E hene, 13.04.2026, 12:40 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Kalaja e Bashtovës shfaqet në sytë e atyre që e shohin!

E diele, 12.04.2026, 07:00 PM


KALAJA E BASHTOVËS SHFAQET NË SYTË E ATYRE QË E SHOHIN!

EKSKLUZIVE NGA PËLLUMB GORICA

Të përshkruash një udhëtim, nuk është aspak e lehtë, sepse çdo fije e qenies është shumë më e lartë se ajo që mund të shkruajë stilolapsi apo tastiera.

Nëse ajo që shkruajmë shërben për të shoqëruar, frymëzuar apo mbjellë pak emocion, atëherë qëllimi tashmë është përmbushur...

E megjithatë herë pas here shkruaj për udhëtimet, me një dëshirë për të kapur fragmente bukurie me fjalë që mbartin brenda tyre aromën e kohës, të pasionit, nëpër vende ku natyra piktoreske martohet me arkitekturën, si një prekje e vërtetë për shpirtin. Siç themi gjithmonë, pavarësisht se sa herë udhëtojmë, gjithmonë do të ketë vende që ende frymojnë ajrin e shekujve.

Vendosëm të shkojmë në një udhëtim në Bashtovë. Mjafton vetëm një hap për të qenë aty, në një peizazh të qetë, që pothuajse ndjehet si pushim.

Ndërsa dielli filloi të lindte përtej maleve të Lindjes, duke pikturuar retë në horizont, me forma, ngjyra dhe nuanca të ndryshme, qyteti zgjohet ngadalë, si dikush nga gjumi i gjatë.

Makina lë pas kaosin urbanistik të Tiranës. Ndalojmë në një kafene. Ndalesë vërtet e bukur për të biseduar me miqtë, kur flasim për udhëtimet që ke bërë dhe ato që ende duhen bërë.

Ecim përgjatë një rruge që lëviz shpejt, pastaj përsëri një rrugë e bukur, që rëshkiste përsëri përmes një peizazhi paqësor fushash, pemësh dhe kafshësh kullosëse. Kishte heshtje dhe ishte e bukur.

Çarjet në rrugë, si shumë çarje gjeologjike, ishin mbushur me shirita katran, duke krijuar një formë të çuditshme që të sjellë ndërmend kaligrafitë kineze, duke krijuar simbolet më të ndërlikuara mbi kanavacën e asfaltit.

Qielli është një mozaik i reve si disa mendime që ende nuk e dinë nëse duhet të qëndrojnë apo të shkojnë dhe dritës së artë, të grisur nga një diell i turpshëm që lufton të ngrohë ajrin, por mezi ndalet në lëkurë.

Të gjitha shqisat tona janë të dehura: toka, bari i gjelbër në fusha, lulet si nuse të reja që formonin një qilim.

Tërheqëse në pamjen e parë, përtej të shkuarës dhe të sotmes, vendbanimet miqësorë, kanë ditur t’i qëndrojnë besnikë vetes, sikur duan të duken bukur para këmbësorëve, por edhe nga detaje që zbulohen vetëm nga ata që duan.

Këtu, asgjë nuk kërkon të bëjë përshtypje, dhe megjithatë gjithçka bie në sy: ndërtimet thelbësore, e të domosdoshme: shtëpi, rrugë, kafene... Është në këtë thjeshtësi që ne kuptojmë mënyrën se si e shohim jetën aty, e cila dukej sikur tregonte një histori të lashtë dhe të thjeshtë, të punës, të sakrificës dhe të dashurisë për tokën.

Ne vazhduam të ecnim. Biseda filloi menjëherë dhe u ndez shpejt, duke folur për tema të ndryshme: çmimet e larta dhe praktikat e pandershme të disa politikanëve në media që përpiqen të na paraqesin realitetin në një mënyrë që na vë kundër njëri-tjetrit. Pothuajse menjëherë biseda shkon thellë, te një nga temat që kohët e fundit kishte ndezur një diskutim, për hemoragjinë e pandalshme të largimit të banorëve, sa shumë prej tyre kanë mbetur vetëm një nocion gjeografik, duke pushtuar periferitë e qyteteve dhe ngritur katraurën urbane. Jo pak kanë “hedhur rrënjë” me dekada në Botë.

Në cep të rrugës, shtëpi të heshtura, të pabanuara, aty, ku organizohej jeta, tufa dhe stinët. Një makinë blu duket se pret me durim, shoferin, në cep të rrugës në heshtje.

Shihej nga larg, i larë në dritën e mëngjesit Vilë- Bashtova, një nga ato vendbanime që ruan ende shpirtin fshatar, me tingujt e aktiviteteve njerëzore, të cilat ndërthuren me ato të natyrës. Të gjitha ndërtesat e bardha binin në sy nën atë dritë. Mjaft afër për të ndjerë frymën e tij, por tashmë i zhytur në një ritëm ndryshe, më të ngadaltë.

E lamë Vilë- Bashtovën mjaft shpejt, natyrisht, morëm rrugën që kalon nëpër hapësira të kultivuara mes heshtjes. Hardhitë tashmë të krasitura në rreshta ngjanin pothuajse biblike. Me qiellin e mbuluar me re, në vend të diellit të plotë, ngjyrat ishin të jashtëzakonshme. Ndërkohë, admirojmë ato pamje, ato paleta ngjyrash kafe dhe të gjelbërtën e freskët e të gjallë që spikat fort në sfondin e tokës.

Shikimi prek konturet e Kalasë së Bashtovës, sikur të jenë skalitur në dritë, me mure, kulla dhe struktura mesjetare të integruara në mënyrë të përsosur në peizazhin. Një bukuri arkitekturore e padëmtuar e tërheqëse shumë pranë grykëderdhjes së lumit Shkumbin.

Pamja ishte aq paqësore dhe magjike. I hedhim një vështrim të shpejtë mureve të kalasë, me forcën dhe sharmin e së kaluarës së saj, të gdhendur në forma dhe vëllime të një dëshmi të jashtëzakonshme të inxhinierisë ushtarake mesjetare, ende e aftë të përcjellë madhështi.

Kalaja është unike, ndryshe nga të tjerat (kur e kam parë për herë të parë, m'u duk sureale) nuk ngrihet në një periferi shkëmbore të paarritshme, fole tipike e shqiponjave të pathyeshme, por është e vetmja e ndërtuar në fushë në Gadishullin Ballkanik, pa mbrojtje natyrore, me mure të mëdha vertikale me formën e një rrethimi të fortifikuar.

Sipas kronikanit turk Evlia Çelebi, Kalaja e Bashtovës është ndërtuar në shek XV ndër të fundit për mbrojtjen kundër turqve, nga arkitektët e Republikës se Venedikut, mbi themelet e shtëpisë Matranga, qe e pajisën edhe me një liman aty pranë nga ku transportoheshin ushtarët dhe për magazinim e mallrave të vendasve që i çonin në tregjet, ku princët arbërorë mbanin marëdhënie tregtare.    Dokumentet e para që e përmendin janë të fillimit të shek. XVI. Pas vdekjes së Skënderbeut shqiptarët vazhduan rezistencën ndaj hordhive osmane edhe për dy vjet. Mendohet që kjo kala të jetë ndërtuar ndër të fundit për mbrojtjen kundër turqve.

Venedikasit kishin territore të konsiderueshme nën zotërim në Arbërinë e atëherëshme dhe gjithë bregdetin dalmat. Kjo vazhdoi deri në rënien e mbretërisë së Venedikut dhe shtrirjen e monarkisë Hasburge.

Kalaja ka pësuar një projekt restaurimi në mënyrë të përsosur, për të përmirësuar infrastrukturën për vizitorët dhe turistët, me parmakë hekuri, në shtegun e ushtarëve në të gjithë pjesën e kalasë.

Por, të hysh brenda kalasë nuk mund të mos mahnitesh nga strukturora e saj, me një planimetri katërkëndore sa përmasat e një stadiumi futbolli, me mure rrethuese të trasha 1.4 m. Muret shkojnë në 9 metra lartësi. Pjesa e oborrit të brendshëm është e pagërmuar. Thuhet që niveli i themeleve dhe bazamentit të saj është rreth 3-4 m për poshtë.

Dy kullat në murin lindor janë ende më këmbë dhe kanë lartësi 12 metra. Kulla veriore vjen në formë rrethore, ndërsa tjetra është ovale si vezë. Muret me ca krisje si nëprka të murosura dhe përplot gryka zjarri, të ndërtuar me gurë të punuar mirë, janë kombinuar me tulla vertikale. Përveç poziconeve për ushtarët, mund të kenë shërbyer edhe si fjetina.

Në fillim të shekullit të XVI turqit ndërtuan edhe një xhami, aty në portën kryesore të kalasë. Xhamia u ndërtua me modifikimin e kapelës (kishës) së kalasë.

Me këto përshtypje, dalim nga kalaja. Ca rreze të mrekullueshme dielli na përkëdhelën, duke ngrohur gjithçka dhe duke ndriçuar peizazhin.

Rreth kalasë, natyra ngadalë zë vendin e saj, në një liri të gëzueshme ngjyrash dhe drite. Fushat vizatojnë gjeometri të buta, ndërsa plepat e hollë e shumë të lartë, me trungjet e hirnosura, të ngjajnë si fytyra të njerëzve në linogravurë.

Lumi Shkumbin pak më tej, të rrëmben butësisht... Lumi zbret në det si një frymë e lashtë, sikur zbret nga Qielli në Tokë. Rrjedh nga Lindja në Perëndim, duke kaluar faqet shkëmbore të Shqipërisë së Mesme, dhe mespërmes fushës pjellore të Elbasanit.

Aty ku lumi i afrohet detit, atje ku zgjerohet shihen qartë rrënjë, kum dhe trungje kërcunj. Duke ecur has disa pika ku mund t’i afrohesh ujit, pothuajse aq afër sa e prek. Në kohë shirash, ujërat vërshojnë të rrëmbyeshme, gërryejnë brigjet, përmbytin toka. Padyshim ndonjë i moshuar nga shekulli i kaluar do të kujtojë elementët tipik të peizazhit të tij.

Me ndryshimet e shtratit të tij dhe ndikimit të fenomeneve natyrore (përmbytjet, aluvionalet, përparimin e detit apo edhe nga veprimtaria e dorës së njeriut) dy anët e rrjedhës së lumit Shkumbin janë parajsë e prodhimit bujqësor, por ngjajnë si kostum i arnosur dhe copëzuar si arnat në pantollonat.

Ujërat në kohëra ishin aq të bollshme saqë e kthyen Shkumbinin në një lumë të madh dhe romakët e lashtë lundruan nëpër të.

Burime tregojnë se lumi Shkumbin ishte i lundrueshëm deri aty nga fundi i shekullit XVII. Ishte ndërtuar një kanal për të futur anijet, duke lidhtur detin me kalanë. Me ndryshimin e herë pas hershme të rrjedhës së lumit Shkumbin ky kanal është mbushur nga aluvionet prej së cilit nuk ka mbetur më asnjë gjurmë.

Kalaja me tërheqjen e detit dhe zhdukjen e kanalit ujor e humbi rëndësinë. Ky ishte një realitet kohor i pa korigjueshëm, kur as Osmanëve nuk u duhej, por tregojnë që në kalanë e Bashtovës ka vazhduar jeta deri në fillim të shekullit të kaluar.

Ecim, flasim, ndonjëherë ngadalësojmë, ndonjëherë ndalemi për një foto, ndonjëherë për asgjë. Lumi gjarpëron, luan me peizazhin, sikur të thotë "ejani dhe shikoni" ujërat që rrjedh butë drejt detit.

Afër kalasë së Bashtovës ka gjurmë të themeleve të një urë romake, të cilat janë ende brenda shtratit të lumit Shkumbin, si skelet i ndonjë dinosauri. Është një urë me origjinë antike, e ndërtuar në shekullin II Para Krishtit dhe është një nga ura më të lashta në territorin e Shqipërisë si pjesë e rrugës Egnatia, që lidhte Apoloninë me Dyrrahun.

Në dy anët e urës ishin vendosur dy stacione romake, Genesis Flumen pranë Ballajt dhe Ad Novas pranë Sulzotaj. Është edhe ura ku kaloi Ismail Qemali, me misionin për të ngritur Flamurin Kombëtar në Vlorë.

Ura ka funksionuar deri në 1917, kur është bombarduar nga aviacioni italian gjatë luftimeve që zhvilloheshin në atë zonë midis forcave italiane dhe atyre austro-hungareze. Ura përbëhej nga tre këmbë, me blloqe guri të latuar. Sot dallohet mirë këmba qëndrore e saj dhe ajo jugorja, ndërsa këmba veriore duket se ka humbur e mbuluar nga aluvionet e lumit. Urë që përmendet në luftrat civile midis Cezarit dhe Pompeut, e shkatërruar nga Pompeu, sipas Appianit. I gjithë masivi kodrinor i Bashtovës të tregon një histori të vjetër: atë të atyre që, shekuj më parë, ishte në zotërim të Pompeut dhe nga këtej trupat e tij sulmuan trupat e Çezarit, të vendosura në verilindje të Kavajës së sotme. Ndërsa Jul Çezari në “Lufta civile”, libri III, është ndër të parët që përmend lumin Shkumbin me emrin “Geniussus”.

Rreth e rrotull kalasë, në fakt, ekziston një kopsht i harlisur, i pasur me pemë frutore dhe lule që shprehin më së miri vendet interesante arkeologjike. Në gjithë atë qetësi, një tufë dele kullosin paqësisht, pothuajse indiferente.  Nga këtu rruga shkon drejt bregdetit Adriatik, si ndalesa e dytë e udhëtimit tonë, jo larg. Gjithçka që duhej të bënim ishte të kthenim vëmendjen tek e bukura përreth. Megjithatë, kishte kaq shumë për të admiruar: pemë frutore, ullinj, hardhi dhe qilima me lule të egra të verdha dhe të bardha.

Këtu peizazhi ndryshon përsëri, i larë në atë dritë të ngrohtë dhe të ndritshme, duke nxjerrë në pah nuanca të qarta dhe të gjalla.

Prej ditës së ngrohtë, gjejmë qetësi me ecjen, duke i kushtuar më shumë kohë botanikës: pemë të holla, degë të zhveshura, trungje të mbuluara me dredhëz dhe myshk, pisha me buqetën e tyre të bukur të gjilpërave, ku mund të dëgjosh zogjtë duke kënduar, sheh plep, dafinë, verri, shkurre dëllinje, bimë mjekësore, specie helmuese, ekzemplarë të rrallë, deri te mishngrënësit magjepsës që pëshpërisin sekrete të lashta dhe bimët delikate ujore. Kështu që mund të vështrosh më nga afër ngjyrën jeshile që krijon dielli në gjethet. Dëgjon koncerte të vërteta zogjsh. Ciu-ciu, quk-quk, cër-cër, një llojshmëri cicërimash në pemë, si flutura të çmendura e mbushin ajrin. Është, kështu kanë thënë e kështu edhe kanë pas shkruar, parajsë gjuetarësh dhe peshkatarësh…

Ajri të sjell një aromë ndryshe, të freskët, të këndshme, që tregojnë diçka të thjeshtë dhe të jashtëzakonshme njëkohësisht. Të ecësh këtu duket se u pëshpërisin atyre që gjejnë kohën për t'i përshkuar pikturën e natyrës, ku shikimi vrapon lirshëm edhe duke e ditur se euforia mund, më vonë, të lind lodhjen. E rifillojmë udhëtimin, duke prerë diagonalisht nëpër pyll, duke kërkuar terren të thatë.

Para teje shtrihej pamja e detit Adriatik. Ajri është i mbushur me atë lagështi detare, shkumë, aromë kripe, dallgëzim i lehtë që pllaquritej me përtesë në breg dhe dukej si pëshpërimë. Ka edhe një muzikë të lehtë që shoqëron ato, janë klithma ngjethëse të pulëbardhave që fluturonin duke çarë dallgët dhe përzihen me zërat e pushuesëve të pakët.

Plazh i zakonshëm për të cilin krenohemi sepse nuk ka asgjë tjetër për t’u mburrur. Përreth shtëpiza (baraka druri). Në këtë stinë është shkretëtirë, por i aftë të ofrojë qetësi. Dallgët vijnë ngadalë dhe tërhiqen duke lënë një shteg të argjendtë, ndërsa një anije në horizont rrëshqet larg, e vetmuar, si një mendim që nuk guxon të afrohet.

Qetësia mbretëron supreme, ndjenja e lumturisë të kaplon shpirtin, dhe është bukur të takosh udhëtarë të komentosh këtë parajsë. Ecën, në këtë peizazh vërtet piktoresk, i rrethuar nga bimësi e ulët dhe lule intensive ngjyrash: vjollcë, rozë me pika të vogla të verdha, të bardha, por edhe blu e errët; mbeturina që kishte nxjerrë deti: letra, plastikë, copa drurësh, kapartona biçikletash, goma makinash, dhe këllira dherash të të gjitha ngjyrave, që kishin mbjellë shëmti dhe është mjaft e trishtueshme ti shohësh.

Rruga vazhdon përgjatë bregdetit, drejt vendeve të tjera piktoreske: Spilleja, një vendbanim me një hijeshi të qetë, i ngushtë mes detit dhe kodrave, përbërë nga ndërtesa moderne me arkitekturë të bukur që flasin për punë dhe harmoni, ku njeriu i ka dhënë formë dhe plazhit që shtrihet butë përpara detit.

Peizazhet i ndjekim pa u nxituar, duke ecur gjithmonë me vështrime të reja mes kodrave të valëzuara dhe qiejve të gjerë, ku e kaluara dhe e tashmja dialogojnë.

Kthehemi me një energji tjetër, nga një udhëtim që ndërthur qetësinë e dukshme të peizazhit me historinë.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejen e autorit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx