike në veprën monumentale të nacionalizmit agresiv sërb me titull “Naçertanie”[1], të shkruar nga ministri i brendshëm sërb i asaj kohe, Ilija Grashanin (1812-1874) më 1844 dhe të publikuar në vitin 1897. Në këtë program nacional, autori paraqet idetë e tij për drejtimin që duhet të marë politika sërbe në lidhje me zgjerimin e shtetit sërb drejt veriut, perëndimit dhe jugut. Në këtë tekst për herë të parë populli shqiptar paraqitet si faktor në gadishullin ballkanik me të cilin Sërbia duhet të përballet në të ardhmen sidomos në lidhje me përkatësinë administrative të teritorit të Sanxhakut të Novi Pazarit, fushës së Kosovës, rafshit të Dukagjinit dhe Maqedonisë së Vardarit.  Një vepër tjetër interesante ku shqiptarët janë temë e veçantë studimi është edhe libri me titull “Kosovo, opis zemlje i naroda”[2], e konsullit sërb në Prishtinë e Manastir dhe shkrimtarit të njohur, Branisllav Nushiq (1864-1938). Nushiqi, i cili sipas të gjitha gjasave duhet të ketë qenë me origjinë shqiptare ose arumune ka përsëritur në këtë vepër falsifikatet e njëjta në lidhje karakterin historik sërb të “Stara Sërbias” (Kosovës) dhe në lidhje me pozitën e padurueshme të sërbëve të atyshëm të cilët vuajnë “nën terrorin e arnautëve të egër”. Terrorit “arnaut kundër popullsisë lokale sërbe në Perandorinë turke” dhe “lëvizjes arnaute gjatë luftërave sërbo-turke” i ka rënë në shkrimet e tij më tepër se kushdo tjetër, Jovan Haxhivasiljeviqi.

Antropologu dhe gjeografi i madh sërb dhe ballkanik Jovan Cvijiq (1865-1927), në veprën e tij kapitale “Osnove za geografiju i geologiju Makedonije i Stare Srbije”[3], I-III, 1906, 1911, përtej meritave shkencore ka formuluar edhe disa teori absurde dhe shumë joshkencore si ajo në lidhje me popullsinë shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë së veriut e cila sipas tij duke qenë në të kaluarën e saj e krishterë paska qenë me origjjinë sërbe. Kjo është teza e njohur e “arnautashëve” ose sërbëve të islamizuar e të shqiptarizuar të Malit të zi, Kosovës dhe Shqipërisë së veriut gjatë okupimit otoman, e cila është përdorur aq shumë në propagandën e mëvonshme shoviniste kundër shqiptarëve. Kësaj teze i kanë bërë jehonë në shkrimet e tyre dy autorë që kanë shkruar për gjoja “zgjerimin e arnautëve në tokat sërbe të Sërbisë së vjetër”: Rista Nikoliq e veçanërisht Jovan M. Tomiq me librin e tij antishkencor, “O arnautima u Staroj Srbiji”[4],1913.

Në vitet 1903 dhe 1912 poeti i njohur Milan Rakiq (1876-1938) boton koleksionet me poemat e tij. Në dy nga këto poema ai e shpreh qartë urrejtjen e tij kundërshqiptare dhe falsifikimin e ngjarjeve të caktuara historike. Kështu te “Na Gazi Mestanu”[5], i këndohet gjoja lavdisë së humbur sërbe duke e përvetësuar krejtësisht për kauzën sërbe betejën e përbashkët të popujve ballkanikë kundër depërtimit osman më 1389, kurse te “Simonida” autori ndryshon faktet kur akuzon shqiptarët si autorë të aktit vandal që kreu ushtria bullgare gjatë luftës së parë botërore duke gëryer sytë e mbretëreshës sërbe Simonida në ikonën kushtuar saj në manastirin e Graçanicës afër Prishtinës.

Vlladan Gjorgjeviq (1844-1930), një kryeministër sërb me origjinë arumune i quajtur për këtë arsye edhe “cincar”, ka botuar më 1913 librin, “Arnauti i velike sile”[6], ku në terma të pabesueshëm racistë për kohën shqiptarët i quan qenie barbare me një karakteristikë trupore të ndryshme nga kombet tjera ballkanike që “u varet nga prapa si bisht”. Këtë  vepër madje e ka botuar së pari në gjuhën frënge në Paris të dedikuar për opinionin europian të kohës i cili me siguri është tronditur nga kjo mënyrë e të karakterizuarit të një popullsie të lashtë europiane si shqiptarët. Më 1913 botohet edhe vepra “Albanski problem i Srbija i Austro Ugarska”[7], nga autori tjetër Stojan Protiq (1857-1923), ku ai në terma shumë tinzarë dhe absurd krijimin e shtetit të pavarur shqiptar e përshkruan si vepër të shtetit austrohungarez të drejtuar kundër interesave nacionale të Sërbisë dhe Greqisë.

Pas formimit të shtetit të cunguar shqiptar dhe mbetjes së një numri të madh të shqiptarëve nën sundimin jugosllav e grek, energjia e akumuluar negative e mendimit politik sërb koncentrohet drejt minimit të pavarësisë së Shqipërisë si dhe drejt falsifikimit të historisë, demonizimit dhe planifikimit për zhdukje totale të popullsisë shqiptare nga territoret nën sundimin e tyre. Të kësaj periudhe kohore janë librat e Kosta N. Kostiq e sidomos vepra interesante e botuar në Beograd më 1922, “Nasi novi gradovi na jugu”[8], ku shqiptarët edhepse nuk sulmohen në mënyrë direkte në terma racistë, prapëseprapë historia e qyteteve shqiptare që me ndarjen e vitit 1912 i takuan shtetit sërb paraqitet duke e anashkaluar krejtësisht prezencën e elementit etnik shqiptar në to. Publicisti Milosh Crnjanski (1893-1977), në veprën e tij , “Seobe”[9], 1929, e vajton tragjedinë sërbe të migrimeve e largimeve në masë nga Kosova duke e ritur në përmasa të pabesueshme këtë tragjedi si dhe numrin e serbëve të larguar në të ashtuquajturën “Velika seoba” apo në migrimet e mëvonshme të tyre. Ngjashëm edhe Jovan Duçiq (1871-1943) në vjershat e tij shpreh pikëpamje krejtësisht të papranueshme për kulturën dhe për popullin shqiptar.

 

Kulmi i antishqiptarizmit ekstrem shkencor arin në vitet 30 të shekullit të XX kur “Klubi kulturor sërb”, një shoqatë që bashkonte një pjesë të madhe të akademikëve sërbë të kohës filloi të përpilojë elaborate për eliminimin e tërësishëm të shqiptarëve në Jugosllavinë mbretërore të asaj kohe. Një “master-piece” i tillë me titull “Istjerivanje arnauta”[10], u paraqit në vitin 1937 nga historiani i njohur Vasa Çubrilloviç (1897-1990). Ky ishtë një elaborat në frymën tradicionale të nacionalizmit agresiv fshataresk sllav dhe fundamentalizmit fetar i cili parashihte deri në imtësirat më të vogla mënyrat dhe format më të sigurta sesi do të shkatëroheshin blloqet etnike shqiptare duke i dërguar këta në Anadoll. Madje një marrëveshje e tillë me shtetin turk edhe u nënshkrua dhe filloi të zbatohej, por ishte fillimi i luftës së dytë botërore që i shpëtoi shqiptarët e Jugosllavisë nga zhdukja totale.

I njëjti autor menjëherë pas përfundimit të luftës më 1944 paraqiti një plan të ngjashëm me titull “Manjinski problem u novoj Jugoslaviji”[11], ku përsëri kërkon që pakicat e mëdha gjermane dhe hungareze në veri dhe ajo shqiptare në jug të deportohen jashtë Jugosllavisë së re socialiste. Nga ana tjetër një numër i diplomatëve sërbë në prag të luftës paraqitën elaboratet e tyre për copëtimin e Shqipërisë së pavarur. Kështu “nobelisti” i mëvonshëm atëherë ambasador Ivo Andriq (1892-1975), përgatiti për MPJ jugosllave më 30.1.1939 një referat[12], ku propozon ndarjen e Shqipërisë dhe eliminimin e plotë të shqiptarëve që do mbeten brenda Jugosllavisë me anët të deportimit në Azi. Një referat të ngjashëm paraqiti edhe diplomati Ivan Vukotiq. Nga ana tjetër në qytetin malazez të Nikshiqit ku ndodhej si refugjat lufte, ideologu i lëvizjes çetnike sërbe, avokati nga Banjalluka e Bosnjës Stevan Moljeviq (1888-1959), paraqiti më 1941 programin kombëtar të titulluar “Homogena Srbija”[13], ku përveç territoreve shqiptare tashmë nën sundimin jugosllav për Sërbinë e tij të imagjinuar homogjene e parasheh edhe Shqipërinë e veriut.

Pas luftës së dytë botërore dhe në rrethana të ndryshuara politike antishqiptarizmi në mendimin politik sërb mer forma më të kamufluara por gjithmonë prezente. Në këtë periudhë më së shumti ekspozohet Dobrica Qosiq i cili në vitin 1968 në diskutimin në lidhje me konceptin sundues ideologjik dhe politikën nacionale në Jugosllavi, madje i kundërvihet hapur vijës së PKJ në lidhje federalizimin dhe liberalizimin e vendit për ç’arsye edhe përjashtohet nga partia komuniste jugosllave. Pas vitit 1981 në diskursin politik dhe në median sërbe rikthehen në mënyrë triumfale demonët e së kaluar. Fjalori politik neoçetnik bëhet standart dhe i kudondodhur në opinionin publik sërb, maqedon dhe malazez. Në këtë kohë e në vazhdim deri në ditët e sotme botohen apo shfaqen një numër i madh i artikujve gazetareskë, shkrimeve publicistike, reportazheve televizive, dokumentarëve, filmave, dramave, librave të zhanreve nga më të ndryshmit ku sulmohet rëndë populli shqiptar në gjithë atë që i japin atij një identitet kombëtar. I një rëndësie të veçantë është botimi më 1990 nga ASHA të Sërbisë e përmbledhjes me titull “Serbs and the Albanians in the Twentieth Century”[14], apo edhe të simpoziumit mbi ilirët dhe shqiptarët ku një numër i arkeologëve të mëdhenj jugosllavë si Fanulla Papazogllu për shembull, i ndryshojnë qëndrimet e mëhershme shkencore të tyre duke mohuar ilirësinë e dardanëve apo duke mjegulluar shqiptarësinë e ilirëve. Një vepër e rëndësishme e kësaj periudhe kohore është “Knjiga o Kosovu”[15] e Dimitrije Bogdanoviqit (1930-1986), e botuar në Beograd më 1986. Qeveria sërbe dora vetë ishte autore e përmbledhjes voluminoze me titull “Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovu i Metohiju”[16], e cila u publikua me shumë bujë në Beograd në shtator 2003.

Në periudhën 1980-2009, shquhen me librat dhe me shkrimet e tyre antishqiptare edhe një numër i historianëve e publicistëve të tjerë si i rikthyeri Dobrica Qosiq, Arsa Millatoviq, Gjorgje Jevtiq, Pavle Xheletoviq, Millorad Gjokoviq, Janiçije Popoviq, Janko Vujinoviq, Jovan Pejin, Millosh Antiq, Predrag Pallavestra, Vuk Drashkoviq, Vojisllav Sheshel, Kapllan Buroviq, Millan Mijalkovski, Petar Damjanov, Dejan Luçiç e shumë e shumë të tjerë. Këta me shkrimet e tyre falsifikuese, shoviniste dhe luftënzitëse i frynë zjarit të mosdurimit etnik duke krijuar parakushte për furtunën e mëvonshme gjenocidale sërbe kundër shqiptarëve të Kosovës në veçanti dhe kombit shqiptar nën sundimin jugosllav në përgjithësi. Krijimtaria dhe veprimtaria e tyre i përshtaten plotësisht thënies së filozofit francez Albert Kamy për “dhunën verbale e cila i paraprin dhunës fizike”. Këta varësisht nga periudha historike kur kanë jetuar dhe krijuar, janë përgatitësit dhe frymëzuesit kryesorë të gjenocidit sërb kundër shqiptarëve, boshnjakëve, gjermanëve, kroatëve dhe hungarezëve në ish Jugosllavi. Historia duhet të evidentojë me përpikmëri dhe të arkivojë në arkivin e përjetshëm të turpit gjithë faqet e gënjeshtrave, shpifjeve, fyerjeve raciste, dezinformateve dhe falsifikimeve monstruoze të këtyre autorëve sërbë. Është detyrë historike dhe emergjente e shkencës shqiptare që të evidentojë me seriozitetin dhe pedantërinë më të madhe të mundshme gjithë volumin e stërmadh të faqeve të shkruara në gjuhët sërbe, greke, maqedonase, malazeze e turke kundër popullit shqiptar. Evidentimi i shkrimeve antishqiptare në gjuhën greke është veçanërisht i domosdoshëm pasi numri i tyre është ndoshta më i madh se ai e shkrimeve sërbe. Njëjtë siç duhet të evidentojë dhe popullarizojë me seriozitetin maksimal shkrimet reale, neutrale dhe progresiste të Dimitrije Tucoviqit, Kosta Novakoviqit, Dushan Popoviqit apo Aleksa Bogosavleviqit. Popujt e civilizuar kanë mbamendje historike, kanë memorie historike, kanë botëshikimin (Weltanschauung-un) e tyre origjinal për të kaluarën dhe të tashmen e tyre kombëtare. Popujt e civilizuar falin por kurrë nuk harojnë.       

 


[1] Ilija Garashanin “Naçertanije”, 1844

[2] Branisllav Nushiq “Kosova, përshkrim i vendit dhe popullit”, 1903

[3] Jovan Cvijiq “Bazat për gjeografinë dhe gjeologjinë e Maqedonisë dhe Sërbisë së vjetër” I-III, 1906-1911

[4] Jovan M. Tomiq “Mbi arnautët në Sërbinë e vjetër”, 1913

[5] Millan Rakiq “Në Gazimestan”

[6] Vlladan Gjorgjeviq “Arnautët dhe fuqitë e mëdha”, 1913

[7] Stojan Protiq “Problemi shqiptar dhe Sërbia dhe Austrohungaria”, 1913

[8] Kosta N.Kostiq “Qytetet tona të reja ne jug”, 1922

[9] Millosh Crnjanski “Migrimet”, 1929

[10] Vasa Çubrilloviq “Përzënia e arnautëve”, 1937

[11] Vasa Cubrilloviq “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”, 1944

[12] Dr Ivo Andriq “ Mbi çështjen shqiptare”, 1939

[13] Stevan Moljeviq “Sërbia homogjene”, 1941

[14] ASHAS “Sërbët dhe shqiptarët në shekullin e nëjzetë”, 1990

[15] Dimitrije Bogdanoviq “Libri për Kosovën”, 1986

[16] “Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin”, 2003



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XV) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIV) Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990 Arben Llalla: Aleksandri i Madh i Greqisë apo i shqiptarëve Vendimet historike të Bukureshtit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIII) Brahim Avdyli: Çështja shqiptare dhe territori historik shqiptar Milazim Kadriu: Beteja e Tabeve bëri bashkë dijen ushtarake, sakrificën dhe heroizmin... Urim Gjata: Në emër të jetës Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XII) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VII) Ksenofon M. Dilo: Fati tragjik i karakterit fisnik, i atyre që u tretën për Shqipërinë Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (X) Behxhet Dibrani: Rrethanat shoqërore- politike nderkombëtare dhe shqipetarët nga lufta e krimes deri në krizën lindore Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (V) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (IX) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (IV) Hilmi Saraçi: Masakra serbe në Qyqavicë, në vendin e quajtur “Llaza” dhe në Beqiq (Besnik)

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora