Kulturë
Vangjush Ziko: Poeti dhe mërgimi
E merkure, 22.07.2009, 07:39 PM

POETI DHE MËRGIMI
Nga Vangjush Ziko
Në mërgim gëzohemi kur shoku ynë gjen një punë të mirë, kur mbaron një shkollë,kur një miku ynë ble një shtëpi (sigurisht me kredi bankare).Pse të mos gëzohemi kur kolegu ynë bashkatdhetar boton një libër (tërësisht me forcat e veta).Këto përmblidhen në atë fjalë të përgjithshme,aq të përdorur në emigrim,"integrim".Kjo do të thotë se njeriu e ka mbledhur mendjen dhe e ndjen veten pjestar të atij vendi ku ai ka erdhur të jetojë dhe të krijojë.Dhe,kur bëhet fjalë për një shkrimtar,kërkon të gjesh përgjigjen e një sërë pyetjeve.Sa dhe si ndikon ballafaqimi dhe përjetimi krijues në një mjedis dhe një jetë të panjohur në krijimtarinë e artistit.Sa dhe si i asimilon ai këto artistikisht.Çfarë fiton dhe çfarë humb.
Kjo nuk është një temë e re dhe e panjohur në historinë e artit.Ndërsa,për ne krijuesit që lindëm dhe jetuam gjatë të lidhur pas piramidës kufitare dhe realizmit socialist,ky është një rizbulim sa naiv aq edhe serioz,domethënës.Çdo përvojë e secilit,sado modeste,ka vlerën e vet krijuese.Çdo gjë e re në art lind gjithnjë nga ballafaqimi konkret material,mendor apo shpirtëror,nga mbresat dhe përjetimet e reja.Kjo ka ndodhur dhe me poetin emigrant Kostaq Duka,që porsa ka botuar vëllimin e ri poetik "Trëndafili që çelte në janar".
Një këngë e folklorit qytetar korçar këndon:"e para është nëna".Unë do ta perifrazoja:i pari është malli për dheun nënë,mëmëdhenë.Me këtë mall dhe poeti e çel vëllimin,pikërisht,me ciklin "Jemi larg dhe jemi afër".
Ndjenja e parë e çdo mërgimtari,kur shkel në dhe' të huaj,duhet të jetë e ngjashme me atë që përjeton kozmonauti në hapësirën kozmike,humbjen e peshës së gravitetit,ndjenjën e boshllëkut fizik dhe shpirtëror.Nuk mund të bënte përjashtim dhe Kostaq Duka.Ky boshllëk ,për poetin,"të lodh më shumë se zhurma,është dridhje,mornicë" ("Boshllëku").Këtë boshllëk e mbush nostalgjia,malli për malet,burimet,dashuritë,dhimbjet e shpirtit,zërat e fqinjëve dhe varret e të ikurve ("Jemi larg dhe jemi afër");për kohën që "tirrej nëpër duar",kurse tashi "kafenë e rrufis nxituar me makinë,/cigaren e shuaj/pasi e thith dy herë" ("Ajo kohë"):mall për "mallrat"e harruara të shpirtit(një imazh natyror,një copë kalldrëm,një bisedë miqsh e papërfunduar,një puthje e trembur,një copë debati politik,një sfond revolte kaotike),që vijnë nga larg "sa herë trazohet e zjen si vullkan malli".Emigranti e ndjen dhe e mban pranë zemrës mëmëdhenë që e solli në jetë dhe mbushet me kurajo si Anteu kur prekte tokën.Dhe guxon duke eksploruar këtë hapësirë të re të rruzullit ku e hodhi katapulti i emigrimit.
"Hapësira e Amerikës".Cikli i dytë i vëllimit.
Fjala "hapësirë",në këtë vëllim,ka marrë kuptimin figurativ sa të jetës së përditshme njerëzore,të një mendimi ndryshe për jetën aq edhe të lirisë të të menduarit dhe të krijuarit.Pyetja e parë që e shqetëson poetin në këtë hapësirë("ku është njeriu,fuqiploti i tokës?") lidhet me temporitmin e jetës,lëvizjen gjigante dhe me padukshmërinë e sofistikuar të njeriut që "si në perralla...komandon..
mbi tokë,në ajër,thellësive të oqeaneve"("Hapësira e Amerikës").Një detaj i thjeshtë dhe i rëndomtë,ketrat lozonjare "të paprekshëm",i pohojnë të drejtën e të jetuarit në liri ("Ketrat").Ndërgjegjja e krijuesit reflekton edhe ndaj plot ndodhive të jetës së përditshme,ai reflekton ndaj një norme apo sjelljeje brutale,"dëshmoj.../se unë "vrava" një grua...E vrava/me dy popla/fjalësh/gurë Shqipërie"(Brenda saj Gandi").Nga ana tjetër ai bëhet dëshmimtar i një sjelljeje dhe filozofie të re.Poeti na dëshmon një kontratë të jetës dhe vdekjes,një merak human të "ëngjëllit trupvogël" në percjelljen në qiell të një shpirti 100-vjeçar ("Kujdestarja e pleqërisë");të vetë peshës së pleqërisë dhe të ndëshkimit të pamëshirshëm të kohës ("Një ditë sa një vit i tërë");të shijes së vetmisë që ngacmon "si pa dashur imazhet e rinisë së parë"("Çdo natë") dhe,mbi të gjitha,të optimizmit amerikan për t'u mbajtur me thonj e me dhëmbë pas jetës ("Jetëgjatët"),për ta ora nuk ndalon asnjë çast në mes të rrugës,ata duke dremitur "me sy mbyllur lëvizin në hapësira të tjera" pa e ndërprerë "komunikimin me botën hyjnore" dhe as me atë me tokësoren,"restorantin" ("Ora e 100-vjeçarëve");ata "dhurojnë lule/e ngulmojnë të përtërijnë vrullin e ëmbëlsinë e kohës së shkuar" për të shtyrë dhe një çast jetën ("Lulet dhe mosha").
Sigurisht,"hapësira amerikane"është shumë e më shumë e pasur dhe e larmishme.Por,kush ka jetuar vetë në emigrim e kupton se pesë a ca më shumë vjete janë aq pak për ta eksploruar atë.Mundësitë varen nga shumë kushte.E rëndësishme është të hetosh dhe të reflektosh,të fitosh diçka të re dhe të humbasësh diçka të vjetëruar,të reflektosh si krijues.
Pas kësaj "hapësire" vjen në vellim dhe cikli i tretë "Humbja e perandorisë".
"Perandoria" është metafora e bukurisë së natyres,e ndjenjës dhe e moshës njerëzore,e talentit poetik.
A thua,emigrantit ia than ndjenjat intime kjo "hapësirë e re",ia vyshk talentin krijuesit!
Poeti na skicon me ngjyra të gjalla çastin e magjishëm të "mrekullisë vjeshtore" që ik aq papritur
("Humbja e perandorisë"),ashtu siç ikin stinët njerëzore(fëmijëria,rinia,burrëria,pleqëria),vetë jeta duke na fqinjësuar me vdekjen ("Nderrim stine").Ai mediton për të nesermen,që s'ka të djeshme,por që ka ëndrrën e një dite të re ("Për sa kohë");për dilemat e kurbetit që e thinjin njerinë,"ca ditë të shkuara ç'më kanë zënë rrugën/ca ditë që vijnë/ç'më verbojnë sytë"("Meditim flokëthinjuri");për prirjen për të dalë nga hamullia e vetmisë,prirje që "është ngutje,është start për ecje në infinit"(Pres").
Në këtë cikël gjejmë vjersha që na flasin për ndjenja delikate njerëzore ("Bardhësi"),për ndjenja të ngrohta prindërore ("Po rritesh,biri im"),për ditën njerëzore që është një lloj në zgjatje për të gjithë ("Trazim ndjenjash").
Poeti emigrant humb një "perandori",por fiton një "perandori të re" të shprehjes së lire,pa autocensurë të ndjenjave intime dhe të gjykimit të vet;ai fiton hapësira të reja tematikoemocionale,një estetike të re.
Kostaq Duka është poet i "angazhuar" në kuptimin më të mirë të fjalës;ai e shikon krijimin si domosdoshmëri vetjake dhe si detyrë qytetarë;ai e merr frymëzimin sa nga ndjenjat dhe përjetimet e veta aq edhe nga çaste konkrete të jetës e përditshme,në të cilat gjen të bukurën dhe të shëmtuarën,gjen tharmin artistik dhe atë filozofik.Estetika e vargut të tij të bardhë është estetika e dramacitetit të jetës,e "aranzhimit" të ndjenjës dhe të mendimit;ritmin e poezisë së tij e përcakton dendesia e gërshetimit të këtyre të dyjave;ai e vlerëson semantikën e fjalës,por,mbi të gjitha,ai ve përmbajtjen kuptimore dhe emocionale të detajit jetësor,dramacitetin e tij.Poeti parapëlqen enumeracionin poetik shkallëzues (si varg-refren apo detaj konkret),antitezën dhe pyetjen retorike.Por ajo që i ka dhënë ngjyrimin thelbësor artistik këtij vëllimi,është metafora-simbol e poetit mërgimtar,"trëndafili i janarit",që "qeshte me ngricën/që s'e ndalte dot lëvizjen e lëngjeve/drejt bukurisë së bardhë"("Trëndafili që çelte në janar").Poeti...Por le ta lexojmë së bashku poezinë e bukur (me titull prozaik) "Prona e pacenueshme":
Thonë
Ai humbi gjithçka,
Në një pellg të errët...
Thonë u bë pa emër,
Dikush me xhinse dhe atlete pune...
Thonë e ç'nuk thonë
Ata që me jetën e të tjerëve argëtohen për së liri.
Thonë,por le të thonë...
Të tëra në i humba,
Në këtë hapësirë të bardhë letre
Jam po aq mbret
Sa më i madhi i botës:Poet.
Po."Thëllimi" i përkohshëm i emigrimit nuk e shuan,por e flakëron frymëzimin e poetit!
Këtë të vërtetë na e dëshmon bukur artistikisht edhe ky vëllim poetik i ri poetik i Kostaq Dukes.
Komentoni
Artikuj te tjere
Demir Krasniqi: Falenderimi i Kosovës - Gratitude of Kosova
Ksenofon M. Dilo: Jam një Shqipëri e vogël
Nexhat Rexha: Refleksione të heshtura në arkën magjike
Xhelo Vasjari: Klarineta është shpirti im, ajo është dashuria e pazëvëndësueshme
Cikël poezishë nga Ekrem Ajruli
Një grua nga Tirana - roman i shkrimtares Helena Kadare në gjermanisht
Përparim Hysi: "Hajduti?!"
Cikël poetik nga Ismet Tahiraj
Martin Camaj: I mohuar e i mënjanuar... njëlloj si në diktaturë
Cikel poetik nga Sabahate Byci
Demir Krasniqi: Unë jam vëlla i Nënës Tereze
Agim Gashi-Drenica:Maksima popullore - Bashk?kohore
Albert Zholi: E, c'i duhet shqipja?!...
Cikël poetik nga Hajdin Morina
Edison Ypi: Sikter
Cikël poetik nga Përparim Hysi
Lanksch: Ditët kur mësoja shqipen me Martin Camajn
Me zemër të pastër- Intervistë e gazetarit me shkrimtarin Alfred Papuçiu
Baki Ymeri: Flora Brovina, Radije Hoxha dhe Albina Idrizi në gjuhën rumune
Halil Haxhosaj: Historia e kohës pasqyruar në roman