Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: “Mbreti është lakuriq” – Hans Kristian Andersen
E marte, 07.04.2026, 06:56 PM
“MBRETI ËSHTË LAKURIQ” - HANS KRISTIAN ANDERSEN
E VËRTETA E ZHVESHUR DEL NË PAH, PAVARËSISHT
MOHIMIT KOLEKTIV
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Kur mbreti doli para njerëzve, pothuajse të gjithë e
panë se ishte lakuriq. Megjithëkëtë, askush s’bëri zë. Nga frika, nga
oportunizmi dhe nga konformizmi, të gjithë u shtirën se s’panë gjë. Të gjithë
heshtën. Në turmë qëlloi të ishte edhe një fëmijë. Ai s’dinte për frikën, oportunizmin, konformizmin. Ai s’dinte se
ç’do të thotë të rruash apo të mbrosh interesin tënd, ndaj bërtiti: “Popull,
Mbreti është lakuriq!” Pas tij bërtitën edhe të tjerët.
* * *
Përralla "Mbreti është lakuriq" (origjinali: Keiserens nye
klæder - Rrobat e reja të
mbretit) e Andersenit është një kritikë e mprehtë ndaj
hipokrizisë, frikës dhe budallallëkut kolektiv. Flitet për një mbret që
shpenzon gjithçka për rroba, derisa dy mashtrues i shesin një "pëlhurë të padukshme" për budallenjtë,
të cilën askush nuk guxon të pranojë se nuk e sheh.
Autori flet për
pasojat e mospranimit të të vërtetës nga frika e gjykimit.
Përrallë për mbretin lakuriq
"Mbreti është
lakuriq" është një shprehje e famshme që vjen
nga përralla e shkrimtarit danez Hans
Kristian Andersen (Hans Christian Andersen, 1805-1875). Simbolizon momentin
kur
e vërteta e zhveshur del në pah, pavarësisht mohimit kolektiv. Ajo
përdoret shpesh në politikë dhe në shoqëri për të treguar situatat ku një e
vërtetë e dukshme nuk pranohet, qoftë nga frika,
qoftë nga konformizmi.
Përralla flet për një mbret që
mashtrohet se po vesh rroba që nuk shihen nga njerëzit e paaftë, derisa një
fëmijë bërtet se ai është lakuriq. Në kontekstin shqiptar, shprehja
përdoret për të denoncuar keqqeverisjen, korrupsionin ose situatat kur liderët
nuk e pranojnë realitetin. Shprehja "Mbreti
është lakuriq" shpesh përdoret nga opozita apo nga analistët për të
thënë se pushteti është i zhveshur nga legjitimiteti.
Ajo thekson
guximin për të thënë të vërtetën kur të gjithë të tjerët heshtin.
Mbreti krenar po parakalonte para turmave te njerëzve
te cilët ishin mbledhur për ta parë.
Atëherë populli i shkrete e pa se Mbreti ishte lakuriq.
Rrobat e reja të Mbretit
Para shumë vitesh jetonte
një mbret i cili kishte menduar vetëm për rrobat e veta. Një ditë i vijnë dy
mashtrues të cilët i prezantohen si endës. I thonë mbretit se do t’i qepnin një
palë rroba të reja dhe të bukura që do të ishin më të mirat në botë. Ai që nuk
do të mund t’i shihte fijet e bukura të rrobave do të konsiderohej i marrë.
Mbretit i pëlqeu kjo ide ndaj mashtruesve u dha një sasi të
madhe ari, argjendi dhe mëndafshi. Hajdutët i futën në torbë dhe sakaq u
larguan .
Duke qenë se endja “u
zvarrit”, Mbreti e dërgoi ministrin e vet plak për të parë se si përparonte
puna e rrobave të porositura. Ministri mbërriti te endësi, por nuk pa asgjë.
Atje s’kishte asgjë. Ministri plak mendoi mos vallë ishte budalla. Hajdutët
nisën t’i tregojnë se punët shkojnë mirë. Folën edhe për modelet e bukura, por
ministri ende s’i kishte parë rrobat që po “qepeshin.” Që të mos dukej naiv,
ministri më në fund tha se vërtet larat ishin shumë të bukura dhe se puna
përparonte mirë. Vajti te Mbreti për t’ia treguar të gjitha ngjyrat dhe larat
që “i kishte parë” në rrobat e tij të reja.
Pas një kohe, endësit kërkuan më tepër argjend, ar dhe mëndafsh,
edhe pse në shtëpinë e endësit nuk kishte ardhur as edhe një fije tjerre. Endja
përsëri u zvarrit. Mbreti e dërgoi nëpunësin e vet të dytë. Edhe me atë ndodhi
e njëjta gjë si me ministrin plak. Endësit kërkuan sasi akoma më të madhe
argjendi, ari dhe mëndafshi. Në fund shkoi edhe vetë Mbreti me një grup
nëpunësish të zgjedhur për të parë se si përparonin punët, por as ai nuk pa
gjë. Mendoi se më mirë do të ishte të shtirej se kinse i sheh rrobat e veta,
sesa të tjerët të mendonin se edhe ai është një i marrë.
Më në fund, Mbreti u shtir sikur i kishte veshur rrobat e veta
të reja. Në të vërtetë, s’kishte veshur asgjë. Kur doli para njerëzve, askush
nuk pa të kishte veshur diçka.
Në atë çast, një fëmijë bërtiti: “Popull, Mbreti është lakuriq!” Pas
tij, të gjithë të tjerët nisën të qeshnin dhe të bërtisnin: “Mbreti është lakuriq! “Mbreti është
lakuriq!”
I turpëruar, Mbreti u thye shpejt në pallat. Prej asaj dite ai
kishte ndryshuar. Nuk kujdesej më vetëm për rrobat e veta por edhe për popullin
e vet. Bota është shumë më e madhe se petkat e një mbreti.
* * *
HANS KRISTIAN ANDERSEN (Hans Christian Andersen; Odense, 02.04.1805 – Kopenhagë, 04.08.1875) ka qenë shkrimtar danez, autor
përrallash. Lindi në qytetin Odense më 2 prill 1805. Në Danimarkë konsiderohet
krijues i prozës realiste daneze. Veprat e tij janë përkthyer në mbi 80 gjuhë
të botës dhe kanë frymëzuar krijimin e shumë veprave teatrore, shfaqjeve
baleti, filmave, skulpturave dhe pikturave. Hans Kristian Anderseni ka qenë
djalë i një këpucari të varfër dhe i një nëne e cila pas vdekjes së burrit
është të punonte si rrobalarëse
Anderseni me shumë mund tentonte të afirmohet si shkrimtar. Në moshën
katërmbëdhjetëvjeçare, pa një shkollim të rregullt dhe pa një mbështetje, shkon
në Kopenhagë për të ndjekur shkollën e teatrit me balet dhe këndim. Shpejt e
largojnë si një nxënës të patalentuar. Me ndihmën e patronit apo nëpunësit civil danez,
mbrojtës i arteve, drejtorit të Teatrit Mbretëror, Jonas Kollin (Jonas Collin) për të
cilin kishte punuar gjatë shkollimit, ia del ta kryejë shkollimin dhe studimet
universitare.
Në fillim shkruan prozë dhe poezi. Më
vonë niset në udhëtime. Në fillim brenda atdheut të vet, pastaj jashtë vendit.
Shkon pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, në Itali, në Francë, në Gjermani. Ka vajtur edhe në Azi dhe në
Afrikë. Gjatë gjithë kohës krijonte vepra të reja. Vdes në Kopenhagë më 4 gusht
1875, si profesor i respektuar dhe si qytetar nderi i Odenses.
Tërhoqi vëmendjen me arabeskën
fantastike në stilin e tregimtarit gjerman E.T.A.
Hofan (Ernst Theodor Amadeus Hoffmann, 1776-1822) “Ecje prej kanalit Holmens deri në kepin lindor të ishullit Amager në
vitin 1828 dhe 1829” (Fodrejse fra Holmens kanal til ostpynten af Amager i
aaren 1828 og 1829; 1829). Në
vitin 1830 botoi vëllimin me poezi “Poezi”
( Digte). Ka shkruar edhe drama, komedi dhe tekste për opera dhe opereta.
Disa përpunime të tij të përrallave popullore një kohë të gjatë kanë ndenjur në
repertorët e teatrove. Arriti famë me tre romanet autobiografike: “Improvizuesi” (Improvisatoren, 1835), ku flet për përpjekjet e shkrimtarit
të ri në Itali për afirmim; romani sentimental-pesimist “O. T.” (1836), me pasqyrimin realist të jetës në Danimarkë; “Vetëm lojtar“ (Kune n
spillemand, 1837) ku
flet për fatin tragjik të muzikantit të papranuar. Pas tyre ka shkruar edhe tre
romane të tjera: “Dy baronesha” (De to
baronesser, 1848) – roman
historik në të cilin flet për shtypjen e fshatarëve në atmosferën e ndryshimeve
shoqërore në Evropë; “Të jesh ose të mos
jesh” (At vaere elelr ikke vaere, 1857)
ku flet për materializmin në rritje në jetën evropiane; dhe “Fatlumi” (Lykke-Peer, 1870) për trimin që vdes i lumtur në kulmin
e karrierës së vet; “Ashasver”
(dramë).
Romanet e tij i sulmoi ashpër shkrimtari
dhe filozofi danez Soren Kierkegar (Søren
Kierkegaard, 1813-1855). Sidoqoftë, Anderseni është romancieri i parë i shquar
danez që e trajton temën e jetës së përditshme daneze. Tërhoqi vëmendjen edhe
me përmbledhjen e tregimeve të shkurtra, përkatësisht skicave lirike “Libër me figura pa fotografi” (Billedbog
uden billeder, 1839) i botuar në
Gjermani. Pasojnë udhëpërshkrimet nga udhëtimet e autorit në Gjermani, Spanjë,
Itali, Lindjen e Afërt – p.sh. “Pazari i
poetit” (En digters bazar, 1840-1841),
vepra e shkruar në mënyrë poetike “Në
Suedi” ( I Sverrig, 1851) dhe “Në
Spanjë” ( I Spanien, 1863).
Shënime autobiografike të theksuara gjejmë në “Libër për jetën” (Levnedsbbogen, 1926) të shkruar në vitin 1832 si dhe në librin “Rrëfime për jetën time” (Mit livs eventyr, 1855). Elemente biografike, përfshi edhe për
homoseksualizmin latent, përmbajnë letrat e tij.
Popullaritet të përhershëm ka fituar me
përrallat dhe me tregimet për fëmijë, të grumbulluara në përmbledhjet “Përrallat që u janë treguar fëmijëve”
(Eventyr, fortalte for børn, 1835), “Përralla” (Eventyr, 1-2, 1837, 1842; 9 libra) dhe “Përralla dhe tregime
të reja” (Nye eventyr og historier, 1858-1872). Gjithsej ka shkruar 156 përralla. Më të njohura janë “Çupa me shkrepësa”, “Ushtar kallaji”,
“Trumcaku”, „Gishti i madh”, “Princesha e vogël” 1837), “Princesha
në kokrrën e bizeles”, “Rosa e shëmtuar“, “Mbretëresha prej dëbore”, “Rrobat e reja të mbretit” (1837). Këto
tregime janë krijuar në bazë të ndikimit fillestar të E. T. A. Hofmanit dhe deri diku edhe të tregimeve popullore (për dallim nga tregimet e vëllezërve Grim* dhe të vëllezërve Asbjørnsen*
Shënim:
Jakob Grim (Jacob Grimm, 1785-1863)
shkrimtar dhe filozof gjerman; dhe Vilhelm
Grim(Wilhelm Grimm, 1786-1859) shkrimtar dhe filozof gjerman, vëlla i Jakob
Grimit.
Peter Kristen Asbjornsen (Peter Christen Asbjørnsen, Oslo, 1812 – Oslo, 1885) shkrimtar
dhe studiues norvegjez.
* * *
Përrallat apo tregimet e tij përbëjnë
lidhje të fantastikes, legjendares dhe mitikes me botën reale, ndërsa për nga
shprehja dhe zhvillimi i brendshëm janë krijime origjinale të imagjinatës së
shkrimtarit. Disa prej tyre flasin për besimin në fitoren përfundimtare të së
mirës dhe të bukurës, kurse disa të tjerë janë tejet pesimiste, me përfundime fatkeqe. Por, duke qenë se pasqyrojnë ndjenjat dhe idetë jashtë
horizontit momental të të kuptuarit të fëmijëve, e ruajnë kontaktin me
perspektivën e fëmijëve.
Përrallat apo tregimet e tij shquhen
edhe me një notë sociale të fuqishme dhe me identifikimin me personazhet më të
dobët dhe më fatkeq, duke treguar kështu edhe tiparin autobiografik.
Sentimentalizmin eventual e eliminon
ironia e butë. Janë vepër më e përkthyer në gjuhën daneze dhe një prej veprave
letrare më të përkthyera në përgjithësi.
Anderseni ka
pasur një motër nga njerka. Motra quhej Karen. Edhe pse është mohuar,
spekulimet këmbëngulëse sugjerojnë se Anderseni ka qenë bir jashtëmartesor i
Mbretit Kristian VIII. Historiani danez Jens Jorgensen (Jens Jørgensen)
e ka mbështetur këtë ide në librin e vet “H. C. Andersen, en sand myte, 1987).”
Shënim:
"H.
C. Andersen - en sand myte"
(1987) i historianit danez Jens
Jørgensen është një libër kontrovers që pretendon se shkrimtari i famshëm
Andersen ishte bir i paligjshëm i fisnikes Elise
Ahlefeldt-Laurvig (Tranekaer, Danimarkë,
1788 – Berkin, 1855) dhe jo i një
rrobalarëseje të varfër.









