E merkure, 01.05.2024, 07:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Anton Çefa: “Dielli” në 100-vjetorin e tij. Evoluimi i programeve, editorët

E shtune, 25.07.2009, 12:23 PM


“Dielli” në 100-vjetorin e tij. Evoluimi i programeve, editorët
 
Nga Anton Çefa

“Dielli” është e vetmja gazetë që ka shoqëruar zhvillimet e historisë së re të kombit tonë që nga pragu i lindjes së shtetit shqiptar dhe krijimi i këtij shteti e deri në ditët tona. Edhe pse ka qenë thjesht organ i një shoqate dhe zëdhënës i një diaspore larg atdheut, ai ka luajtur një rol të konsiderueshëm dhe ndonjëherë shumë të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre ngjarjeve, dhe, po ashtu, në ndikimin e edukimit dhe emnacipimit shpirtëror të krejt botës shqiptare.
Si gazetë e një shoqate të krijuar për t’i shërbyer çështjes kombëtare dhe të angazhuar gjithnjë nga ky synim i lartë, ajo ka pasqyruar në shkrimet e veta tiparet e qenësishme të kësaj shoqate në rrjedhën e kohës dhe, para së gjithash, profilin e saj të përkushtuar atdhetar dhe fizionominë e saj thellësisht demokratike e perëndimore.
Juristi erudit dhe atdhetari i flaktë, Hasan Dosti, duke folur në Seminarin e organizuar me rastin e 60-vjetorit të “Diellit”, i ka përcaktuar kështu “Vatrën” dhe “Diellin”:
“Vatra” dhe “Dielli”, janë shprehje simbolike këto. Na zgjuanë iden’ e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet”.
 
Në fjalën time do të përqëndrohem pikërshit në pasqyrimin në “Dielli” të realiteteteve të këtyre dy simbolikave, realitete të cilat përbëjnë qenësinë e këtyre dy “instituteve kombëtare”, siç i ka quajtur vatrani veteran e i devoçëm, Refat Gurrazezi, historian i parë i “Vatrës”, Federatën Panshqiptare Vatra dhe gazetën “Dielli”.
Realiteti i parë është sendërtuar në synimin e gazetës për ta bërë të qartë çështjen kombëtare, për të sugjeruar rrugët për zgjidhjen e saj në çdo moment historik të krijuar, dhe për të punuar në dobi të kësaj zgjidhjeje. Është pikërisht ky realitet impulsi i lindjes së “Diellit”.
Lindja e “Diellit” ka historikun e vet. Siç e dimë të gjithë, me mbylljen e gazetës “Kombi” (1909) të Sotir Pecit në Boston dhe të revistës “Albania” të Faik Konicës në Londër(1909), nuk kishte një gazetë shqipe që të luftonte për të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Nevoja për një organ shtypi u bë edhe më urgjente për një çështje të tillë, kur xhonturqit burgosën në Shkodër Dervish Himën, sepse i gjetën Flamurin e Shqipërisë me vete, dhe asnjë gazetë e Shqipërisë nuk guxoi dot të dilte në mbrojtje të tij. Atëherë Noli, në krye të shoqërisë “Besa-Besën”, shoqëri që qe formuar dy vite më parë me nismën e Sotir Pecit dhe të tijen, ku bënin pjesë një grup atdhetarësh, më të shumtit nga fshatra të rrethit të Korçës, kryesisht nga Katundi, vendosën botimin e gazetës “Dielli”, pagëzuar nga Noli. Numri i parë i tij doli më 15 shkurt të vitit 1909, si organi i kësaj shoqërie. Shumë shpejt “Dielli” u bë një nga organet kryesore të shtypit shqiptar të asaj kohe.
Në mbledhjen e shoqërisë “Besa-Besën”, një muaj mbas botimit të nr. të parë të “Diellit”, u propozua për editor të gazetës Faik Konica. “Propozimi u prit prej të gjithëve me thirrjet entuziaste: “Rroftë Shqipëria!”, “Rroftë ‘Dielli!”, “Rroftë Faik Konica!”. Një komision i veçantë hyri në lidhje me Konicën, dhe ai erdhi në Boston më 9 tetor të atij viti (tetë muaj mbas botimit të nr. të parë) për të marrë në dorë drejtimin e “Diellit”.
Por, për të mbajtur gjallë gazetën duhej të bashkoheshin shqiptarët në emër të një ideali të shenjtë kombëtar, por ideali mungonte, sepse mungonte vetëdija kombëtare. Një pjesë jo e vogël e mërgimtarëve shqiptarë të fillimit të shekullit të kaluar nuk kishin as konceptin e atdheut, sepse edhe atdheu, në gjendje të robëruar siç ishte, mungonte; për më tepër, kishte emigrantë që nuk e dinin se ishin shqiptarë. Siç shkruan Refat Xh. Gurrazezi në “Historinë e Federatës VATRA”, “Një shumicë shqiptarësh asi kohe nuk e kishin kuptuar mirë se ç’ishin dhe e quajtin vetën ‘Grekë dhe Turq”. Ata ishin vërtet lëndë njerëzore me plot virtyte të fisme, por e pa përpunueme në relacion me vetëdijen kombëtare. U deshën Sotir Peci, Fan Noli, Konica dhe pak të tjerë që numëroheshin me gishtat e dorës, numri i të cilëve erdhi duke u rritur, që t’i jepnin kësaj lënde shpirtin e atdhetarizmit, si një farë e hedhur në një tokë të plleshme, - se vërtet ndërgjegjja shqiptare është një tokë e tillë, humus jetëdhënës.
Si organ të shoqërisë “Besa-Besën”e drejtuan gazetën Noli (dy herash), Konica, Efthim Natsi dhe Kristo Floqi. Peshën më të madhe e mbajti Noli, me 69 numra, mandej Floqi me 59 nr. dhe Konica me 47.
Në numrin e parë të “Diellit” u botua programi prej 5 pikash, i cili kërkonte njohjen e autonomisë së shtetit shqiptar, i cili të përfshinte vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Janinës dhe pjesën shqiptare të vilajetit të Manastirit, përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare, arsimin e përgjithshëm laik me mësues shekullarë, hapjen e shkollave profesionale, zhvillimin e ekonomisë, ndërtimin e komunikacionit, etj. Mbas një hyrjeje të shkurtër të programit, shkruhej: “Shqipëria për shqipëtarët”. Në fund të programit, thuhej: “Në qoftë se Turqia s’jeton dot në Evropë, Shqipëria do të bëhet më vete me një princ prej familjeve mbretërore të Evropës. Ky është program i Partisë Kombëtare Shqipëtare dhe i Shoqërisë “Besa-Besën”, dhe “Dielli” do të jetë organ i tyre besnik deri në fund.” Me gjithë respektin shumë të madh për Gurrazezin, që mendon se ky program është hartuar nga Konica, na duket më e drejtë t’ia njohim autorësinë, së bashku me prof. Jup Katratin, Nolit, sepse ai themeloi “Besëa-Besën”, nxori “Diellin” dhe e drejtoi atë deri sa erdhi Konica.

* * *

Vitet 1912-1920. Me themelimin e Federatës Vatra, “Dielli” u bë organi i saj dhe, në duart e dy kolosëve, Konicës dhe Nolit, ai u bë gazeta më me autoritet në botën shqiptare. Si organ i “Vatrës” natyrisht, programi ka pësuar ndryshime në përputhje e në funksion të kohërave, por duke mos ndryshuar orientimi nacionalist, i mishëruar në idënë e bashkimit e të organizimit të popullit shqiptar me një program të përcaktuar politik, ekonomik, kulturor e arsimor, sipas modeleve të demokracive perëndimore.
Ndryshimi më i parë qe kalimi nga kërkesa për autonomi në kërkesën për pavarësi. Me rastin e Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, “Dielli” i dt. 5 dhjetor 1912, botonte këtë urim: “Vatra” përhiron Shqipërinë: “Mbledhjes së Kombit, Vlorë: Federata Pan-Shqiptare “Vatra” e Amerikës dërgon urime të nxehta për inauguratën t’uaj, e cila s’do të harrohet kurrë”. “Vatra” me gojën e Faik Konicës, “I lutet Mbledhjes së Kombit” që të mos krijojë një shtet Oriental, po një shtet Evropian, si Norvegjinë, Danimarkën, Hollandën dhe Belgjikën”. . . I nënshkruari u lutet veçan deputetëve Muslimanë të provojnë atdhesin’ e tyre duke zgjedhur një princ të krishterë. Po të bëjnë ndryshe, do të bëjnë një lajthim të pandreqshëm”. (Nënshkruar:) Për Komisionin Faik Konitza”.
Menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë, ngjarjet në Ballkan u rrokullisën me shpejtësi dhe në dëm të shtetit të ri të porsaformuar. Në vitin 1913, erdhi copëtimi i Shqipërisë; jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar mbetën nën pushtimin e të huajve krahina të tëra.“Vatrës” iu desh të projektonte strategjinë politike për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e atdheut tonë, që u rrezikuan gjatë periudhës së Luftave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. “Dielli” me korrektesë ka pasqyruar veprimtarinë e “Vatrës” në këtë drejtim. Ruajtja e integritetit tokësor, demaskimi i synimeve aneksioniste të fqinjëve ballkanikë ka qenë vazhdimisht shqetësim i “Diellit”; jo vetëm gjatë viteve të Luftave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, dhe mbas saj, por edhe më vonë, gjatë viteve të Luftës II Botërore dhe fill mbas saj, kur ishte i freskët deklarimi i Anthony Eden-it, për shqyrtimin e kufinjve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes, bërë më 1942.
Gjatë këtyre viteve, “Vatra” u bë qëndra kryesore e lëvizjes kombëtare dhe autoriteti i “Diellit” u rrit shumë. Veprimtaria e gjerë e “Vatrës” në dobi të çështjes kombëtare është pasqyruar me hollësi në gazetë. Është kjo periudhë që, Konica, duke e kujtuar disa vite më vonë, ka shkruar në “Dielli”: “Në ditët e errëta kur Shqipëria ish e shkelur nga ushtëri të huaja, kur shteti ish përmbysur, dhe kur flitej sheshit për copëtimin e vendit – VATRA, e këshilluar nga një pakicë patriotësh, e shtyrë nga atdhesia dhe dëshira e anëtarëve të saj, e mori përsipër të veprojë në vënt të Shtetit të vdekur. Nuk kërkoj nderet as të drejtat e Shtetit, po mori përsipër vetëm detyrat dhe harxhet”. Në dy vitet e fundit të Luftës gjetën pasqyrim të plotë në gazetë, gjithashtu, vështirësitë e krijuara nga përçarja e “Vatrës”. Një grup vatranësh të Worcester-Mass., me në krye Kristo Dakon u shkëputën nga “Vatra” dhe themeluan Partinë Politike. Me ta u bashkuan Ismail Qemali, Mihal Grameno dhe ndonjë patriot tjetër i njohur. Partia Politike kritikonte politikën e “Vatrës” dhe kërkonte të dërgonte si përfaqësues të shqiptarëve të Amerikës në Evropë Ismail Qemalin. Delegati i “Vatrës” ishte Mehmet Konica, që si i tillë i solli shumë të mira Shqipërisë. Atëherë plasën polemikat e fuqishme mes “Diellit” dhe “Albanisë”, që e nxirrte K. Dako. Në krah të kësaj të fundit ishin edhe “Koha” e Mihal Gramenos dhe revista “The Albanian Era” të G. Adams, në cilësinë e editorit.
Në këtë kohë, “Diellin” e drejtuan, simbas radhës: Konica, Paskal Aleksi, Dennis Kambury, Kostandin Çekrezi (i cili e bëri gazetën të përditshme), Noli, Bahri Omari, Çekrezi, B. Omari, Loni Kristo. Në krye, simbas numrave të botuar vijnë: B. Omari me 1074 nr., Çekrezi me 241 dhe Noli me 137. Menaxher i parë i “Diellit”, i zgjedhur në mbledhjen themeltare të “Vatrës” qe Kristo Kirka. Sqarojmë këtu që me qenë se Konica u largua në Londër, i dërguar nga “Vatra” për të punuar për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut, punën e editorit e bëri Efthim Natsi, por në gazetë vazhdoi të shënohej emri i Konicës. (Përllogaritja e numrave është bërë mbi bazën e “Bibliografisë” së Palokë Dakës, botuar në “Studime historike”, nr. 4, v. 1971, Tiranë, f. 190-191).
Në vitet 1920-24, “Dielli” ka përkrahur përpjekjet e Nolit për zhvillimet demokratike, Lëvizjen e Qeshorit dhe qeverinë demokratike të dalë nga kjo.
“Dielli” dhe “Shqipëtari i Amerikës”, filiali i saj në Korçë, që filloi të botohet në v. 1922, nën editimin e Loni Kristos, përfaqësuan luftën e shtypit të Opozitës kundër qeverisë së drejtuar nga Ahmet Zogu, kryeministër. Zogu karakterizohej si “armik i popullit”. Gurrazezi ka shkruar: “Dielli në Boston dhe Shqipëtari i Amerikës në Korçë priteshin nga këndonjësit si ujët e ftohtë në vapën e korrikut”. Gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare, më 1923, “Dielli” i ashpërsoi kritikat kundër Partisë Popullore të Zogut, duke vënë në shenjë disa deputetë dhe ministra. Për këtë arsye, qeveria e ndaloi hyrjen e “Diellit” në Shqipëri.
Gjatë këtyre viteve e drejtuan “Diellin”: Andon Frashëri dhe Konica, i cili krahas kryesisë së “Vatrës”, në Kuvendin e vitit 1923, u zgjodh si kryeeditor i “Diellit” dhe si ndihmës të tij u caktuan Andon Frashëri dhe Aqile Tasi. Mbasi Partia Liberale e Nolit humbi zgjedhjet, lufta politike u ndez edhe më tepër. Megjithëse “Vatra” e përkrahu qeverinë e Nolit, “Dielli” nuk i kurseu kritikat. I kësaj kohe është artikulli i famshëm i Konicës me titullin “Komedia e partive, dhe rreziku që qëndron në derë të theatrës”, ku ndër të tjera shkruhej: “Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri, vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s’ka vënt dhe trembem se diç do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vet-qojturve ‘udhëheqës’ do t’u vijnë menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: “U-ngjall nga idealistët, U- ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët”.
Në vitet 1925 -39, gazeta përqafoi politikën autoritare të mbretit Zog, duke kaluar nga pozicioni i majtë i Nolit në pozicionin e djathtë të Konicës. Ideologjia dhe politika e gazetës kaloi në anën e qëndrës së djathtë, gjë që u pasqyrua në qëndrimet promonarkiste, profashiste për një kohë të shkurtër, dhe antikomuniste.
Edhe pse Konica më 1926 u bë Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Amerikë, ai kishte ndikim të plotë mbi “Diellin” Gazeta e krijuar dikur prej Nolit u kthye kundër tij dhe e kritikonte, e shante, e ironizonte atë. Polemikat u bënë të ashpra. Sulmeve të “Diellit”, Noli i përgjigjej në gazetën “Emigranti”, që drejtohej nga Qerim Panariti dhe botohej në Worcester, Mass. si dhe në “Liria Kombëtare” që botohej në Vjenë, më vonë në “Republika”, në Boston. “Dielli” shkruante: “Fan Noli vetë ka lindur në Turqi dhe duhet të jetë turk, sepse nuk ka as shtëpi e as njerëz të tij në Shqipëri”. Ajo e quan “Këmbëzbathuri i Ibrik-Tepesë, . . . zorrëthari i Edernesë”, “Bolshevik”. Polemikat vazhduan deri në vitin 1937, kur u përkujtua 25-vjetori i themelimit të “Vatrës”. Atëherë, “Dielli” i Botonit, me editor Nelo Drizarin, botoi artikullin “Ungjillori i shqiptarëve” me një foto të Nolit. Në v. 1936, ndodhi një përçarje tjetër e “Vatrës” dhe filluan të botohen dy gazeta me të njëjtin emër. Veç “Diellit” të Bostonit, botohej edhe një “Diell” në Detroit. Kjo gjendje zgjati 3 vjet. “Dielli” i Detroitit, i edituar nga Gurrazezi, vazhdoi deri në mbyllje të tij, më 1939, ta kritikonte ashpër Nolin.
Editorët e kësaj periudhe: Konica, Andrea D. Elia, Gurrazezi dhe Nelo Drizari.
Gjatë viteve të pushtimit të huaj italian e gjerman, “Dielli” u angazhua plotësisht kundër pushtimit të Shqipërisë dhe kritikoi qëndrimin e Zogut. Në gazetë shkruhet me imtësi për përpjekjet e asaj kohe të Nolit e të Konicës për formimin e një qeverie shqiptare në mërgim të udhëhequr nga Ahmet Zogu, si një platformë politike e domosdoshme për shpëtimin e atdheut, sigurimin e pavarësisë dhe të integritetit tokësor të Shqipërisë.
Në vitin 1941, ndodh një përçarje e diasporës shqiptare këtu. Çekrezi formon organizatën “Shqipëria e lirë”dhe fillon botimin e gazetës “Liria”. Përballë platformës politike të Nolit e Konicës për formimin e qeverisë shqiptare në mërgim, Çekrezi propozonte krijimin e një Komiteti përmes të cilit të formohej një Front i Përbashkët për Shpëtimin e Atdheut.
“Dielli” pasqyroi gjithashtu veprimtarinë e Petro Kolonjës në Washington, dërguar nga Noli, si “ambasador” i Zogut, për të punuar për njohjen e qeverisë shqiptare në mërgim, për njohjen e pavarësisë dhe të tërësisë tokësore të Shqipërisë. “Dielli” përshëndeti fitoren e Luftës Antifashiste të popullit shqiptar përkrah Aleancës së madhe Antifashiste dhe përkrahu me insistim kërkesën e Shqipërisë për t’u pranuar në OKB.
Editorë të kësaj periudhe kanë qenë Petër Tiko dhe Qerim Panariti.
Gazeta “Dielli gjatë viteve 1945-1990. Në dekadën e parë të viteve mbas Luftës II Botërore, “Dielli”, nën drejtimin e Panaritit, mbron me fanatizëm, me ndonjë përjashtim të rrallë, veprimtarinë e qeverisë komuniste të Tiranës, duke e paraqitur atë si një qeveri që “pasqyron shkallën më të lartë të demokracisë”; propagandon “sukseset” e saj, boton shkrime të marra nga shtypi shqiptar, përkrah politikën e saj të jashtme pro-jugosllave dhe, më vonë, pro-sovjetike; kritikon disa herë politikën merikane dhe perëndimore; polemizon me Komitetin Kombëtar Shqipëria e Lirë; dënon luftën që i bën Perëndimi komunizmit, dhe nuk bën fjalë fare për mjerimin ekonomik të popullit tonë, për mohimin e të drejtave qytetare, për masakrat e përgjakshme që po bëheshin në atdhe, etj.; të gjitha këto pa pasur asnjë dijeni se çfarë bëhet në Shqipëri. Vetëm duke filluar nga vitet 1949-50 fillon të shihet në gazetë ndonjë kritikë e lehtë, që vjen duke u ashpërsuar për të arritur kulmin në vitet 1954-55. Kritikohet qeveria për izolimin e vendit nga bota perëndimore dhe për moslejimin e shqiptarëve të Amerikës për të vizituar atdheun, flitet për gjendjen e rëndë ekonomike, kritikohet refuzimi i ndihmave amerikane dhe falënderohet Presidentin Amerikan Eisenhower për to, etj.
Gjithë kjo veprimtari e gazetës bëhet nën drejtimin e Panaritit, i cili e editoi atë për 19 vjet me radhë nga 1944 – 1963, editori më jetëgjatë në historinë e gazetës. Në vitet 58-60, krahas Panaritit punon për gazetën edhe Petër R. Prifti, gjithashtu në cilësinë e sekretarit të “Vatrës”.
Sqarimi i gjendjes në Shqipëri dhe pranimi i emigrantëve politikë në gjirin e “Vatrës” ndikoi për një qëndrim realist të gazetës. Një fushatë të fuqishme kundër regjimit komunist në Shqipëri dhe kundër komunizmit, në përgjithësi, bënë editorët që erdhën pas Panaritit: Athanas Gegaj, Xhevat Kallajxhiu dhe Eduard Liço.
Vitet 1990-2006. Me ardhjen e “Vatrës” në New York, në përpjekje për stabilizimin e saj dhe për të caktuar një editor, nga viti 1990 – 94, gazeta kaloi dorë në dorë . Në vitin 1990, mbas largimit të Eduard Liços, një numër e botoi Din Derti. Në vitet 1991 dhe 92, Arshi Pipa, atëherë edhe kryetar i “Vatrës” dhe editor, botoi me ndërprerje 8 numra të gazetës. Në vitin ’91, një nr. u editua nga Gjon Buçaj, Agim Karagjozi, Agim Rexhaj me asistencën e Tahir Deskut; në vitin 1992, një nr. u nxor nga Agim Karagjozi, në cilësinë e kryetarit të “Vatrës”, dhe Gj. Buçaj, nënkryetar; në vitin 1993, Agim Karagjozi botoi 3 numra, në vitin ’94, u botua një nr. nën editimin e Agim Karagjozit dhe Anton Çefës. Nga tetor-dhjetori i këtij viti deri në vitin 2006 inkluziv, u botuan 45 numra nën editimin e Anton Çefës dhe me Agim Karagjozin si managing editor.
Pipa kritikoi ashpër veprimet antidemokratike të forcave politike që dolën në skenë fill pas rënies së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipëri, dhe kërkoi me insistim që të nxirret e të dënohet përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist. Pas largimit të Pipës “Vatra” ka përkrahur pa rezervë të djathtën në pushtet, të udhëhequr nga Berisha; por në editorialet është bërë edhe ndonjë kritikë. “Dielli” ka bërë përpjekje që me shkrimet e veta të ndihmojë për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri, për çlirimin e pavarësinë e Kosovës, ka ngritur zërin për sigurimin e të drejtave politike kombëtare, shoqërore, kulturore, etj. të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Medvegje, Bujanovc, sipas ligjshmërisë ndërkombëtare, ka shkruar herë pas here për padrejtësitë flagrante ndaj Çamerisë, ka demaskuar pretendimet aneksioniste absurde të qarqeve shoviniste greke, atje dhe këtu, ka kundërshtuar uzurpimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare nga Janullatosi, etj.
Duke u botuar mesatarisht 4 herë në vjetë, gjatë kësaj periudhe, “Dielli” mori më tepër profilin e një reviste; më saktë të një reviste kulturore, ku veç analizave për çështjet bashkëkohore politike kombëtare, i është dhënë një hapësirë e gjerë artikujve studimorë në fushën e kulturës sonë albanologjike, evidentimit të personaliteteve të shquara të kulturës dhe historisë sonë kombëtare, etj. Gjatë kësaj periudhe janë bërë përpjekje për të ndjekur gjurmët jashtëzakonisht të pasura të traditës publicistike të “Diellit”, duke këmbëngulur për ruajtjen e profilit të tij, si gazetë e bashkësisë shqiptare të Amerikës dhe e organizatës së saj “Vatrës”.
Gjatë jetës së tij të gjatë, “Dielli” është botuar në shqip dhe pjesërisht në anglisht, me 2, 4, 6, 8, 10, 12, 14 dhe 16 faqesh, me formate të ndryshme.
 
* * *

Realiteti i dytë, ai i “rrezeve të dritës” është jetësuar në synimet e ngritjes së nivelit arsimor e kulturor dhe të edukimit qytetar e demokratik të shqiptarëve të Amerikës dhe të shqiptarëve, në përgjithësi. Në krye të herës së tij, shumë emigrantë analfabetë mësuan nga gazeta të shkruajnë dhe të lexojnë gjuhën shqipe. Në mënyrë të veçantë, “Dielli” ndikoi fuqishëm në përhapjen e kulturës. Aty u botuan në vazhdimmësi artikuj e studime shkencore nga fushat më të ndryshme të dijes, sidomos në hullitë albanologjike, si histori, etnografi, folklorë, gjuhësi, letërsi, kritikë letrare, gjeografi, etnopsikologji, etj. Në faqet e “Diellit” u botuan artikuj dhe vepra letrare, origjinale dhe të përkthyera, të kolosëve të mëdhenj të kulturës sonë, Nolit e Konicës, po edhe të editorëve të tjerë të përgatitur.
Dy realitetet ecnin bashkë, përkrah njëri-tjetrit, duke predikuar “ungjillin e kombësisë” dhe duke ndriçuar me vravashkën e kultures, për të mbjellur kështu farën e qytetërimit ndërmjet shqiptarëve. Që në numrin e parë të gazetës, Noli, krahas shkrimeve të tjera, botoi përkthimin e tregimit të Stendhal-it “Vanina Vanini”, që bën fjalë për kryengritjet e karbonarëve italianë për çlirimin e vendit nga pushtuesit austriakë, që tingëllonte si kushtrim i luftës për liri të popullit tonë kundër sundimit turk. Veç kësaj, në të gjithë numrat e tjerë, gjatë vitit të parë, ai botoi përkthime tregimesh dhe veprash që ndikonin në ngritjen e vetëdijes patriotike e qytetare dhe në çlirimin shpirtëror të lexuesve shqiptarë. Për këtë ndikim të “Diellit” në trojet tona në Ballkan, Gurrazezi ka shkruar: “Ka të ngjarë që shkrimet e Diellit lozë një roll me rëndësi në lëvizjet kryengritëse të çetave shqipëtare gjatë kohës 1910-1912, të cilat kërkuan të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Përandaj guverna turke e ndaloj hyrjen e Diellit në perandorin’ e saj, dhe nga ky shkak Dielli që dërgohej në mbretërinë ottomane shtypej me dy tituj: “Dielli e Flamuri”. Shënojmë këtu se edhe në raste tjera, për arsye politike, “Dielli” është detyruar të ndërrojë emrin; kështu ai është quajtur “Purteka”, dhe “Kombi në rrezik”.
Në gjirin e shqiptarëve të Ammerikës, “Dielli” ka propaganduar në çdo kohë dashurinë dhe unitetin për njëri-tjetrin dhe ruajtjen e traditave të mira kombëtare.Duke pasqyruar jetën e gjallë të “Vatrës”, mendimin dhe veprimin e saj demokratik, ai ka ndikuar në edukimin demokratik të lexuesve shqiptarë këtu dhe në atdhe; mendimin nëpermjet artikujve të ndryshëm dhe veprimin nëpërmjet reportazheve. Spikasin në këtë rrafsh reportazhet për kuvendet e “Vatrës”, që janë pasqyrim i një procedure ideale demokratike.
Me editorë të tillë si Konica e Noli dhe të tjerë të përgatitur, që i pasuan, “Dielli” ka shërbyer edhe si një shkollë gazetarie, tek e cila janë kualifikuar brezni të reja gazetarësh. Po përmend këtu, vetëm si shembull, larminë e gjinive të shkurtëra: skicë, vizatim, përshkrim, recension, profil, portret, reportazh, fejton, koment politik, artikull problemor, editorial, etj., që i gjen tek “Dielli” me vlerën e modeleve për t’u ndjekur.

* * *

Gjatë jetës së “Diellit” kanë dalë një mori gazetash e revistash shqipe, në atdhe, në trojet shqiptare të pushtuara në Ballkan dhe në diasporë, në të gjithë botën, por asnjë nuk e pati fatin e jetëgjatësisë së tij. As nuk mund të flitet për jetëgjatësinë e gazetave dhe revistave që dolën në një kohë me “Diellin”. Në vitet 1908-1910, u botua në Selanik gazeta “Liria; më 1909-1911, “Shqypja e Shqypnisë” e Josif Bagerit; më 1909, “Rrufeja” e Thanas Tashkos e Jani Vruhos, në Kajro; në vitin 1909, “Lidhja Orthodhokse”e Mihal Gramenos, në Korçë; më 1909, “Bashkimi i kombit” e Fehim Zavalanit, në Manastir; në vitet 1909-1910, “Liri e Shqipërisë” e Kristo Luarasit; në vitet 1911-1915, “Drita” e Muço Qullit; më 1911-1912, etj., etj. Te gjitha jëtëshkurtëra.
Edhe gazeta e revista të tjera, të cilat për shtypin shqiptar në atdhe dhe në diasporë, mund të përmenden për jetën e tyre të gjatë, as që mund të krahasohen me organin e “Vatrës”. Kështu “Arbëreshi i Italisë” (“L’albanese d’Italia”) e De Radës (1848-1912) jetoi 64 vjet; “Kombi Shqiptar” (“La Nazione Albanese”) e Anselmo Lorechios (1897-1924), jetoi 27 vjet; “Albania” e Konicës (1897-1909), vetëm 12 vjet. Vetëm me “Hyllin e Dritës” të P. Gjergj Fishtës, që filloi të botohet më 1913 dhe, me gjithë ndërprerjen gjatë kohës së diktaturës, vazhdon të botohet sot e kësaj dite, mund të bëhet njëfarë krahasimi.
 
* * *

“Dielli” është bërë objekt studimi, kryesisht indirekt, në rrafshe të ndryshme. Gjatë këtyre viteve të fundit janë botuar dy vepra për historinë e “Vatrës”, ajo e Akademikut Beqir Meta, për periudhën 1912-1920, dhe e Gurrazezit, për periudhën 1912-1925, të dyja botuar nga “Vatra”. Peter R. Prifti, në “Land of Albanians: A Crossroads of Pain and Pride”, i ka kushtuar dy punime shtypit shqiptar në Amerikë, ku janë dhënë plot njohuri edhe për “Diellin”. Vite më parë, më 1939, ka qenë botuar nga The Albanian Historical Society of Massachusetts, “The Albanian Struggle in the Old World and New”. Veç këtyre, në gazetë, herë pas here, janë botuar materiale lidhur me historikun e “Vatrës”, me plot referime për “Diellin”. Vlejnë për t’u përmendur shkrimet me karakter studimor të studiuesit Idriz Lamaj: “Qëndrimi i gazetës ‘Dielli’ ndaj qeverisë komuniste të Shqipërisë dhe qeverisë amerikane gjatë viteve 1945-1955”, (botuar në Dielli January-March 2000); “Vatra’ dhe ‘Dielli’ në vitet ‘30” (botuar në “Dielli”, January-March 2003); “Veprimtaria kombëtare e Federatës Panshqiptare Vatra gjatë pushtimit të Shqipërisë” (botuar në “Dielli” January-March 2005). Është kjo literaturë dhe kapitulli “Faiku, ‘Dielli’ e ‘Vatra”, i monografisë “Faik Konica”, të Jup Kastratit, që më kanë shërbyer për këtë kumtesë.
Dua të them këtu, si përfundim, dy gjëra:
E para, me gjithë këto botime, dhe edhe me punimet e kësaj Konference, “Dielli” mbetet ende në pritje të studimeve monografike të plota e sistematike.
E dyta, “Dielli”, me jetëgjatësinë e tij si organ i “Vatrës” dhe i diasporës shqiptaro-amerikane, me rolin e rëndësishëm që ka luajtur në dobi të kombit tonë, është bërë emblemë historike e shpirtërore e shtypit shqiptar; emri i tij është simbol i qenësisë së çdo mërgimtari shqiptaro-amerikan, ai ngjall përjetime të fuqishme emocionale, mall, mallëngjim, krenari, dinjitet; ai nderohet nga e gjithë bota shqiptare. Për të gjitha këto, “Dielli” duhet të jetojë sa të jetojë diaspora shqiptaro-amerikanne.

* Kumtese e mbajtur ne 100 vjetorin e gazettes “ Dielli”
New York, 15 qershor 2009


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora