E marte, 08.10.2024, 07:11 AM (GMT+1)

Speciale

Alfred Papuçiu: Ditari i një jete në Diasporë (IV)

E enjte, 18.06.2009, 10:00 PM


Me bashkëshorten dhe kolegë gjatë një pritje në Pallatin e Kombeve?
Me bashkëshorten dhe kolegë gjatë një pritje në Pallatin e Kombeve?

Ditari i një jete në Diasporë (IV)


Alfred Papuçiu

Gjeneva qendra e Kombeve të Bashkuara për Europën

Në Pallatin e Kombeve?
Në Pallatin e Kombeve?
Shtator. Kam ardhur në Gjenevë ku është qendra e Kombeve të Bashkuara për Europën. Kam pasur fatin edhe më parë të vij në këtë qytet të bukur e mikpritës, pasi kam marrë pjesë në seanca të Komisionit Ekonomik të OKB-së për Europën, apo edhe për ndjekjen e projekteve të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (PNUD) me Shqipërinë. Këtu diskutohen nga përfaqësues të të gjithë vendeve të botës problemet më kardinale të kohës, duke filluar nga çështjet ekonomike, politike, sociale, të shtetit të së drejtës, të energjisë, të tregtisë për zhvillim, të telekomunikacionit, të shëndetësisë, të sindikatave, duke u shtrirë edhe tek problemet e çarmatimit, të drejtave të njeriut etj. E krijuar qysh nga 1946 pas shkrirjes së „Shoqatës së Kombeve“ (Société des Nations), sekretariati i Zyrës Europiane të Kombeve të Bashkuara, në 1966 ishte quajtur Zyra e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, siç quhet edhe sot e kësaj dite. Është tepër interesant fakti se Zvicra si vend mikpritës i saj, kontribuon gjerësisht në financimin e programeve të OKB-së dhe është një anëtare aktive e gjithë institucioneve të specializuara të Kombeve të Bashkuara. Në Pallatin e Kombeve në Gjenevë janë zhvilluar bisedime të gjata që kanë sjellë si rezultat zgjidhjen e konflikteve të ashpra në shumë vende dhe rajone të botës. Në Pallatin e Kombeve zhvillohen më tepër se 600 mbledhje në muaj. Ato mund të zgjasin edhe një ditë, por edhe me ditë të tëra, edhe 1 muaj, si për shembull konferencat vjetore botërore si Asambleja Botërore e Shëndetësisë (OMS), Konferenca Ndërkombëtare e Punës (OIT), sesionet e Komisionit të së drejtës ndërkombëtare, të Komisionit të të Drejtave të Njeriut etj etj. Nga mbi 180 vende anëtare të OKB-së rreth 150 kanë një mision të përhershëm. Kam shprehur dëshirën që ndonjë simbol i Shqipërisë, një pikturë e bukur me pamje nga Shqipëria të ekspozohet dhe të mbetet në Kombet e Bashkuara, si edhe ato nga vendet e tjera anëtare. Por deri tani nuk ka patur ndonjë lëvizje në këtë drejtim.

Janar . Gjeneva është terreni konkret ku mund të bëhet më tepër se kudo për tërheqjen e fondeve nga programet e ndryshme të Kombeve të Bashkuara, të PNUD-it, si organizëm I specializuar i tyre, apo për pjesëmarrjen e specialistëve tanë në seminare apo simpoziume me interes. Shqipëria për kufizimet që dihen, deri më sot nuk ka pasur asnjë funksionar zyrtar në ndonjë organizatë ndërkombëtare me bazë në Gjenevë. Hapja e një rruge të tillë do të sillte shumë të mira, pasi prania e drejtpërdrejtë në to jep mundësi për krijimin e kushteve të favorshme për tërheqjen e fondeve të domosdoshme për zhvillimin e vendit. Më bën përshtypje se francezët mbajnë rekordin, sidomos për vendet që kanë të bëjnë me shërbimet e përgjithshme. Një politikë e zgjuar e shtetit francez, që në një kohë punëson bashkëqytetarët e vet por edhe ata jetojnë në Francë dhe një pjesë të mirë të të ardhurave që do ta fitojnë do ta shpenzojnë atje. Më duket se duhet të bëjmë edhe ne një hap në këtë drejtim, sa nuk është vonë, megjithëse Shqipëria jep një kontribut më të vogël se vendet e mëdha për Kombet e Bashkuara. Më kujtohet kur ndiqja ecurinë e 7 projekteve të PNUD-it me Shqipërinë, për arsimin, telekomunikacionin, energjinë, bujqësinë, fizikën bërthamore, etj., ishte kënaqësi që vendi ynë përfitonte nga ndihmesa e këtij organizmi të specializuar. Vetëm se institucionet përkatëse kërkonin që konsulenca e përfaqësuesve të fushave të ndryshme të reduktohej dhe gjithçka të jepej si pajisje. Pa e kuptuar se ato nuk mund të viheshin në punë pa ndihmën e çmuar të specialistëve të fushave të ndryshme të kooperimit. Gjithçka u kuptua pak më vonë me pjesëmarrjen e specialistëve tanë që merrnin pjesë në seminare, konferenca, udhëtime studimore në vendet donatore dhe institucionet e tyre.
Shkurt. Kërkoj një apartament të ri për Misionin, pasi aty ku jemi edhe banojmë edhe presim njerëz. Nuk vazhdohet më gjatë kështu. Më kujtohet se kur erdhëm zviceranët, sidomos Swis-eri (sot SWISS), na vendosën tek Hotel Presidenti. Qëndruam dy vetë, me të gjitha salltanetet. Mendimi ishte që ne të kishim mundësi të fillonim të jepnim edhe viza për zviceranët që shkonin në Shqipëri, pasi në Bernë nuk kishte akoma ambasadë shqiptare. Zvicrën e mbulonte ambasada jonë në Vjenë. Pra unë duhej të mbuloja marrëdhëniet dypalëshe me Zvicrën dhe ato me organizatat e shumta ndërkombëtare me bazë në Gjenevë. Tirana nguronte të bëhej një hap i tillë, pasi në fakt do të duhej edhe personel tjetër. Unë nuk kisha as shofer, vetëm një sekretar të tretë që e mirrja me vete në çdo pritje që zhvillohej, me mendimin që edhe ai të mësonte diçka më tepër nga takimet me diplomatët.
Le të kthehemi tek dëshira për të patur një Mision tonin. Një egjiptian fisnik, që kishte një vilë në Grand-Saconnex, na e jepte me qera atë për 3500 franga zvicerane në muaj. Vila ishte e përshtatshme për tre familje (ne ishim vetëm dy), si dhe mjedise për pritjen e diplomatëve apo vizitorëve, dhe për zyra. „E keqja“ e madhe e kësaj vile ishte se kishte pishinë. Dikush relatoi se nuk na duhet vilë me pishinë neve?! Në fakt, në Zvicër, pishinat nuk përdoren gjithmonë për t‘u larë, pasi ato një shfrytëzim të tillë mund ta kenë vetëm 1-2 muaj gjatë vitit, për shkak të klimës së ftohtë dhe freskisë që lakmohet sidomos nga miliarderët dhe milionerët, sheikë, të vendeve arabe që vijnë me suitat e tyre gjatë korrikut dhe gushtit . Ato janë si burime uji, kur bien zjarre apo në raste të tjera për vaditjen e kopshtit apo luleve. S‘ka më bukur kur shkon në fshatin zviceran dhe sheh përveç flamurit kombëtar apo të kantonit mbi ndërtesat e shtëpive, edhe lulet shumëngjyrëshe.
Gjeta edhe një ndërtesë tjetër të përshtatshme, në hyrje të „Cologny“, lagje e pasur, por që kishte çmim të arsyeshëm, por që ishte „larg“( ?!) nga qendra për dikë që erdhi nga MPJ. Megjithëse aty ka edhe përfaqësi të tjera diplomatike, pasi për të shkuar tek Pallati i Kombeve apo organizmat e tjera ndërkombëtare, duhen vetëm 5 minuta me makinë.
U detyrova të kënaqem me apartamentin tek „Rue du Môle“ dhe t‘u a lija pasardhësve mundësinë e ndryshimeve. Edhe kur erdhi njëherë ministri i jashtëm dhe më dha pëlqimin për disa apartamente të reja diku tek rruga „Alfred Vincent“, duhej marrë leje e veçantë për vendosjen e Misionit atje. Kështu që kjo punë mbeti e pazgjidhur. Aty ku u hap Misioni ynë për herë të parë në shtator , jemi edhe sot e kësaj dite.

Alfredi me Reis Malilen
Alfredi me Reis Malilen
Veprimtari të bukura me personalitete zvicerane


mars. Në Gjenevë është kënaqësi e veçantë kur dal për shëtitje pas punës së lodhshme me familjen. Buzë liqenit ajri është tepër i pastër dhe në fytyrë vjen ai flladi i freskët dhe çlodhës. Tamam si në parajsë. Më kujton ai bregu i gjatë i Liqenit, Sarandën tonë të mrekullueshme, apo Pogradecin dhe Drilonin, nga vjen bashkëshortja ime. Atje shkonim shpesh ne verë dhe banonim tek njerëzit mikpritës pogradecarë, apo të afërm të Rozës. Pranë hotel „Presidentit“ ndodhet dhe Pallati Wilson (Uilson). Thomas Uilson ka qënë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dhjetë vjet rresht, rektor i Universitetit të Princetonit dhe guvernator i Nju Xhersit. Mendimi për krijimin e Lidhjes së Kombeve është meritë e këtij burri të madh shteti amerikan.Uilson mëse njëherë ka mbrojtur pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Sidomos kuptimplotë është qëndrimi i tij i vendosur për këtë çështje në Konferencën e Paqes në Versajë të Francës. Nderoj kujtimin e këtij burri të madh të shtetit amerikan, sa herë kaloj aty.
prill. Sot u organizua një udhëtim i bukur me anije nga ana e Konfederatës Zvicerane për përfaqësuesit e vendeve të huaja pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Ishte i pranishëm edhe Presidenti i Konfederatës zvicerane, zoti Zhan Paskal Delamura. Pasi më shtrëngoi dorën, më foli me respekt për popullin krenar të një vendi të vogël, por me histori të pasur si shqiptarët. M’u ngulitën në mendje fjalët e këtij burri shteti shumë popullor në Zvicër, sidomos në pjesën romande, pasi ai në çdo çast ka luftuar pa ndërprerje për afrimin e Zvicrës me Europën dhe me vendet fqinje, Francën, Austrinë, Gjermaninë, Lizenshtejnin etj. Zvicra ruan marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët e saj evropianë, si dhe ka marrëdhënie të veçanta  dhe me interes reciprok me të gjitha vendet europiane. Konfederata zvicerane përbëhet nga 26 Shtete sovrane (kantone dhe gjysëm kantone) dhe çdonjeri nga këto shtete ka një numër komunash. Konfederata zvicerane është një shtet i vogël, prejardhja e të cilit fillon nga Mesjeta. Në shekullin e XIII-të, tre bashkësi malore vendosën të bashkohen për të krijuar një shoqatë të lire kundër zotërimit të dukatëve rrethues. Kjo aleancë u konsolidua pak e nga pak, duke përfshirë rreth vetes bashkësi të tjera të fshatit dhe komuna urbane, për t’u shndruar në një konfederate të vërtetë shtetesh. Ajo mundi të sigurojë autonominë e vet, megjithë divergjencat e brendshme. Pas luftës civile të Sonderburgut, më 1848, Konfederata e Shteteve u shndrua në një Shtet Federal. Vilhelm Tel ii famshëm i Zvicrës që është marrë edhe nga vendet nordike si shembull, më kujton ata herojtë tanë që i vunë gjoksin topave të armiqve të shumtë dhe mizorë, që donin ta shkatërronin Kombin tonë. Por nuk ja arritën qëllimit...
maj. Zviceranët organizuan një udhëtim të bukur me përfaqësuesit e vendeve anëtare pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, tek “Nesle”, në Vevei. Pamë prodhimet e shumta të këtij gjigandi, të ushqimeve të parapërgatitura. M’u afrua rastësisht edhe ambasadori izraelit. Më vuri re që isha pak i rezervuar. Jo se kisha frikë nga takimi me të, por se si do të zhvillohej biseda dhe ndoshta diku ai do të thoshte se takova përfaqësuesin shqiptar dhe bisedova kështu e ashtu…Sidoqoftë, me mirësjellje i theksova se shqiptarët mbështesin kauzën e drejtë të popullit palestinez dhe në përgjithësi të popujve arabë. Nuk janë kundër një shteti izraelit, brenda kufinjve të përcaktuar nga marrëveshjet ndërkombëtare. I thashë se në çdo rast shqiptarët i kanë mbështetur edhe çifutët që kanë qëndruar në Shqipëri , apo nuk i kanë dorëzuar tek gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore. M’u shpreh me fjalë shumë të ngrohta dhe me konsiderate të veçantë dhe uroi që edhe në të ardhmen të flisnim sëbashku për probleme të Lindjes së Mesme e më gjerë. Kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike të vendit tonë me Izraelin, ai më theksonte se populli çifut dhe ata që kanë qënë në Shqipëri, kujtojnë me mallëngjim ndihmën e shqiptarëve që i shpëtuan nga kthetrat e nazistëve. Shumë prej familjeve shqiptare marrin dhe asistencë nga qeveria izraelite dhe familje nga dy vendet janë miq të vërtetë. Janë shkruar edhe libra për këtë mikpritje të shqiptarëve jo vetëm nga autorët tanë por edhe botërorë...
qershor. Pas vizitës së anëtarit të Byrosë Politike në Zyrih, shkova në Lugano për të takuar Elvira D., shqiptaren që kishte kërkuar strehim në Zvicër, pas një udhëtimi pune. Ajo i kishte dërguar letër presidentit shqiptar,  lidhur me mundësinë e ardhjes së të birit në Zvicër. Shoku A. në Zyrih, që m’u duk një burrë babaxhan dhe i sjellshëm, më tha se ajo mund të shkonte kur të donte në Shqipëri dhe të takonte të birin, i cili tanimë qëndronte me të jatin. Në Lugano ajo ishte me bashkëshortin e saj zviceran, gazetar që e kishte dashuruar gjatë udhëtimeve të saj jashtë. Qante me dënesë pasi e kishte marrë malli për të birin. Në brendësinë e saj shprehte edhe njëfarë revolte, duke menduar se të birin njëherë për njëherë, nuk do ta linin të vinte pranë saj. Unë i fola ashtu i detyruar, me fjalë të përgjithshme, duke i theksuar se kur të dëshironte mund të shkonte në Shqipëri dhe asgjë nuk do t’i ndodhte. Kur ai punonjësi “rodhe”që më shoqëronte, iku për “arsye personale” në WC,  i fola Elvirës me dashamirësi, duke i theksuar se duhej të duronte edhe pak, se gjithçka do të bëhej e pranueshme dhe do të ndryshonte për mire dhe djali i saj shumë shpejt do të qëndronte pranë saj. Ajo sikur u qetësua dhe kur erdhi përsëri ai që më shoqëronte, gjithmonë me faqet e kuqe nga shëndeti i tepërt, biseda kaloi në tema të tjera, të realizimit të skenareve të filmave për televizionin zviceran apo edhe për botimet e saj. Ndjeva kënaqësi që Elvira u qetësua dhe pak më vonë ajo më dërgoi disa nga botimet e saj, me falenderim dhe ne e vazhduam miqësinë tone...

Festivali folklorik Ndërkombëtar i Friburgut dhe bashkëatdhetarët

korrik. Organizohet Festivali Folklorik Ndërkombëtar në Friburg. Këtë vit erdhi edhe një ansambël shqiptar, i ftuar nga mikpritësit zviceranë. Në krye të grupit është shkrimtari Besnik Mustafaj, një njeri me horizont dhe që nuk mungoi të jepte disa intervista në Radio dhe TV zviceran. Festivali organizohet nga Cyrill Renz, një dentist, por edhe i apasionuar pas artit. Ansambli ynë bëri figurë tepër të mirë edhe në rrugët e Friburgut, uke kërcyer vallet tona karakteristike. Ai ndiqej me brohoritje nga qytetarët zviceranë të Friburgut, por edhe nga bashkëatdhetarë që kishin ardhur për të ndjekur shfaqjet e bashkëatdhetarëve të tyre. Nuk dinin çfarë të bënin. Kishin mall sikur takonin njerëzit e tyre në Kosovë e vise që nuk i kishin pare prej vitesh. Ansambli përbëhej sidomos nga amatorë, por malësorë të mirë dhe të urtë që të ngjallnin respekt. Më kujtonin ato udhëtimet e bukura dhe tepër mbresëlënëse në Valbonën e magjishme, me njerëz mikpritës, të urtë dhe punëtorë. Asnjeri nga ne nuk donte të largohej nga Friburgu, pasi u krijua një atmosphere e veçantë miqësie, shprehje e lidhjeve të vjetra midis popullit shqiptar dhe atij zviceran. Bile ka vende si “Dardania” etj., apo edhe fjalë shqipe që gjenden në trevat zvicerane...

Veprimtaria në Kombet e Bashkuara dhe organizmat e saj

shtator. Më njoftojnë të shkoj nga Gjeneva në Vjenë për të ndjekur punimet e konferencës ndërkombëtare kundër trafikut të paligjshëm të drogës. Në kryeqytetin austriak tashmë kishte mbritur një delegacion prej disa vetësh, i kryesuar nga zëvëndësministri i brëndshëm shqiptar. Ky i fundit i kishte shumë qef kosat me fruta, kur hanim mëngjezin “kontinental”, në hotelin ku ishim vendosur. Më vinte zor nga ata që na shërbenin, kur shihja se si kosat me fruta mbaronin në shportën e madhe të servirjes. Bile njëherë si me shaka, i thashë zëvëndësministrit që të na linte edhe ne të tjerëve të paktën një racion të vogël. Nuk e priti mire, por unë e kalova me buzëqeshje.
Një anëtar i delegacionit që ishte me të, kishte shfletuar më parë programin dhe gjithçka do të flitej gjatë konferencës. Nga ana teknike ishte i aftë, por nuk merrte vesh fare nga trajtimi i problemit në një konference ndërkombëtare. M’u desh t’u spjegoja gjatë se çfarë duhej patur parasysh. Sido që të ishte nuk do të kishte ndonjë reagim nga ndonjë shtet anëtar, pasi Shqipëria mund të “sulmohej” vetëm për problemin e të drejtave të njeriut dhe sidomos të minoritetit grek. Përsa i përket çështjes së drogës, as që bëhej fjalë, pasi ajo nuk përbënte problem në ato vite. Qëndrova disa ditë dhe u largova. Mora në telefon ministrin dhe i thashë se nuk ishte e domosdoshme që unë të qëndroja më tepër në Vjenë. Doja të shkoja pranë familjes, si dhe të ndiqja konferencat e shumta që zhvilloheshin në Gjenevë për probleme nga më të ndryshmet, duke filluar që nga ato ekonomike, sociale, të çarmatimit, të të drejtave të njeriut, apo korespondencën që vinte nga organizatat ndërkombëtare apo Misionet e ndryshme diplomatike.
Me drejtorin e Përgjithshëm të UIT-it në një takim për një projekt bashkëpunimi me Shqipërinë?
Me drejtorin e Përgjithshëm të UIT-it në një takim për një projekt bashkëpunimi me Shqipërinë?
Tetor. Ambasadori senegalez, Sené, që e njoh që kur isha në Nju Jork gëzon një prestigj të veçantë tek trupi diplomatik. Ai ka respekt për mua dhe here pas here më ve në dijeni për problemet që do shtrohen tek Komisioni i të Drejtave të Njeriut, që çdo vit zhvillon punimet në Gjenevë, në muajin gusht. Vijnë aty ekspertë nga vende të ndryshme të botës dhe diskutojnë për problemet e të drejtave të njeriut. Pjesa më e madhe janë profesorë të shquar në vendet e tyre dhe meqë kanë pushimet në gusht, vijnë në Gjenevë, edhe për mbledhje, por edhe për pak argëtim. S’ka gjë më të mire se të qëndrosh në Gjenevë në atë muaj kur në vende të tjera duhet të përballosh zagushinë e madhe.

Kam mik aty dhe përfaqësuesin argjentinas, një njeri me karakter dhe shumë i aftë. Shpesh më jep këshilla për qëndrimet që duhen mbajtur në disa situata të vështira. Ndodh që nga Tirana nuk të përgjigjen në kohën e duhur, për një çështje të koklavitur, kështu që duhet t’i japësh “drejtim” vetë, pa pritur sa “t’i ngrohen llampat” atij që merret me organizatat ndërkombëtare, në qendër. Përpiqem disa here t’i mbush mendjen përfaqësuesit portugez, i cili shpesh mban një qëndrim negativ ndaj çështjes së të drejtave të njeriut tek ne. Mundohem t’i shpreh se unë jam nip prifti dhe edhe nëse në Shqipëri feja nuk lejohet të praktikohet në publik, çdonjëri në familje ka të drejtë të bëjë ritet e fesë së tij: katolike, myslimane, apo ortodokse. E kuptoj edhe vetë se nuk mund ta bind dot, por ç’ti bëj E.Hoxhës që dha urdhër të mbyllen kishat në 1967. E kujtoj gjithashtu me neveri atë muzé në Shkodër ku ishim të detyruar të shpinim të huajt për vizitë dhe ku me argumenta qesharake nga ana e ciceronit lëshoheshin anatema kundër “bëmave” të kishës katolike. Tepër negative, në një botë ku praktikat fetare, edhe ato të sekteve të kobshme, lejohen në botën perendimore. Mbi të gjitha më vinte maraz që nuk lejonim as Nënë Terezën e madhe të vinte të përkulej tek varri i së jëmës apo motrës së saj. Ministri, Reizi, një burrë me culture të gjerë, tepër i ndjeshëm dhe fisnik, më kishte kërkuar t’i dërgoja edhe një libër për Nënë Terezën. Por ai nuk mund të kapërcente caqet e një qëndrimi dritëshkurtër të atyre që vendosnin edhe për probleme të tilla, që mund të krijonin një përshtypje se regjimi po bëhej “më njerëzor”...
 Më kujtohej gjithmonë ai altari i Kishës së Madhe në Fier, ku gjyshi im Polizoi Ikonomi, mbante me atë zërin e tij melodioz për rreth gjysëm ore palëvizur e pa zë, ata qindra njerëz fetarë që kishin ardhur për ta dëgjuar dhe për të bërë lutjet e tyre. Më kujtohet kur shkonim bashkë nëpër shtëpi dhe ai me atë instrumentin karakteristik “thimiatua”, lëshonte themjanën me atë erë të mirë. Apo kur bekonte fëmijët dhe kur jepte “naforën” e Krishtit. Ndjeja gëzim të veçantë kur shkoja për pushime për Krishlindjet në Fier. Një atmosfere e gëzuar, paqeje, mirësie, dashurie e respekti për njeri tjetrin. Të gjithë përshëndeteshin me njeri-tjetrin. Më kujtohet kur hidhej kryqi në Gjanicë në mes të dimrit dhe ai që e kapte ishte më i lumturi. Më kujtohej edhe ai manastiri në Ardenicë, ku për fat të mirë kishte qënë gazermë ushtarake kur u prishën kishat në 1967 dhe ikonat mbetën të paprekura deri në ditët e sotme. Krenohesha me atë manastir kur shkoja me miq të huaj atje. Më kujtohen çastet e bukura që kaloja në Kishën e Apollonisë, ku kishte një mbishkrim që stërgjyshi im Ikonomi ishte kujdesur për ndërtimin e saj. Dëgjoja me endje xha Pilon erudit që merrej me mirëmbajtjen e gjithë asaj vepre monumentale të ndërtuar prej shekujsh nga Taulantët, por që u shkatërrua disi nga barbarët e huaj. Shihja ato ikona të bukura, të punuara me finesë, që i gjeja edhe tek shtëpia e gjyshit tek rruga „Konferenca e Pezës“. Fatkeqësisht regjimi i E.Hoxhës, i prishi ato shtëpi karakteristike, duke ndërtuar në vend të tyre pallate të stilit sovjetik.
tetor. Përfaqësuesi brazilian që është ekspert i dëgjuar i të drejtave të njeriut, më thotë se një fqinj i yni do ngrejë problemin e minoritetit grek në Shqipëri. Francezi gjithashtu që është me përvojë dhe më vonë u bë këshilltar i presidentit të Republikës franceze, më thekson se ne duhet të bëjmë një hap në drejtim të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Kur relatoj në Tiranë, dikush që vendos atje lart nga këshilltarët e Presidentit, nuk është dakord që t‘i japim përgjigje Komisionit apo nën-komisionit të të drejtave të njeriut. Le të “llomotisin” thotë ai. Por dielli me shoshë nuk mund të mbulohet. Duhet bërë një hap sa nuk është vonë. Pasi duam a nuk duam ne, presioni është i fortë. Pastaj kërkesa vjen nga vende që janë edhe donatore të Shqipërisë në rrugën e saj të zhvillimit. E kuptoj edhe vetë se ka vende të tjera në Afrikë apo Amerikën Latine e gjetiu, ku problemet e të drejtave të njeriut janë edhe më të mprehta, por ato të paktën për publik kanë lënë të lire ushtrimin e fesë. Tek ne gjithçka është ndërtuar mbrapsht. Pse duhej marrë një veprim i tillë i papjekur, nga një njeri që e quante veten se kishte marrë kulturë perendimore apo kishte punuar në Perëndim, në Francë apo Belgjikë? Por pastaj llogjikoja se unë vetë nuk kisha forcë të bëja diçka: e vetmja e mirë që do bëja ishte, që pa bërë presion, të relatoja ato që thuheshin për vendin tonë, sidomos në nën-komisionin e të drejtave të njeriut. që fatmirësisht ishte “më i mbyllur” se Komisioni dhe shumë probleme të tij pastaj bëheshin publike, por me pasqyra shtypi shkurtimisht.
Vetëm kur nën-komisioni mori vendim që të shihej edhe çështja e të drejtave të njeriut në Shqipëri, atëhere lëvizi edhe Tirana zyrtare. Siç duket edhe ai “këshilltari fuqiplotë”, atje në qendër, nuk mund të thoshte më gjë. Ishte i njëjti person që ndoshta kishte ndikuar negativisht që Shqipërisë t’i shpëtonte shansi historik ,për t’u lidhur me RF Gjermane, kur dërgoi atëhere dy emisarë të lartë: Franc Jozef Shtrausin dhe Hans Ditrih Gensherin. Ishte i njëjti njeri që për zhurmë publiçistike kishte marrë atë “çmimin e ushqimit” për Shqipërinë dhe e serviri një ditë të bukur si arritje, para funskionarëve, në një sallë të Ministrisë së Jashtme. Ishte i njëjti person që megjithëse dihej se Zvicra e kishte standartin më të lartë se vendet e tjera europiane, dha urdhër që dietat edhe pse minimale të atyre që shkonin me shërbim, të barazoheshin me ato të vendeve të tjera europiane. Nuk m’a do mendja se kursente Shtetin në udhëtimet e tij të shumta jashtë. Ai bashkë me një tjetër, më kishte bërë presion, pak më vonë, kur erdhi njëherë në Gjenevë, me një funksionar të lartë shqiptar, duke më thënë që t’i flisja një kushëririt tim që kishte kërkuar strehim në Zvicër, të kthehej në Shqipëri. Si mund të detyroja unë një të ri, sidomos në kushtet kur ai nuk shihte njëherë për njëherë të ardhme në vendin e tij? Ishte zgjedhja e tij dhe unë nuk mund të ndikoja aspak tek ai. Siç nuk mundi të ndikojë ai oficeri i urtë, kur bëja stërvitjen ushtarake në Plepat e Durrësit, kur mbarova Universitetin: një i afërm i tij ishte arratisur dhe ai oficeri zemërmirë më tha njëherë kur e takova më vonë: „çfaj kam unë që më hoqën si drejtues nga Fanari i Portit? Shqipëria është e vogël dhe po të shohësh më hollë, të gjithë dalim kushërinj“!
Tetor. Detyrohemi t’i japim përgjigje nën-komisionit të të drejtave të njeriut. Një hap që u prit mirë nga miqtë e mij argjentinas, brazilianë, bullgarë, francezë, por edhe nga përfaqësues të vendeve fqinje dhe një numër organizmash që merren me të drejtat e njeriut. Më duhet tani të ndjek më me kujdes punimet e nënkomisionit që vazhdojnë më se një muaj, për të analizuar çfarë flitet ndaj nesh dhe ku duhet të drejtojmë përgjigjet tona. Por ato duhet të jenë sa më të argumentuara dhe jashtë shablloneve të dikurshme “për lirinë e individit” , apo “të fesë” që nuk i ha më njeri, nëse nuk e len bashkëkombasin tënd që ta praktikojë fenë e vet, qoftë ajo ortodokse, myslimane apo katolike, apo të mbash akoma atë muze famëkeq në Shkodër.

Me profesor doktor Ksenofon Krisafi në Gjenevë kur erdhi për bisedimet për Arin shqiptar?
Me profesor doktor Ksenofon Krisafi në Gjenevë kur erdhi për bisedimet për Arin shqiptar?
Cajup Rusmajli i paharruar dhe njerëzit e tjerë humanë


Kontaktet i kam më të shpeshta me miqtë gjë që shihet pak vëngër nga dikush që më qëndron gjithmonë pranë. Mua aq më bën. Edhe pse nuk jam anëtar i PPSH, kam mbështetjen e ministrit largpamës dhe shumë miqve të tim eti dhe të Todit, vjehrit tim. Ai është anëtar i partisë, por për mua ka qënë dhe mbetet një njeri i thjeshtë që e ka shkrirë jetën e tij për Pogradecin dhe njerëzit e thjeshtë. Është i biri i priftit të Llëngës, Dhimitër Kokoneshit, prift me kobure që nuk i la asnjëherë taksidarët në vitet 30-40,  t’u merrnin taksa fshatarëve të vobegtë, të atyre anëve të malësisë së Llëngës, ku është Shën Marena e famshme. Ai ka miq dhe shokë të mirë si Arqilenë, Meton, Mitin (ish shokun e tim eti), Cajupin Rusmajlin, drejtorin zemërbardhë, të Radio Televizionit shqiptar që më hapi dritën jeshile për të hyrë në diplomaci, megjithë kundërshtimin e shefit të kuadrit dhe atij merhumit drejtor që nuk dinte asnjë gjuhë të huaj. Ky i fundit e mbante dritën e zyrës hapur edhe në mbrëmje vonë, që ata funksionarët e KQ të thoshin se shoku K. vazhdon punon.
Kujtoja ato tregimet e tim eti për ato mbrëmjet e bukura të organizuara midis njerëzish të sinqertë, sidomos pas përfundimit të Luftës. Im atë shkonte në Fier tek gjyshi Peçi, merrte dy tre shqerra, i therte vetë dhe pastaj me kolegët e tij organizonin mbrëmje të gëzuara, duke harruar lodhjet e ditës. Gjithçka ishte e pastër dhe ata njerëz që kishin luftuar për çlirimin e vendit, pavarësisht nga përkatësia në parti apo jo, ishin njësh me njeri tjetrin. Pastaj erdhi ajo koha e kobshme e 1947-48, kur Enveri mori në qafë shumë njerëz. Vetëm pse ai vetë u prish me Titon. Dhe ata njerëz të ndershëm ç’kishin bërë për t’u dënuar aq ashpër, apo për t’u përjashtuar nga PPSH? !Vetëm sepse kishin bërë diçka për afrimin me fqinjët në fushën e sportit, të kulturës apo të ekonomisë. Apo sepse kishin parë dikur  nga 1942-43, bashkë me rininë e “Ballit” shfaqjen “Lulja e Kujtimit” të Foqion Postolit, sëbashkë me të rinj të tjerë që shkonin me pushime në vendlindjen e tyre?!!Dhe ndaj tyre sekretarët e partisë pa skrupull lëshuan anatema. Disa u thyen. Të tjerë rezistuan ndaj valës së egër, por gjithë jetën u mbeti pas njolla e errët, atyre dhe familjeve të tyre. U desh vdekja e Enverit, që diçka të zbutej ndaj tyre. Erdhi Ramizi që duket më njerëzor, por që akoma nuk mund të shkëputet, ose nuk ka forcë të shkëputet nga ajo e kaluar e kobshme e viteve kur të afërmit u bënë armiq me njeri tjetrin, kur familje të tëra syrgjynoseshin për jetë dhe vdisnin pa patur mundësi t’u bëje ritet e fundit të ikjes përgjithmonë nga kjo jetë. Siç duket Nexhmija, bashkëshortja e merhumit ka akoma fuqi të vendosë për fatet dhe drejtimet e Shqipërisë.
Nëntor. Isha në Bazel ku u miratua Konventa përkatëse mbi kontrollin ndërkufitar të mbeturinave të rrezikshme. Konventa nuk ishte vetëm një instrument për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbeturinave të rrezikshme, por gjithashtu për administrimin e sigurt të mbeturinave të tilla. Ajo u hartua nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe mjedisit, prej efekteve të dëmshme të shkatuara nga ekspozimi ndaj mbeturinave të rrezikshme. Zvicra ishte tepër aktive gjatë konferencës së Bazelit. Ministri i jashtëm zviceran Flavio Koti më falenderoi për qëndrimin tonë dhe më dorëzoi një pikturë simbolike, duke qënë një nga nënshkruesit e parë të Konventës. Në fakt, megjithëse prita nga Tirana ndonjë përgjigje lidhur me Konventën dhe qëndrimin që duhej mbajtur, siç duket, punonjësi që merrej me këtë çështje në MPJ ishte i zënë me punë të tjera. Kështu më kishte ndodhur edhe herë të tjera.  Prandaj dhe e firmosa Konventën, duke e kuptuar rëndësinë e saj dhe mbi të gjitha pasi ishte kërkuar një bashkëpunim edhe nga një vend mik i Shqipërisë si Zvicra që ka pritur në gjirin e saj dhjetra mijra shqiptarë. Nga fqinjët tanë, Jugosllavia nuk u bë palë në Konventë.

Përsëri në Nju Jork në AP të OKB-së

Gusht . Ministri më propozon të jem anëtar i delegacionit shqiptar që do të marrë pjesë në sesionin e 44-tërt të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Shkoj dhe bëj përgatitjet në Tiranë. Në fjalim duket një kthesë e madhe sidomos ndaj politikës së dy superfuqive. Edhe Isufi erudit e shprehu njëfarë entuziazmi kur përktheu fjalimin. Sidoqoftë, ai si dhe unë e dinim se nuk mund të thoshim diçka më tepër, pa u mbajtur fjalimi.
Tetor. Ministri Reis Malile deklaron para sesionit të 44-tërt të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se “dialogu politik aktual në marrëdhëniet midis dy superfuqive ( të cilat, duhet shënuar, nuk cilësohen më respektivisht si “imperialiste” dhe “socialimperialiste”) ka shpënë në një ulje relative të tensionit ndërkombëtar”. Po atë ditë këto pjesë të fjalimit të tij u përshëndetën nga shumë agjenci lajmesh dhe nga shtypi botëror. Edhe ne sikur e ndjenim veten tashmë më të çliruar këto ditë, kur takoheshim me delegacionet e huaja në OKB, pasi e dinim se një kthesë për mirë do të merrte edhe në marrëdheniet me SHBA dhe BS. Miqtë tanë diplomatë dhe gazetarë na përshëndesnin me përzemërsi.
Sapo mbaroi fjalimin e përqafoj edhe unë Reizin, por natyrisht pa e tepruar. Edhe fqinji ynë amerikan i dha dorën dhe e përshëndeti përzemërsisht. Një kthesë do të fillonte së shpejti në marrëdhëniet midis vendeve tona. Do të kishim edhe ne mundësi të flisnim më lirshëm edhe me diplomatët amerikanë,  apo edhe të shkonim diku tek miqtë tanë në Nju Xhersi, Las Vegas, Florida apo edhe më larg.
Atë mbrëmje bëmë festë dhe e kapërcyem pak nga gëzimi edhe cakun e lejuar të pirjes së uiskit, votkës apo verës së Kalifornisë, bashkë me vëllezërit tanë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia , si dhe shqiptarët e Shqipërisë, brezi i vjetër dhe i ri që janë vendosur prej dhjetra vitesh në Amerikë. Shumë kanë ardhur nga larg me aeroplane, apo me “kera”, siç i thonë ata veturës.
Ndryshimet që po ndodhin në Lindjen e Evropës kanë pasojat e tyre edhe tek ne. Në biseda me shumë përfaqësues nga vendet perendimorë, ata po shprehin shenja solidariteti, njoftojnë se janë gati të hartojnë programe mbështetjeje dhe asistence teknike. Shpejtësia me të cilën peisazhi politik dhe rregullat e lojës ekonomike të vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore ndryshuan, patën një ndikim të shpejtë në ecurinë e gjendjes në Shqipëri. Në janar 1990 mblidhet Plenumi i KQ të PPSH vendos krijimin e një “mekanizmi të ri ekonomik”. Ramiz Alia që tashmë ka dalë si njeriu i fortë pas vdekjes së Enver Hoxhës, siç duket nën ndikimin e shoqes së këtij të fundit, hedh poshtë mendimin për futjen e multipartizmit, kërkesë e disa intelektualëve shqiptarë. Sidoqoftë, shihet një zbutje në fushën politike, pasi në zgjedhjet e ardhshme lokale mund të paraqiten shumë kandidatë, por këta do të seleksionohen nga Fronti Demokratik, që s’është gjë tjetër veçse PPSH.

Vizita e sekretarit të përgjithshëm, Kuelar në Shqipëri dhe drejtim i ri, edhe pse tepër i matur,  i marrëdhënieve me vendet e tjera

Delegacioni shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të OMS-it Gjenevë?
Delegacioni shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të OMS-it Gjenevë?
Maj . Gjatë vizitës së sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Tiranë, Javier Perez de Kuelar, Ramiz Alia deklaron se është gati të lidhë marrëdhënie diplomatike me SHBA dhe BS.

Maj. Njoftohen masa të ndryshme liberalizuese, si krijimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe mundësia për t’u dhënë pasaportë shqiptarëve që kërkojnë të dalin jashtë, natyrisht pasi të marrin një vizë tek ambasadat e huaja. Një numër pa mbarim revistash vijnë nga Shqipëria për t’u shpërndarë tek përfaqësitë e huaja. Ku do t’i shpien të gjitha to?! Nuk janë thasë me grurë që do ngopin të huajt. Edhe nëpunësi “rrodhe” i nomenklatures, pinjoll i një familje të lidhur me “bllokun e udhëheqjes”, i ngarkuar me shtypin pas kthimit tim nga Nju Jorku, nuk di si të bëjë. Ai turfullon dhe ndez e shuan njërën cigare pas tjetrës. Është anëtar partie dhe unë jo. Mbledhjet e parties i bën në Vjenë, duke harxhuar kot në këtë mënyrë qindra e qindra franga për të vajtur deri atje dhe për të vjellë vrer ndaj meje (më vonë kam marrë vesh nga miqtë e mij në Tiranë, për relacionet e tij të kobshme, të cilat deri në njëfare mase ndikuan në kthimin tim në Tiranë). Por unë nuk tutem. E drejta është me mua. Kam punuar me ndershmëri dhe kështu do vazhdoj deri në fund të jetës sime. Paçka se bashkëshortja ime nuk pa një ditë të bardhë, gjatë qëndrimit tonë në Mision, pasi duhej të qëndronte beft dhe pranë telefonit, kur mua më thërrisnin të shkoja me shërbim në Zyrih apo gjetiu . Kohë që nuk dua t’i kujtoj, pasi na morën vite nga jeta ime dhe sidomos, Rozës sime të urtë, të butë, fisnike dhe modeste. Gjithçka më mbante gjallë, vetëm për hir të saj, vajzës dhe djalit që e kishim afro katër vite larg në Tiranë dhe na dhembte zemra për të. Ai qëndronte me nënën time dhe motra ime dhe i shoqi, si dhe vjehrri im, kujdeseshin në mënyrë të veçantë për mbarëvajtjen e tij në shkollë. Në atë kohë nuk lejohej të mbaje fëmijët në moshë mbi 7 vjeç dhe sot e kësaj dite nuk e kuptoj pse???…
Korrik . Masat liberalizuese nuk i ulin tensionet në Shqipëri. Më 2 korrik 1990, ndërhyrja e policisë gjatë një manifestimi në Tiranë krijon një pushtim de fakto të shumë ambasadave të vendeve perendimore, nga ana e të rinjve në Tiranë. Ata u futën me shpresë se do të marrin ndonjë vizë për të shkuar jashtë. Autoritetet e vendit janë tepër të shqetësuara nga kjo çështje, në një kohë që vazhdojnë përpjekjet për të dalë përfundimisht nga izolimi. Pothuajse nuk kemi njoftime nga Tirana, përveç atyre që lexojmë tek shtypi dhe shohim tek televizionet e huaja. A nuk duhet bërë një kthesë tek ne? Ka ardhur koha që edhe tek ne të mendohet se jemi vend europian dhe nuk mund të jetojmë më “si në vathë të mbyllur”. Cdo shtet është i ndërvarur nga njeri tjetri. Pse nuk merret shembull qoftë edhe nga paraardhësit tanë të shquar. Dihet se shteti i krijuar nga Skënderbeu u bë në kohën e vet faktor aktiv, pozitiv në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai bëri përpjekje të krijojë një front të përbashkët europian kundër osmanllinjve. Ai u përpoq ta realizojë këtë edhe me Janosh Huniadin, gjeneralin e madh hungarez. A nuk pati Skënderbeu mbështetjen e fuqishme të Papës së Romës dhe Mbretërisë së Napolit? U përpoq të bashkëpunojë dhe me Republikën e Venetikut, por që nganjëherë haste ndesh për shkak të synimeve të atëhershme të Venetikut. Sot është krejt ndryshe. Europa apo Amerika nuk janë “armike” ndaj nesh, apo që duan “të na sulmojnë”. Ka ikur koha e bunkerëve, në kohën që tashmë ka rënë edhe muri i kobshëm i Berlinit.
Korrik . Sot erdhi më takoi funksionari i lartë i Kombeve të Bashkuara, Stefan De Mistura. Është i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Perez De Kuelarit, lidhur me problemin e personave që kanë hyrë në ambasadat e huaja. Më tha se ka dhe një motër në Shqipëri. Theksoi se Kombet e Bashkuara duan t’i japin një zgjidhje të kënaqshme dhe të shpejtë problemit. Ishte shumë elokuent dhe tepër i saktë në fjalitë që shprehte. Njoftova menjëherë Tiranën dhe atje e pritën mirë.
Korrik. Stefan De Mistura u kthye nga Shqipëria. Pas valës së pare, kur u lejuan 4786 shqiptarë të emigronin në Itali dhe në vende të tjera perendimore, u dukën shenjat e një zbutje të regjimit. De Mistura, një funksionar tepër i aftë i Kombeve të Bashkuara që i dha një zgjidhje konkrete problemit të shqiptarëve që u futën në ambasada dhe u lejuan të largohen në vendet që dëshironin. Ai dhe Viera de Mello, që është funksionar i lartë në Komisariatin e Lartë për Refugjatët, më ngjallin një respekt të veçantë, pasi dijnë të zgjidhin edhe situata tepër të koklavitura, në rajone të ndryshme të botës. Nuk e di nëse shkrimtari ynë penëartë ,Xhevahir Spahiu që më kërkoi adresën e De Misturës kur isha në Tiranë ,mundi të lidhej me të. Ai po përgatit një përmbledhje për shkrimtarin Petro Marko dhe do t’i kërkonte një mendim De Misturës. Këtë të fundit e kam parë here pas here të debatojë edhe në televizionin në gjuhën italiane.
Gusht.Rruga drejt demokracisë në Shqipëri siç duket do të jetë akoma e gjatë. Nuk është e lehtë. Shqiptarët është e vërtetë se e duan të renë, janë për Evropën, por është e vështirë të shkëputen nga ato vite të diktaturës. Të paktën ata që përhapin akoma në shkallët e pallateve ku banojnë, veprat e E.Hoxhës. Qeveria demokratike ka kohë pas kohe probleme, sidomos me nostalgjikët që nuk shohin më larg se drita e tyre e syrit. Harrojnë ata se u rropatën gjithë jetën për të patur një pension qesharak, ndërkohë që pinjollët e diktaturës shijnë me paratë e popullit. Njerëzit e thjeshtë mendonin se  “parajsa” do të vinte menjëherë. Por si edhe pas çdo fitoreje, duhet pritur. Përveç kësaj, ekziston akoma një ndarje e madhe midis nivelit të vendimit politik qëndror dhe shërbimeve të Shtetit, që normalisht merren me ndryshimet që duhen realizuar. Me fjalë të tjera, dëshira për ndryshim nuk është e njëjtë midis që gjithë aktorëve të jetës politike shqiptare.

Vizita e kryetarëve të dy Dhomave të Parlamentit zviceran

Shtator. Kryetarët e dy dhomave në Parlamentin zviceran, gjatë kthimit me aeroplanin e Swiserit, pas vizitës në Shqipëri, më shprehën entuziazmin e tyre nga vizita në Tiranë e disa qytete të tjerë të Shqipërisë. Sidomos u kishte pëlqyer takimi me studentët e profesorët e Universitetit të Tiranës, ku ata shprehën me finesë dëshirën e tyre që Shqipëria t’u përmbahej standarteve evropiane në fushën e të drejtave të njeriut. Nga udhëtimi u ktheva pak pezmatuar. Në pritjen që u bë në Durrës lart tek Pallati i ish mbretit Zog, Reizi më tha në konfidencë: “Dikush i ka thënë ambasadorit italian lidhur me atë që  ka ndodhur vite më parë kur u rrëzua aeroplani që u nis nga Pekini. Sikur m’u rishfaq përsëri ngjarja para syve, sidomos fytyrat e fëmijëve dhe gruas”. Mezi i mbante lotët. Por ashtu siç e kishte bërë jeta të fortë e mbajti veten dhe vazhdoi bisedën me kryetarët e dy dhomave të Parlamentit zviceran.
Tetor. Ambasadori turk më ka ftuar sot për dreke. Ka qënë zëvëndësministër i jashtëm, njeri me shumë kulturë dhe kam respekt të veçantë për të. Kam lexuar shumë për Turqinë, Ataturkun, si dhe për historinë e atij populli trim e krenar. Po sot, më merr dikush nga Tirana për të dale në aeroportin e Zyrihut për të pritur dikë që kalon andej për në Paris. Nuk dua t’i dal fjale ambasadorit turk, kështu që dërgova punonjësin tjetër ta presë. Nuk e di por e kam alergji të shkoj deri në Zyrih, tre orë larg nga Gjeneva dhe duhet të paktën dy orë të qëndrosh atje dhe me një njeri që nuk të hahet aspak muhabeti. Mbi të gjitha më vjen pak zor me punonjësit e Swiserit që janë shumë korrektë, por sikur e kemi tepruar pak me pritjet e shumta të njerëzve që kalojnë transit në Zyrih dhe duhet patjetër t’i kalojmë tek VIP. Emili atje është tepër i sjellshëm, më kupton, sidomos sikletin tim përballë atyre që kërkojnë të kalojnë vetëm një orë, pa e ditur se diçka të pret në Gjenevë, një mbledhje, konferencë. Ai më përgatit si gjithmonë një pije “Emil”- koktej i sajuar prej tij posaçërisht për mua.
Nëntor. Ka ardhur dikush nga Tirana dhe më telefon nëse ka mundësi të takohemi. I them: “Ku je?”. Më përgjigjet: “Tek kali”. E kuptoj se ai nuk e di se pranë liqenit të Gjenevës ka dy kuaj në dy vende të ndryshme. Megjithatë e kuptoj se ku ndodhet dhe lëmë një takim. M’u kujtua se vite më parë kur shoferët tanë vinin në Paris dhe humbisnin rrugën, i binin telefonit të ambasadës dhe kur punonjësi u thoshte: “Ku ndodheni?”. Ata përgjigjeshin: “Tek Coca-cola”. Ajde pastaj t’i gjeje ata në atë mori “Koka-kolash” të Parisit?!!!
Dhjetor. Joseph Diogardi, kongresmen amerikan, me origjinë shqiptare, më pret tek hotel “Interkontinental”. Shkoj tek suita e tij. Ai shpreh dëshirën për të shkuar në Tiranë. Është interesant fakti se i jati i tij Xhuzepe u largua nga fshati arbëresh i Grecit për t’u vendosur në Bronks pranë Nju Jorkut. I biri, Joseph kujtonte se ishte italian, megjithëse i jati e kishte zakon që të fliste me motrat e veta dhe me prindërit e tij në një gjuhë të çuditshme që djaloshi kujtonte se ishte dialekt italian. Pasi u zgjodh në Kongresin amerikan, ai e zbuloi të kaluarën e familjes së tij. Si mijra të krishterë shqiptarë në shekullin e XV, paraardhësit e tij kishin kapërcyer Adriatikun dhe ishin vendosur në fshatrat italiane ku mbajtën të paprekura ritet dhe gjuhën e tyre amtare.
Lidhem me Sokratin, pasi ka qënë në Amerikë dhe e njeh atë. Më thotë se po të ketë dëshirë le të vijë. Ja komunikova Diogardit dhe ai më falenderoi. Si Kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ai ka bërë mjaft për çështjen shqiptare. Ai është shprehur mëse njëherë duke i bërë thirrje SHBA që të ngrihen në mbrojtje të parimeve të veta dhe të kërkojnë përmbushjen e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, sidomos për çështjen e Kosovës. Kjo i ka dhënë atij mundësi dhe atyre që ndjekin rrugën e tij, të tërheqin votat e elektoratit amerikan, me origjinë shqiptare, që nuk është i pakët nga numri në Amerikë. Gjithashtu, kam përshtypjen se në Amerikë, shqiptarët janë më të bashkuar me njeri tjetrin se këtu në Evropë. A mos ndoshta ndikimi i serbëve është më i pakët atje?! Sidoqoftë, ka ardhur koha që Evropa dhe SHBA të bëjnë diçka t’i bërë presion Milosheviçit dhe atyre që e pasojnë që të ndalin dorën dhe të mos ndërmarrin masakra dhe spastrim etnik në Kosovë.
Janar. Jam në Paris në Konferencën ndërkombëtare për vendet në zhvillim që zhvillohet në godinën e UNESKO-s. Ministri më dërgoi që të kryesoj delegacionin shqiptar. Ndërkaq unë vendosa të mos mbaj ndonjë fjalim të veçantë dhe ja spjegova arsyen shokut Reiz. Gjithashtu, mendova se nuk është me vend që unë të qëndroj shumë këtu, pasi këshilltar i ambasadës është Arqile Semini, për të cilin kam patur respekt që kur ka qënë në sektorin e jashtëm të rinisë. Si zakonisht, bëra disa vizita turistike në Paris, ku kam gjithmonë dëshirë të shkoj. Nuk më harrohet edhe vajtja atje me profesorin tim të studimeve rajonale , në Institutin Europian të Universitetit të Gjenevës, Silvio Gundanin. Ai ka studjuar në Paris dhe na çoi tek “Kartjé Latën”dhe në ato vende ku shtonte kur ishte i ri. Kujtime të paharruara.
Jam gjithmonë i mrekulluar kur vij në Paris, me “Luvrin”, “Tur Eifel”, me Notrë Dame, Arkun e Triumfit, me Senën, me “Kartjé Latën”. Diku kam lexuar se në Francë janë të rregjistruar më tepër se 300 mijë monumente, duke përfshirë muze, kisha, bazilike etj. Nuk kënaqem së shikuari këto bukuri dhe atë madhështi që të jep Parisi sidomos natën kur kalon tek “Shanz Elizé”. Më kujtohen të gjitha temat që bënim vite më parë kur mësonim frëngjishten me “Mozhenë” e famshme. Gjithashtu ruaj një kujtim të veçantë për profesorin tim të frëngjishtes në Fakultet, francezin Jean-Claude Mothe. Nuk e di se ku mund të jetë, pasi do të kisha dëshirë ta takoja atë njeri të urtë, të ditur dhe aq kërkues në mësimin e frëngjishtes. Një antipod me profesoreshën René e cila në çdo cast na tregonte vetëm historira nga jeta e vet.
Shkurt. Afaristi zviceran më priti tek fshati i tij turistik në “Gryjer”. Ka dëshirë të organizojë një udhëtim me turistët që i vijnë aty për ski, si dhe të krijojë një fshat turistik në Durrës apo diku në bregdet. I merr vete përsipër të gjitha shpenzimet. Mendon se do të krijohen mundësi punësimi edhe për hotelet e krijuara, punonjës shërbimi atje, shoferë, blegtorët që do prodhojnë djathin “Grujer” sin ë Zvicër, për ata që do përgatisin ushqimet etj. Nuk e di a do të përgjigjet njeri nga Tirana shpejt dhe pozitivisht. Shpesh mesazhet tona mbeten në vesh të shurdhët. Mendimi është tepër i mirë dhe i realizueshëm. Më kujtohet kur ish-kryetari i Bashkisë së Gjenevës, personaliteti Roger Dafflon, shkoi në Tiranë me cilësinë e presidentit të shoqërisë turistike “Cosmos”. Pas vizitës së tij, u realizuan dy udhëtime turistike “Carter” me 400 veta brenda ditës që shkuan për vizitë në Durrës, Krujë si dhe në Tiranë. E njëjta gjë duhej të ishte bërë ndaj kërkesës së profesorit të katedrës greke në Gjenevë, i cili më propozoi njëherë që të organizohej një ditë turistike në Sarandë me grupin që do të bënte një “Croisière”(udhëtim turistik) nëpër Mesdhé. Mendimi ishte që grupi të ndalonte një ditë në Sarandë dhe të shkonte edhe në Butrint. Atëhere, më kujtohet se profesori i shquar shtroi një darkë madhështore ku kish ftuar miq të tij të shumtë në vilën e tij, si edhe Neritan Cekën që kishte ardhur enkas nga Gjermania për të mbajtur një ligjëratë në Muzeun Historik të Gjenevës...
Mars. Gazeta “Journal de Genève” ka botuar një shkrim timin ku mbahet një qëndrim mbi ngjarjet në Kosovë. Kur shkoj tek zyra e pasqyrave të shtypit, një gazetar i huaj po i thoshte kolegut të tij: “Nuk i lejohet përfaqësuesit shqiptar të flasë para sheshit të Pallatit të Kombeve për Kosovën”. E pashë mirë në sy dhe ju drejtova: “Zotëri, ju nuk e keni kuptuar shkrimin. Ai është një përmbledhje e një pasqyre shtypi lidhur me qëndrimin tim si shqiptar për ngjarjet në Kosovë. Unë nuk kam folur aspak nga sheshi para Pallatit të Kombeve, por kam shprehur mendimin tim si anëtar me të drejta të barabarta në këtë bashkësi kombesh, për masakrat dhe arrestimet ndaj popullit kosovar. Ashtu besoj do të bënit edhe ju, qoftë edhe si gazetar i një gazete të vendit tuaj, nëse do të cënohej dinjiteti i bashkëkombasve tuaj”. E pashë se nuk foli më dhe u skuq. Kur e shihja më vonë në korridoret e Pallatit të Kombeve përpiqej të më përshëndeste me përzemërsi.
Prill. U dha një shfaqje madhështore tek “Noga Hilton” në Gjenevë nga Ansambli shqiptar. Nismëtari i ardhjes së atij ansambli ishte Imeri një intelektual patriot dhe i ndershëm. Këngët dhe vallet u pëlqyen shumë. Kishin ardhur shumë shqiptarë edhe nga rajone të tjera të Zvicrës, por edhe diplomatë dhe funksionarë të lartë të Kombeve të Bashkuara. Salla ngrihej peshë nga brohoritjet e të pranishmëve. E pashë atë funksionarin e lartë të atij organizmi ndërkombëtar, me të cilin kisha qënë për vizitë edhe në Shqipëri, që u skuq kur pas çdo kënge filluan thirrjet “Kosova Republikë”. Në pjesën e dytë i propozova, për të mos e vënë në pozitë të vështirë, ndaj ndonjerit që nuk i shkonte për hosh ajo thirrje, që të shkonte po të kishte dëshirë. Por duke buzëqeshur më tha: “Alfred, qëndro i qetë, pasi këto janë ndjenja të një populli të vuajtur dhe krenar”...
Maj. Gati çdo darkë në Gjenevë ka pritje që organizojnë Misionet e ndryshme pranë Kombeve të Bashkuara. Shpesh jam i detyruar të shkoj për kortezi, por nganjëherë edhe sikur më pëlqen pasi takoj dhe miq të mirë si ambasadorin turk, atë francez, italian, brazilian, senegalez, me funksionarë ndërkombëtarë e shumë të tjerë. Pritjet zakonisht zhvillohen tek Hotel Interkontinental, ku vijnë kryetarët e shteteve për bisedime në Gjenevë, apo tek Restauranti i Pallatit të Kombeve. Ne me buxhetin e vogël që kemi nuk i kemi këllqet për atje, kështu që më duhet të kavërsidem me pak, duke kërkuar edhe ndihmën e miqve për organizimin e pritjeve për festën kombëtare. Njëherë e organizuam tek “Quai de l’Ile” (Skela e ishullit) në Gjenevë, një restaurant buzë liqenit ku është dhe Radio Lak, njëherë tek restoranti i Zholidonit në Versua, ku punonin vëllezërit dhe nipat e “Malësisë”, një shqiptar nga Kosova, tepër simpatik dhe energjik.
Tetor. Ministri më thërret në Tiranë për të dhënë ndihmesën time lidhur me mbledhjen e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit. Nuk e di por nuk e ndjej veten të qetë, pasi këtu ka tepër hallka dhe gjithçka duhet të jetë e përkryer që mbledhja të arrijë rezultatin e duhur. Sidomos duhet patur kujdes se mos shpëtojë ndonjë gabim në fjalimet që botohen si pasqyra shtypi të MPJ të vendeve të Ballkanit, si dhe të ministrit tonë të jashtëm Reis Malile. Gjithashtu, duhen reflektuar me vërtetësi dhe pa shumë ujë diskutimet në mbledhje. Në fjalime ndihet shenja e detantës, pasi në Bashkimin Sovjetik dhe në Europën Lindore janë shpejtuar tashmë proceset që nxitën vendosjen e pluralizmit politik dhe ekonominë e tregut. Për herë të parë në historinë e Ballkanit, në mbledhjen e Tiranës u bënë përpjekje për të institucionalizuar bashkëpunimin ballkanik. Më pëlqeu sidomos fjalimi në anglisht aty në hollin e hotel “Tiranës” drejtpërdrejt i zëvëndësministrit tonë të jashtëm Muhamet Kapllani, i cili me elokuencë dhe me finesë paraqiti pikpamjet e Shqipërisë për problemet e Ballkanit.
Ato netë fjeta tek hotel “Tirana” pasi ngarkesa e punës ishte tepër e madhe, punonim deri vonë natën. Më vjen keq për nënën time Kaliopin e cila më pret në shtëpi, si edhe motra ime Milka që kujdeset për të dhe kërkon të çmallemi edhe këto tre katër ditë të qëndrimit tim në Tiranë.
25 tetor . Një gazetar më telefonon nga Radio Suis Romandë. E njoh pasi e kam takuar disa herë dhe ka përgatitur disa emisione për Shqipërinë. Në Tiranë e ka pasë shoqëruar ish shoqja ime e Fakultetit, Marjeta, një grua serioze dhe tepër e aftë. Më thotë: “A je në dijeni? Ismail Kadaré ka kërkuar strehim politik në Francë”. Ju përgjigja pa shumë zë: “Jo nuk dij gjë”. Në fakt asnjë njoftim nuk na vinte atëhere nga Tirana. Intervistat që filloi të japë Kadareja që nga Franca lidhur me arsyet që e shtynë të largohej nga vendi i tij, ndikuan tek një pjesë e inteligjencës dhe sidomos rinisë që donte me të vërtetë një ndryshim demokratik në Shqipëri.
Dhjetor. Lajmet nga Tirana zyrtare janë me pikatore. Më 8 dhe 9 dhjetor marrim vesh se janë zhvilluar manifestime të studentëve në të cilat ishin përhapur parrullat: “Edhe ne duam të jemi si pjesa tjetër e Evropës”. Më duket se ky manifestim do të jetë një shenjë e një jete të re politike, sidomos në Tiranë. Ai është një sinjal se megjithë politikën e izolimit të plotë 46 vjeçar, populli aspironte që të shkrihej me atë të të gjithë kontinentit. Më 11 dhjetor, pleniumi i jashtëzakonshëm i KQ të PPSH u detyrua të lëshojë pe lidhur me pluralizmin politik që e kërkonin me ngulm studentët e Universitetit të Tiranës, por edhe qindra mijra punonjës dhe intelektualë të qyteteve të tjerë të Shqipërisë.
Janar . U botua projektkushtetuta e re. Neni që theksonte monopolin e PPSH mbi jetën politike është hequr. Aty figuron edhe parimi i një ekonomie mikste.

Bisedimet për çështjen e arit shqiptar, në Gjenevë

Janar. Në selinë e Misionit britanik në Gjenevë u zhvilluan bisedimet për çështjen e arit shqiptar. Ishste i pranishëm zëvëndësministri ynë i jashtëm, Muhamet Kapllani dhe zëvëndësministri i jashtëm britanik. Kishte ardhur nga Tirana edhe Ksenofon Krisafi, drejtor i Byrosë Juridike në MPJ, që e kishte ndjekur nga afër këtë problem. Unë personalisht mora pjesë në bisedime, por në fakt këtu në Gjenevë nuk isha marrë konkretisht më parë me këtë problem. Vetëm në Kombet e Bashkuara në Nju Jork isha ndeshur me këtë çështje. Ndërkohë, midis dy vendeve tashmë ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike. Muhameti e njihte mirë zëvëndësministrin e jashtëm britanik, pasi e kishte takuar edhe më parë.
Siç dihet në vitin 1946, dy destrojerë britanikë ndeshën në mina, kur po ushtronin të drejtën e tyre për të kaluar përmes Kanalit të Korfuzit. Një destrojer britanik u mbyt. Vdiqën 44 vete që ndodheshin në bordin e tij. Ndërsa destrojeri tjetër, megjithëse u dëmtua u largua. Në atë kohë, Britania e Madhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë dhe vendosi ta mbajë një sasi ari shqiptar. Ai ishte gjetur nga aleatët në Gjermaninë jugore që nazistët e kishin tërhequr gjatë Luftës nga Shqipëria. Pasi Britania e Madhe e ngriti çështjen e incidentit të Korfuzit në Gjyqin e Hagës më 1948, ky i fundit e quajti Shqipërinë fajtore. Si dëmshpërblim Shqipëria duhej të paguante 843947 stërlina. Dihet se asnjëherë në atë kohë nuk u njoh nga ana e qeverisë shqiptare ky vendim si i ligjshëm, me argumentin se kur ndodhi incidenti nuk egzistonin as mjetet më të vogla për vendosjen e minave të tilla…
E kam ndjekur këtë çështje me interes dhe e kam studjuar edhe gjatë kohës që ndiqja Komisionin e Gjashtë Juridik në Nju Jork. Shpesh kam biseduar edhe me juristë specialistë atje algjerianë apo edhe të vendeve të tjera, por që edhe ata nuk mund t’i jepnin “dum” një mosmarrëveshje që kishte ndodhur në një kohë të largët dhe të errët. Bisedoja dhe me Drejtorin tonë të Byrosë Juridike, shokun tim profesor doktor, Ksenofonin, jurist i zoti dhe me përvojë. Problemi tani shtrohej që duhej kapërcyer ai cak. Ishin bërë disa hapa të para edhe para mbledhjes së Gjenevës, që siç dukej do të ishte hapi i fundit në zgjidhjen e këtij problemi që ekzistonte prej vitesh. Në bazë të marrëveshjes paraprake u arrit që Shqipërisë do t’i dorëzohej nga ana e Britanisë së Madhe afro 1574 kilogram ari. Si shkëmbim, kjo e fundit do të merrte 2 milion dollarë nga Shqipëria. Pas bisedimeve, delegacioni britanik dha një darkë për nder të delegacionit shqiptar tek Hotel “Interkontinental”. Atë natë kam qëndruar deri vonë, pas darkës, për të dërguar njoftimin përkatës qendrës në Tiranë. Mediat u treguan shumë të interesuara, dhe i dhanë vend të rëndësishëm bisedimeve që ishin vazhdim i atyre të mëparshmeve, për të gjetur një zgjidhje sa më të pranueshme dhe rela të problemit të arit. Një frymë e re po dukej në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë me vendet europiane. Kjo më dha njëfarë kënaqësie, por nuk ishte e mjaftueshme. Duheshin bërë hapa të tjera, që duket do të duan vite të realizohen. Përsëri qëndron mbi kryet tona, hija e zezë e merhumit dhe e bashkëshortes së tij, si edhe pinjollëve të tyre…Kur do ta shohim një ditë të bardhë, në Europën e Bashkuar dhe në Aleancën e Atlantikut Verior që shqiptarët të lëvizin lirisht, si edhe popujt e tjerë europianë?!!!

Mario shqiptari dhe vocërakë të Kombeve të tjerë në një shfaqje?
Mario shqiptari dhe vocërakë të Kombeve të tjerë në një shfaqje?


(Vijon)





(Vota: 31 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora