Kulturë
Albert Zholi: Një roman i veçantë me një subjekt hipnotizues
E merkure, 12.08.2009, 06:08 PM

“Një grua me Urdhrin e Ujkut” lexohet me një frymë dhe me këtë vepër Petraq Risto tregon se është mjeshtër, jo vetëm në poezi, por edhe në prozë.
Nga Albert Zholi
Para pak javësh doli në qarkullim romani i ri Petraq Ristos “Një grua me Urdhrin e Ujkut” dhe lexuesi është shprehur se ka në duar një roman modern, cilësor, një subjekt origjinal, këndvështrim të veçantë, gjuhë të pasur e, mbi të gjitha, shprehja më e përdorshme e lexuesve është “lexohet me një frymë”. Një roman i shkurtër, një histori tepër e veçantë, e jashtëzakonshme në shfletimin e subjektit, që përshkohet nga lirizmi dhe tension dramatik gjithnjë në shkallëzim. Bozhurja, Destani, Helena, Martini, Fatmiri, Agroni etj., ujqit e shumtë, prokurorët e Hagës që vijnë të verifikojnë nëse janë bërë transplante të organeve të trupave serbe...një absurd ngjyrë gri, vesh subjektin tepër të ngjeshur të këtij romani të shkurtër.
Petraq Risto, duke qenë një poet i figurshëm, metaforik, ka një gjetje poetike, por të shtjelluar me ligjet e prozës moderne.
Një çift vjen nga Patra e Greqisë, sepse djali, Destan Logu, ka marrë vesh se në fshatin e tij të braktisur nga banorët kanë zbritur ujqit. Kjo është gjetja, nxitja, hapi i parë, apo bërthama e ortekut të “Një grua me Urdhrin e Ujkut”. Pa dashur të zbulojmë gjithë çfarë ndodh në romanin e Ristos, deshëm të vinim në dukje gjendjen hipnotizuese ku të fut kjo vepër letrare. Autori arrin që me penelata të shpejta të ravijëzojë fate të çuditshme. Libri është gati me një ritëm sekuencash filmike, thuajse i gatshëm për një skenar modern. Ngjarjet ndodhin këto ditë, diku në Veri të Shqipërisë, në një fshat ku në kulla nuk ka banorë por... Kështu, realiteti gërshetohet me magjinë, legjendat dhe përrallat, gjithçka rrethohet nga absurdi, egërsia, dashuria dhe misticizmi.
Ashtu si dhe në romanet e tij të mëparshme “Bukuroshja fantazmë dhe unë zoti Prek Vdek”, “Avioni Madam Baterflaj 9|11”, apo tregimet te librat “Vdekja e palaços” dhe “Ndalohet vrasja e ujqërve”, Petraq Risto, edhe në romanin e ri, parapëlqen shtjellimin magjik. Lirizmi, tragjizmi dhe erotizmi, kapërcimet e çuditshme emocionale, ngjarje të zakonshme dhe të paparashikuara, të ngërthejnë në shpërfaqjen e tyre të natyrshme.
Subjekti i romanit dhe fati i personazheve të tij janë të vërteta tronditëse. Ndryshe nga shume prozatorë të tjerë shqiptarë, Risto nuk parapëlqen trajtim linear të subjektit, situata të rëndomta dhe moralizime të thata. Ai gjithçka e ngre në art.
“E bukur, e gjatë, e bardhë, ajo po lahej në vijën e ujit të mullirit. Dëbora që i binte në supet femërore nuk guxonte të rrinte gjatë, po as nuk guxonte të digjej, ndaj i bindej ngrohtësisë së trupit dhe shkrihej ngadalë, pa u penduar. Në atë çast Destani, vagëllimthi, arriti në përfundimin se i blatuari nuk ishte ai, por ajo. Po e shihte lakuriq për herë të parë. Atëherë vetëm e kish puthur dhe nuk e kish prekur më shumë. Ajo po lahej me një natyrshmëri hyjneshe dhe nuk e ndiente aspak dëborën dhe erën e ngrirë. Dukej që ishte ushqyer me qumësht ujkonje.
Ashtu lakuriq, hyri brenda. Trupi i shkëndijonte epsh. Destani, i pushtuar nga ethet e mashkullit, ndjeu se zjarri i prekjes i kish zbritur poshtë barkut, ndaj nuk priti as dy sekonda dhe e përfshiu në krahët e tij atë blatim të magjishëm, që më vonë do ta quante Blatimi i Ujkonjës. Ajo rënkonte ngadalë, sikur mallkonte veten. Destanit i dukej sikur poshtë trupit të tij mbante të burgosur shpirtin e ndonjë orteku.
- O Zot, - ofshani ajo, - ma fal mëkatin! ».
Linja kryesore dhe linjat e tjera paralele, që fare natyrshëm kanë lidhje me njëra tjetrën dhe e mbështesin njëra-tjetrën, duke e kthyer romanin në një organizëm origjinal, që merr frymë natyrshëm, dhe pse, veç njerëzve, personazhe janë edhe ujqit, madje, me emra të përveçëm.
Kam takuar shumë miq, lexues e krijues, që thuajse e kanë përpirë romanin e Ristos dhe kam vënë re se ata më flasin për një shkrimtar, që jo vetëm ka shkruar një vepër shumë të mirë, me një nivel të lartë artistik, por që ka fytyrën e vet artistike tepër të veçantë, që padyshim do ravijëzohet me mirë e më thellë edhe në veprat e tij të ardhshme. Gëzohesh që letërsia shqipe po pasurohet me vepra të reja, përkthimi të cilave në gjuhë të tjera, jo vetëm do të përcillte te lexuesi i huaj skena tragjike e tronditëse nga jeta shqiptare edhe në këtë shekull të ri, por mbi të gjitha, faktin që emra shkrimtarësh seriozë shqiptarë po duken në libraritë e botës. Librat poetikë të Ristos janë përkthyer e botuar në Francë, Meksikë, Rumani e SHBA e tani ai po bën përpjekje që në shtëpitë serioze botuese të imponohet dhe me romanet e tij, siç është dhe romani i fundit « Një grua me Urdhrin e Ujkut ».
Kritika letrare ka nisur të flasë për romanin e ri të Petraq Ristos dhe shpresojmë që kjo vepër të analizohet thellë, për të nxjerrë mirë në pah të vlerat e vërteta, çfarë të rejash sjellë ky shkrimtar, që në vitet e fundit na është imponuar me poezinë e tij...
Komentoni
Artikuj te tjere
Përparim Hysi: Vargje të shkruara në gusht (VII)
Cikel Poetik nga Genc Kastrati
Naser Aliu: Përrallë Për të Rritur - Post Mortem
Suzana Kuqi: Dragoi im
Krijime letrare nga Blerim Rrecaj
Arsim Halili: Intervistë me regjisorin Ekrem Sopi
Poezi nga Sokol Demaku
Dalan Luzaj: Kosova dhe Vlora (Poezi)
Engjëll Koliqi?: Ta ndërrojmë botën me dashuri VIII (Cikël poetik)
Mehmetali Rexhepi: Aty dhe atje ku nuk hyri Krishti
Alfred Papuçiu: Poezi nga Alain Vidon
Bilall Maliqi: Intervistë me poetin Avdush Canaj
Gjeto Turmalaj: Bisedë me detin
Engjëll Koliqi?: Ta ndërrojmë botën me dashuri VII (Cikël poetik)
Përparim Hysi: Takim me një të vdekur
Çiljeta: “Ja pse zgjodha Junën e “Big Brother” sirivalen time në dashuri”
Edison Ypi: Policëve të vrarë
Tefik Selimi: Piktori që ka futur elementet kombëtare në kultet fetare...
Mazllum Saneja: Poezia moderne polake - Jan Michal Stuchly (II)
Cikël poetik nga Halit Bogaj