E enjte, 10.10.2024, 08:50 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Vepër me vlera intreguese letrare dhe historiografike

E diele, 19.07.2009, 11:29 AM


R e c e n s i o n

VEPËR ME VLERA INTEGRUESE LETRARE DHE HISTORIOGRAFIKE

(Agron Y. Gashi: “Autopoetika”, Faik Konica-2009)

Nga Sejdi BERISHA

Vetë titulli i veprës “Autopoetika” është një karakteristikë e fushës studimore, e cila provokon për analiza dhe shqyrtime në këtë zhanër, i cili as nuk është respektuar dhe as nuk është zhvilluar mbase as nuk është studiuar meritueshëm në letrat tona, në letërsinë shqiptare. Për këtë arsye, “Autopoetika”, e Agron Y. Gashit, është një vepër, e cila mund të konsiderohet si guxim dhe nismë shkencore për t’i hyrë analizave të kësaj krijimtarie, e cila mund të merret e të konsiderohet si fushë shumë interesante përmes të cilës do të begatohet edhe mendimi për krijuesit në fushën e letërsisë dhe të fushave të tjera. Sepse,  autobiografia, lirisht mund të thuhet se është refleksion dhe pasqyrë e begatisë krijuese dhe letrare e historiografike e shkrimtarit apo e autorit të veprës përkatëse, përmbajtja e të cilës begatohet edhe nga vetë biografia-autobiografia, që, si material dëshmon rrugëtimin dhe karakterin e krijuesit, dëshmon për faqet dhe etapat historike krijuese dhe jetësore përgjithësisht.
Andaj, kjo formë studimore dhe kërkimore, është jo vetëm me interes të veçantë, por edhe nevojë e guxim për të thënë e analizuar jetën, dhe përmes autobiografisë, edhe të opusit krijues, e përmes opusit të krijuesit, edhe të periudhave historike kur kanë krijuar e vepruar krijuesit, letrarët, artistët, muzicientët, shkencëtarët etj. Agron Y. Gashi, edhe pse kjo është vepra e parë e tij, ai, mund të konsiderohet si njëri prej nismëtarëve për ndriçimin dhe për studimin më të thellë të kësaj fushe, që tani për tani është bukur shumë e lënë anash, apo e lënë “dup”, si provokim për krijuesit e gjeneratës më të re dhe të asaj që vjen. Por, ky material i sublimuar në këtë formë si temë magjistrature, na dëshmon për ngulmin dhe fanatizmin krijues të autorit, i cili deri me tash opinionit i është i njohur edhe me shumë shkrime të tija të angazhuara e që janë botuar nëpër gazeta e revista të ndryshme.

Autobiografia si hije e modelit të jetës

Kjo vepër, e cila, për të pasqyruar sa më bindshëm dhe në mënyrë studiuese, është ndarë në disa kapituj. Në pjesën e parë, “Poetika dhe historia e autobiografisë”, autori merr shumë shembuj, se në trajtesat dhe studimet e ndryshme, kjo fushë e tok me te edhe disa segmente të tjera që tani paraqesin pjesë thelbësore të krijimtarisë dhe të vlerave letrare krijuese, janë “injoruar” qëllimshëm. Andaj, autobiografia, apo “hija e modelit të jetës”, siç e quan ai, padyshim se është një prej çështjeve karakteristike të kompletimit dhe të komplesivitetit krijues dhe e pasqyrës së brendshme shpirtërore të njeriut krijues.
Për këtë arsye, libri “Autopoetika” dhe autori i saj mund të konsiderohen si faktorë në studimin e vlerave të autobiografisë si zhanër dhe veçantitë dhe karakteristikat e patjetërsueshme për vazhdimësinë dhe për perfeksionimin e vlerave letrare, artistike dhe përgjithësisht të atyre krijuese kulturore. Në këtë aspekt, për të shprushur sa më mirë këtë temë, autori begaton mendimin dhe studimin e vet duke theksuar qëndrimet dhe mendimet e emrave të shquar intelektualë dhe letrarë, si: Tzvetan Todorov, Zherar Zhenet, Rolan Bartin, Richard Apipignanesi, Chris Garratt, pastaj, De Rada, Noli, Konica, At Zef  Pllumi etj.
Duke pasur parasysh se autobiografia paraqet një subjekt të rëndësishëm për kompletimet dhe studimet letrare, në këtë vepër na ofrohen shënime për historikun e këtij nocioni, i cili, siç e vë në dukje ai, fillon në fund të shekullit të XVIII-të. Me të dhëna të bollshme, na servohet se, autobiografia është një dëshmi e jetës personale si “iluzion i përjetshmërisë”, që është dëshmi edhe e jetës kolektive, edhe e historisë në etapa të caktuara, të cilat reflektojnë edhe historinë në përgjithësi; që është veçori e pasqyrës besnike të etapave kohore, gjithnjë pra, duke “keqpërdorur” autobiografinë dhe duke e analizuar atë në forma e nga kënde të ndryshme.
Një histori e autobiografisë, nënkupton begatinë e vlerave shpirtërore e të diturisë, dhe e kundërta. Por, edhe duke përfshirë këtu “intrigimet” për saktësinë, pasaktësinë, moralin dhe imoralitetin dhe për qëndrueshmërinë e të dhënave dhe të rrjedhave autobiografike, të cilat, shpeshherë pasqyrojnë dominimet shoqërore dhe kulturore, apo varfëritë dhe rënien e shoqërisë e të shtresave  të ndryshme të saj. Ilustrimet me të cilat shërbehet autori, janë katalizatorë i shprushjes dhe i mesazhit për çfarë angazhohet ai. Andaj, jo vetëm se duken dokument bindës në shtjellimin e temës, por janë domosdoshmëri e trajtesës dhe e mirëfillësisë dokumentare për vërtetësinë e autobiografisë. Sepse, “asnjëri nuk është më i kualifikuar për ta shkruar jetën e tij, sesa vetvetja”.
Ndoshta, në këtë formë edhe sforcohet vetëdijesimi për pasqyrimin sa më të saktë e të sinqertë të rrjedhave të tilla kapitale dhe historike, të cilat përkojnë me ndershmërinë, sinqeritetin dhe me ndërgjegjen individuale dhe kolektive krijuese. Për këtë, ndoshta mund të përmendet gjesti autobiografik, “siç e dëshmon edhe modeli i Shën Augustinit: Dua të kujtoj çastet e kaluara të turpshme dhe mershorët e papastra të shpirtit tim. Jo pse unë i dua, por për shkak që Ju ju dua, Zoti im”.
Kështu, edhe struktura e autobiografisë, duke përfshirë këtu definimet dhe karakterizimet, kjo fushë e letërsisë dhe e krijimtarisë konsiderohet dhe ashtu është, si shumë e rëndësishme dhe atraktive.

Rrëfimi personal faktor i rëndësishëm i fuqizimit të autobiografisë

Autobiografia, në letërsinë shqipe, edhe pse, thuaja se i takon tërësisë krijuese letrare e jo si veçanti e determinimit artistik mbase edhe pjesë e krijimtarisë, ajo është vetëm si një rrugicë që më vonë do të shtresohet dhe do të krijojë hapësirë të domosdoshme e më pastaj të zakonshme në kornizat esteto-letrare dhe historike e filozofike. Në këtë aspekt, autori, De Radën e konsideron si prijatar të formës autobiografike, edhe pse, ai thekson se këtë sferë të krijimtarisë letrare duhet kërkuar edhe më herët, megjithatë se tek letërsia e vjetër shqipe shfaqet problemi i identitetit të autorit të tekstit.
Të gjitha këto dhe çështjet e tjera që i shtron autori i “Autopoetika”, janë motiv apo provokim për qasje e angazhim adekuat shkencor e hulumtues të shenjave të shkrimit autobiografik. Këto refleksione i shtron duke lëruar e komentuar shumë vepra e shkrime, si të Sabri Hamitit, Rexhep Ismailit, pastaj të krijuesve më të hershëm, siç është Noli, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi etj. Në këtë kontekst, autori, veprës kujdesshëm i jep peshë trajtese dhe hulumtuese e komentuese, duke i inkorporuar modelet si sublimë të mesazhit për afirmimin e rolit të autobiografisë. Këtu përfshin pjesët trajtuese për Jeronim De Radën, ku rrëfimi personal integrohet si figurë e rëndësishme e fuqizimit të autobiografisë: “Por do të flas për fatet e mia”, ose: “Po tregoj ngjarje të vërteta, duke ditur se po i flas një brezi shumë mendjemadh...”.
Në këtë aspekt, për qëndrueshmërinë e fushës së autobiografisë, A. Y. Gashi, me pedanteri profesionale vë në spikamë edhe kodin kulturor si element qenësor për rrjedhat e mirëfillta krijuese, pra edhe letrare.
Në anën tjetër, aspektin e autobiografisë e begaton edhe me karakteristikat e biografisë, respektivisht të autobiografisë së Faik Konicës, të një krijuesi, letrari dhe publicisti karakteristik dhe me autonomi specifike intelektuale. Kështu, tërë krijimtarinë e Konicës por edhe referencat, komentet dhe atributet tjera të këtij krijuesi i vë si mbështetje të argumentit në këtë sferë.
Autobiografitë e De Radës dhe të Konicës, i bën faktorë të pakontestueshëm të kyçjes së këtij zhanri në rrjedhat intelektuale letrare edhe biografia e Nolit, të cilën autori e vendos përballë opinionit duke e ngritur kështu në piedestal rrugëtimin dhe rëndësinë e autobiografisë si pjesë kompletuese por edhe integrale të krijimtarisë letrare, të vlerave esteto-letrare dhe historiografike. Këtu, ngërthehen struktura, modeli zhanror, pjesët autobiografike të nacionales, asaj politike, të madhështisë së subjektit, gjuhës së rrëfimit etj.

Kujtesa-autobiografia: realitete që korrespondojnë por shpeshherë edhe kundërshtojnë njëra-tjetrën

Është shumë me interes të bëhen analiza e studime edhe në relacionin kujtesa-autobiografia, të cilat realitete shpeshherë mund të puqen por edhe ta kundërshtojnë njëra-tjetrën. Sepse, si të tilla, është krejt e natyrshme t’i hynë në hak njëra-tjetrës. Në këtë aspekt, autori ka bërë përpjekje për të na bindur se përkundër dëshirës për tu harmonizuar këto realitete, ato sikur e shkruajnë “pajtimin” reciprok të pasigurisë por edhe të frikës së dallimit, që pas vetes tërheq dëmtimin e së vërtetës, e në këtë rast të realitetit dhe saktësisë së autobiografisë, e cila, shpesh është apo duket aq e ngrohtë, aq e afërt e që i shkon përshtat krijimtarisë letrare, veprës.
Kjo pasiguri apo kjo dilemë, mbështetet në shumë arsye, si: “Asnjë përjetim nuk mund të përsëritet ashtu siç është përjetuar, prandaj realiteti i mëparshëm i përjetuar kurrë nuk është e mundur të reprodukohet respektivisht”.
Këtë mendim të Ingrid Aichinger-it, autori arsyeshëm e “muros” si pjesë studimi në librin e tij. Kurse, këtë e sforcon duke e bërë sfond të integrimit studiues edhe mendimin e At Zef Pllumit: “Rrno vetëm për me tregue”!
Në këtë rrjedhë, u jepet dritë edhe shumë aspekteve, si ligjërimit, vërtetësisë, trilogjisë etj., të cilat gjëra, shpesh kolaboracionojnë në vete, me apo edhe pa dëshirë. Dhe, këto i japin peshë autobiografisë dhe kujtesës, apo edhe e kundërta. Këtu qëndron edhe vlera për trajtesa e studime të vazhdueshme në fushën e krijimtarisë letrare, kulturore dhe historiografike e artistike.
Duke e përmbyllur kërkimin dhe komentimin në “Autopoetika”, Agron Y. Gashi, për ta bërë autobiografinë embrion të shëndosh të rrjedhës cilësore të krijimtarisë letrare, përfol e komenton mendime të krijuesve e mendimtarëve, si të: Ann Jeffersonit, Rolan Bartit, Alain Robbe Grilletit, Natalie Sarrantes etj.
Është interesant për të theksuar, se autori i kësaj vepre, ndoshta me qëllim të kompletimit kërkimor dhe studiues të autobiografisë, sjell fjalë dhe sinonime të huaja, të cilat, ndoshta shpeshherë lexuesit i “nxjerr” telashe për ta konceptuar dhe kompletuar mendimin vetanak sa më drejtë për materien e mbarështuar. Ndoshta, kjo formë ka të bëjë edhe me bagazhin e begatshmërisë së të shprehurit të autorit duke pasuruar kështu edhe gjuhën në të cilën shkruan, pra gjuhën shqipe.
Libri “Autopoetika”, ku autori ka sublimuar angazhimin e tij për të thelluar mendimin shkencor dhe hulumtues për autobiografinë si zhanër dhe si pjesë të krijimtarisë dhe të kulturës letrare, është një libër-dokument me vlera të qëndrueshme, i cili, padyshim se do të provokojë shumë krijues të tjerë për t’iu qasur kësaj teme akoma të pastudiuar e të pa shprushur mirë shkencërisht.  Njëherësh, ky libër dëshmon se autori i saj është një krijues i përkushtuar dhe me sens të çartë të qasjes shkencore, i cili premton duke u mbështetur edhe në punën e tij krijuese, të cilën kemi pasur rastin ta hasim në gazetat dhe revistat e ndryshme.         


(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora