E premte, 03.05.2024, 01:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Martin Camaj: I mohuar e i mënjanuar... njëlloj si në diktaturë

E marte, 21.07.2009, 07:52 PM


Nga Admirina Peçi

Do të qe i trishtuar. I zhgënjyer. Një shkrimtar brilant, që nuk mbërrin dot tek lexuesi i tij. Edhe sot e kësaj dite, po të ishte gjallë, Martin Camaj do të ndihej njësoj i refuzuar, i mënjanuar, i mohuar...si në kohën e diktaturës, prej të cilës u arratis në vitin 1948. Dhe, nuk u arratis për ato arsye që segmente të caktuara kanë dashur të ngulisin në mendjen e lexuesve prej kaq shumë vitesh. Pra, nuk u arratis për shkaqe ekonomike, as për ndonjë trill djaloshar. Kushtet e egra ku u vendos vendi i tij menjëherë pas luftës, nuk ishin kushte ku mund të zhvillohej vetëdija e tij letrare, gjuhësore, intelektuale.

Sot Martin Camaj bën 84 vjeç. Ai lindi në Temal të Dukagjinit, më 21 korrik 1925. Mori edukatë klasike në Kolegjin Ksaverian të Shkodrës, të drejtuar nga etërit jezuitë. Mbas pak kohësh, për shkak të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, Camaj do të arratiset nga vendi për në Jugosllavi, ku ia del të regjistrohet si student në Universitetin e Beogradit. Atje mësoi italianistikë, romanistikë, teori letërsie, gjuhë klasike dhe sllavistikë, një botë e re kjo për një intelektual si ai, të edukuar në Shkodër. Largohet nga Jugosllavia në verën e vitit 1956. Shkon në Romë, ku studion sërish dhe doktorohet. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi, me qendër në Londër. Atje, nën kujdesin e Koliqit bëhet kryeredaktor i revistës "Shejzat" (1957-1975) dhe studion së afërmi botën arbëreshe. Më 1961 transferohet në Mynih (Gjermani), ku specializohet përfundimisht në gjuhësinë shqipe, duke mos u shkëputur nga letërsia. Camaj u bë profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në Universitetin e Mynihut dhe mbeti atje gjithë jetën, deri sa vdiq, më 1992. Kontakti me kulturat e ndryshme perëndimore, njohja e poezisë moderne të poetëve më të njohur botërorë (Camaj ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja), ndikuan në formimin e tij kulturor, ndërsa vepra e tij, qoftë në prozë apo në poezi, mbështetet tërësisht në gjuhën shqipe dhe si përmbajtje i ka rrënjët në kulturën shqiptare, sidomos në mitin e trashëguar.
Në këtë 84-vjetor të lindjes së tij, është krejt e pritshme të ketë heshtje. "Një heshtje në ngjallje dhe amshim", - do ta quante studiuesi Behar Gjoka, duke u shprehur me një mëdyshje të lehtë se për Camajn, edhe pas vdekjes sërish kanë frikë të flasin. Studiuesi Gjoka po punon mbi një libër të ri rreth Camajt, e nisur prej këtij libri dhe këtij përvjetori, zhvillojmë një bisedë për t'u thënë hapur shumë gjëra mbi Martin Camajn, që thuhen veç me droje, apo në tavolina të zhurmshme lokalesh...

"Rikthimi i Martin Camajt", është një vepër e re studimore me të cilën po merreni këto kohë. Pse ky titull?

Martin Camaj, jo se nuk njihet, jo se nuk dihen vlerat e tij, por se që nga vitit 1948, kur u arratis nga Shqipëria, nuk pati shansin të komunikonte normalisht, as i gjallë, as i vdekur me lexuesin shqiptar brenda dhe jashtë kufijve. Rikthim tashmë do të thotë vlerësim i veprës gjuhësore dhe letrare, mjaft të gjerë dhe me nivel të spikatur, në mënyrë që të marrë fund mënjanimi i pashpallur i këtij autori në mjediset letrare dhe shkollore shqipfolëse, rikthim i vlerave poetike në prozë dhe në dramaturgji, të cilat në fakt i bëjnë nder panteonit të letrave shqipe. Për sa kohë vepra letrare dhe gjuhësore e Martin Camajt do të jetë në periferi të trajtimit dhe shqyrtimit, për aq kohë letërsia shqipe do të jetë gjysmake, sidomos ajo e periudhës bashkëkohore. Në këtë libër ndërmerret një udhëtim në universin letrar të të gjitha shenjave të pranishme, jo se nuk dihen, por se ndonjë parathënie apo ndonjë trajtim kryesisht vetëm në poezinë e tij, nuk ka mbërritur të figurojë dhe portretizojë përmasat reale shkrimore të Martin Camajt.

Sipas jush, pse po vonohet rikthimi në panteonin e letrave shqipe të Camajt?

Besoj se vonesa e mirëmenduar për të mos u bërë pjesë e arealit letrar të letrave shqipe lidhet me katër momente. Së pari, Martin Camaj vijon shkrimin e gegnishtes, variantit më të hershëm dhe më të ngulitun të gjuhës shqipe, i cili u ndalua me ligj në Kongresin e Drejtshkrimit të 1972. Është një arsye e mjaftueshme për të mos e rikthyer në panteonin e letrave shqipe.
Ka zëra që thonë se është poeti më i shquar i gegnishtes. Të thuash kështu, pra, jo i letërsisë shqipe, do të thotë se është poeti më i shquar i një varianti inekzistent. Së dyti, letrarja e sendërtuar nga Martin Camaj në poezi, ku shënohet kulmi me ciklet "Nema", "Bualli" dhe sidomos në librin poetik "Palimpsest", në prozën e tij ku veçohen tekstet "Dranja", "Diella", "Karpa", etj, tekste të pangjashme në letrat shqipe si dhe dramat "Lojë mbasdreke" dhe "Kandilja argjendit", pra gjinitë letrare dhe llojet e lëvruara nga Camaj në nivel të një kërkimi të letrares, shndërrohen në "shkak" për të mos e pranuar në panteonin e letrave shqipe. Së treti, për sa kohë që akademikët shqiptarë, krijimtarinë e Camajt e kundrojnë si pjesë e letërsisë së kaluar, është e vështirë që t'ia shënosh vendin Martin Camajt, i cili mbush sot vetëm 84 vjeç nga dita e lindjes. Së katërti, prania në mjediset tona e lexuesve që e shohin Martin Camajn dhe Arshi Pipën si pjesë të letërsisë reaksionare, e cila do të na prishka fëmijët, e bën kaq të vështirë edhe t'ia përmendësh emrin Martin Camajt.

Çfarë përfaqëson Camaj si dukuri letrare?

Martin Camaj dhe vepra e tij letrare shënojnë një dukuri të mëvetësishme. Kjo lidhet me faktin që vijoi dhe përsosi shkrimin e koinesë letrare të gegnishtes në mungesë të rrethanave të komunikimit me lexuesin. Është vetëdija gjuhësore dhe letrare, shkaku kryesor i mërgimit jashtë vendit, dhe jo siç artikulohet mjerisht herë-herë se ai iku për shkaqe ekonomike ose për teka djaloshare. Por, në fakt, jeta e tij në Beograd, në Romë, në Mynih, vërteton idealin e kërkimit të letrares. Dukuria komplekse e Martin Camajt zbulohet edhe nga fakti se ka lëvruar të treja gjinitë letrare, madje shumicën e llojeve letrare, ku eksperimenti dhe sprova janë shenja e mjaftueshme e shënimit të letrares. Do të thosha dy fjalë për tekstin "Dranja", i realizuar në prozë, por me një frymë që na përcjell atmosferën e madrigaleve, pra të poezive mesjetare, që nisin të shkruhen nga Dante Aligeri. Ky tekst, sa ç'është prozë, aq është poezi, sa ç'është art, aq është filozofi, sa ç'është ëndërr, aq është realitet. Qenia shqiptare dhe qenia njerëzore që shtegton në udhëkryqet ekzistenciale të jetës, pra dukuria letrare e Martin Camajt, në kuptimin gjuhësor dhe letrar duhet marrë në konsideratë për specifikën e kërkimit të shenjave letrare e kumteve dhe kumbimeve që përcjellin art, dhe në asnjë rast parullë apo antiparullë, siç gjejmë rëndom në letërsinë shqipe të të gjitha hapësirave.

Fakti që Martin Camaj ka shkruar në gegnisht, a përbën pengesë për të komunikuar me lexuesin?

Mendoj që sidomos stili i Camajt në variantin e gegnishtes, është pengesë e tillë, që Camaj do të jetë e vështirë të bëhet pjesë e vlerave letrare, dhe po ashtu duke u ndaluar Camaj edhe në kohën e lirisë së fjalës, e lirisë së shprehjes, e lirisë së mendimit, duke mbetur peng i një vendimi politik dhe partiak më tepër se sa gjuhësor, edhe gegnishtja, edhe vlera letrare e Martin Camajt për shumë kohë do të kundrohen si relike muzeale.
Shpresoj që ajo që ka ndodhur para disa muajsh në Francë, ku është marrë një vendim për rigjallërimin e dialekteve të shekujve XVI dhe XVII, në mënyrë që të mos thahet dhe vyshket gjuha standarde e Francës, të shërbejë si një shtysë për të kthyer vëmendjen nga vlera letrare e shkruar jo rastësisht në gegnisht nga Camaj. Ai, si rrallëkush në letrat shqipe gjithëkohore dhe gjithëhapësinore vërtetoi se gegnishtja nuk është thjesht varianti i poezisë, por është variant i vetëmjaftueshëm për të ndërtuar edhe prozën, edhe dramën po aq magjike. Është ky fakt, që edhe tani në amshim, kur përmendet Camaj menjëherë zgjohen vetëdijet jashtëgjuhësore dhe jashtëletrare për të ndëshkuar gjuhësisht dhe letrarisht Martin Camajn. Të mos harrojmë, në të gjithë botën, gjuha e letërsisë është gjuha e autorit, ndërsa gjuha e komunikimit, e standardit buron nga gjuha e letërsisë. Ndërsa nga viti 1972, duket sikur edhe shkrimtarët duhet të jenë zbatues të rregullores ushtarake të atij Kongresi që përzuri gegnishten, arbërishten dhe të gjitha ngjyresat e të folmes së shqipes.

Martin Camaj ka shkruar poezi, prozë dhe dramaturgji, por është pohuar vetëm si poet. Si e shpjegoni këtë fakt?

Deri tani, qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë, Martin Camaj është pranuar dhe pohuar si poet, dhe gati pa e pohuar hapur lihet të kuptohet se nuk është aq prozator i thekur sa ç'është poet dhe është heshtur në mënyrë absurde për dramaturgjinë e tij. Në bindjen time si njohës i letërsisë shqipe, do të thosha se letrarja në penën e Camajt si poezi apo prozë, si dramaturgji apo si studim letrar, është në ekuilibër. Por, në pamundësi për ta pranuar si univers, rreken të ndajnë pjesën nga e tëra duke e pranuar si poet. Besoj se është një përpjekje e dështuar.


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora