Speciale
Dhurata Hamzai: Disidenti Arshi Pipa rehabiliton Ministrinë e Kulturës
E shtune, 20.06.2009, 07:32 PM
Arshi Pipa - Konferenca shkencore |
1- Ardian Marashi: “Datë përkujtimore mund të quhet pikërisht kjo e sotmja, sepse Arshi Pipa sot për herë të parë hyn në atë sallë prej nga “Drita” e mbuloi me “vellon e territ”. Kjo që bëjmë sot, nuk është as datë përkujtimore as rehabilitim i Pipës. Arshi Pipës i mjafton vepra e vet për t’u rehabilituar. Por aktiviteti për Pipën rehabiliton institucionin e Ministrisë së Kulturës, që e ka lënë në hije këtë personalitet”
2-Arshi Pipa: “Arti e morali janë e njajta pemë, rranjët e së cilës janë rranjët morale e gjethet e lulet janë shprehjet artistike”. “Arti asht subjektiv por jo subjektiv abstrakt, asht projekcion i vetvetes në gjithësi, asht anasjelltas përqendrim i gjithësisë në vetvete”
3- Myftar Gjana, poet, publicist në referencën “Kadare-Pipa: historia e një polemike” zbardh misterin dhe sqaron edhe thelbin e kësaj polemike duke theksuar se: “Arshi Pipa ishte marrë vetë me përkthimin e romanit “Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë për ta promovuar në Amerikë, meqenëse ishte i vetmi shkrimtar i realizmit socialist që vlente të botohej dhe pranohej në Perëndim...
Arshi Pipa (1920 - 1997) |
Nga Dhurata Hamzai
Për herë të parë për Arshi Pipën tubohet një simpozium i madh në Tiranë. Qendra e Studimeve Albanologjike ka organizuar dje paradite në Sallën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, konferencën “Arshi Pipa në letrat shqipe”. Prezantimi i temës së konferencës u bë nga drejtori i QSA-së, Ardian Marashi, i cili edhe ka pasur një nga referencat kryesore. Me organizimin e këtij aktiviteti dhe referencën e tij, Marashi ka dëshmuar se është i nevojshëm orientimi i elitës së sotme ndaj etërve të mohuar dhe të injoruar të dijes, estetikës, filozofisë dhe refleksioneve për ç’përfaqësonte në letrat shqipe Arshi Pipa. Shpalosja e titujve të veprave të tij, dje në simpozium, tregoi pikërisht atë që një nga kontribuesit në botimin e veprave të Pipës, Myftar Gjana, na e thotë për gazetën: “Arshi Pipa i njohur në botën akademike përtej kufijve duhet të fitojë dimension real tashmë këtij kahu, drejt atdheut”.
Mikja e Pipës, Patricia Nugee, rrëfen
Përveç familjarëve, miqve dhe motrave të Arshi Pipës, ishte e pranishme në këtë tubim edhe mikja e tij Patricia Nugee, e cila rrëfen kohën kur e njohu Arshi Pipën gjatë punës së tij për BBC-në. Ajo tha se Pipa në atë kohë merrej me studime orientale dhe amerikane. “Unë i thashë a do që të tregoj disa libra për Skënderbeun, kujton Nudge, dhe ai ishte shumë entuziast për t’i parë dhe studiuar ato. Me tej Patricia Nudge kujton se i ka dërguar Pipës disa libra. “Unë qëndrova disa kohë me motrën e tij Feimem, tha ajo, dhe u njohëm më tepër. Ai studionte me pasion ëdo gjë që i përkiste historisë dhe origjinës shqiptare. Për mua ai ishte albanologu më i mirë në kohën e tij. Megjithëse jetonte larg Shqipërisë, ai të habiste me njohurinë e gjerë që kishte ai për vendin, mënyrën si udhëhiqej dhe zhvillohej vendi i tij fatkeq. Unë dëgjova shumë nga ai për vendin tuaj dhe kuptova se atij i mungonte shumë vendi i tij. Ai kaloi dhjetë vjet në burg dhe tani kishte një jetë të re në SHBA. Dhe unë vonë e kam kuptuar atë se si e ka përballuar burgun, kur më ndodhi vetë një incident. Megjithë vuajtjet që kaloi Arshi Pipa, ishte shumë i sjellshëm dhe i përzemërt me mua dhe në bisedat me të unë kuptova se sa shumë e deshte ai Shqipërinë. Mendoj se kam pasur fatin më të madh që të njihesha me Arshi Pipën”, tha më në fund zonja Patricia Nudge.
Ardian Marashi: “Drita” e mbuloi Pipën me “vellon e territ”
Studiuesi Ardian Marashi ka referuar esenë “Pipa në gjuhë të huaj dhe në përkthim”, ku ndër të tjera thotë se: “Ju do të thoni nëse ka një datë përkujtimore që bëmë një konferencë të tillë për Arshi Pipën. Unë do të thosha: Jo! Datë përkujtimore mund të quhet pikërisht kjo e sotmja, sepse Arshi Pipa sot për herë të parë hyn në atë sallë prej nga “Drita” e mbuloi me “vellon e territ”. Kjo që bëjmë sot, nuk është as datë përkujtimore as rehabilitim i Pipës. Arshi Pipës i mjafton vepra e vet për t’u rehabilituar. Por aktiviteti për Pipën rehabiliton institucionin e Ministrisë së Kulturës, që e ka lënë në hije këtë personalitet.”. Më tej Marashi ka theksuar edhe faktin që vepra e Pipës nuk njihet ende nga lexuesi. Njihet, tha ai, por njihet keq. Sipas tij për Pipën njihej vetëm maja e ajsbergut të poezisë së tij. Marashi komentoi ndër të tjera se Pipa u foli shqiptarëve pa dorashka kur zbriti nga burgu, ua shpërfilli atë lloj socializmi që po ngrihej, atë lloj shkolle ku askush në Shqipëri nuk ia njihte së paku diplomat e universiteve të famshme ku kishte studiuar, askush nuk e dinte se ai kishte aq shumë krijimtari për universitetet tona, që ishte studiuesi më i madh. Ai përmendi se për shqiptarët e doktrinuar, Arshi Pipa vazhdoi të ishte renegati, i deklasuari, diversanti, etj. Marashi kujtoi ndër të tjera se Arshi Pipën askush ende nuk e njihte si gjuhëtar, kur një politikë e egër denigruese gjuhësore bëhej në Shqipërinë socialiste. Ndër të tjera ai theksoi se “Pak kush e njihte në mënyrë të shtrembër si autorin e “Kronikës mbi gur”, dhe askush si përkthyesin e parë të këtij romani në gjuhën angleze. Askush nuk e njihte si kritik letrar si historian i letërsisë dhe duke qenë se askush nuk ia dinte monografinë studimore, studimet mbi foklorin, e askush nuk e njihte Arshi Pipën si veprimtar të ëështjes kombëtare. Studiuesit shqiptarë ishin të bindur se nuk kishin nxjerrë asnjë dissident shqiptar në letërsi ndërkohë që Arshi Pipa kishte shkruar “Stalinizmi shqiptar” në të famshmen “Columbia Press”.
Pipa: Arti nuk duhet të aventurohet me “udha të tjera”
Më tej me fjalën e saj Floresha Dado, akademike: “Arshi Pipa, filozofia e jetës dhe e artit letrar” ka theksuar se Arshi Pipa vinte në kundërshtim me politikat dhe filozofinë e kohës ku jetonte, pasi filozofia e tij ishte e ngjashme me atë të Bergsonit, dhe këtë gjë ai e shfaqte hapur. Ndër të tjera Dado theksoi se pikëpamjet filozofike të A.Pipës reflektohen në konceptin mbi thelbin e artit, dhe të letërsisë në veçanti. Sipas tij, artisti i vërtetë e jeton jetën vetëm nëpër prizmin e artit, vetëm te kërkimi i misterit të bukurisë, si e vetmja jetë që duhet të ketë artisti. “Ky koncept e çon Pipën në vlerësimin e artit si një mision, që nuk duhet të aventurohet me “udha të tjera”, tha Dado. Sipas saj në bashkëpërkim me filozofinë mbi artin e antikitetit, Pipa vlerëson të njëjtësuar misionin hyjnor dhe misionin njerëzor të artit, “arti e morali janë e njajta pemë, rranjët e së cilës janë rranjët morale e gjethet e lulet janë shprehjet artistike”, thotë Pipa. “Arti asht subjektiv por jo subjektiv abstrakt, asht projekcion i vetvetes në gjithësi, asht anasjelltas përqendrim i gjithësisë në vetvete”. Duke pranuar artin si një mënyrë njohunije (vetë Filozofia është njohje…) Pipa intuitivisht shkon në bindjen se motivi i lëvizjes historike të artit është spiritualiteti, është një nënvetëdije që fiton qartësi dhe shpjegim gjatë shfaqjes së veprës”.
Myftar Gjana: “Kadare-Pipa: historia e një polemike”
Myftar Gjana, poet, publicist në referencën “Kadare-Pipa: historia e një polemike” zbardh misterin dhe sqaron edhe thelbin e kësaj polemike duke theksuar se: “Arshi Pipa ishte marrë vetë me përkthimin e romanit “Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë për ta promovuar në Amerikë, meqenëse ishte i vetmi shkrimtar i realizmit socialist që vlente të botohej dhe pranohej në Perëndim. Pasi hyri në marrëveshje me shtëpinë botuese “Serpentt’s Tail”, ra dakord që ta shoqëronte përkthimin e tij me një parathënie, për t’i sqaruar lexuesit perëndimor se çfarë është në të vërtetë vepra e Ismail Kadaresë dhe si ka mundësi që një vepër e tillë shkruhej me atë lloj lirie, brenda një regjimi totalitar siç ishte ai në Shqipëri. Botuesi i kësaj vepre, duke shkelur kontratën që kishte me Arshi Pipën, e boton duke ndërhyrë në tekst, siç pasqyrohet edhe në këtë letër (që është letra e fundit që ata këmbejnë bashkë. Nuk ka komunikuar më me të) dhe nuk i boton parathënien e përgatitur nga Arshi Pipa, e cila është botuar më vonë te revista “Telos”, një revistë kritike amerikane, ndër më të njohurat që dilte në Kaliforni”.
Arshi Pipa dhe disiplina akademike e studimeve kulturore
Pedagog në Universitetin e Elbasanit, Hektor Çiftja ka pohuar ndër të tjera se Arshi Pipa ishte një profesor i disa universiteteve prestigjoze amerikane, ku për studimet dhe kërkimet shkencore i mori shpërblimet që kanë qenë vetëm ato akademike, siç ishin titulli Profesor Emeritus, i dhënë nga universiteti i Minesotas, si edhe vendin e punës në universitet. “Sot, ne e dimë mirë se sa nuk është e lehtë të meritosh një vend të tillë në ShBA. Studimet e tij kanë kaluar nëpër “filtra” shkencorë të një natyre krejtësisht tjetër me “filtrat” ideologjikë, me të cilët i shohim gjërat ne shqiptarët edhe sot e kësaj dite në shekullin e 21-të”, tha Çiftja. Më tej ai shtoi se sot jemi ne që kemi nevojë për Pipën: “Sepse u themi albanologëve të huaj që gjatë një gjysëm shekulli shqiptarët nuk nxorën vetëm diktatorë, por edhe studiues letërsie, që ishin dinjitozë në mjediset kërkimore-shkencore në Amerikë dhe Europën Perëndimore dhe së dyti: duke përdorur studimet e Pipës, studentët shqiptarë në gjithë universitetet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjithandej, si edhe mësuesit e gjimnazeve anembanë, nuk janë të detyruar ta bëjnë studimin e 500 vjetëve letërsi duke ju referuar vetëm kritikëve të realizmit socialist, qoftë të Shqipërisë apo të Kosovës, po kanë në dorë edhe një burim shkencor i cili të paktën është me natyrë alternative”
Pipa “i palexuar”..!
Shumë çështje kanë dalë në dritë dje në konferencë që duan një hapësirë shumë më të gjerë trajtimi në vijim: Në referencën : “Antistalinizmi koherent i Arshi Pipës”, Pipa u cilësua në konferencë nga poeti dhe publiçisti Çelo Hoxha si një nga pikat referuese të letërsisë shqipe. Sipas tij, Arshi Pipa gjatë të gjithë krijimtarisë së tij letrare ka shfaqur përherë refleksione të kundërta me zhvillimet në Shqipëri. Agron Tufa, shkrimtar, studiues në esenë “Ngushëllimi me Muzat” pasi ka analizuar gjatë aspektin e besimit të krijuesit tek Muzat dhe pikëpjekjet me to, ka theksuar se: “Metodologjia jonë e studimeve letrare, herë inekzistente, herë e gjymtë, nuk ka dashur të përballet me këtë poetikë, aq të pjekur e mjeshtërore, por edhe në rastet kur ka tentuar, ka dëshmuar një paaftësi dhe vulgaritet shokues. Madje ke përshtypjen se ato pak shënime për Pipën, janë shkruar thjesht për nevojë ekzotike dhe se askush nuk ka lexuar një varg”. Behar Gjoka, shkrimtar, studiues” ka pohuar se ne referencën e tij se Arshi Pipa është themelvënës i kritikës letrare shqipe dhe Gjoka ka krijuar dje të tjera hapësira vështrimi mbi veprën e Pipës. Baviola Shatro, studiuese, ka përshkruar ëështjen “Lindja e poezisë: transfigurimi i ëndrrës në vetëdije për kohën”. Brikena Smajli, studiuese ka trajtuar kushtëzimin “Për një Histori të Letërsisë Shqipe: metodika bazë e studimit”, konceptuar më parë si model të Arshi Pipës. Odeta Zhegu, studiuese ka trajtuar veprën “Mes Gjergj Elez Alisë dhe Zhuljetës”, e të tjera referenca kanë vijuar në dy seanca referencën.
Pak nga rrëfimi i së motrës...
Motra e tij rrëfen se kohën ku Arshi Pipa ishte i burgosur për dhjetë vjet në akuzën e pavërtetë për pjesëmarrje ose “Grupin e Deputetëve”, ose me atë “Socialdemokrat”, vuan dënimin në burgjet e Durrësit, Tiranës, Vloçishtit, Gjirokastrës, Burrelit. Duke jetuar me vdekjen afër, ai u bë më i fortë, pati kurajo për të mbijetuar dhe punoi intensivisht. Sipas saj të parat vepra të plota, Arshi Pipa i shkroi në vitet e burgut. Një ndër to është libri i burgut dorëshkrimi fillestar i të cilit, është një dokument unikal kundra regjimit për kushtet si është shkruar. Ajo kujton çastet kur i pa ato në qindra fletë cigareje ku me një shkrim të padukshëm Pipa kishte shkruar “Librin e Burgut”, “Libri i dashunis dhe i fatit”, poemën “Rusha” dhe “Lirika të zgjedhura” (përkthime”. Pipa ua dha motrave me teshat e palara që t’i niste në shtëpi librat. “Libri i burgut” u botua për herë të parë në Itali që në vitin 1958. Veprat e tij jashtë, në lirinë e plotë të Amerikës dhe të botës së mendimit të lirë janë një listë e gjatë, për të radhur këtu duhen përkthyer tashmë. Motra rrëfen se kur e kanë pyetur Arshi Pipën se cila është vepra më e parë që do donte të përkthehej shqip, ai ka thënë për “Trilogia Albanica”, e botuar në Mynih ndërmjet viteve ‘75-‘78, e redaktuar nga dy personalitete të albanologjisë bashkëkohore si Peter Bartl dhe Georg Stadtmuller. Thuhet se vëllimi i parë është një studim për vargun popullor shqiptar, i dyti për Jeronim De Radën që Pipa e vlerëson si një poet të nivelit evropian, pavarësisht kufizimit të gjuhës në të cilën shkroi. Vëllimi i tretë është një studim i plotë për letërsinë shqipe mbi metodat moderne të analizës letrare të shpallur si metoda po aq dekadente sa letërsia e ndaluar për 45 vjet në Shqipëri. Trilogjia është në anglisht. Lind pyetja: A e di Akademia e Shkencave që ekziston kjo vepër? Pse as përçapja më e vogël nuk është bërë nga kjo akademi drejt njohjes së veprës së Arshi Pipës.
Kush ishte Arshi Pipa
Arshi Pipa u lind në Shkodër, në një familje intelektuale të këtij qyteti. Ai u diplomua për filozofi në Universitetin e Firences, në vitin 1942. Pipa dha mësim në Amerikë në Kolegjin e Arkansasit si profesor i filozofisë dhe më vonë si profesor në Universitetin e Minesotës, ku ligjëroi letërsinë italiane. Së bashku me publicistin Martin Camaj ishin disidentë, të cilët punuan në mërgim dhe dhanë një kontribut të madh intelektual në fushën e gjuhësisë, letërsisë, filozofisë, sociologjisë si dhe publicistikës. Arshi Pipa, pasi vuajti 10 vjet në burgjet e Shqipërisë, pas lirimit u arratis në Amerikë, ku dhe ndërroi jetë në 20 korrik të 1997. I burgosur në akuzën e pavërtetë për pjesëmarrje me grupet reaksionare të regjimit, Arshi Pipa vuan 10 vjet dënim në burgjet e Durrësit, Tiranës, Vloçishtit, Gjirokastrës, Burrelit. Të parat vepra të plota Arshi Pipa i shkroi në këtë hark kohor. Një ndër ta është “Libri i burgut” dorëshkrimi fillestar i të cilit, është një dokument unikal kundra regjimit për kushtet si është shkruar”. Ai ka Ka realizuar një sërë veprash letrare, ndër to “Lundërtarët”, “Libri i Burgut”, “Rusha dhe Meridiana”, “Letërsia shqiptare, perspektiva sociale”, “Letërsia shqiptare bashkëkohore”, etj. Ka kryer edhe shumë studime si: “Tipologjia dhe periodizimi i letërsisë shqiptare”, “Bisedë me Kadarenë”, “Dy libra për gjuhën dhe folklorin”, “Trilogia Albanica”, e botuar në Mynih ndërmjet viteve ‘75-‘78, etj, etj.
Komentoni
Artikuj te tjere
Alfred Papuçiu: Ditari i një jete në Diasporë (IV)
Alfred Papuçiu: «Leksion» zviceran për shkollën, kulturën, artin… !
Entela Safeti Kasi: Letërsia dhe fabrikimi
Alfred Papuçiu: Ditari i një jete në diasporë (III)
Zef Ndrecaj: Ne Kujtim te Martireve për Shqipërinë Etnike
Alfred Papuçiu: Zvicra, Europa, Kombi shqiptar dhe Ballkani
Hajdin Morina: Tematika dhe format e letërsisë për luftën
Alfred Papuçiu: Diaspora shqiptare në Zvicër dhe gjuha amtare
Shevki Sh. Voca: Shqipëria dhe shqiptarët në shkrimet e historianit dhe gazetarit Herman Vendell
Fritz Radovani: Me 10 qershor 1924, Toger Ndokë Gjeloshi hyni në Tiranë!..
Baki Ymeri: Bukureshti historik dhe bariu Bukur
Baki Ymeri: Kosova e Konstancës dhe kosovarët e Bukureshtit
Alfred Papuçiu: Pavdekësia e profesorit, shkrimtarit Nonda Bulka, njeriut midis njerëzve fisnikë
Hajro Hajra: Projekti për zhdukjen e shqiptarëve i nobelistit Andriq
Sami Islami: Klintoni dhe fëmijët e Kosovës
Avdyl Luma: Edhe unë isha në Tivar, dy ditë pas masakrës
Alfred Papuçiu: Udhëtim në tokën e bekuar
Astrit Leka: Dy fjalë për Shoqatën Soldiest dhe veprimtarinë e saj mbarë kombëtare shqiptare
Baki Ymeri: Titu Maiorescu dhe interesimet rumune për një Shqipëri të fuqishme
Emrush Bejtullahu: Njohuri mbi aftësinë e kufizuar dhe rehabilitimi (VI)