Kulturë
Tregim nga Luan Çipi
E shtune, 25.07.2009, 10:00 AM

Xhelo Agai ishte nga fshati Sevaster i rrethit të Vlorës. Rrithte nga nje fis i kamur dhe nofkën Aga e gëzonte familjarisht, që nga koha e Turkut. Vetëm kjo nofkë i kish mbetur se Xhelua, tani në moshë pleqerie, ishte varfanjak dhe me ditët e pakta të punës që fuste në Kooperativë, veç bukë me gjizë mund të hante, thuajse në të tre vaftet. Po ama endërronte për ditë më të mira, që dhe të krijonte mundësi të pinte një godë raki, mandej edhe të ndukte, me ato pakë dhembë të ngelura, ndonjë bisht bere të pjekur në hell, ndaj dhe përpiqej ti gjente e ti shtonte të ardhurat me punë suplementare. E ruante miqsinë me arixhinjtë e Risilise, burra të zotë, që vinin shpesh në ato anë për xhambasllëk njëthundrakësh. Ende çdo shtëpi kooperativiste kishte oborrin e vetë dhe mbante nga një kafshë pune. Xha Xhelua futej si ndermjetës për shitblerjen e kafshëve të punës dhe përfitonte ndonjë shperblim,
qoftë dhe minimal. Sapo merte njoftim për një hallexhi që mund te shiste kalin a gomarin, lajmëronte me telefon te një pikë takimi në Hotel Sazani në Vlorë. Selimin, kryearixhiun, që më së shumti banonte me të vetët dhe thurte shporta rreth liqenit te Babices, afër qytetit.
Xhelo Agai atë ditë ishte dyfish në humor. I qeshnin syte dhe i gëzonte shpirti Kjo dukej edhe nga qe i beri copa ato bishtat e mustaqeve, teksa dridh e dridh, pa pyetur për dhembjen e buzëve, zakon që i kish ngelur, kur qe ne qejf e me pare të madhe. Këtë rradhë kishte gjetur, jo një, po tre njëthundrakë dhe shpërblimi parashikohej bajagi më i madh, i mjaftueshëm për një javë aheng.
Shpejt erdhi nga Vlora Selim Arixhiu me të birin. Ata i lidhën kafshët e tyre te konaku i Velos, anës rrugës, dhe pasi u freskuan te burimi me ujë te ftohtë, buzë xhadesë, zunë vend te tavolina e qoshkës, në Klub te Sevasterit, ku i prisnin miqtë hallexhinjë, me Xhelo Aganë, në krye. Pinë nga një raki e nga një kafe dhe pasi kontrolluan kafshët nga dhembët, brinjët e samari, bënë pazar, ranë në ujdi dhe e realizuan shpejt shitjen, se biseda paraprake ishte bërë nga Xhelo Agai dhe Selim Arixhiu u bind menjëherë për leverdinë e allishverishit.
Sevasterasit, pasi numëruan paratë, u larguan të kënaqur, ndërsa promataret u futën sërish në Klub, për të qëruar hesapet. Aty, të entuziasmuar nga blerja e leverdishme, palët u morën vesh për shpërblinmin, porositën raki dhe meze me kukurec keci dhe ja shtruan me të ngrena e me të pira, për shtatë palë qejfe.
-O Xhelo Aga, u kujtua të pyes Selim Arixhiu. Rradhën e parë, kur bleva atë doriun e larmë, më the se kishe ndërmend ta shisje gomarin tend të moshuar dhe të blije një më të ri. Unë ta kam gjetur e ta kam sjellë atë që kërkove dhe si mik që të kam, po edhe ngaqë e meritove me pazarin e sotmë të leverdishëm, dua që të dy gomeret, plakun tënd dhe të riun tim, ti ndrojmë pat e pat.
Xhelo Agai u përteri dhe nisi të dredh mustaqet. Po, menjeherë, si njeri praktik, po dhe i djallëzuar, sic qe, u kujtua për samarin e vjetër të gomarit të tij dhe nisi ta provokojë, ta ngaterojë, e kinse ta pys mikun:
-Po, si do ti ndrojmë, megjithë samarët? Dhe menjëherë i futi një pazar të dyzuar: Unë mendoj, secili të mbajë të vetin.
Selimi u kujtua që samari i gomarit të tij ishte fare i ri, i sapoblerë dhe u entusiazmua nga ky mendim i mikut te vet besnik e, siç ju duk në çast, tejet te ndershem, ndaj i tha:
-Dakord, secili të mbajë samarin e vet.
Kur u këmbyen gomerët, Selimi tentoi ti hiqte gomarit te tij samarin, që secili te merte të vetin.
-Çfarë po ben, o burazer, ndërhyn Xhelo Agai.
Po, siç biseduam, secili nga ne të marrë samarin e vet.
Mirë, o vëlla, po, ne nuk jemi gomerë. Samarët janë të gomerëve dhe secili nga gomarët të mbaj samarin e tij. Mbaje llafin, si burrë, e mos na këthe, neve insanëve, në gomerë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Demir Krasniqi: Një libër dokumentar me vlera historike e publicistike
Gjekë Marinaj: Një përvojë me ''Hijet e Virgjëreshave''
Hilmi Syla: ''Në Mitrovicë, afër Vuciternës...''
Përparim Hysi: Kam shaluar kalin e kujtimeve
Agim Gashi - Drenica: Epigrame
Eduard M. Dilo?: Sevasti Qiriasi Dako - kujtime per Naim Bej Frasherin
Sabit Rrustemi: Përtej mjegullës së fjalëve (Cikël i ri poezish)
Alfred Papuçiu: Meditim për doktoreshën humane zvicerane, mike e shqiptarëve
Vangjush Ziko: Poeti dhe mërgimi
Demir Krasniqi: Falenderimi i Kosovës - Gratitude of Kosova
Ksenofon M. Dilo: Jam një Shqipëri e vogël
Nexhat Rexha: Refleksione të heshtura në arkën magjike
Xhelo Vasjari: Klarineta është shpirti im, ajo është dashuria e pazëvëndësueshme
Cikël poezishë nga Ekrem Ajruli
Një grua nga Tirana - roman i shkrimtares Helena Kadare në gjermanisht
Përparim Hysi: "Hajduti?!"
Cikël poetik nga Ismet Tahiraj
Martin Camaj: I mohuar e i mënjanuar... njëlloj si në diktaturë
Cikel poetik nga Sabahate Byci
Demir Krasniqi: Unë jam vëlla i Nënës Tereze